Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Bibla të ndryshon jetën

Bibla të ndryshon jetën

Bibla të ndryshon jetën

ÇFARË ndikoi te një fanatik i pashoqërueshëm i muzikës pank rok që të mësonte t’i donte njerëzit dhe të arrinte t’i ndihmonte të tjerët? Çfarë e nxiti një burrë në Meksikë të hiqte dorë nga jeta imorale? Pse një çiklist i shquar i Japonisë i la garat që t’i shërbente Perëndisë? Shqyrtoni çfarë thonë këta njerëz.

«Isha i pasjellshëm, arrogant dhe agresiv.»​—DENIS OBAJRNI

LINDUR: 1958

VENDI I LINDJES: ANGLIA

MË PARË: FANATIK I PASHOQËRUESHËM I MUZIKËS PANK ROK

E KALUARA IME: Nga ana e babait jam irlandez dhe u rrita si katolik irlandez. Megjithatë, shpesh shkoja vetëm në kishë edhe pse nuk më pëlqente. Gjithsesi, isha i etur të mësoja për Perëndinë. E thosha rregullisht lutjen «Ati ynë» dhe më kujtohet se si netëve në shtrat mendoja për domethënien e saj. E ndaja në pjesë dhe përpiqesha t’i kuptoja.

Nga mesi i adoleshencës u përfshiva në lëvizjen rastafariane. Gjithashtu u interesova për çështje të tilla politike si Lidhja Antinaziste. Por u zhyta kokë e këmbë në qëndrimin rebel të lëvizjes pank rok. Merrja drogë, sidomos marihuanë, që e thithja thuajse çdo ditë. Zhvillova qëndrimin «s’e çaj kokën», pija rëndshëm, e vija jetën në rrezik dhe as që doja t’ia dija për të tjerët. Nuk isha i shoqërueshëm, s’para flisja me ndonjë po të mos e konsideroja argument me kuptim. Madje nuk doja të më nxirrnin në fotografi. Tani që shoh pas, e kuptoj se isha i pasjellshëm, arrogant dhe agresiv. Tregohesha i mirë dhe shpirtgjerë vetëm me ndonjë që kisha lidhje të ngushtë.

Kur isha rreth 20 vjeç, filloi të më interesonte Bibla. Një shok që ishte trafikant droge kishte nisur ta lexonte në burg dhe bëmë një bisedë të gjatë për fenë, kishën dhe rolin e Satanait në botë. Bleva një Bibël dhe fillova ta studioja vetë. Unë dhe shoku lexonim pjesë nga Bibla, takoheshim që të flitnim rreth asaj që kishim mësuar dhe nxirrnim përfundime. Kjo vazhdoi për muaj me radhë.

Ja disa nga përfundimet që nxorëm nga ajo që lexuam: po jetojmë në ditët e fundit të kësaj bote; të krishterët duhet të predikojnë lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë; ata nuk duhet të jenë pjesë e kësaj bote, përfshirë politikën e saj; dhe Bibla ofron udhëheqje të shëndoshë morale. E shihnim qartë se Bibla është e vërtetë dhe se duhej të kishte një fe të vërtetë. Por cila ishte? Sollëm ndër mend kishat kryesore, shkëlqimin dhe ritualet e tyre të shtirura, si dhe përfshirjen e tyre në politikë. E kuptuam se Jezui nuk kishte fare lidhje me këto. E dinim se Perëndia nuk po i përdorte ato kisha, prandaj vendosëm të shqyrtonim disa nga fetë më pak të njohura që të shihnim se ç’kishin për të ofruar.

Takonim besimtarë të këtyre feve dhe i bombardonim me pyetje. E dinim se ç’thoshte Bibla për secilën pyetje, kështu që e dallonim menjëherë nëse përgjigjeshin në harmoni me Fjalën e Perëndisë. Pas këtyre takimeve, gjithnjë i lutesha Perëndisë: «Nëse këta njerëz përfaqësojnë fenë e vërtetë, të lutem më nxit që të dëshiroj të takohem sërish me ta.» Por pasi kaluan muaj takimesh të tilla, ende nuk kisha gjetur një grup që u përgjigjej pyetjeve tona nga Bibla dhe as kisha ndonjë dëshirë të takohesha më me ndonjë prej tyre.

