Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 11

KËNGA 57 Predikojmë me zemrën hapur, me paanësi

Imito zellin e Jezuit në predikim

Imito zellin e Jezuit në predikim

«Zotëria . . . i dërgoi dy e nga dy përpara tij në çdo qytet dhe vend ku do të shkonte.»LUKA 10:1.

FOKUSI I ARTIKULLIT

Do të shohim katër mënyra si ta imitojmë zellin e Jezuit në shërbim.

1. Cila është një cilësi që i dallon shërbëtorët e Jehovait nga të krishterët e shtirur?

 NJË gjë që i dallon shërbëtorët e Jehovait nga të krishterët e shtirur është zelli a për shërbimin. (Titit 2:14) Mirëpo, hera-herës mund ta kesh të vështirë të jesh entuziast për predikimin. Ndoshta ndihesh si një plak kongregacioni i papërtuar, i cili pranoi: «Ndonjëherë nuk kam aspak dëshirë të dal në shërbim.»

2. Pse mund ta kemi të vështirë ta ruajmë zellin për shërbimin?

2 Mbase kemi më shumë qejf të marrim pjesë në forma të tjera të shërbimit të shenjtë sesa të dalim në predikim. Pse? Sepse kur ndërtojmë e mirëmbajmë godina teokratike, kur ndihmojmë në raste katastrofash ose kur inkurajojmë bashkëbesimtarët, mund të shohim rezultate të menjëhershme dhe të ndiejmë se kemi arritur diçka me vlerë. Ndërsa punojmë përkrah vëllezërve, shijojmë një atmosferë paqeje e dashurie dhe e dimë se çmojnë çdo gjë që bëjmë për ta. Nga ana tjetër, mbase kemi vite që predikojmë në të njëjtin territor dhe na kanë dëgjuar fare pak veta. Madje, disa ndoshta janë armiqësorë ndaj veprës sonë. Gjithashtu e dimë se ndërsa afrohet fundi, ka të ngjarë që akoma më shumë njerëz të mos e mirëpresin mesazhin tonë. (Mat. 10:22) Ç’mund të na ndihmojë ta ruajmë ose edhe ta shtojmë zellin për veprën e predikimit?

3. Çfarë mësojmë për Jezuin nga ilustrimi te Luka 13:6-9?

3 Shembulli i Jezuit mund të na ndihmojë të jemi të zellshëm në predikim. Kur ishte në tokë, atij nuk iu shua kurrë zelli për shërbimin. Madje, ndërsa koha kalonte, përpiqej edhe më fort në veprën e predikimit. (Lexo Lukën 13:6-9.) Ashtu si vreshtari që kultivoi për tre vjet një pemë fiku që nuk dha fryte, Jezui u predikoi për tre vjet judenjve, por shumica nuk u bënë dishepuj të tij. Megjithatë, njësoj si vreshtari që nuk i humbi shpresat për fikun, edhe Jezui nuk i pa si të pashpresë ata njerëz dhe as u bë i plogët në shërbim. Përkundrazi, u përpoq akoma më shumë që t’u prekte zemrën.

4. Cilat janë katër gjëra që do të shqyrtojmë nga shembulli i Jezuit?

4 Në këtë artikull do të shohim si shfaqi zell Jezui, sidomos në gjashtë muajt e fundit të shërbimit të tij. Nëse zbatojmë gjërat që mësonte dhe imitojmë mënyrën si vepronte, edhe ne do ta ruajmë zellin. Le të shohim çfarë shembulli na la Jezui në katër aspekte: (1) ai kishte në qendër të jetës vullnetin e Jehovait, (2) u kushtonte vëmendje profecive të Biblës, (3) mbështetej te Jehovai për ndihmë dhe (4) mbante një qëndrim pozitiv, duke mos e humbur shpresën se disa do ta dëgjonin.

MBAJTI NË QENDËR TË JETËS VULLNETIN E JEHOVAIT

5. Si e tregoi Jezui se gjëja më e rëndësishme për të ishte të bënte vullnetin e Perëndisë?

5 Jezui e predikonte me zell «lajmin e mirë për Mbretërinë», sepse e dinte që këtë dëshironte Perëndia prej tij. (Luka 4:43) Shërbimi ishte boshti i jetës së Jezuit. Madje edhe muajt e fundit të shërbimit në tokë, ai udhëtoi «nga qyteti në qytet e nga fshati në fshat» që të mësonte njerëzit. (Luka 13:22) Gjithashtu stërviti më shumë dishepuj që ta predikonin lajmin e mirë si ai.—Luka 10:1.

6. Si lidhen caktimet e ndryshme teokratike me veprën e predikimit? (Shih edhe figurën.)

6 Edhe sot, predikimi i lajmit të mirë është detyra kryesore që na kanë ngarkuar Jehovai dhe Jezui. (Mat. 24:14; 28:19, 20) Caktimet e tjera teokratike lidhen drejtpërdrejt me veprën e predikimit. Për shembull, kur ndërtojmë godina teokratike ose shërbejmë në Bethel, mbështetim veprën e predikimit. Në raste katastrofash u bëhemi krah vëllezërve e motrave jo vetëm për t’u siguruar gjërat e nevojshme, por edhe për t’i ndihmuar t’u rikthehen aktiviteteve teokratike, ku përfshihet predikimi. Kur mbajmë parasysh se predikimi është caktimi më i rëndësishëm që na ka besuar Jehovai, ndihemi të motivuar të dalim në shërbim sa më shpesh që mundemi. Janoshi, një plak në Hungari, thotë: «I kujtoj vetes se asnjë aktivitet teokratik nuk mund ta zëvendësojë veprën e predikimit—caktimin tonë kryesor.»

