A mund të kuptohet Bibla?
A mund të kuptohet Bibla?
«Familja jonë e lexonte Biblën çdo të diel. Në të vërtetë, unë s’e kisha shumë qejf. Besoja se Bibla ishte Fjala e Perëndisë, por shumicën e asaj që lexoja e kisha shumë të vështirë ta kuptoja.»—Stiveni, Britani.
«Kur isha 17 vjeçe, u përpoqa të lexoja Biblën. Mezi e kuptoja, prandaj hoqa dorë.» —Valvanera, Spanjë.
«E lexova një herë Biblën, sepse mendoja që si katolik, duhej ta lexoja. M’u deshën tre vjet që ta mbaroja. Por s’kuptova pothuajse asgjë.»—Xhoana, Australi.
BIBLA mbetet libri më i përhapur në botë. Ajo vazhdon të jetë libri më i shitur, pasi është në dispozicion të më shumë njerëzve, në më shumë gjuhë dhe në më shumë forma se kurrë më parë. Megjithatë, shumë që kanë një Bibël, e kanë të vështirë ta kuptojnë. A është kështu edhe për ty?
A do Autori i Biblës që ta kuptojmë Fjalën e tij?
«I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia»,—thotë Bibla. (2 Timoteut 3:16) Po, Perëndia Jehova është Autori i Biblës. A do ai që ta kuptojmë Fjalën e tij? Apo qëllimisht e bëri Biblën aq të vështirë, sa vetëm disa njerëz të privilegjuar, si klerikët dhe studiuesit e Biblës, të mund ta kuptonin?
Shqyrto vargjet vijuese nga vetë Bibla:
«Ky urdhërim që po të jap sot, nuk është as tepër i vështirë për ty, as shumë larg teje.»—Ligji i përtërirë 30:11.
«Zbulimi i fjalëve të tua jep dritë dhe e ndihmon të kuptojë atë që s’ka përvojë.»—Psalmi 119:130.
«Në atë çast, [Jezui] u mbush me gëzim e me frymë të shenjtë dhe tha: ‘Unë të lëvdoj publikisht, o Atë, Zotëri i qiellit dhe i tokës, sepse ti ua ke fshehur me kujdes këto gjëra të mençurve e të zgjuarve dhe ua ke zbuluar fëmijëve.’»—Luka 10:21.
Autori i Biblës do vërtet që ta kuptosh Fjalën e tij! Por, realiteti është se shumë njerëz të sinqertë e kanë të vështirë ta kuptojnë këtë libër. Çfarë mund t’i ndihmojë? Artikujt vijues japin tri sugjerime që mund të të ndihmojnë ta kuptosh Biblën.