Si të kemi një familje të lumtur?
Si t’i zgjidhni mosmarrëveshjet?
Burri: «Kur u martuam, unë dhe Sara * jetonim në shtëpinë e prindërve të mi. Një ditë e dashura e vëllait tim më kërkoi ta çoja në shtëpi me makinë. Pranova ta ndihmoja, kështu mora me vete edhe djalin tim të vogël. Mirëpo, kur u ktheva, Sara ishte e xhindosur. Filluam të grindeshim dhe, në sy të të gjithë njerëzve të mi, më quajti donzhuan. E humba toruan dhe nisa t’i thosha gjëra që e acaruan më keq.»
Gruaja: «Djali ynë kishte një problem të rëndë shëndetësor dhe në atë kohë nuk ishim mirë nga ana financiare. Prandaj, kur Fernandoja hipi në makinë me të dashurën e vëllait dhe djalin tonë, u mërzita për disa arsye. Pasi u kthye, i thashë se si ndihesha. Bëmë një sherr të madh dhe shamë njëri-tjetrin. Pas kësaj ndihesha përtokë.»
NËSE një çift grindet, a do të thotë kjo se nuk e duan më njëri-tjetrin? Jo! Fernandoja dhe Sara, të përmendur më sipër, e duan shumë njëri-tjetrin. Megjithatë, edhe në martesat më të mira, do të ketë herë pas here ndonjë mosmarrëveshje.
Pse lindin mosmarrëveshjet dhe ç’mund të bëni që ato të mos jua prishin martesën? Meqë nismëtari i martesës është Perëndia, është e logjikshme të shqyrtojmë se ç’thotë për këtë argument Fjala e tij, Bibla.—Zanafilla 2:21, 22; 2 Timoteut 3:16, 17.
Kuptoni se ku qëndron problemi
Shumica e çifteve duan ta trajtojnë njëri-tjetrin me dashuri dhe dashamirësi. Por Bibla thotë në mënyrë realiste se «të gjithë kanë mëkatuar dhe nuk e kanë arritur lavdinë e Perëndisë». (Romakëve 3:23) Kështu, kur lindin mosmarrëveshje, mund të jetë e vështirë që ndjenjat të mbahen nën kontroll. Dhe, nëse nis një grindje, për disa mund të jetë një luftë e vërtetë t’u rezistojnë zakoneve të këqija, si për shembull, të bërtiturave dhe sharjeve. (Romakëve 7:21; Efesianëve 4:31) Cilat gjëra të tjera mund të shkaktojnë acarim?
Një burrë dhe një grua mund të kenë mënyra të ndryshme komunikimi. Miçikoja thotë: «Në fillim, kur u martuam, vura re se i diskutonim gjërat në mënyra shumë të ndryshme. Mua më pëlqen të mos flas vetëm për çfarë ndodhi, por edhe pse dhe si ndodhi. Burrit tim duket se i intereson vetëm përfundimi.»
Këtë problem nuk e ka vetëm Miçikoja. Në shumë martesa ndoshta njëri bashkëshort dëshiron ta diskutojë gjerë e gjatë një mosmarrëveshje, kurse tjetrit nuk i pëlqejnë debatet dhe do që ta shmangë argumentin. Ndonjëherë, sa më shumë përpiqet njëri ta diskutojë argumentin, aq më tepër do tjetri ta shmangë. A keni vënë re edhe ju të njëjtën prirje në martesën tuaj? A ndodh gjithmonë që njëri prej jush merr rolin e atij që dëshiron të diskutojë, kurse tjetri rolin e kundërt?
Diçka tjetër për t’u pasur parasysh është se ambienti familjar ku janë rritur, mund të ndikojë në pikëpamjen e burrit ose të gruas për mënyrën e komunikimit. Xhastini, i martuar prej pesë vjetësh, thotë: «Në familjen time ishim të mbyllur, prandaj unë e kam të vështirë të flas hapur për ndjenjat e mia. Kjo e mërzit gruan. Në familjen e saj janë krejt ndryshe dhe ajo s’e ka problem të më thotë se si ndihet.»
