A e vlerëson Perëndia një racë më tepër se të tjerat?
Lexuesit pyesin . . .
A e vlerëson Perëndia një racë më tepër se të tjerat?
▪ Jo, nuk është e vërtetë. Bibla thotë qartë: «Perëndia nuk është i anshëm, por në çdo komb njeriu që i frikësohet atij dhe praktikon drejtësinë, është i pranuar nga ai.»—Veprat 10:34, 35.
Pikëpamja e Perëndisë për këtë çështje është shumë më e lartë se ajo e njerëzve të papërsosur. Mjaft njerëz besojnë se një racë (zakonisht tyrja) është më e lartë se të tjerat. Ky paragjykim pasqyron pikëpamjen e Çarls Darvinit, i cili shkroi: «Në një të ardhme, . . . racat njerëzore të qytetëruara thuajse do të shfarosin dhe do të zëvendësojnë racat e prapambetura.» Mjerisht, shumë veta janë bërë vërtet viktima të njerëzve të racave të tjera, që e shohin veten si më të lartë.
A është me vend pikëpamja se një racë është më e lartë se të tjerat? Për shembull, a ka vërtetuar shkenca se disa raca janë gjenetikisht mbi të tjerat, kurse të tjerat janë më të ulëta? Përkundrazi, gjenetisti dhe profesori i Oksfordit, Brajan Sajksi, thotë: «Nuk ka asnjë bazë gjenetike për asnjë lloj klasifikimi të ngurtë etnik ose racor. . . . Gjithnjë më pyesin nëse ka ADN greke ose gjene italiane, por sigurisht që nuk ka. . . . Jemi shumë të ngjashëm.»
Këto zbulime janë në harmoni me atë që lexojmë në Shkrime. Bibla mëson se Perëndia krijoi vetëm një burrë e një grua, nga të cilët erdhën të gjithë njerëzit e tjerë. (Zanafilla 3:20; Veprat 17:26) Pra, në sytë e Perëndisë ekziston vetëm një racë—raca njerëzore.
Për Jehovain nuk ka fare rëndësi ngjyra e lëkurës apo tiparet e fytyrës së dikujt. Në vend të kësaj, Ai vlerëson diçka me rëndësi shumë më të madhe—zemrën tonë të figurshme ose njeriun që jemi përbrenda. Ai thotë: «Njerëzit i gjykojnë të tjerët nga pamja, kurse unë i gjykoj njerëzit nga ajo që kanë në zemër.» (1 Samuelit 16:7, Contemporary English Version) Nëse e mbajmë në mendje këtë fakt, mund të inkurajohemi tej mase. Në ç’mënyrë?
Pavarësisht nga prejardhja racore, mjaft prej nesh nuk janë të kënaqur me tiparet fizike, por nuk kemi fuqi t’i ndryshojmë gjëra të tilla. Gjithsesi, mund të përmirësojmë atë që ka më tepër rëndësi—mendimet dhe ndjenjat e zemrës. (Kolosianëve 3:9-11) Nëse jemi të ndershëm me veten, mund të kuptojmë se kemi prirjen të ndihemi disi më lart ose ndoshta më poshtë se njerëzit e një race tjetër. Meqë asnjë nga këto pikëpamje nuk përputhet me pikëpamjen e Perëndisë, duhet të përpiqemi fort që të çrrënjosim çdo ndjenjë të tillë nga zemra.—Psalmi 139:23, 24.
Teksa përpiqemi me gjithë shpirt ta shohim veten dhe të tjerët siç i sheh Jehovai, të jemi të sigurt se ai do të na ndihmojë. Fjala e tij na kujton: «Sytë e Jehovait enden nëpër gjithë tokën për të treguar forcën e tij në dobi të atyre që i janë kushtuar me gjithë zemër.» (2 Kronikave 16:9) Kjo është e vërtetë pavarësisht se çfarë race jemi.