«Perëndia i çdo ngushëllimi»
Afrojuni Perëndisë
«Perëndia i çdo ngushëllimi»
SHUMË gjëra në jetë të tilla, si vuajtjet, zhgënjimet dhe vetmia, mund të sjellin trishtim, e madje dëshpërim. Në këto raste, ndoshta pyet veten: «Ku mund të drejtohem për ndihmë?» Fjalët e apostullit Pavël që gjenden te 2 Korintasve 1:3, 4, na drejtojnë te një burim i padështueshëm ngushëllimi—Perëndia Jehova.
Në vargun 3 Perëndia quhet «Ati i mëshirave të buta». Ç’do të thotë kjo? Fjala greke e përkthyer ‘mëshira të buta’ mund të përçojë idenë e dhembshurisë për vuajtjet e të tjerëve. * Një vepër referimi thotë se ky term mund të përkthehet «ndien keqardhje» ose «merakoset shumë». ‘Mëshirat e buta’ e nxitin Perëndinë të veprojë. A nuk nxitemi t’i afrohemi Perëndisë kur e njohim këtë aspekt të personalitetit të tij?
Gjithashtu, Pavli e quan Jehovain «Perëndia i çdo ngushëllimi». Këtu Pavli përdor një fjalë që thuhet se përfshin «idenë e ngushëllimit të dikujt që ka një hall a një brengë dhe idenë e ndihmës konkrete ose inkurajimit». Një vepër shpjegon: «E ngushëllojmë dikë që vuan, kur i japim kurajë të durojë dhembjen.» (The Interpreter’s Bible)
Mund të pyesësh: «Si na ngushëllon Perëndia dhe na jep kurajë të durojmë dhembjen?» E bën këtë kryesisht nëpërmjet Fjalës së tij, Biblës, dhe nëpërmjet lutjes që është një dhuratë. Pavli thotë se, me dashuri, Perëndia na ka dhënë Fjalën e Tij që «me anë të ngushëllimit nga Shkrimet, të kemi shpresë». Po ashtu, nëpërmjet lutjeve të përzemërta mund të kemi ‘paqen e Perëndisë, që kapërcen çdo mendim’.—Romakëve 15:4; Filipianëve 4:7.
Deri në ç’masë e ngushëllon Perëndia popullin e tij? Pavli thotë se Perëndia «na ngushëllon në të gjitha shtrëngimet tona». (2 Korintasve 1:4) Pavarësisht nga presionet, ankthet ose vuajtjet që mund të përjetojmë, Perëndia mund të na japë kurajën dhe forcën e nevojshme për t’i duruar. A nuk na qetëson kjo?
Ngushëllimi që jep Perëndia nuk kufizohet vetëm tek ai që e merr këtë ngushëllim. Pavli vazhdon të thotë se Perëndia na ngushëllon që «të jemi në gjendje të ngushëllojmë ata që janë në ndonjë lloj shtrëngimi, me anë të ngushëllimit me të cilin ne vetë po ngushëllohemi nga Perëndia». Ngushëllimi që kemi marrë në shtrëngimin tonë, mund të na ndihmojë të ndiejmë dhembshuri për të tjerët dhe na nxit të ndihmojmë ata që janë në nevojë.
Edhe pse është «Perëndia i çdo ngushëllimi», Jehovai nuk na i heq medoemos problemet ose dhembjen. Megjithatë, për këtë gjë mund të jemi të sigurt: nëse i drejtohemi atij për ngushëllim, ai mund të na forcojë që të përballojmë çdo brengë ose shqetësim që mund të sjellë jeta. Një Perëndi i tillë i dhembshur me siguri që meriton adhurimin dhe lëvdimin tonë.
[Shënimi]
^ par. 2 Perëndia quhet «Ati [ose burimi] i mëshirave të buta» sepse dhembshuria buron prej tij dhe është pjesë e natyrës së tij.