Pse të bashkëpunoni për t’i zgjidhur problemet?
Studiuesit kanë vërejtur se treguesi më i mirë për lumturinë në martesë, nuk është se sa shpesh bashkëshortët thonë se e duan njëri-tjetrin. As përputhja nga ana seksuale dhe paratë nuk janë gjërat më të rëndësishme. Përkundrazi, treguesi më i mirë i një martese të lumtur është se sa mirë arrijnë t’i zgjidhin bashkëshortët mosmarrëveshjet që lindin.
Për më tepër, kur një çift martohet, Jezui tha se ata i bashkon Perëndia, e jo njeriu. (Mateu 19:4-6) Pra, një martesë e mirë nderon Perëndinë. Nga ana tjetër, kur burri nuk tregon dashuri dhe kujdes për gruan, Perëndia Jehova mund të mos i dëgjojë lutjet e tij. (1 Pjetrit 3:7) Nëse gruaja nuk e respekton burrin, në të vërtetë ajo nuk po respekton Jehovain, i cili e ka caktuar burrin si kreun e familjes.—1 Korintasve 11:3.
Çelësi i suksesit—Shmangni fjalët lënduese
Pavarësisht se ç’mënyrë komunikimi keni apo nga ç’familje vini, nëse doni të zbatoni parimet biblike dhe t’i zgjidhni me sukses mosmarrëveshjet, duhet të shmangni fjalët lënduese. Bëjini vetes këto pyetje:
‘A i rezistoj dëshirës për t’u kundërpërgjigjur?’
Një proverb i mençur thotë: «Duke shtypur hundën, del gjak; dhe duke mos frenuar zemërimin, vjen sherri.» (Proverbat 30:33) Ç’do të thotë kjo? Shqyrtoni këtë shembull. Ajo që nis si diskutim për shpenzimet familjare («duhet të kemi kujdes me shpenzimet»), mund të shndërrohet shpejt në një sulm kundër karaktereve të njëri-tjetrit («je i papërgjegjshëm»). Vërtet, nëse bashkëshorti ‘të shtyp hundën’ duke sulmuar karakterin tënd, mund të ndiesh dëshirën që t’ia kthesh menjëherë me të njëjtën monedhë. Por kjo vetëm sa shkakton zemërim dhe e thellon mosmarrëveshjen.
Shkrimtari biblik Jakovi paralajmëroi: «Ja, një zjarr i vogël mjafton për t’i vënë flakën një pylli të madh! E pra, edhe gjuha është një zjarr.» (Jakovi 3:5, 6) Kur bashkëshortët nuk i vënë fre gjuhës, mospajtimet e vogla mund të marrin zjarr e të shndërrohen me shpejtësi në sherre të mëdha. E patjetër martesat që goditen vazhdimisht nga stuhi të tilla emocionale nuk përbëjnë një mjedis ku mund të lulëzojë dashuria.
Në vend që të kundërpërgjigjeni, a mund të imitoni Jezuin i cili, kur e shanin, «nuk e kthente sharjen»? (1 Pjetrit 2:23) Mënyra më e mirë për ta shuar grindjen është që të merrni parasysh pikëpamjen e njëri-tjetrit dhe të kërkoni falje për fajin që keni edhe ju.
SUGJERIM: Herën tjetër që lind një grindje, pyetni veten: ‘Ç’më kushton t’i marr parasysh shqetësimet e bashkëshortit? Ç’faj kam edhe unë në këtë mes? Ç’më pengon të kërkoj falje për gabimet e mia?’
‘A i nënvlerësoj apo i shpërfill ndjenjat e bashkëshortit?’
