Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mirënjohës, pavarësisht nga tragjeditë: Si më ndihmoi Bibla t’i përballoja

Mirënjohës, pavarësisht nga tragjeditë: Si më ndihmoi Bibla t’i përballoja

Mirënjohës, pavarësisht nga tragjeditë: Si më ndihmoi Bibla t’i përballoja

Treguar nga Enrike Karavaka Akosta

Ishte 15 prill 1971. Po shkoja për të vizituar familjen time në fermën tonë. Mezi po prisja të takoja secilin prej tyre, pasi kisha qenë larg prej kohësh. Rrugës mendoja nëse do të ishin në shtëpi të gjithë dhe kë do të shihja të parin. Kur mbërrita, u tmerrova kur gjeta katër njerëz, përfshirë edhe mamanë time, të vrarë.

U TRONDITA kaq shumë, sa nuk mund ta shpreh me fjalë. Çfarë kishte ndodhur? Çfarë të bëja? S’kishte asnjë njeri përreth dhe ndihesha i shastisur e i pafuqishëm. Para se të vazhdoj me këtë histori, dua t’ju tregoj pak për të kaluarën time. Kështu do ta kuptoni më mirë si u ndjeva për këtë dhe për tragjedi të tjera që më kanë ndodhur.

Gjetëm të vërtetën

Linda në Kiriman, afër Nikojas, në Kosta-Rikë dhe jetonim në fermën tonë. Megjithëse ishim rritur si katolikë, nuk na pëlqenin disa doktrina dhe shumë pyetje që kishim, kishin mbetur pa përgjigje.

Një mëngjes të vitit 1953, kur isha 37 vjeç, një burrë me emrin Anatoljo Alfaro erdhi në shtëpinë tonë dhe na inkurajoi të studionim Biblën. Ai na mësoi shumë shkrime dhe mësime biblike. Babai, mamaja, një nga vëllezërit e mi, motra, një shoqe e saj që po rrinte në shtëpinë tonë dhe unë u ulëm të gjithë dhe e dëgjuam. Biseda zgjati gjithë ditën e deri natën vonë. Pyetjet tona s’kishin të mbaruar.

Anatoljo fjeti tek ne atë natë dhe qëndroi edhe të nesërmen. Na rrëqethej mishi nga ato që dëgjonim dhe emocionoheshim edhe më shumë kur pyetjet tona merrnin përgjigje drejtpërdrejt nga Bibla. Ajo bisedë ndikoi thellë te ne. Menduam për atë që mësuam dhe kuptuam se kishim gjetur të vërtetën. Anatoljo na la ca revista dhe libra që bazoheshin në Bibël. Në mbrëmje, i lexonim dhe i studionim këto botime si familje. Kjo ishte mjaft e vështirë, sepse nuk kishim energji elektrike. Para se të uleshim për të studiuar, të gjithë merrnim një thes të madh patatesh dhe mbulonim këmbët që të mos na hanin mushkonjat.

Gjashtë muaj më vonë, unë, prindërit e mi dhe tre pjesëtarë të tjerë të familjes, u pagëzuam. Të entuziazmuar, filluam të shkonim shtëpi më shtëpi për t’u treguar të tjerëve atë që kishim mësuar. Bënim rreth dy orë në këmbë ose ndonjëherë me kalë për të shkuar në një qytet që quhej Karrijo, për të ndjekur mbledhjet me një grup të Dëshmitarëve të Jehovait. Anatoljo vazhdoi të vinte në shtëpinë tonë për të studiuar Biblën me ne. Pastaj u morën masa që të mbahej një mbledhje në shtëpinë tonë, ku bëheshim rreth tetë veta. Të gjithë u pagëzuan në fund. Grupi ynë shumë shpejt u rrit dhe u bë një kongregacion i vogël me 20 veta.

I shërbej Perëndisë në kohë të plotë

Pas ca kohësh, zyra e degës së Dëshmitarëve të Jehovait në Kosta-Rikë ftoi ata që kishin mundësi të fillonin veprën e ungjillëzimit në kohë të plotë. Në vitin 1957, e pranova këtë ftesë dhe fillova shërbimin në kohë të plotë. Shërbimi ishte shumë emocionues. Shpesh ecja vetëm për orë të tëra që të shkoja nëpër fshatra. Ndonjëherë njerëzit nuk më prisnin mirë. Mbaj mend të paktën tri herë që më kanë kërcënuar burra me hanxharë duke më pyetur se kush isha dhe çfarë po bëja.

