A do të shkatërrohet toka ndonjëherë?
A do të shkatërrohet toka ndonjëherë?
A KENI pyetur veten ndonjëherë: ‘Cila është e ardhmja e Tokës?’ Duke parë se ç’po i ndodh planetit tonë të bukur, shumë njerëz mendojnë se Toka mund të mos mbijetojë.
Në të vërtetë, sot Toka po shkatërrohet nga shpërdorimi i burimeve të tilla të çmuara, si uji, pyjet dhe ekuilibri delikat i atmosferës. Gjithashtu, disa shkencëtarë paralajmërojnë se Toka dhe gjithë llojet e jetës në të rrezikojnë të shkatërrohen nga ndonjë meteorit i madh, nga shpërthimi i ndonjë ylli apo nga pakësimi i sasisë së hidrogjenit në Diell.
Shkencëtarët besojnë se gradualisht—ndoshta në rrjedhën e miliarda viteve—Toka do të humbasë aftësinë për të mbështetur jetën njerëzore. Encyclopædia Britannica e përshkruan këtë si «prirje pa kthim drejt çrregullimit».
Jemi të kënaqur që Bibla na siguron se Perëndia Jehova nuk do të lejojë që Toka të shkatërrohet apo të bëhet e pabanueshme. Duke qenë Krijuesi, ai zotëron ‘energji dinamike’ të pakufishme, aq sa të mbajë universin në jetë pafundësisht. (Isaia 40:26) Prandaj, mund të keni besim te këto fjalë: «Ti [Perëndia] e vendose tokën mbi themele të forta; ajo nuk do të lëkundet asnjëherë, po, kurrën e kurrës.» «Lëvdoje, ti diell dhe ti, o hënë! Lëvdojeni, mbarë ju yje të shndritshme! . . . Ai urdhëroi, dhe ata u krijuan. Ai i mban në vendin e vet . . . përjetë.»—Psalmi 104:5; 148:3-6.
Qëllimi i Perëndisë për Tokën
Perëndia s’ka pasur kurrë si qëllim që Toka të dëmtohej e të ndotej, siç po ndodh tani. Përkundrazi, Perëndia i krijoi dy njerëzit e parë, Adamin dhe Evën, dhe i vendosi në një kopsht të bukur. Natyrisht që Parajsa e tyre nuk do të qëndronte e bukur vetvetiu. Perëndia u dha si detyrë ‘që ta punonin e të kujdeseshin për të’. Zanafilla 2:8, 9, 15) Ç’punë të këndshme e të kënaqshme u dha Perëndia prindërve tanë të përsosur!
(Qëllimi i Perëndisë për tokën përfshinte shumë më tepër se vetëm kujdesi për këtë kopsht. Ai donte që gjithë toka të kthehej në parajsë. Ja përse Perëndia u dha këtë urdhër Adamit dhe Evës: «Jini të frytshëm, shumohuni dhe mbusheni tokën e sundojeni, mbani të nënshtruar peshqit e detit, krijesat fluturuese të qiejve dhe çdo krijesë të gjallë që lëviz në tokë.»—Zanafilla 1:28.
Mjerisht, qëllimit të Perëndisë iu kundërvu një engjëll krenar, që u bë i njohur si Satanai. Ai dëshironte me zili që të adhurohej nga Adami dhe Eva. Duke vënë në gojën e një gjarpri fjalët e tij, Satanai i shtyu që të rebeloheshin kundër sundimit të Perëndisë. (Zanafilla 3:1-6; Zbulesa 12:9) Sa duhet ta ketë lënduar Krijuesin egoizmi i tyre dhe mungesa e çmueshmërisë! Megjithatë, rebelimi i tyre nuk arriti të ndryshonte qëllimin që Perëndia Jehova kishte për tokën. Ai thotë: «Fjala që del nga goja ime, nuk do të kthehet prapë tek unë pa dhënë fryt. Përkundrazi, do ta bëjë atë që më pëlqen dhe do ta kryejë patjetër atë për të cilën e dërgova.»—Isaia 55:11.
