«Ngrije tët bir»
Afrojuni Perëndisë
«Ngrije tët bir»
VDEKJA e një fëmije është ndër humbjet më të dhembshme që një njeri mund të përjetojë. Perëndia Jehova e ka fuqinë për t’i zhbërë këto dëme. E dimë që kjo është e vërtetë sepse ai u dha fuqi disa burrave në kohët biblike për të ringjallur të vdekurit. Një ngjarje që përmendet te 2 Mbretërve 4:8-37 tregon se si profeti Elise ringjalli një djalë të vogël.
Ngjarja zhvillohet në qytetin e Shunemit. Një grua shterpë dhe burri i saj i tregojnë dashamirësi Eliseut duke i ofruar rregullisht ushqim dhe strehim. Një ditë, profeti mirënjohës i thotë gruas: «Vitin tjetër, pikërisht në këtë kohë, do të mbash në krahë një djalë.» Dita që ajo mendonte se s’do të vinte kurrë, më në fund vjen, dhe, ashtu siç i tha Eliseu, ajo mban një djalë të vogël në krahë. Mjerisht, gëzimi i saj nuk zgjat shumë. Pak vite më vonë, djalin e zë një dhembje koke shumë e fortë ndërsa është në fushë dhe e çojnë në shtëpi, ku ai vdes «mbi gjunjët e [nënës]». (Vargjet 16, 19, 20) Nëna e pikëlluar e ngre trupin e vogël të pajetë dhe me butësi e vë në shtratin që ka shërbyer kaq shpesh si shtrati i profetit.
Pa u vonuar dhe me miratimin e burrit, ajo udhëton rreth 30 kilometra për te mali i Karmelit që të takojë Eliseun. Kur e takon, ajo as vajton, as qan e as e shpreh pikëllimin e thellë në ndonjë formë tjetër. Mos vallë vepron kështu ngaqë ka dëgjuar se Elija, pararendësi i Eliseut, e kishte sjellë prapë në jetë djalin e një vejushe? (1 Mbretërve 17:17-23) A ka besim shunamitja se Eliseu mund të bëjë të njëjtën gjë për djalin e saj të vogël? Sidoqoftë, ajo nuk ikën në shtëpi derisa Eliseu të pranojë të shkojë me të.
Pasi u kthye në Shunem, Eliseu hyn i vetëm në dhomën ku ka qëndruar shpesh dhe sheh trupin e pajetë «në shtratin e vet». (Vargu 32) Profeti i drejtohet Jehovait gjithë përgjërim. Pastaj, ndërsa Eliseu qëndron i përkulur mbi trupin e vogël, ‘pak e nga pak trupi i fëmijës ngrohet’. Zemra e fëmijës së vogël, që kishte pushuar së rrahuri, po rreh përsëri! Eliseu thërret nënën dhe i thotë fjalët që duhet t’ia kthejnë angështinë në gëzim të papërmbajtur: «Ngrije tët bir.»—Vargjet 34, 36.
Tregimi për ringjalljen e djalit të shunamites është burim shprese dhe ngushëllimi. Jehovai e kupton hidhërimin e prindërve të cilëve u ka vdekur ndonjë fëmijë. Për më tepër, ai ka mall ose mezi pret t’i zhbëjë këto dëme. (Jobi 14:14, 15) Ringjalljet e kryera nga Eliseu dhe persona të tjerë në kohët biblike janë tregues i asaj që do të bëjë Jehovai në një shkallë shumë më të madhe në botën e tij të re e të drejtë që do të vijë. *
Premtimi i Biblës për një ringjallje nuk e heq dhembjen që sjell vdekja e një njeriu të dashur. Një burrë i krishterë besnik, të cilit i vdiq djali i vetëm, tha: «Dhembja nuk do të më venitet plotësisht derisa ta mbaj përsëri në krahë djalin tim.» Përfytyro mundësinë për t’u ribashkuar me njerëzit e dashur që të kanë vdekur. Vetëm mendimi se mund t’i përqafosh përsëri, mund të ta bëjë dhembjen më të përballueshme. A nuk të shtyn kjo të mësosh më tepër për Perëndinë i cili na jep këtë shpresë të çmuar?
[Shënimi]
^ par. 5 Për më shumë informacion rreth premtimit të Biblës për një ringjallje, shih kapitullin 7 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.