Mëso nga Fjala e Perëndisë
A e parathotë Bibla të ardhmen?
Ky artikull shqyrton pyetje që mund të kesh bërë dhe tregon se ku t’i lexosh përgjigjet në Biblën tënde. Dëshmitarët e Jehovait do t’i diskutojnë me kënaqësi këto përgjigje me ty.
1. A janë specifike profecitë biblike?
Vetëm Perëndia i Plotfuqishëm mund ta parashikojë me hollësi të ardhmen. (Amosi 3:7) Për shembull, që në kohët e lashta, ai paratha se do të vinte dikush që quhej Mesia ose Krishti. Mesia do të ishte pasardhës i Abrahamit besnik. Ai do të ishte sundimtar, falë të cilit njerëzit e bindur do të rifitonin bekimin e jetës së përsosur pa sëmundje. (Zanafilla 22:18; Isaia 53:4, 5) Mesia i premtuar do të vinte nga Betlehemi.—Lexo Mikenë 5:2.
Jezui tregoi se ishte Mesia. Mbi shtatë shekuj përpara, Bibla paratha se Mesia do të lindte nga një virgjëreshë dhe se do ta përbuznin. Do ta jepte jetën për të shlyer mëkatet e shumë vetave dhe do të varrosej me të pasurit. (Isaia 7:14; 53:3, 9, 12; Mateu 1:23) Gjithashtu, më se pesë shekuj para se të ndodhte, Bibla tha se ai do të hynte në Jerusalem hipur në gomar dhe se do ta tradhtonin për 30 monedha të argjendta. Çdo hollësi doli e vërtetë.—Lexo Zakarinë 9:9; 11:12.
2. A parashikon Perëndia data?
Mbi pesë shekuj përpara, Bibla profetizoi vitin e saktë kur do të shfaqej Mesia. Koha deri sa të vinte, llogaritej me javë vjetore, domethënë çdo «javë» ishte shtatë vjet e gjatë. Do të ishin 7 plus 62 javë të tilla, pra gjithsej 69 javë vjetore ose 483 vjet. Kur nisën këto vite? Sipas Biblës, kjo periudhë filloi kur shërbëtori i Perëndisë, Nehemia, mbërriti në Jerusalem dhe nisi të rindërtonte qytetin. Historia perse përcakton vitin 455 p.e.s. për këtë ngjarje. (Nehemia 2:1-5) Jezui u pagëzua si Mesia 483 vjet më vonë, në vitin 29 të e.s., tamam në kohë.—Lexo Danielin 9:25.
3. A po përmbushen sot profecitë biblike?
Jezui profetizoi ngjarje historike për kohën tonë. Ai përmendi në profecinë e tij lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë, që në mbarë botën do t’u sjellë lehtësim njerëzve që e duan Perëndinë. Mbretëria do t’i japë fund tërë sistemit të lig ku jetojmë.—Lexo Mateun 24:14, 21, 22.
Profecitë biblike përshkruajnë me hollësi periudhën e përfundimit të këtij sistemi të lig. Bibla paratha se sot njerëzit do ta rrënonin tokën, krejt ndryshe nga sa mund të pritet në një epokë përparimtare. Vuajtjet nga luftërat, nga mungesat e ushqimit, nga tërmetet dhe nga epidemitë do të shtoheshin. (Luka 21:11; Zbulesa 11:18) Normat morale do të fundoseshin. Në këto kohë të vështira, dishepujt e Jezuit do ta predikonin në të gjitha kombet lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë.—Lexo Mateun 24:3, 7, 8; 2 Timoteut 3:1-5.
4. Ç’e ardhme i pret njerëzit?
Perëndia i Plotfuqishëm ka rezervuar gjëra të mira për njerëzit besnikë. Jezu Krishti, Mesia, bashkë me të zgjedhurit e tij, do ta sundojnë tokën nga qielli. Ata përbëjnë qeverinë e Perëndisë, e cila do të sundojë për një mijë vjet. Të vdekurit do të ngrihen dhe do t’u jepet mundësia të gjykohen të denjë për jetën e përhershme. Veç kësaj, kjo Mbretëri do të kurojë çdo njeri që do të jetë gjallë. Nuk do të ketë më sëmundje dhe vdekje.—Lexo Zbulesën 5:10; 20:6, 12; 21:4, 5.
Për më tepër informacion, shih librin Çfarë mëson vërtet Bibla?, faqet 23-25 dhe 197-201.