A mund të ndiejë keqardhje Perëndia?
Afrojuni Perëndisë
A mund të ndiejë keqardhje Perëndia?
SI NJERËZ të papërsosur, të gjithë ne ndiejmë keqardhje hera-herës për diçka. Për shembull, na vjen keq kur kuptojmë se kemi gabuar. Është interesante që Bibla thotë se Jehovai mund të ndiejë keqardhje për diçka. «Por Perëndia është i përsosur,—thua ti.—Ai nuk gabon.» Pra, në ç’kuptim ndien keqardhje Perëndia? Përgjigjja na ndihmon të kuptojmë diçka mahnitëse: Jehovai ka ndjenja dhe veprimet tona ndikojnë te ndjenjat e tij. Shqyrto fjalët te Gjykatësit 2:11-18.
Libri biblik i Gjykatësve dokumenton një periudhë të trazuar të historisë së Izraelit. Kombi tanimë ishte shpërngulur në Kanaan, vendi që Perëndia i kishte premtuar Abrahamit. Në shekujt vijues, udha që ndoqi Izraeli mund të përmblidhet në një cikël përsëritës me katër faza: largimi nga adhurimi i Jehovait, shtypja, përgjërimi dhe çlirimi. *
Largimi. Të ndikuar nga kananitët, izraelitët ‘e braktisnin Jehovain’ dhe ndiqnin perëndi të tjera, veçanërisht, ‘fillonin t’i shërbenin Baalit e shëmbëlltyrave të Ashtorethit’. * Ky largim nga adhurimi i Jehovait arrinte deri në apostazi. S’është habi që izraelitët ‘e fyenin Jehovain’, Perëndinë që i kishte nxjerrë nga Egjipti.—Vargjet 11-13; Gjykatësit 2:1.
Shtypja. I zemëruar me të drejtë, Jehovai nuk e mbronte më popullin e vet që i kishte kthyer krahët. Kështu izraelitët binin «në duart e armiqve» që dyndeshin dhe zhvatnin vendin.—Vargu 14.
Përgjërimi. Në darën e vuajtjeve, izraelitëve u vinte keq për udhën e gabuar dhe i thërritnin Perëndisë për ndihmë. Përgjërimi i tyre mund të kuptohet nga shprehja ‘rënkim i shkaktuar nga shtypësit’. (Vargu 18) Përgjërimi që i drejtonin Perëndisë ishte pjesë e këtij cikli që përsëritej. (Gjykatësit 3:9, 15; 4:3; 6:6, 7; 10:10) Si përgjigjej Perëndia?
Çlirimi. Jehovai e dëgjonte rënkimin e Izraelit dhe «i vinte keq». Fjala hebraike e përkthyer «i vinte keq» mund të përkthehet edhe «ndryshonte mendje ose synim». Një vepër referimi thotë: «I prekur nga rënkimi i tyre, Jehovai ndryshonte mendje që t’i çlironte, në vend që t’i ndëshkonte.» Nga mëshira, Jehovai «u jepte ndonjë gjykatës», i cili e çlironte popullin nga armiqtë.—Vargu 18.
A e vure re çfarë e shtynte Perëndinë t’i vinte keq ose të ndryshonte mendje? Ishte ndryshimi në qëndrim i popullit të tij. Mendoje kështu: një baba i dashur e disiplinon fëmijën që ka gabuar, mbase duke mos e lejuar të bëjë disa gjëra që i pëlqejnë. Por, kur sheh që fëmijës i vjen vërtet keq për veprimin, babai vendos t’i japë fund dënimit.
Çfarë mësojmë për Jehovain nga ky tregim? Ndonëse mëkati me dashje e zemëron atë, zemrat e penduara e nxitin të tregojë mëshirë. Dijenia se ajo që bëjmë ndikon te ndjenjat e Perëndisë, na bën të mendojmë thellë. Pse të mos mësosh si ‘t’ia gëzosh zemrën’ Jehovait? (Proverbat 27:11) Kurrë nuk ka për të të ardhur keq.
[Shënimet]
^ par. 2 Gjykatësit 2:11-18 është pjesë e një hyrjeje që paraqet një tablo të përgjithshme të mënyrës si vepronte Izraeli, e cila tregohet me hollësi në kapitujt vijues.
^ par. 3 Baali ishte perëndia më i rëndësishëm i kananitëve, kurse Ashtorethi ishte perëndesha që mbahej si bashkëshortja e Baalit.