Si të gjesh kënaqësi në rolin e nënës?
Si të gjesh kënaqësi në rolin e nënës?
SOT, anekënd botës, shumica e grave kanë një punë. Në vendet e industrializuara gratë që punojnë janë thuajse po aq sa burrat. Në vendet në zhvillim, shpesh gratë robtohen me orë të tëra në punët e bujqësisë që të japin një dorë për të mbajtur familjen.
Shumë gra vrapojnë sa në punë për të siguruar jetesën, sa në shtëpi nga meraku që kanë për familjen dhe shtëpinë. Këto gra jo vetëm sigurojnë para për ushqim, veshje dhe strehë, por edhe gatuajnë, lajnë teshat dhe pastrojnë shtëpinë.
Veç këtyre, nënat që besojnë te Perëndia, bëjnë çmos t’i brumosin fëmijët me normat e Tij. «Sinqerisht, është shumë e vështirë të gjesh ekuilibrin mes punës dhe përgjegjësive familjare, sidomos kur ke fëmijë të vegjël,—pranon Kristina, që ka dy vajza të vogla.—S’është kollaj t’u japësh fëmijëve aq përkujdesje sa kanë nevojë.»
Çfarë i shtyn nënat të hyjnë në punë? Cilat vështirësi hasin? A duhet medoemos që nëna të futet në punë për t’u ndier e kënaqur se po bën diçka me vlerë?
Pse nënat hyjnë në punë?
Shumë nëna e kanë të domosdoshme të bëjnë një punë tetorëshe. Disa mbajnë mbi supe gjithë barrën ekonomike, pasi nuk kanë një bashkëshort. Çifte të tjera shohin se një rrogë nuk u del as për nevojat bazë të familjes.
Është e vërtetë që jo të gjitha nënat punojnë nga halli. Një numër i konsiderueshëm futen në punë se kjo u rrit vlerësimin për veten. Disa të tjera duan njëfarë pavarësie ekonomike ose të kenë para për lukse. Shumë janë goxha të zonja në punën e tyre dhe e bëjnë me qejf.
Presioni i të tjerëve mund të jetë një arsye tjetër përse disa nëna ndihen të detyruara të futen në punë. Edhe pse shumë njerëz e pranojnë se nënat që punojnë janë tërë kohës të stresuara dhe të sfilitura, ato që vendosin të mos hyjnë në punë shpesh nuk i kuptojnë e madje i tallin. «Nuk është e lehtë t’u thuash njerëzve se
je ‘thjesht një shtëpiake’,—pranoi një grua.—Me fjalët ose shprehjet e fytyrës disa të lënë të nënkuptosh se po të shkon jeta kot.» Rebeka, që ka një vajzë dy vjeçe, thotë: «Ndonëse shoqëria e pranon se gratë duhet të kujdesen për fëmijët, mendoj se nënat që nuk janë në punë i sheh pak si inferiore.»Idealja dhe realja
Në disa vende të botës, media e portretizon «gruan ideale» si një grua të suksesshme në karrierën që ka zgjedhur, pra, me një rrogë të mirë, që vishet kreko dhe plot siguri te vetja. Kur kthehet në shtëpi ka energji edhe të zgjidhë problemet e fëmijëve, të ndreqë gabimet e të shoqit dhe të manovrojë në çdo situatë të ndërlikuar në familje. Kuptohet, në realitet janë të pakta gratë që janë në lartësinë e iluzionit të «gruas ideale».
Praktikisht, shumë nga punët që bëjnë gratë janë monotone e nuk paguhen dhe aq. Nënat që punojnë zhgënjehen kur shohin se puna e tyre nuk u lejon t’i përdorin plotësisht dhuntitë që kanë. Libri Social Psychology nxjerr në pah: «Edhe pse janë bërë hapa drejt barazisë, burrat ende zënë punët me pagë më të lartë dhe më me pozitë. Prandaj gratë që e bazojnë respektin për veten te puna, rrezikojnë shumë të dalin të humbura.» Gazeta spanjolle El País thotë: «Është llogaritur se gratë rrezikojnë tri herë më tepër se burrat të përjetojnë ankthin që vjen nga stresi, pasi shumica dërrmuese bëjnë dy turne—një në punë dhe një në shtëpi.»
