Trego kujdes për prindërit e vetëm
Trego kujdes për prindërit e vetëm
NË KRAHASIM me prindërit e vetëm, janë të paktë ata njerëz që kanë kaq shumë angazhime, të cilave duhet t’u kushtojnë kohë dhe energji. Vështirësitë që hasin, janë të panumërta. Atyre u duhet të kujdesen për përgjegjësitë e shumta për të mbajtur më këmbë një familje. Përveçse shkojnë në punë, duhet të bëjnë pazarin, të gatuajnë, të pastrojnë dhe të rritin fëmijët. Pastaj nevojitet t’u sigurojnë fëmijëve kujdes mjekësor, zbavitje e mbështetje emocionale dhe, nëse është e mundur, të gjejnë disa momente të çmuara për veten.
Megjithëse familjet me një prind po shtohen gjithnjë e më tepër dhe po bien më shumë në sy në shoqërinë e sotme, ato mund të anashkalohen me lehtësi. Është tamam siç e pranoi me çiltërsi një nënë: «Nuk mendoja dhe aq për prindërit e vetëm, deri në momentin kur u bëra vetë e tillë.» Si mund të tregosh se kujdesesh për prindërit e vetëm? A duhet të merakosesh për ta? Le të shqyrtojmë tri arsye pse t’u kushtojmë vëmendje nevojave të tyre.
Arsye pse të kujdesemi për ta
Shumë prindër të vetëm kanë nevojë për ndihmë. Një e ve 41-vjeçare me dy fëmijë, tha: «Nganjëherë nuk jam e sigurt çfarë të bëj dhe ndihem pothuajse e mbytur nga përgjegjësitë e shumta që kam.» Vejëria, braktisja ose rrethana të tjera të pafavorshme kanë bërë që mjaft prindër të vetëm të ndihen siç u ndie një nënë. Ajo tha: «E dëshirojmë me zjarr lehtësimin dhe kemi kaq shumë nevojë për të!»
Do të jesh më i lumtur. A ke ndihmuar ndonjëherë dikë të mbartë një ngarkesë tejet të rëndë për një person të vetëm? Nëse po, ka të ngjarë të jesh ndier i kënaqur ngaqë ke dhënë ndihmë praktike. Po ashtu, prindërit e vetëm mbajnë një ngarkesë që hera-herës është goxha sfilitëse për një të vetëm. Kur je i gatshëm t’u japësh një dorë, provon vërtetësinë e asaj që thuhet te Psalmi 41:1: «Lum ai që kujdeset për të varfrin!»—Diodati i Ri.
Do t’i sjellësh kënaqësi Perëndisë. Jakovi 1:27 thotë: «Adhurimi i pastër dhe i pandotur nga pikëpamja e Perëndisë, Atit tonë, është ky: të kujdesesh për jetimët dhe vejushat në vështirësitë e tyre.» Kjo përfshin të kujdesesh për prindërit e vetëm. * Hebrenjve 13:16 thotë: «Mos harroni të bëni të mira dhe të ndani gjërat me të tjerët, sepse Perëndia kënaqet me flijime të tilla.»
Duke mbajtur parasysh këto tri arsye pse të kujdesemi për prindërit e vetëm, le të shohim tani se ç’ndihmë mund t’u japësh dhe si të sigurohesh se kjo ndihmë do të jetë praktike.
Të dallojmë nevojat e tyre
Ndoshta gjëja që na vjen më natyrshëm është të pyesim një prind të vetëm: «Si mund të të ndihmoj?» Por, realisht, rrallë ndodh që dikush të të thotë se për çfarë ka vërtet nevojë. Siç u përmend më sipër, Psalmi 41:1 sugjeron ‘të kujdesesh’. Një vepër referimi shpjegon se termi hebraik i përdorur këtu mund të nënkuptojë «procesin e të menduarit përmes një organizimi kompleks të mendimeve që çon në veprime të mençura».
Prandaj, që të kuptosh si të ndihmosh më mirë, duhet të mendosh seriozisht për vështirësitë që has një prind i vetëm. Ji vëzhgues e mos i hidh thjesht një sy situatës. Pyet veten: «Po të isha në atë situatë, ç’lloj ndihme do të doja?» Sigurisht, shumë prindër të vetëm do të të shprehen se, pavarësisht sa përpiqesh, kurrë s’mund ta kuptosh plotësisht ç’do të thotë të jesh prind i vetëm po të mos e provosh. Prapëseprapë, kur bën çmos të kuptosh rrethanat e tyre, do të jesh më në gjendje ‘të kujdesesh’ për prindërit e vetëm.
Imito shembullin e përsosur të Perëndisë
Kur bëhet fjalë për t’u kujdesur për prindërit e vetëm, askush nuk e ka bërë këtë më me dashuri dhe efektshmëri sesa Perëndia Jehova. Shumë shkrime theksojnë konsideratën dhe merakun që Perëndia Jehova ka për ata që janë të ve dhe për jetimët. Kjo do të thotë se ai interesohet për prindërit e vetëm. Duke shqyrtuar si u përgjigjet Perëndia nevojave të këtyre të përvuajturve, mund të mësojmë shumë se si të ofrojmë ndihmë vërtet të dobishme dhe praktike. Ja katër faktorë kyç për t’u marrë parasysh.