Për arsye të vlefshme, Jehovai ka lejuar që rebelimi i Satanait të vazhdojë deri në ditët tona. Gjatë kësaj kohe, njerëzimi ka pasur mundësi të eksperimentojë shumë forma vetëqeverisjeje, dhe të gjitha këto kanë provuar se pavarësia nga Perëndia, që nxiti Satanai, është një dështim i plotë. *—Jeremia 10:23.
Nga një këndvështrim pozitiv, gjatë mijëvjeçarëve të kaluar Perëndia i ka bekuar njerëzit e drejtë. Gjithashtu, ai ka dokumentuar në Bibël qoftë dobitë e bindjes ndaj Perëndisë, qoftë pasojat e mospranimit të sundimit të tij. Përveç kësaj, Jehovai ka bërë gjëra të mrekullueshme për të mirën tonë të ardhshme. Me dashuri, ai i ka dhënë njerëzimit një Shpëtimtar, duke dërguar Birin e tij të dashur, Jezu Krishtin, për të na mësuar se cila është mënyra më e mirë e jetesës, si dhe për të dhënë jetën e tij për ne. (Gjoni 3:16) Meqë Jezui nuk meritonte të vdiste, Perëndia e ka përdorur vdekjen e tij si bazë ligjore për të riblerë atë që humbën Adami dhe Eva, domethënë, perspektivën e jetës së përhershme në një parajsë botërore. * Për këtë qëllim, Perëndia Jehova ka vendosur një qeveri qiellore për të sunduar gjithë njerëzimin, si dhe ka emëruar Birin e tij, Jezu Krishtin e ringjallur, si Mbret të kësaj Mbretërie. Kjo masë e mrekullueshme do të bëjë të mundur që qëllimi i Perëndisë për tokën të përmbushet.—Mateu 6:9, 10.
Kështu, mund të jeni absolutisht të bindur për këto premtime të mrekullueshme që gjejmë në Bibël: «Keqbërësit do të shfarosen, kurse ata që shpresojnë te Jehovai, do të trashëgojnë tokën. Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë përgjithmonë në të.» «‘Ja, tenda e Perëndisë është me njerëzit. Ai do të banojë me ta, e ata do të jenë populli i tij. Po, vetë Perëndia do të jetë me ta. Ai do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre. Nuk do të ketë më vdekje. As vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më. Gjërat e mëparshme shkuan.’ Ai që rri ulur në fron, tha: ‘Ja, po bëj çdo gjë të re.’»—Psalmi 37:9, 29; Zbulesa 21:3-5.
Bibla nuk është kontradiktore
Gjithsesi, disa mund të pyesin veten: ‘Si lidhen shkrimet e cituara më sipër me vargje të tjera që duket sikur flasin për fundin e afërt të tokës?’ Le të shohim disa shembuj. Ky shqyrtim do të na tregojë se Bibla nuk është kontradiktore.
Psalmi 102:25-27, Diodati i Ri.
Shumë kohë para se shkencëtarët të kuptonin «prirjen drejt çrregullimit» të gjithçkaje në univers, një psalmist i Biblës shkroi: «Ti [pra, Perëndia] ke vendosur tokën dhe qiejt janë vepër e duarve të tua; ata do të zhduken, por ti do të mbetesh; do të konsumohen të gjithë si një rrobë; ti do t’i ndërrosh si një rrobë dhe ata do të ndryshohen. Por ti je gjithnjë po ai dhe vitet e tua nuk do të kenë kurrë fund.»—Kur shkroi këto fjalë, psalmisti nuk po kundërshtonte qëllimin e përjetshëm të Perëndisë për tokën. Përkundrazi, ai bënte dallimin mes Perëndisë, që ekziston përjetë, dhe çdo gjëje tjetër të prishshme që Perëndia ka krijuar. Pa fuqinë e përjetshme përtëritëse të Perëndisë, universi—duke përfshirë sistemin diellor nga i cili ne varemi për stabilitetin e orbitës së tokës, për dritë dhe energji—do të zhytej në një çrregullim total e do të përfundonte në shkatërrim. Pra, po të lihej vetëm, toka ‘do të konsumohej’ ose do të merrte fund përgjithmonë.
