A ka kuptim të vërtetë jeta?
A ka kuptim të vërtetë jeta?
«A KA kuptim jeta?» Shumë e shumë veta e kanë bërë këtë pyetje. Mjerisht, pavarësisht si e shohin jetën, mjaft veta nuk i shpëtojnë dot asaj që neurologu Viktor E. Frankli e përshkroi si një «ndjesi të pakuptimtë dhe kotësie» në jetën e tyre.
Pse kaq shumë njerëz ndihen kështu? Pikësëpari, miliona veta përreth botës jetojnë në kushte jashtëzakonisht të mjera që ta bëjnë zemrën copë. Çdo ditë, ata zgjohen të varfër, me sëmundje, hasin dhunë pa kuptim dhe shtypje. Jeta e tyre është vërtet e «mbytur me halle», siç tha për vuajtjet e njerëzve edhe Jobi i kohëve të lashta. (Jobi 14:1) Meraku i tyre parësor është ta ruajnë shpirtin gjallë ditë pas dite.
Miliona të tjerë gëzojnë njëfarë begatie materiale. Duket sikur çdo gjë e kanë në terezi për t’u ndier vërtet të kënaqur në jetë. Por, për shumë të tjerë nuk është kështu. Pse? Sepse herë pas here përjetojnë «telashe e të këqija» që ua shuajnë shpresat dhe ëndrrat e tyre të shtrenjta. Këto mund të jenë rënie të papritura financiare ose tragjedi të hidhura, si vdekja e fëmijës.—Psalmi 90:10.
Ka edhe një faktor tjetër që e thellon këtë «ndjesi të pakuptimtë dhe kotësie», që është përhapur kaq shumë. Cili është ky? Jeta tepër e shkurtër. Mjaft vetave u duket pa kuptim që njerëzit, me gjithë potencialin që kanë, jetojnë kaq pak. Nuk e kuptojnë realitetin e hidhur me të cilin përballemi të gjithë: herët a vonë, edhe nëse nuk përjetojmë tragjedi të mëdha në jetë, vdekja na i rrëmben të gjitha.—Eklisiastiu 3:19, 20.
A do të duket përherë e pakuptimtë jeta?
Mbreti Solomon i Izraelit të lashtë e përmblodhi mirë këtë situatë. I shihte njerëzit e kohës së tij teksa punonin fort duke i përdorur dhuntitë dhe aftësitë në bujqësi, ndërtim dhe që të kujdeseshin për familjen, pikërisht siç bëjmë ne sot. Në fakt, ishte sikur të pyeste: Eklisiastiu 2:17.
«Cili do të jetë rezultati në fund?» Ai përfundoi duke thënë se çdo gjë që bëjnë njerëzit, është «kotësi dhe rropatje pas erës».—Por, a besonte mbreti Solomon se gjithçka që bën njeriu do të jetë përherë «kotësi dhe rropatje pas erës»? Jo. Ai thjesht po shprehte një pikëpamje realiste për jetën në këtë botë të papërsosur. Gjithsesi, Fjala e frymëzuar e Perëndisë mund të të japë siguri se gjërat nuk do të jenë përherë kështu!
Si ta gjesh këtë siguri? Të lutemi, lexo dy artikujt vijues. Ata mund të të ndihmojnë të kuptosh pse duket kaq e pakuptimtë jeta, si do të ndreqen gjërat dhe si t’i japësh kuptim të vërtetë jetës që tani.