Më në fund, shoku dhe unë takuam Dëshmitarët e Jehovait dhe u bëmë të njëjtat pyetje, por ata u përgjigjën nga Bibla. Ajo që thanë përputhej tamam me atë që kishim mësuar. Prandaj vazhduam t’u bënim pyetje për të cilat ende nuk kishim gjetur përgjigje në Bibël, si për shembull, për pikëpamjen e Perëndisë rreth duhanit e drogës. Sërish, ata arritën të përgjigjeshin me anë të Fjalës së Perëndisë. Ramë dakord të shkonim në një mbledhje në Sallën e Mbretërisë.

Të shkoja në mbledhje ishte e vështirë për mua. Isha kaq i veçuar, sa nuk më pëlqente të më afroheshin gjithë ata njerëz miqësorë e të veshur mirë. Disa i gjykoja gabim kur vinin të më takonin, prandaj nuk doja të shkoja më në mbledhje. Por, si gjithmonë, iu luta Perëndisë të më jepte dëshirën të takohesha përsëri me këta njerëz nëse përfaqësonin fenë e vërtetë​—dhe ndjeva një dëshirë të zjarrtë të studioja Biblën me Dëshmitarët.

SI MA NDRYSHOI JETËN BIBLA: E dija se nuk duhej të merrja më drogë dhe me vullnet ia dola mbanë. Sfidën e vërtetë e kisha me duhanin. U përpoqa disa herë ta lija, por nuk ia dilja dot. Kur dëgjova se disa thjesht i kishin hedhur tej cigaret dhe nuk kishin pirë më, iu drejtova Jehovait për këtë çështje. Pastaj, me ndihmën e Jehovait, e lashë duhanin. Mësova sa vlerë ka kur flasim hapur me Jehovain në lutje.

Një tjetër ndryshim drastik që bëra, kishte të bënte me veshjen dhe krehjen time. Në mbledhjen e parë në Sallën e Mbretërisë, flokët i kisha të ngritura përpjetë dhe kreshtën të lyer në ngjyrë gurkali. Më vonë, e leva portokalli të ndezur. Vishja xhinse dhe xhaketë lëkure me slogane. Nuk e shihja të nevojshme të ndryshoja, edhe pse Dëshmitarët arsyetonin me dashamirësi me mua. Por, në fund, mendova për 1 Gjonit 2:15-17: «Mos e doni as botën, as gjërat që janë në botë. Nëse ndokush e do botën, dashuria e Atit nuk është në të.» Arrita në përfundimin se me anë të pamjes po tregoja dashuri për këtë botë dhe se duhej të ndryshoja, që të tregoja dashuri për Perëndinë. Kështu bëra.

Me kalimin e kohës, kuptova se Dëshmitarët nuk ishin të vetmit që donin të shkoja në mbledhjet e krishtere. Hebrenjve 10:24, 25 më tregoi se kjo ishte diçka që Perëndia donte për mua. Pasi fillova të shkoja në të gjitha mbledhjet dhe i njoha vërtet të tjerët, vendosa ta bëja të njohur kushtimin ndaj Jehovait duke u pagëzuar.

DOBITË: Jam prekur thellë nga mënyra se si Jehovai lejon që të kemi marrëdhënie të ngushtë me të. Dhembshuria dhe kujdesi i tij më nxitën ta imitoja dhe të ndiqja si model në jetë Birin e tij, Jezu Krishtin. (1 Pjetrit 2:21) Kam mësuar se, ndërsa përpiqem fort të kem një personalitet të krishterë, ende mund të ruaj identitetin tim. Jam përpjekur të bëhem i dashur dhe të interesohem për të tjerët. Mundohem të imitoj Krishtin me mënyrën si e trajtoj gruan dhe djalin. Si dhe interesohem me gjithë shpirt për vëllezërit dhe motrat në të vërtetën. Imitimi i Krishtit më ka dhënë dinjitet, respekt për veten dhe aftësi që t’u tregoj dashuri të tjerëve.