Si mund të ndihmojnë bashkëshortët?
Sigurisht, një nënë që i shërben Perëndisë do të vendosë vetë nëse do të punojë apo jo. Sidoqoftë, po të jetë e martuar, ajo dhe i shoqi duhet ta marrin vendimin vetëm pasi ta kenë rrahur mirë çështjen dhe t’i kenë peshuar mirë të gjitha gjërat.—Proverbat 14:15.
Po sikur çifti të vendosë se është e domosdoshme të punojnë që të dy me orar të plotë për të mbajtur familjen? Atëherë, një bashkëshort i mençur do t’i kushtojë vëmendje të veçantë këshillës së Biblës: «Ju burra, duhet të tregoni mirëkuptim në jetën bashkëshortore: trajtojini gratë me respekt, jo vetëm ngaqë janë më të dobëta fizikisht, por edhe sepse e keni të përbashkët dhuratën e jetës nga Perëndia.» (1 Pjetrit 3:7, The Revised English Bible) Një burrë tregon respekt për të shoqen duke e mirëkuptuar brishtësinë e saj fizike dhe emocionale. Sa herë të jetë e mundur, ai do ta ndihmojë gruan në punët e shtëpisë. Ashtu si Jezui, një burrë do të jetë i gatshëm të kryejë me përulësi edhe punë të rëndomta dhe nuk do t’u bëjë bisht atyre, duke menduar se ia ulin dinjitetin. (Gjoni 13:12-15) Përkundrazi ai do t’i shohë si mundësi për të treguar dashurinë që ka për bashkëshorten e tij punëtore. Ajo do ta çmojë shumë këtë ndihmë.—Efesianëve 5:25, 28, 29.
Pa dyshim, kur të dy bashkëshortët duhet të punojnë, bashkëpunimi në shtëpi është jetësor. Këtë e thekson edhe një artikull në gazetën spanjolle ABC. Duke komentuar rreth një studimi të Institutit të Çështjeve Familjare, artikulli ia vuri fajin për numrin e madh të divorceve në Spanjë, jo vetëm «humbjes së normave morale dhe fetare», por edhe kombinimit të dy faktorëve të tjerë—«përfshirjes së grave në tregun e punës dhe mosbashkëpunimit të burrave në punët e shtëpisë».
Roli jetësor i nënës së krishterë
Edhe pse Jehovai ua caktoi baballarëve përgjegjësinë kryesore për edukimin e fëmijëve, nënat e krishtere e dinë se edhe atyre u është besuar një rol jetësor, sidomos gjatë foshnjërisë së fëmijës. (Proverbat 1:8; Efesianëve 6:4) Jehovai iu drejtua edhe nënave, edhe baballarëve kur u tha izraelitëve që t’u ngulitnin fëmijëve Ligjin e tij. Ai e dinte se kjo do të kërkonte kohë dhe durim, veçanërisht gjatë viteve të formimit të fëmijës. Prandaj, Perëndia u tha prindërve se duhet t’i mësonin fëmijët në shtëpi, në rrugë, kur ngriheshin nga shtrati dhe kur shtriheshin.—Ligji i përtërirë 6:4-7.
Fjala e Perëndisë thekson rëndësinë dhe rolin dinjitoz të nënave kur u jep këtë urdhër fëmijëve: «Mos e braktis ligjin e nënës sate.» (Proverbat 6:20) Natyrisht një grua e martuar do të këshillohet me të shoqin para se t’u vërë rregulla fëmijëve. Gjithsesi, siç tregon vargu, nënat kanë të drejtë të vendosin ligje ose rregulla. Fëmijët që ua vënë veshin normave fetare dhe morale që u mëson një nënë që i shërben Perëndisë, do të nxjerrin shumë dobi. (Proverbat 6:21, 22) Tereza, që ka dy djem të vegjël, shpjegoi përse nuk futej në punë. Ajo tha: «Detyra më e rëndësishme që kam është t’i edukoj fëmijët që t’i shërbejnë Perëndisë. Dua ta kryej sa më mirë këtë punë.»