Në vitet 1950, shumë rrugë ishin vetëm shtigje përmes vendeve të shkreta dhe e kishim të vështirë të shkonim te njerëzit. Për të shkuar në disa zona, duhej t’i hipnim kalit. Çanim mes për mes lumenjve dhe kishte raste që flinim jashtë. Moritë e mushkonjave na e nxinin jetën. Madje duhej të hapnim sytë edhe nga gjarpërinjtë e krokodilët. Me gjithë këto, kënaqesha kur i ndihmoja njerëzit të mësonin për Perëndinë Jehova. Kur kthehesha në shtëpi, ndihesha i lumtur dhe i kënaqur që kisha mundur të flisja me të tjerë për të vërtetën biblike. Ndërsa predikoja dhe studioja Biblën çdo ditë, dashuria ime për Perëndinë Jehova rritej dhe ndihesha më afër tij.

Me kalimin e kohës, m’u dhanë edhe privilegje të tjera. Për më shumë se dhjetë vjet, shërbeva si mbikëqyrës udhëtues, duke vizituar dhe duke forcuar çdo javë kongregacione të ndryshme në një zonë të caktuar. Megjithëse për shkak të problemeve shëndetësore m’u desh të hiqja dorë nga ky privilegj shërbimi, vazhdova t’i shërbeja Perëndisë në kohë të plotë.

Tragjedia

Kur isha në Nikoja, në vitin 1971, shkova të vizitoja familjen time. Kur hyra në shtëpi, e gjeta mamanë time 80-vjeçare shtrirë në dysheme. E kishin qëlluar me armë zjarri e me thikë. Kur u përkula për ta kapur, po merrte frymë akoma. Pas pak, vdiq në krahët e mi. Hodha sytë përreth dhe në dyshemenë e kuzhinës pashë kuzhinieren tonë, e cila ishte tetë muajshe shtatzënë. Edhe ajo kishte vdekur. Sikur të mos mjaftonte, në korridor gjeta të vdekur edhe një pjesëtare të kongregacionit vendës, ndërsa në banjë gjeta djalin e vogël të kuzhinieres, edhe ai ishte përtokë i vdekur. Të gjithë ishin vrarë brutalisht me thikë e me armë zjarri. Kush mund ta kishte bërë një gjë kaq të tmerrshme dhe pse?

Kur dola jashtë, pashë babanë. E kishin qëlluar në kokë, por ishte akoma gjallë. Nxitova për te shtëpia e vëllait, 15 minuta larg, ku mora vesh që ishte vrarë edhe një grua me të birin. Çfarë tronditjeje ishte për mua kur mora vesh se vrasësi ishte nipi im 17 vjeçar, që nuk ishte Dëshmitar i Jehovait dhe ishte i sëmurë mendor! Ai ia kishte mbathur. Kështu filloi kërkimi i tij, kërkimi më i madh në historinë e Kosta-Rikës.

Kjo ngjarje u bë publike në të gjithë vendin. Pas shtatë ditësh, policia e gjeti vrasësin, i cili ishte armatosur me një thikë dhe një pistoletë 22 kalibërshe, që ia kishte shitur dikush, edhe pse e dinte se ai ishte me çrregullime mendore dhe emocionale. Nipi im u vra ndërsa përpiqeshin ta kapnin.

Gjatë kohës që nuk e kishin kapur akoma, shumë veta më këshillonin të largohesha nga zona, nga frika se mos nipi im kthehej dhe më bënte keq. U luta për këtë, pasi mendoja se duhej të qëndroja me pjesën tjetër të familjes dhe me kongregacionin. Kështu që nuk u largova.

Tragjeditë pasojnë njëra-tjetrën

Mjerisht, babai vdiq një vit më pas. Vitin pasues, motra ime, një shërbëtore besnike e Perëndisë Jehova, u vra në një incident tjetër, që s’kishte lidhje me të parin. Kjo ishte një tronditje dhe humbje tjetër për familjen time. Nuk mund të shprehen dot me fjalë humbja e madhe dhe pikëllimi që ndienim ne dhe miqtë tanë. Gjatë gjithë këtyre tragjedive, u mbështeta jashtëzakonisht te Jehovai dhe i përgjërohesha vazhdimisht të më jepte forcë.