«Më trajtuan me dinjitet.»​—GUADALUP BILJAREALI

LINDUR: 1964

VENDI I LINDJES: MEKSIKA

MË PARË: BËJA JETË IMORALE

E KALUARA IME: Isha një nga shtatë fëmijët dhe u rrita në Hermosilo, në Sonorë të Meksikës, një zonë e pllakosur nga varfëria. Babai vdiq kur isha i vogël, prandaj mamaja duhej të punonte që të na mbante me bukë. Shpesh ecja zbathur, ngaqë nuk kishim para të blinim këpucë. Kur isha ende i ri, fillova të punoja që të ndihmoja familjen me shpenzimet. Si shumë familje të tjera, jetonim të gjithë në një banesë të vogël.

Pjesën më të madhe të ditës, mamaja nuk ishte aty që të na mbronte. Kur isha 6 vjeç, rashë viktimë e një 15-vjeçari i cili filloi të abuzonte seksualisht me mua. Ky abuzim vazhdoi për një kohë të gjatë. Një pasojë e kësaj ishte se u pështjellova shumë nga ana seksuale. Mendoja se ishte normale të ndihesha i tërhequr ndaj meshkujve. Kur kërkoja ndihmën e mjekëve ose të klerikëve, më siguronin se nuk kisha ndonjë gjë që s’shkonte dhe se ajo që ndieja ishte normale.

Në moshën 14-vjeçare vendosa t’i shfaqesha hapur botës si homoseksual. U solla si i tillë për 11 vitet e ardhshme, madje jetova me burra të ndryshëm. Me kalimin e kohës, fillova një kurs si parukier dhe hapa një parukeri. Megjithatë nuk isha i lumtur. Jeta ime ishte plot vuajtje dhe tradhti. E ndieja se po bëja diçka të gabuar. Fillova të pyesja veten nëse ekzistonin njerëz të mirë e që ia vlenin.

Mendja më shkoi te motra. Ajo nisi të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait dhe u pagëzua. Më fliste për atë që mësonte, por nuk ia vija veshin. Prapëseprapë, e admiroja për jetën dhe martesën që kishte. E shihja se ajo dhe burri e donin dhe e respektonin vërtet njëri-tjetrin. E trajtonin njëri-tjetrin me dashamirësi. Me kalimin e kohës, një nga Dëshmitarët e Jehovait filloi të studionte Biblën me mua. Në fillim thjesht e shtyja, s’e kisha me qejf. Më pas gjërat ndryshuan.

SI MA NDRYSHOI JETËN BIBLA: Dëshmitarët më ftuan në një nga mbledhjet e tyre, dhe shkova. Ishte diçka e re për mua. Njerëzit në përgjithësi më tallnin, por jo Dëshmitarët. Më përshëndetën me dashamirësi dhe më trajtuan me dinjitet. Kjo më preku.

Përshtypja e mirë për Dëshmitarët m’u thellua kur shkova në një asamble. E pashë se edhe në grupe të mëdha, këta njerëz ishin si motra ime​—të çiltër e të sinqertë. Pyetja veten nëse ky ishte grupi i njerëzve të mirë e që ia vlenin, të cilët kisha kohë që i kërkoja. Dashuria e uniteti i tyre më mahnitnin, ashtu si më mahniste edhe përdorimi i Biblës për t’iu përgjigjur çdo pyetjeje. E kuptova se Bibla ishte ajo që i shtynte për mirë në jetë. E pashë gjithashtu se, që të isha një prej tyre, më duhej të bëja shumë ndryshime.

Në fakt, duhej të ndryshoja kryekëput, pasi bëja jetë femre. Duhej të ndryshoja të folurit, sjelljen, veshjen, modelin e flokëve dhe shoqërinë. Shokët e mëparshëm filluan të më ngacmonin me fjalët: «Pse po e bën këtë? Ishe për bukuri më parë. Mos e studio Biblën. Ke gjithçka që të duhet.» Megjithatë, ndryshimet më të vështira kishin të bënin me jetën time imorale.