Nëna që lanë gjurmë
Mbreti izraelit, Lemueli, patjetër që nxori shumë dobi nga përpjekjet me gjithë shpirt të nënës. «Mesazhi me peshë» që ajo i dha të birit «për ta ndrequr», është përfshirë edhe në Fjalën e frymëzuar të Perëndisë. (Proverbat 31:1; 2 Timoteut 3:16) Përshkrimi që ajo nënë i bën një gruaje të zonjë, ende i ndihmon bijtë të tregohen të mençur kur zgjedhin shoqen e jetës. Po ashtu, paralajmërimet e saj për imoralitetin dhe pirjen me tepri, janë po aq me vend sot sa edhe kur u shkruan.—Proverbat 31:3-5, 10-31.
Në shekullin e parë, apostulli Pavël lavdëroi një nënë të quajtur Eunika, për punën e shkëlqyer që kishte bërë me të birin, Timoteun. Meqë i shoqi jobesimtar ka shumë të ngjarë të adhuronte perëndi greke, Eunika duhej ta bindte Timoteun të besonte në «shkrimet e shenjta». Kur filloi Eunika t’ia mësonte Timoteut Shkrimet? Tregimi i frymëzuar thotë se ia nisi «që nga foshnjëria», me fjalë të tjera, që kur Timoteu ishte foshnjë. (2 Timoteut 1:5; 3:14, 15) Është e qartë se besimi dhe shembulli i saj, si edhe ato çka i mësoi Timoteut, e përgatitën për caktimin e tij si misionar në të ardhmen.—Filipianëve 2:19-22.
Bibla flet edhe për nëna që mikpritën shërbëtorët besnikë të Perëndisë. Kjo u krijoi mundësi fëmijëve të tyre, të rrinin me njerëz që ishin shembuj të shkëlqyer për t’u imituar. Për shembull, një grua shunamite e mikpriste shpesh profetin Elise në shtëpi. Më vonë Eliseu ia riktheu në jetë të birin. (2 Mbretërve 4:8-10, 32-37) Shqyrtoni edhe shembullin e Marisë, nënës së shkrimtarit biblik, Markut. Me sa duket, ajo hapi dyert e shtëpisë së saj në Jerusalem që dishepujt e hershëm t’i bënin mbledhjet atje. (Veprat 12:12) Kuptohet që Marku ka përfituar shumë nga shoqëria me apostujt dhe të krishterët e tjerë që vinin rregullisht në shtëpinë e tij.
Pa dyshim që Jehovai e vlerëson shumë punën e madhe të grave besnike që rrënjosin te fëmijët parimet e tij. Ai i do këto gra për besnikërinë dhe përpjekjet që bëjnë për të krijuar në shtëpi një ambient ku ushqehen normat e tij.—2 Samuelit 22:26; Proverbat 14:1.
Zgjedhja që sjell më shumë kënaqësi
Siç tregohet edhe në shembujt e mësipërm nga Shkrimet, përkujdesja për nevojat e familjes, qofshin këto fizike, emocionale dhe për të mësuar për Perëndinë, sjell shpërblime të pashoqe. Por, kjo nuk është një punë e lehtë. Shpesh, puna që bën nëna në shtëpi, duket më e lodhshme sesa çdo punë me pozitë në ndonjë kompani.
