Mësoji fëmijët
Rebeka ishte gati ta kënaqte Jehovain
REBEKA është emër i përhapur në shumë vende sot. A njeh ndonjë me këtë emër? . . . * Rebeka është person i rëndësishëm në librin më të famshëm në botë, në Bibël. Çfarë di për të? . . . Është mirë të mësojmë për Rebekën, sepse shembulli i saj na ndihmon t’i shërbejmë Perëndisë së vërtetë, Jehovait.
Rebeka është gruaja e dytë që përmendet në Bibël, e cila ishte adhuruese e vërtetë e Jehovait. A e di kush ishte gruaja e parë? . . . Ishte Sara, gruaja e Abrahamit. Kur ishte e moshuar, ajo u bë nëna e Isakut, fëmija i saj i vetëm. Le të shohim si e tregoi Rebeka që ishte gati ta kënaqte Jehovain dhe si e takoi Isakun.
Kanë kaluar mbi 60 vjet që kur Perëndia i dërgoi Abrahamin dhe Sarën nga Harani në vendin e Kanaanit. Abrahami dhe Sara janë mjaft të moshuar dhe Perëndia u premton një fëmijë që duhet t’ia vënë emrin Isak. Siç mund ta mendosh, prindërit e duan shumë Isakun. Kur Sara vdes në moshën 127-vjeçare, Isaku është bërë burrë dhe ndihet shumë i trishtuar për vdekjen e nënës. Abrahami nuk do që Isaku të martohet me një grua nga Kanaani, sepse kananitët nuk adhurojnë Jehovain. Prandaj, dërgon shërbëtorin e tij, me sa duket Eliezerin, të zgjedhë një grua për Isakun nga të afërmit e vet në Haran, më shumë se 800 kilometra larg.—Zanafilla 12:4, 5; 15:2; 17:17, 19; 23:1.
Dalëngadalë Eliezeri, me dhjetë deve të ngarkuara, ku kishte vënë edhe dhurata për nusen, mbërrin në Haran bashkë me shërbëtorë të tjerë të Abrahamit. Ata ndalojnë te pusi, pasi Eliezeri e di se pasdite njerëzit vijnë të mbushin ujë për kafshët dhe për familjen. Tani Eliezeri lutet që, kur t’i kërkojë ujë vajzës që duhet të zgjedhë si grua për Isakun, ajo t’i përgjigjet: «Pi, dhe do t’u jap ujë edhe deveve.»
Ndodh pikërisht kështu. Rebeka e re dhe «shumë tërheqëse» vjen te pusi. Kur Eliezeri i kërkon ujë, ajo thotë: «Do të mbush ujë edhe për devetë e tua.» Ndërsa vrapon ‘disa herë rresht te pusi që të mbushë ujë’, Eliezeri e vështron «i mrekulluar». Mendo pak. Për t’u shuar etjen dhjetë deveve, Rebeka duhet të sjellë deri në 1.000 litra ujë.
Eliezeri i jep Rebekës dhurata të bukura dhe merr vesh se ajo është e bija e Betuelit, i afërm i Abrahamit. Rebeka i fton Eliezerin dhe shokët e tij në shtëpinë e saj «për të kaluar natën». Ajo vrapon përpara që t’i tregojë familjes për vizitorët që Abrahami kishte dërguar që nga Kanaani për t’i takuar.
Kur vëllai i Rebekës, Labani, shikon dhuratat e shtrenjta të së motrës dhe mëson kush është Eliezeri, e fton brenda. Por Eliezeri thotë: «Nuk do të ha pa folur më parë për punët e mia.» Kështu shpjegon pse e ka dërguar Abrahami. Betueli, e shoqja dhe Labani janë të kënaqur dhe bien dakord për martesën.
Pasi hanë, Eliezeri dhe burrat që e shoqërojnë, e kalojnë natën aty. Të nesërmen në mëngjes, Eliezeri thotë: «Më lini të shkoj te zotëria im.» Por nëna dhe vëllai i Rebekës duan që ata të qëndrojnë «së paku edhe dhjetë ditë». Kur e pyesin Rebekën nëse dëshiron të shkojë menjëherë, ajo përgjigjet: «Po, dua.» Rebeka niset menjëherë me Eliezerin. Në fund të udhëtimit, ajo bëhet gruaja e Isakut.—Zanafilla 24:1-58, 67.
Si mendon, a ishte e lehtë për Rebekën të linte pas familjen dhe miqtë e të shkonte larg, duke e ditur që mund të mos i shihte më kurrë? . . . Jo nuk ishte. Megjithatë, Rebeka u bekua ngaqë ishte gati ta kënaqte Jehovain. Ajo u bë një prej paraardhësve të Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit. Edhe ne do të bekohemi po të jemi gati si ajo ta kënaqim Jehovain.—Romakëve 9:7-10.
^ par. 3 Nëse po lexon bashkë me fëmijën, tri pikat shërbejnë për të të kujtuar që të ndalosh pak e ta nxitësh fëmijën që të shprehet.