Gjej kohë për t’i dëgjuar
Në Ligjin që i dha Izraelit të lashtë, Jehovai shpalli se ‘do ta dëgjonte patjetër klithmën’ e nevojtarëve. (Dalja 22:22, 23) Si mund ta imitosh këtë shembull të shkëlqyer? Shpesh, prindërit e vetëm përjetojnë ndjenja të forta vetmie, pasi nuk kanë dikë tjetër të rritur me të cilin të flasin. «Kur fëmijët shkojnë të flenë, ndonjëherë nuk pushoj dot së qari. Herë-herë vetmia nuk përballohet dot»,—tha përvajshëm një nënë e vetme. Nëse është e përshtatshme, a mund të vihesh në dispozicion ‘të dëgjosh klithmën’ e një prindi të vetëm i cili mund të ketë nevojë t’i zbrazë ndjenjat? Kur gjen kohë të dëgjosh në rrethana të përshtatshme, prindi i vetëm mund të ndihmohet tej mase të përballojë vështirësitë që has.
Thuaj fjalë inkurajuese
Jehovai frymëzoi shkrimin e këngëve të shenjta ose psalmeve, të cilat izraelitët i këndonin gjatë rasteve të adhurimit. Imagjinoni sa inkurajoheshin vejushat dhe jetimët izraelitë kur këndonin ato fjalë të frymëzuara nga Perëndia, të cilat u sillnin ndër mend se Jehovai ishte «Atë» dhe «gjykatës» për ta, e se do t’u siguronte lehtësim. (Psalmi 68:5; 146:9) Edhe ne mund të themi fjalë inkurajuese që një prind i vetëm do t’i kujtojë në vitet e ardhshme. Pavarësisht se kanë kaluar 20 vjet, Rutha, një prind i vetëm, e kujton me mall kur një baba me përvojë i tha: «Po bën vërtet një punë të shkëlqyer me dy djemtë. Vazhdo kështu.» Rutha tregon: «T’i dëgjoja ato fjalë nga ai, ishte prekëse.» Vërtet, «fjalët e këndshme janë ilaç i mirë» dhe mund t’i japin zemër një prindi të vetëm më tepër nga sa mund ta mendojmë. (Proverbat 15:4, Contemporary English Version) A të vjen ndër mend ndonjë lavdërim konkret e i sinqertë për një prind të vetëm?
Jep ndihmë materiale kur është e nevojshme
Ligji i Jehovait në Izraelin e lashtë përfshinte masa që vejushat dhe jetimët të kishin ushqimin e nevojshëm, por pa ua ulur dinjitetin. Me anë të këtyre masave, këta nevojtarë kishin mjaftueshëm ‘të hanin e të ngopeshin.’ (Ligji i përtërirë 24:19-21; 26:12, 13) Edhe ne, me maturi dhe dinjitet, mund t’u japim ndihmë materiale familjeve me një prind që janë në nevojë. A mund t’u çosh ca ushqim ose t’u blesh ca gjëra bazë në dyqan? A ke rroba të cilat do t’i përdornin prindërit e vetëm ose fëmijët e tyre? Ose, a mund të japësh ca para që prindi i vetëm t’i përdorë për nevojat familjare?
Kaloni kohë së bashku
Jehovai urdhëroi që vejushat dhe jetimët të përfshiheshin në festat vjetore të kombit, ku mund të gëzonin shoqërinë me izraelitët e tjerë. Në fakt atyre u ishte thënë: ‘Gëzohuni.’ (Ligji i përtërirë 16:10-15) Në mënyrë të ngjashme, sot të krishterët këshillohen ‘të jenë mikpritës me njëri-tjetrin’, duke krijuar raste për shoqëri të gëzueshme. (1 Pjetrit 4:9) Prandaj, pse të mos e ftosh në shtëpi një familje me prind të vetëm për të ngrënë një vakt? S’ka pse të harxhohesh shumë. «Pak gjëra janë të nevojshme ose vetëm një»,—tha Jezui kur ishte i ftuar te miqtë e tij.—Luka 10:42.
Kujdesi yt do të vlerësohet
Ketlina, një prind i vetëm që ka rritur tre fëmijë, thotë se nuk do ta harrojë kurrë këtë këshillë të mençur: «Mos prit asgjë, vlerëso çdo gjë.» Ashtu si Ketlina, shumë prindër të vetëm e pranojnë se është përgjegjësia e tyre t’i rritin fëmijët. Prandaj nuk presin që të tjerët të bëjnë gjërat që u takojnë prindërve të vetëm. Megjithatë, s’ka dyshim që janë mirënjohës për çdo ndihmë që u jepet. Kur kujdesesh për prindërit e vetëm, mund t’i kontribuosh mirëqenies së tyre dhe lumturisë sate, i sigurt se Perëndia Jehova ‘do të të shpërblejë’.—Proverbat 19:17.
[Shënimi]
^ par. 7 Edhe pse shprehja «prind i vetëm» nuk shfaqet në Bibël, termat ‘vejushë’ dhe ‘jetim’ ose djalë pa baba përdoren shpesh. Kjo tregon se prindërit e vetëm nuk ishin të rrallë edhe në kohët biblike.—Isaia 1:17.
[Figura në faqen 24]
Kur ishte hera e fundit që ke ftuar për një vakt një familje me një prind? Pse të mos e bësh këtë së shpejti?