Është e vërtetë se, kur nëna vendos ta lërë punën ose të punojë me orar të shkurtuar, pasi është këshilluar me të shoqin, familjes
mund t’i duhet të bëjë një jetë më të thjeshtë. Gjithashtu, nënës mund t’i duhet të durojë talljet e njerëzve që nuk e kuptojnë vendimin e saj. Por shpërblimet janë ku e ku më të mëdha se sakrificat. Paki ka tre fëmijë dhe i duhet të punojë me orar të shkurtuar. Ajo thotë: «Dua që fëmijët të më gjejnë në shtëpi kur kthehen nga shkolla. Kështu do të kenë me kë të flasin.» Si përfitojnë fëmijët e saj? «I ndihmoj me detyrat e shtëpisë dhe, nëse dalin probleme, mund t’i zgjidh aty për aty,—thotë ajo.—Koha që kalojmë çdo ditë së bashku na ndihmon të mbajmë një komunikim të hapur. E çmoj kaq shumë kohën që kaloj me fëmijët saqë refuzova një ofertë pune me orar të plotë.»Shumë nëna të krishtere kanë parë se, kur e lënë punën ose pakësojnë orët e punës, përfiton e gjithë familja. Kristina e përmendur më sipër thotë: «Kur e lashë punën, dukej se gjërat në familje filluan të shkonin më mirë. Kisha kohë të bisedoja me fëmijët dhe të ndihmoja burrin në shumë mënyra. Fillova ta shijoj edukimin e vajzave ndërsa i shihja që mësonin e bëheshin më të mira.» Kristinës nuk i shlyhet nga mendja një ngjarje e veçantë. «Vajza e madhe mësoi të ecte në çerdhe,—sjell ndër mend ajo,—kurse vajzës së vogël i mësova të ecë në shtëpi. Ajo bëri hapat e parë dhe ra drejt e në krahët e mi. Sa lumturi më dhuroi ai çast!»
Një faktor tjetër që duhet marrë parasysh është se, kur nëna punon me orar të shkurtuar ose e lë punën, humbja ekonomike mund të jetë më e vogël nga ç’pritet. Kristina shpjegon: «Shpenzimet e çerdhes dhe të transportit më merrnin një pjesë të mirë të rrogës. Kur e shqyrtuam me kujdes situatën, kuptuam se puna ime nuk po na sillte dhe aq para në shtëpi.»
Pasi e peshojnë mirë situatën e tyre, disa çifte shohin se të mirat që vijnë kur gruaja i përkushtohet familjes, i tejkalojnë sakrificat në para. Poli, i shoqi i Kristinës, thotë: «Jam i kënaqur që ime shoqe rri në shtëpi që të kujdeset për dy vajzat tona të vogla. Për të dy ne ishte shumë më stresuese kur gruaja shkonte në punë. Si ka ndikuar ky vendim te vajzat e këtij çifti? Poli thotë: «Ato jo vetëm që ndihen më të sigurta, por edhe janë mjaft të mbrojtura nga ndikimet e këqija gjatë fëmijërisë.» Përse ky çift mendon se është kaq e rëndësishme të kalojnë sa më shumë kohë të munden me të bijat? Poli përgjigjet: «Jam i bindur se, nëse ne si prindër, si të thuash, nuk shkruajmë në zemrat e fëmijëve tanë, dikush tjetër do ta bëjë.»
Qartë, çdo çift duhet t’i shqyrtojë rrethanat e veta dhe askush nuk duhet të kritikojë vendimet që marrin të tjerët. (Romakëve 14:4; 1 Selanikasve 4:11) Sidoqoftë ia vlen të merren parasysh dobitë e shumta që i vijnë familjes kur nëna nuk punon me orar të plotë. Tereza, që përmendëm më sipër, i përmbledh ndjenjat e saj me këto fjalë: «Asgjë nuk më fal më tepër kënaqësi sesa të kaloj sa më shumë kohë të jetë e mundur, duke u kujdesur për fëmijët e mi dhe duke i mësuar.»—Psalmi 127:3.
[Figura në faqen 31]
Nënat e krishtere marrin pjesë në punën jetësore të edukimit të fëmijëve