Por e dija se ndryshimet e mëdha ishin të mundura, pasi fjalët e Biblës te 1 Korintasve 6:9-11 më prekën zemrën: «Çfarë?! A nuk e dini se të padrejtët nuk do ta trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë? Mos u mashtroni! As kurvarë, as idhujtarë, as kurorëshkelës, as burra që mbahen për qëllime të panatyrshme seksuale, as burra që shkojnë me burra . . . nuk do ta trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë. Megjithatë, të tillë ishit disa nga ju. Mirëpo jeni larë.» Ashtu si Jehovai i ndihmoi njerëzit në atë kohë të ndryshonin, po ashtu më ndihmoi edhe mua. M’u deshën disa vjet dhe goxha luftë, por drejtimi dhe dashuria e Dëshmitarëve më ndihmuan tej mase.

DOBITË: Sot bëj jetë normale. Jam i martuar dhe, bashkë me gruan, po i mësojmë djalit të jetojë sipas parimeve biblike. Jeta e mëparshme është e kaluar e largët për mua dhe gëzoj mjaft dobi e privilegje frymore. Shërbej si plak në kongregacion dhe kam arritur të ndihmoj të tjerë të mësojnë të vërtetën e Fjalës së Perëndisë. Ndryshimet e mia e gëzuan kaq shumë mamanë, sa pranoi të studionte Biblën dhe, që nga ajo kohë, është e krishterë e pagëzuar. Edhe një nga motrat e mia, e cila bënte jetë imorale, u bë Dëshmitare e Jehovait.

Madje disa nga njerëzit që më njihnin më parë, e dallojnë se kam ndryshuar për mirë. Unë e kam të qartë çfarë qëndron pas këtyre ndryshimeve. Në të kaluarën kërkoja ndihmë profesionale, por ajo që merrja ishin vetëm këshilla të këqija. Gjithsesi Jehovai më ndihmoi vërtet. Ndonëse ndihesha i pavlerë, ai më vërejti dhe më trajtoi me dashuri e durim. I gjithë ndryshimi ndodhi sepse një Perëndi kaq i mrekullueshëm, inteligjent dhe i dashur, më kushtoi vëmendje dhe deshi që të bëja një jetë më të mirë.

«Isha i pakënaqur, i vetmuar dhe bosh.»​—KAZUHIRO KUNIMOSHI

LINDUR: 1951

VENDI I LINDJES: JAPONIA

MË PARË: ÇIKLIST

E KALUARA IME: U rrita në një qytet-port të qetë në prefekturën e Shizoukës, Japoni, ku familja jonë, prej tetë vetash, jetonte në një shtëpi të vogël. Babai kishte një dyqan biçikletash. Që kur isha i vogël, më çoi në gara çiklistësh dhe më nxiti interesin për këtë sport. Pastaj filloi të bënte plane që të bëhesha çiklist profesionist. Ndërsa isha ende në shkollën nëntëvjeçare, ai filloi të më stërviste me zell. Në shkollë të mesme fitova tre tituj njëri pas tjetrit në garat atletike kombëtare që mbaheshin çdo vit. Mora një ofertë për në universitet, por vendosa të futesha në një shkollë çiklizmi. Në moshën 19-vjeçare, u bëra çiklist profesionist.

Në atë kohë e kisha synim të bëhesha çiklisti më i mirë në Japoni. Bëja plane që të fitoja para me thasë që të ndihmoja familjen të bënte jetë të sigurt e të qetë. U zhyta kokë e këmbë në stërvitje. Sa herë që ndihesha sikur nuk do ia dilja dot nga stërvitja e mundimshme ose nga ndonjë pjesë e vështirë gjatë garave, i përsëritja vetes se kisha lindur për të qenë çiklist dhe se duhej të vazhdoja me çdo kusht. Dhe ashtu bëra. Puna e palodhur filloi të shpërblehej. Vitin e parë, fitova vendin e parë për çiklistët e rinj. Vitin e dytë, u kualifikova për garën që do të nxirrte çiklistin numër një të Japonisë. Gjashtë herë dola i dyti në këtë garë.