Ka edhe vargje të tjera në Shkrime që, me shikim të parë, duket se kundërshtojnë qëllimin e Perëndisë për tokën. Për shembull, Bibla thotë se qielli dhe toka ‘do të kalojnë’. (Zbulesa 21:1) Sigurisht që këto fjalë nuk bien në kundërshtim me premtimin e Jezuit: «Lum ata që janë me natyrë të butë, sepse do të trashëgojnë tokën!» (Mateu 5:5) Atëherë, ç’nënkupton Bibla kur thotë se qielli dhe toka ‘do të kalojnë’?
Shpesh, Bibla e përdor fjalën «tokë» në kuptimin e figurshëm, duke nënkuptuar shoqërinë njerëzore. Shihni, për shembull, këto vargje: «Gjithë toka kishte vetëm një gjuhë dhe përdorte të njëjtat fjalë.» (Zanafilla 11:1) Është e dukshme që këtu fjala «tokë» përdoret për njerëzit që jetonin në tokë. Një shembull tjetër e kemi te Psalmi 96:1, ku sipas versionit të Simon Filipaj thuhet: «Mbarë toka t’i këndojë Zotit!» Qartë, në këtë varg dhe në të tjera, fjala «tokë» përdoret në kuptimin e figurshëm dhe u referohet njerëzve.—Psalmi 96:13.
Disa herë, Bibla i krahason qeveritë tokësore me qiejt ose me trupat qiellorë. Për shembull, sundimtarët shtypës babilonas janë përshkruar si yje, ngaqë e ngrinin veten mbi njerëzit e tjerë. (Isaia 14:12-14) Sikurse ishte profetizuar, «qiejt» babilonas, ose klasa e sundimtarëve, dhe «toka», mbështetësit e kësaj klase, morën fund në vitin 539 p.e.s. (Isaia 51:6) Kjo u dha mundësi judenjve të penduar të ktheheshin në Jerusalem, ku ‘qiejt e rinj’, klasa e re drejtuese, qeverisën ‘tokën e re’, shoqërinë e drejtë njerëzore.—Isaia 65:17.
Është e dukshme se kur Bibla thotë se qielli dhe toka ‘do të kalojnë’, nënkupton fundin e qeverive të sotme të korruptuara dhe të njerëzve të paperëndishëm që i mbështetin. (2 Pjetrit 3:7) Kjo do t’u hapë rrugë bekimeve që qeveria qiellore e Perëndisë do të sjellë për shoqërinë e re dhe të drejtë njerëzore, sepse «sipas premtimit të tij, ne presim qiej të rinj e një tokë të re, dhe në ta do të banojë drejtësia».—2 Pjetrit 3:13.
Kështu pra, mund të keni besim te premtimi i Perëndisë se planeti ynë, Toka, do të qëndrojë përgjithmonë. Për më tepër, Bibla tregon se çfarë duhet të bëni për të qenë në atë kohë të mrekullueshme, kur toka do të shndërrohet në një parajsë globale. Jezui tha: «Që të marrin jetën e përhershme, duhet të vazhdojnë të marrin njohuri për ty, të vetmin Perëndi të vërtetë dhe për atë që dërgove, Jezu Krishtin.» (Gjoni 17:3) Përse të mos synoni të shqyrtoni se çfarë thotë Bibla për të ardhmen e tokës e të njerëzimit? Dëshmitarët e Jehovait në zonën ku banoni do të jenë të kënaqur t’ju ndihmojnë në lidhje me këtë.
[Shënimet]
^ par. 10 Për të parë se përse Perëndia i ka lejuar vuajtjet, shihni faqet 106-114 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
^ par. 11 Për më shumë informacione për vdekjen flijuese të Jezuit, shihni faqet 47-56 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?
[Diçitura në faqen 12]
Bibla premton se planeti ynë, Toka, do të qëndrojë përgjithmonë
[Burimet e figurave në faqen 10]
Globi në sfond: NASA/The Visible Earth (http://visibleearth.nasa.gov/); ariu polar: © Bryan and Cherry Alexander Photography