Në vitin 1985, ndoqa një kurs tre-ditor për pleqtë e krishterë në kryeqytet, në San-Hoze. Në fund të këtij kursi, besimi im te Jehovai ishte më i fortë. Të hënën në mëngjes po shkoja të merrja autobusin për t’u kthyer në shtëpi. Rrugës për në stacion, më sulmuan ca rrugaçë, që desh më mbytën dhe më vodhën. Ndodhi kaq shpejt, sa nuk munda t’u shihja as fytyrën. Nga ky sulm humba aftësinë për të komunikuar sipas zakonit të vendit tim. Këtu në provincën e Guanakastes, burrat ulërasin a bërtasin kur takohen e përshëndeten ose kur njoftojnë për mbërritjen e tyre. Më parë, bërtisja shumë mirë, por pas atij sulmi nuk mund ta bëja dot më.

Më 1979, u martova me Seljën, një Dëshmitare nga një kongregacion fqinj. Selja e donte Biblën. E lexonim dhe e studionim bashkë Biblën çdo ditë. Mjerisht, ajo vdiq nga kanceri në korrik të vitit 2001. Ndonjëherë ndihem i vetmuar, por shpresa e ringjalljes më jep shumë forcë.—Gjoni 5:28, 29.

Pavarësisht nga sprovat, nuk e kam humbur gëzimin

Megjithëse mund të kem pasur më tepër tragjedi se shumë të tjerë, unë i shoh këto sprova si mundësi për të provuar besimin dhe besnikërinë time ndaj Jehovait. (Jakovi 1:13) Që të kem një pikëpamje të ekuilibruar për ato që kam kaluar, i kujtoj vetes vazhdimisht se të gjithëve ‘na rastis të kalojmë kohë të vështira dhe të përjetojmë ngjarje të paparashikuara’. (Eklisiastiu 9:11) Gjithashtu, nuk harroj se jetojmë në «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar», sepse njerëzit janë të egër, të dhunshëm dhe pa vetëkontroll. (2 Timoteut 3:1-5) Mbaj parasysh edhe shembullin e Jobit. Pavarësisht nga gjithë vuajtjet e tij—humbja e familjes, e shëndetit dhe e bagëtisë—Jobi pa u lëkundur tha: «Qoftë përherë i bekuar emri i Jehovait!» Dhe Jehovai e bekoi me bollëk Jobin për integritetin e tij. (Jobi 1:13-22; 42:12-15) Të gjitha këto vargje nga Bibla më ndihmojnë të ruaj gëzimin, pavarësisht nga sprovat e shumta.

Jehovai më ka ndihmuar gjithmonë të vazhdoj të vë atë në radhë të parë në jetën time. Leximi i përditshëm i Biblës është burim i madh ngushëllimi për mua dhe më ka dhënë forcën të qëndroj i patundur. Lutjet që i drejtoj Jehovait, më ndihmojnë që të gëzoj ‘paqen e Perëndisë, që kapërcen çdo mendim’. (Filipianëve 4:6, 7) Kjo më jep paqe mendore. Po kështu, edhe vajtja dhe pjesëmarrja në mbledhjet e krishtere më forcojnë besimin.—Hebrenjve 10:24, 25.

I jam mirënjohës Jehovait që, megjithëse jam i moshuar, kam akoma forcë të punoj me të bashkëkrishterët, të studioj Biblën me të tjerë dhe të dal në shërbim. Duke u shërbyer të tjerëve në këto mënyra, marr forcë të përballoj dëshpërimin. Nga thellësia e zemrës i jam vërtet mirënjohës Jehovait, pavarësisht nga tragjeditë e shumta që kam pasur në jetë. *

[Shënimi]

^ par. 26 Dy vjet pasi tregoi këtë histori të jetës së tij, Enrike Karavaka Akosta vdiq në moshën 90-vjeçare.

[Diçitura në faqen 20]

Leximi i përditshëm i Biblës është burim i madh ngushëllimi për mua dhe më ka dhënë forcën të qëndroj i patundur

[Figura në faqen 19]

Përpjekjet e mia të para për të mbajtur një fjalim biblik

[Figura në faqen 20]

Në shërbim kur isha më i ri