Pse përdori një gjarpër Satanai për t’i folur Evës?
Lexuesit pyesin . . .
Pse përdori një gjarpër Satanai për t’i folur Evës?
▪ Mund të jesh dakord se, siç u diskutua në faqen 8, Satanai ishte forca që qëndronte pas gjarprit që foli me Evën. Pikërisht këtë mëson Bibla. Megjithatë mund të pyesësh veten: «Pse një krijesë frymore e fuqishme foli nëpërmjet një gjarpri?»
Bibla i quan taktikat e Satanait ‘intriga’, dhe kjo ngjarje na ndihmon për ta vërtetuar këtë. (Efesianëve 6:11) Ajo që ndodhi në Eden nuk është fabul për një kafshë që flet, por na hap sytë pasi është shembull i një strategjie dinake për t’i larguar njerëzit nga Perëndia. Si?
Satanai e zgjodhi me kujdes shënjestrën e tij. Eva ishte krijesa më e re me intelekt në univers. Ai shfrytëzoi faktin që ajo ishte e papërvojë dhe vendosi t’ia hidhte e ta joshte. Duke u fshehur pas një gjarpri, një krijesë shumë e kujdesshme, Satanai me mprehtësi mbuloi qëllimet e veta të guximshme e ambicioze. (Zanafilla 3:1) Le të shohim edhe çfarë arriti ai duke e bërë gjarprin të dukej sikur fliste.
Së pari, tërhoqi dhe e mbajti drejt tij vëmendjen e Evës. Ajo e dinte se gjarpërinjtë nuk flasin; vetë burri i saj u kishte vënë emra të gjitha kafshëve, përfshirë gjarprin, ndoshta pasi i kishte vërejtur mirë. (Zanafilla 2:19) Pa dyshim, edhe Eva e kishte parë nga afër këtë krijesë të kujdesshme. Kështu, taktika e Satanait nxiti kureshtjen e Evës; e bëri të përqendrohej në të vetmen gjë që i ishte ndaluar në të gjithë kopshtin. Së dyti, nëse gjarpri qëndronte në degët e pemës së ndaluar, në çfarë përfundimi mund të ketë arritur Eva? Fare mirë mund të ketë arsyetuar se, kjo krijesë e ulët dhe e paaftë për të folur, kishte ngrënë nga ai fryt dhe prandaj arriti të fliste. Nëse fryti bëri kaq shumë për një gjarpër, a nuk mund të bënte më tepër për të? Nuk jemi të sigurt se çfarë mendoi Eva apo nëse gjarpri e kafshoi atë fryt, por dimë se kur gjarpri i tha Evës që fryti do ta bënte «si Perëndi», ajo ishte gati ta besonte gënjeshtrën.
Edhe fjalët që zgjodhi Satanai tregojnë shumë për të. Ai mbolli dyshime në mendjen e Evës, duke nënkuptuar se Perëndia po i mbante diçka të mirë dhe se po ia kufizonte më kot lirinë. Suksesi i planit të Satanait varej nga zgjedhja që do të bënte Eva: nëse do të lejonte që egoizmi ta tejkalonte dashurinë për Perëndinë që i kishte dhënë gjithçka. (Zanafilla 3:4, 5) Mjerisht strategjia e Satanait funksionoi. As Eva, as Adami nuk kishin zhvilluar në zemër atë dashuri dhe çmueshmëri që duhej të kishin për Jehovain. A nuk nxit edhe sot Satanai të njëjtin egoizëm dhe të njëjtat mënyra të arsyetuari?
Por çfarë motivi kishte Satanai? Çfarë donte të arrinte? Në Eden u përpoq të fshihte jo vetëm identitetin, por edhe motivin. Megjithatë, me kalimin e kohës, i zbuloi këto. Kur tundoi Jezuin, me siguri e dinte se maskimet nuk pinin ujë. Prandaj e nxiti drejtpërdrejt: ‘Bjer përmbys dhe më bëj një akt adhurimi.’ (Mateu 4:9) Dukej qartë se Satanai kishte qenë prej kohësh xheloz për adhurimin që i bëhej Jehovait. Ai s’do të lërë gurë pa lëvizur që të tjerët të mos adhurojnë Perëndinë ose që të mos e adhurojnë në mënyrën e duhur. Ai vdes që të na e thyejë besnikërinë ndaj Perëndisë.
Bibla tregon qartë se Satanai është një strateg i betuar për të shkatërruar ata që ka në shënjestër. Por jemi të kënaqur që nuk kemi pse të mashtrohemi si Eva, «sepse nuk jemi në padije të intrigave të tij».—2 Korintasve 2:11.