Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ai e kupton dhembjen tonë

Ai e kupton dhembjen tonë

Afrojuni Perëndisë

Ai e kupton dhembjen tonë

Gjoni 11:33-35

«EMPATIA është dhembja jote në zemrën time.» Kështu e përshkroi këtë cilësi të vyer një misionar i moshuar i Dëshmitarëve të Jehovait. Perëndia Jehova është shembulli më i madh i empatisë. Ai e ndien dhembjen e shërbëtorëve të tij. Si mund të jemi të sigurt për këtë? Fjalët dhe veprimet e Jezuit kur ishte në tokë pasqyruan në mënyrë të përsosur ndjenjat e buta të empatisë së Jehovait. (Gjoni 5:19) Shqyrto, për shembull, ngjarjen e përshkruar te Gjoni 11:33-35.

Kur Lazari, miku i Jezuit, vdiq papritur, Jezui shkoi në fshatin e Lazarit. Kuptohet që motrat e Lazarit, Marinë dhe Martën, i kishte mbytur dhembja. Jezui e donte shumë këtë familje. (Gjoni 11:5) Ç’do të bënte në këtë rast? Tregimi thotë: «Kur pa Marinë dhe judenjtë që erdhën me të, që po qanin, Jezui rënkoi në frymë dhe u trazua. Pastaj pyeti: ‘Ku e keni vënë?’ Ata iu përgjigjën: ‘Zotëri, eja e shiko.’ Jezui nuk i mbajti dot lotët.» (Gjoni 11:33-35) Përse qau Jezui? Vërtet, miku i tij i dashur Lazari kishte vdekur, ama Jezui ishte gati ta ringjallte. (Gjoni 11:41-44) Prandaj, a kishte diçka tjetër që e preku Jezuin?

Shikoji edhe një herë fjalët e cituara më lart. Vër re se kur Jezui pa që Maria dhe të tjerët që ishin me të po qanin, ai «rënkoi në frymë» dhe «u trazua». Fjalët origjinale të përdorura këtu tregojnë ndjenja të forta. * Jezui u prek shumë nga ajo që pa. Atij iu mbushën sytë me lot, dhe kjo tregon se Jezui përjetoi ndjenja të fuqishme. Qartë, dhembja e të tjerëve e preku në zemër Jezuin. A ke derdhur lot edhe ti ndonjëherë sepse dikush që ke për zemër ishte duke qarë?​—Romakëve 12:15.

Empatia që shfaqi Jezui na ndihmon të mësojmë cilësitë dhe mënyrën se si vepron Ati i tij, Jehovai. Mos harro që Jezui i pasqyroi në mënyrë aq të përsosur cilësitë e Atit të tij, saqë tha: «Ai që më ka parë mua, ka parë edhe Atin.» (Gjoni 14:9) Pra, kur lexojmë se Jezui «nuk i mbajti lotët», mund të jemi të sigurt që Jehovai e ndien dhembjen e adhuruesve të tij. Edhe shkrimtarë të tjerë të Biblës e vërtetojnë këtë fakt. (Isaia 63:9; Zakaria 2:8) Sa Perëndi i ndjeshëm është Jehovai!

Njerëzit që tregojnë empati na bëjnë për vete. Kur jemi të shkurajuar ose të dëshpëruar, ndihemi të tërhequr nga njerëzit që i kuptojnë rrethanat tona dhe shfaqin empati. Edhe më shumë ndihemi të tërhequr nga Jehovai, Perëndia i dhembshur që e ndien dhembjen tonë dhe e kupton se përse derdhim lot!​—Psalmi 56:8.

[Shënimi]

^ par. 3 Fjala greke e përkthyer «nuk i mbajti lotët» shpesh do të thotë «të qash pa zë», kurse fjala e përdorur për të përshkruar të qarën e Marisë dhe të të tjerëve mund të nënkuptojë «të qash me zë të lartë, të vajtosh».