Pse të jetojmë sipas normave të Biblës?
Pse të jetojmë sipas normave të Biblës?
A ËSHTË pikëpamja e Biblës për seksin demodé dhe tepër kufizuese? Aspak. Përkundrazi, pikëpamja e Biblës për seksin mund të na ndihmojë të shmangim:
▪ sëmundjet e transmetuara në rrugë seksuale
▪ shtatzënitë jashtë martese
▪ pasojat e dhembshme të prishjes së martesës
▪ një ndërgjegje fajtore
▪ poshtërimin që vjen kur të tjerët të përdorin
Krijuesi ynë, Perëndia Jehova, * do që të gëzojmë e të korrim të mira nga dhuratat e tij. Perëndia «të mëson se si të nxjerrësh dobi për vete». (Isaia 48:17) Kush jeton sipas udhëzimeve të Biblës për seksin fiton:
▪ miratimin e Perëndisë
▪ paqe mendore
▪ lidhje më të forta familjare
▪ emër të mirë
▪ respekt për veten
Po nëse tani për tani nuk po jeton sipas normave morale të Biblës? A është e mundur që ta ndryshosh jetën? A do të të kërkojë llogari Perëndia për sjelljen tënde në të kaluarën?
Mendo për këtë: disa në kongregacionin e krishterë të shekullit të parë dikur kishin qenë kurvarë, kurorëshkelës dhe homoseksualë. Ata vendosën të ndryshonin dhe Perëndia i fali. (1 Korintasve 6:9-11) Sot, mijëra njerëz në mbarë botën kanë vendosur të veprojnë po njësoj. Kanë lënë pas një jetë seksuale të çrregullt dhe kanë shijuar dobitë që sjell jetesa në përputhje me normat e Biblës. Për shembull, le të shohim rastin e Sarës, që përmendëm në artikullin e parë.
«U lehtësova menjëherë»
Sara kuptoi më në fund se jeta e saj e shfrenuar nuk i jepte lirinë dhe kënaqësinë që ëndërronte. «Kuptova se ndërgjegjja më ishte bërë dru,—thotë ajo.—Më vinte turp dhe kisha merak mos mbetesha shtatzënë ose merrja ndonjë sëmundje të tmerrshme. Nuk e humba kurrë besimin se Perëndia ekziston dhe e dija se e kisha lënduar me jetën që kisha bërë. Ndihesha e fëlliqur dhe kjo më gërryente përbrenda.»
Në fund, Sara gjeti forcë të ndryshonte. Ajo u kërkoi ndihmë prindërve që janë Dëshmitarë të Jehovait. Gjithashtu, u kërkoi ndihmë edhe pleqve të kualifikuar në kongregacionin ku bënte pjesë familja e saj. «Më befasoi ngrohtësia e dashuria e prindërve dhe e pleqve të kongregacionit,—thotë Sara.—U lehtësova menjëherë.»
Tani Sara është nënë me dy fëmijë. «U flas hapur fëmijëve të mi për zgjedhjet që bëra,—thotë ajo.—Dua që të kuptojnë se sa pasoja pata nga shpërfillja e normave të Perëndisë. Qëllimi im është t’i ndihmoj të çmojnë dobitë fizike, mendore dhe emocionale që vijnë kur jeton sipas normave të Perëndisë për seksin. Jam e bindur se Perëndia na ka dhënë norma morale, sepse nuk do që ne të vuajmë.»
Edhe ti mund të shijosh dobitë që vijnë kur ndjek drejtimin e dashur të Perëndisë. Bibla bën këtë premtim: «Urdhrat e Jehovait janë të drejtë dhe ta gëzojnë zemrën. Urdhërimet e Jehovait janë të pastra dhe i bëjnë sytë të ndrijnë. . . . Kur i zbaton, merr shpërblim të madh.»—Psalmi 19:8, 11. *
[Shënimet]
^ par. 8 Jehova është emri i Perëndisë siç zbulohet në Bibël.
^ par. 20 Për të mësuar më tepër rreth këshillave praktike të Biblës, mos ngurro të kontaktosh me Dëshmitarët e Jehovait në zonën tënde, të shkruash në një nga adresat e faqes 4 ose të hysh në faqen tonë të Internetit www.watchtower.org.
[Diçitura në faqen 8]
Ata që shpërfillin normat e Biblës shpesh shkaktojnë dhembje emocionale
[Diçitura në faqen 9]
Kush jeton sipas normave të Biblës ka ndërgjegje të pastër dhe gëzon lidhje më të forta familjare