Pse i lejon Perëndia ligësinë dhe vuajtjet?
Mëso nga Fjala e Perëndisë
Pse i lejon Perëndia ligësinë dhe vuajtjet?
Ky artikull ngre pyetje që mund të kesh bërë dhe tregon se ku t’i lexosh përgjigjet në Biblën tënde. Dëshmitarët e Jehovait do t’i diskutojnë me kënaqësi këto përgjigje me ty.
1. Si filloi ligësia?
Ligësia filloi në tokë kur Satanai tha gënjeshtrën e parë. Satanai nuk ishte i lig kur u krijua. Ishte engjëll i përsosur, por «nuk qëndroi i vendosur në të vërtetën». (Gjoni 8:44) Ai zhvilloi dëshirën që të adhurohej, e cila i përket me të drejtë vetëm Perëndisë. Satanai e gënjeu gruan e parë, Evën, dhe ia mbushi mendjen t’i bindej atij e jo Perëndisë. Ashtu si Eva, edhe Adami nuk iu bind Perëndisë. Vendimi i Adamit çoi në vuajtje dhe vdekje.—Lexo Zanafillën 3:1-6, 17-19.
Kur Satanai i tha Evës të mos i bindej Perëndisë, ai po kurdiste një rebelim kundër sovranitetit të Perëndisë. Shumica e njerëzimit ka marrë anën e Satanait duke e hedhur poshtë Perëndinë si sundimtar. Kështu, Satanai është bërë «sundimtari i kësaj bote».—Lexo Gjonin 14:30; Zbulesën 12:9.
2. A kishte të meta krijimi i Perëndisë?
Njerëzit dhe engjëjt që krijoi Perëndia kishin aftësi të përsosur që t’u bindeshin kërkesave të tij. (Ligji i përtërirë 32:4, 5) Perëndia na krijoi me lirinë që të zgjedhim të bëjmë atë që është e mirë ose atë që është e ligë. Kjo liri na jep mundësi të shprehim dashurinë që kemi për Perëndinë.—Lexo Jakovin 1:13-15; 1 Gjonit 5:3.
3. Pse i ka lejuar Perëndia vuajtjet?
Për një periudhë të caktuar kohe, Jehovai e ka toleruar rebelimin kundër sovranitetit të tij. Pse? Që të tregojë se asnjë përpjekje për të sunduar pa të, nuk do t’u sjellë dobi njerëzve. (Jeremia 10:23) Pas 6.000 vjetëve të historisë njerëzore, kjo çështje është zgjidhur. Sundimtarët njerëzorë nuk ia kanë dalë të zhdukin luftërat, krimet, padrejtësitë dhe sëmundjet.—Lexo Eklisiastiun 7:29; 8:9; Romakëve 9:17.
Krejt ndryshe, ata që e pranojnë Perëndinë si sundimtarin e tyre, nxjerrin dobi për vete. (Isaia 48:17, 18) Së shpejti, Jehovai do t’u japë fund të gjitha qeverive njerëzore. Vetëm njerëzit që zgjedhin Perëndinë si sundimtar, do të banojnë në tokë.—Isaia 2:3, 4; 11:9; lexo Danielin 2:44.
4. Çfarë mundësie sjell durimi i Perëndisë?
Satanai tha se askush nuk do t’i bindet me besnikëri Jehovait. Durimi i Perëndisë na jep mundësi të tregojmë se sundimin e kujt pranojmë: të Perëndisë apo të njeriut? Zgjedhja jonë duket nga mënyra si jetojmë.—Lexo Jobin 1:8-11; Proverbat 27:11.
5. Si e zgjedhim Perëndinë si sundimtar?
E zgjedhim Perëndinë si sundimtar kur përpiqemi të gjejmë dhe të praktikojmë adhurimin e vërtetë që bazohet në Fjalën e tij, Biblën. (Gjoni 4:23) Gjithashtu, ashtu si Jezui, nuk përfshihemi në politikë dhe luftëra.—Lexo Gjonin 17:14.
Satanai e përdor fuqinë e tij për të nxitur praktika imorale e të dëmshme. Kur i hedhim poshtë këto praktika, disa nga miqtë dhe të afërmit mund të na tallin ose të na kundërvihen. (1 Pjetrit 4:3, 4) Prandaj, duhet të zgjedhim. A do të shoqërohemi me njerëz që e duan Perëndinë? A do t’u bindemi ligjeve të tij të mençura e të dashura? Nëse po, provojmë se Satanai gënjeu kur tha se askush s’do t’i bindej Perëndisë.—Lexo 1 Korintasve 6:9, 10; 15:33.
Për më tepër informacion, shih librin Çfarë mëson vërtet Bibla?, kapitullin 11, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
[Figura në faqen 16]
Adami bëri një zgjedhje të ligë
[Figura në faqen 17]
Zgjedhjet që bëjmë, tregojnë nëse e duam Perëndinë si sundimtarin tonë