A do t’i dëgjojë dhe a do t’u përgjigjet Perëndia lutjeve?
PYETJA e mësipërme ngjall shumë emocion dhe kureshtje. Bibla tregon se Jehovai i dëgjon lutjet sot. Nëse do t’i dëgjojë tonat apo jo, varet shumë nga ne.
Jezui i demaskoi udhëheqësit fetarë të kohës së tij që luteshin me hipokrizi, pasi donin vetëm të dukeshin të drejtë para të tjerëve. Ai tha se njerëz të tillë do ta kishin «të plotë shpërblimin e tyre», domethënë, do të merrnin vetëm atë që dëshironin më shumë, vëmendjen e njerëzve, por jo atë që u nevojitej: që Perëndia t’ua dëgjonte lutjet. (Mateu 6:5) Edhe sot shumë veta luten sipas vullnetit të tyre e jo sipas vullnetit të Perëndisë. Meqenëse shpërfillin parimet biblike që kemi shqyrtuar, Perëndia nuk ua dëgjon lutjet.
Por, ç’të themi për ty? A do t’i dëgjojë dhe a do t’u përgjigjet Perëndia lutjeve të tua? Përgjigjja nuk varet nga raca, kombësia ose shtresa shoqërore që ke. Bibla na siguron: «Perëndia nuk është i anshëm, por në çdo komb njeriu që i frikësohet atij dhe praktikon drejtësinë, është i pranuar nga ai.» (Veprat 10:34, 35) A je edhe ti një njeri i tillë? T’i frikësohesh Perëndisë do të thotë ta vlerësosh mbi gjithçka dhe të kesh merak se mos i shkakton pakënaqësi. Të praktikosh drejtësinë do të thotë të bësh atë çka është e drejtë për Perëndinë, në vend që t’i bësh gjërat siç do vetë ose siç thonë njerëzit. A dëshiron vërtet që Perëndia t’i dëgjojë lutjet e tua? Bibla të tregon si t’ia arrish. *
Sigurisht, shumë veta duan që Perëndia t’u përgjigjet lutjeve me anë të një mrekullie. Megjithatë Perëndia rrallë kreu mrekulli të tilla edhe në kohët biblike. Ndonjëherë kalonin shekuj të tërë nga një mrekulli e dokumentuar te tjetra. Për më tepër, Bibla tregon se epoka e mrekullive mbaroi pas kohës së apostujve. (1 Korintasve 13:8-10) Por, a do të thotë kjo se Perëndia nuk u përgjigjet lutjeve sot? As që bëhet fjalë! Ja disa lutje të cilave u përgjigjet.
Perëndia jep mençuri. Jehovai është Burimi më i madh i çdo mençurie të vërtetë. Ai ua jep mençurinë me bujari dhe gatishmëri atyre që kërkojnë drejtimin e tij dhe që përpiqen të drejtohen nga mençuria që ka.—Jakovi 1:5.
Perëndia jep frymën e tij të shenjtë dhe gjithë dobitë që vijnë prej saj. Fryma e shenjtë është forca vepruese e Perëndisë. Nuk ka forcë më të madhe. Ajo na ndihmon të përballojmë sprovat. Na jep paqe me bollëk kur jemi të trazuar. Na ndihmon të zhvillojmë cilësi të tjera të bukura e tërheqëse. (Galatasve 5:22, 23) Jezui i siguroi dishepujt se Perëndia e jep këtë dhuratë me bujari.—Luka 11:13.
Perëndia u jep njohuri atyre që e kërkojnë me ngulm. (Veprat 17:26, 27) Përreth botës, ka njerëz që sinqerisht e kërkojnë të vërtetën. Ata duan ta njohin Perëndinë—të dinë emrin e tij, qëllimin që ka për tokën e njerëzimin dhe si t’i afrohen. (Jakovi 4:8) Dëshmitarët e Jehovait takojnë shpesh njerëz të tillë dhe me kënaqësi u tregojnë çfarë përgjigjesh jep Bibla për pyetje si këto.
A nuk është kjo arsyeja pse e more këtë revistë? A po e kërkon Perëndinë? Ndoshta kjo është mënyra se si po i përgjigjet lutjes sate.
^ par. 5 Për më shumë informacion se si të lutesh dhe që Perëndia të t’i dëgjojë ato, shih kapitullin 17 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.