Teksa qëndroja në radhët e çiklistëve më të mirë, u bëra i njohur si «këmbëforti i Tokajit», një zonë e Japonisë. Isha shumë ambicioz. Me kalimin e kohës, çiklistët e tjerë më kishin frikë sepse isha i pamëshirshëm në gara. Të ardhurat m’u shtuan dhe mund të blija çfarë të doja. Bleva një shtëpi që kishte palestër me pajisjet më të mira. Bleva një makinë të huaj që kushtoi gati sa një shtëpi. Për siguri nisa t’i investoja paratë në prona të paluajtshme dhe në bursë.

Prapëseprapë, isha i pakënaqur, i vetmuar dhe bosh. Në atë periudhë isha i martuar dhe kisha fëmijë, por shpesh isha i paduruar me familjen. Humbja vetëkontrollin me gruan dhe me fëmijët për çikërrima. Ishte stresuese për familjarët të më studionin shprehjet e fytyrës për të parë nëse isha në humor të keq.

Por teksa koha kalonte, gruaja filloi të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Kjo solli shumë ndryshime. Ajo tha se donte të ndiqte mbledhjet e tyre, kështu që vendosa të shkonim si familje. Ende e kujtoj atë natë kur një plak erdhi në shtëpi dhe filloi të studionte Biblën me mua. Ajo që mësova më bëri shumë përshtypje.

SI MA NDRYSHOI BIBLA JETËN: Nuk do ta harroj kurrë sa ndikoi tek unë shkrimi i Efesianëve 5:5. Atje thuhet: «Asnjë kurvar, i ndyrë a lakmitar, që do të thotë të jesh idhujtar, nuk ka trashëgimi në mbretërinë e Krishtit dhe të Perëndisë.» E kuptova se garat e çiklizmit ishin të lidhura me bixhozin dhe se nxitnin një frymë lakmitare. Nisi të më vriste ndërgjegjja. E kuptova se, nëse doja ta kënaqja Perëndinë Jehova, duhej t’i lija garat. Por ky nuk ishte vendim i lehtë për mua.

Sapo kisha mbaruar vitin më të suksesshëm në gara dhe isha i etur për më tepër. Por kuptova se studimi i Biblës më kishte dhënë një qëndrim paqësor e të qetë, krejt ndryshe nga ai që më duhej për të fituar garat. Që kur fillova studimin, u futa në garë vetëm tri herë, megjithëse në zemër nuk kisha hequr dorë plotësisht nga to. Gjithashtu isha i çorientuar pasi nuk dija si do ta mbështetja familjen. Ndihesha si i mpirë, sikur nuk bëja dot as para, as prapa, madje të afërmit s’po më linin rehat për shkak të besimit të ri. Babai u zhgënjye thellë. I gjendur mes dy vendimesh, u stresova gjithnjë e më shumë derisa m’u bë një ulcerë.

Ajo që më ndihmoi në atë periudhë të vështirë ishte studimi i Biblës dhe prania e rregullt në mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait. Dalëngadalë besimi m’u forcua. I kërkova Jehovait të m’i dëgjonte lutjet dhe të më ndihmonte të kuptoja se e bënte këtë. Stresi m’u lehtësua edhe më tej kur gruaja më siguroi se nuk duhej të jetonte patjetër në një shtëpi të madhe që të ishte e lumtur. Gradualisht bëra përparim.

DOBITË: Mësova se fjalët e Jezuit te Mateu 6:33 janë më se të vërteta. Ai tha: «Vazhdoni të kërkoni në radhë të parë mbretërinë dhe drejtësinë e Perëndisë, dhe të gjitha këto gjëra të tjera do t’ju shtohen.» Nuk na kanë munguar asnjëherë ‘gjërat e tjera’ për të cilat foli Jezui: nevojat bazë të jetës. Ndonëse të ardhurat e mia janë rreth një e tridhjeta e asaj që merrja kur isha çiklist, mua dhe familjes nuk na ka munguar asgjë këto 20 vjet.

Një dobi tjetër është se, kur punoj ose adhuroj me bashkëbesimtarët, provoj një gëzim e kënaqësi që s’i kam provuar më parë. Ditët fluturojnë. Edhe jeta ime familjare është përmirësuar ndjeshëm. Tre djemtë bashkë me gratë e tyre, janë bërë shërbëtorë besnikë të Jehovait.