Fjala e Perëndisë urdhëron: «Jini të gjithë të një mendjeje, tregoni ndjenja të përbashkëta.» (1 Pjetrit 3:8) Shqyrtoni dy arsye pse mund të mos arrini ta zbatoni këtë udhëzim. Njëra është se ndoshta nuk e kupton se ç’mendon ose ç’ndien bashkëshorti yt. Për shembull, nëse bashkëshorti yt është më i shqetësuar se ty për një problem, mund të kesh prirjen për të thënë: «Mos e bëj kaq të madhe!» Me këto fjalë ndoshta dëshiron ta ndihmosh bashkëshortin ta shohë problemin në mënyrë objektive. Mirëpo, pak njerëz i qetësojnë fjalë të tilla. Burri dhe gruaja kanë nevojë të dinë se njerëzit që ata duan, i kuptojnë mendimet dhe ndjenjat e tij ose të saj.
Gjithashtu edhe krenaria e tepërt mund ta nxitë dikë të shpërfillë ndjenjat e bashkëshortit. Një njeri krenar përpiqet ta lartësojë veten duke i ulur të tjerët vazhdimisht. Mund ta bëjë këtë duke përdorur nofka sharëse ose krahasime negative. Shqyrtoni shembullin e farisenjve dhe të skribëve të kohës së Jezuit. Kur dikush, madje edhe një farise tjetër, shprehte një mendim të ndryshëm nga këta njerëz krenarë, ata përdornin nofka sharëse dhe fjalë përçmuese. (Gjoni 7:45-52) Jezui ishte ndryshe. Ai bashkohej me ndjenjat e të tjerëve kur i hapeshin.—Mateu 20:29-34; Marku 5:25-34.
Mendoni pak se si reagoni kur bashkëshorti juaj shpreh shqetësimet e veta. A përcjellin mirëkuptim fjalët, toni i zërit dhe shprehjet e fytyrës? Apo keni prirjen t’i shpërfillni ndjenjat e bashkëshortit?
SUGJERIM: Në javët e ardhshme, vëreni se si i flitni bashkëshortit. Nëse jeni shpërfillës ose thoni diçka poshtëruese, kërkoni falje menjëherë.
‘A më duket shpesh se bashkëshorti im mendon vetëm për veten?’
«Vallë, më kot ka frikë Jobi nga Perëndia?! A nuk ke ngritur një gardh rreth tij, rreth shtëpisë së tij dhe rreth gjithçkaje që ka përqark?» (Jobi 1:9, 10) Me këto fjalë, Satanai po vinte në dyshim arsyen pse Jobi i shërbente Perëndisë.
Nëse bashkëshortët nuk tregohen të kujdesshëm, mund të bëjnë të njëjtin gabim. Për shembull, nëse bashkëshorti bën për ju diçka që ju pëlqen, a dyshoni se do diçka në këmbim ose po përpiqet të mbulojë ndonjë gjë? Në qoftë se bashkëshorti bën një gabim, a e shihni këtë si provë se është egoist dhe moskokëçarës? A ju vijnë menjëherë në mendje gabime të ngjashme nga e kaluara dhe ia shtoni listës së gabimeve?
SUGJERIM: Bëni një listë me gjërat e mira që ka bërë bashkëshorti për ju dhe me arsyet e vlefshme pse mund të ketë vepruar kështu.
Apostulli Pavël shkroi: «Dashuria . . . nuk e mban llogari të keqen.» (1 Korintasve 13:4, 5) Dashuria e vërtetë nuk është e verbër. Por as nuk e mban llogari të keqen. Gjithashtu Pavli tha se dashuria «beson çdo gjë». (1 Korintasve 13:7) Jo se kjo lloj dashurie është naive, por është e gatshme për të besuar. Ajo nuk është cinike dhe dyshuese. Dashuria që nxit Bibla është e gatshme të falë dhe të mos dyshojë për motivet e të tjerëve. (Psalmi 86:5; Efesianëve 4:32) Kur bashkëshortët shfaqin këtë lloj dashurie për njëri-tjetrin, do të kenë një martesë të lumtur.
PYET VETEN . . .
-
Cilat gabime bëri çifti i përmendur në fillim të artikullit?
-
Si mund të shmang gabime të ngjashme në martesë?
-
Për cilat pika të përmendura në artikull kam nevojë të punoj më shumë?
^ par. 3 Emrat janë ndryshuar.