Predikimi i lajmit të mirë është caktimi kryesor që na kanë besuar Jehovai dhe Jezui (Shih paragrafin 6)


7. Pse Jehovai dëshiron të vazhdojmë të predikojmë? (1 Timoteut 2:3, 4)

7 Mund ta përtërijmë zellin për shërbimin duke i parë njerëzit me syrin e Jehovait. Ai do që sa më shumë veta ta dëgjojnë lajmin e mirë dhe ta përqafojnë të vërtetën. (Lexo 1 Timoteut 2:3, 4.) Ja pse na stërvit që të bëhemi më të zotë në përhapjen e këtij mesazhi jetëshpëtues. Për shembull, në broshurën Duaji njerëzit—Bëj dishepuj jepen sugjerime praktike se si të nisim biseda me synimin për të bërë dishepuj. Edhe nëse disa nuk fillojnë t’i shërbejnë Jehovait sot, ekziston mundësia ta bëjnë këtë para se të përfundojë shtrëngimi i madh. Ato që u themi tani, mund t’u vijnë ndër mend në të ardhmen dhe të ndihen të motivuar t’i shërbejnë Jehovait. Por kjo mund të ndodhë vetëm nëse vazhdojmë të predikojmë.

U KUSHTOI VËMENDJE PROFECIVE TË BIBLËS

8. Si ndikuan profecitë e Biblës te mënyra si e përdori kohën Jezui?

8 Jezui e dinte se si do të përmbusheshin profecitë e Biblës. Për shembull, e dinte se shërbimi i tij do të zgjaste vetëm tre vjet e gjysmë. (Dan. 9:26, 27) Gjithashtu e kishte të qartë çfarë thoshin profecitë për kohën dhe mënyrën si do të vdiste. (Luka 18:31-34) Kjo e shtyu ta shfrytëzonte sa më mirë kohën. Kështu, Jezui predikoi me zell që ta çonte gjer në fund veprën që i ishte caktuar.

9. Pse na nxitin të predikojmë me zell profecitë e Biblës?

9 Kur mendojmë rreth profecive të Biblës për kohën tonë ose për të ardhmen e afërt, kjo mund të na nxitë të predikojmë me zell. E dimë se këtij sistemi i ka mbetur fare pak kohë. E shohim se ngjarjet që po ndodhin dhe sjellja e qëndrimi i njerëzve sot, janë fiks siç kishte parathënë Bibla për ditët e fundit. E kemi të qartë se rivaliteti mes fuqisë botërore anglo-amerikane dhe Rusisë e aleatëve të saj, po përmbush profecinë për mbretin e jugut dhe mbretin e veriut «në kohën e fundit». (Dan. 11:40) Gjithashtu e kuptojmë se në statujën e përshkruar te Danieli 2:43-45, fuqia botërore anglo-amerikane paraqitet prej pjesës së këmbëve nga kyçet e poshtë. Jemi të bindur se sipas kësaj profecie, është afër—madje te pragu—koha kur Mbretëria e Perëndisë do t’u japë fund qeverive njerëzore. Të gjitha këto profeci tregojnë se ku jemi në rrjedhën e kohës dhe na nxitin të predikojmë me ndjenjë urgjence.

10. Cilat janë disa arsye të tjera pse profecitë e Biblës na nxitin të predikojmë me zell?

10 Veç kësaj, profecitë e Biblës kanë një mesazh që mezi presim t’ua tregojmë të tjerëve. Keri, një motër që shërben në Republikën Domenikane, thotë: «Kur mendoj për premtimet zemërdhënëse të Jehovait për një të ardhme më të mirë, zemra më nxit t’u flas të tjerëve për to.» Pastaj shton: «Kur shoh çfarë hallesh kanë njerëzit sot, e kuptoj se kanë nevojë edhe ata për këto premtime, jo vetëm unë.» Profecitë e Biblës tregojnë se kemi mbështetjen e Jehovait në veprën e predikimit, e kjo na inkurajon të mos stepemi. Lejla, që jeton në Hungari, thotë: «Isaia 11:6-9 më shtyn t’ua jap lajmin e mirë edhe atyre që në pamje të parë duket sikur nuk do ta pranojnë. E di se me ndihmën e Jehovait, kushdo mund të ndryshojë.» Gjithashtu, Kristofori, një vëlla nga Zambia, thotë: «Siç parathuhej te Marku 13:10, lajmi i mirë po predikohet anekënd botës, dhe ndihem i nderuar të bëj pjesën time në plotësimin e kësaj profecie.» Po ty, cilat profeci të Biblës të motivojnë që të vazhdosh të predikosh?

MBËSHTETEJ TE JEHOVAI PËR NDIHMË

11. Pse Jezui kishte nevojë të mbështetej te Jehovai që ta ruante zellin në shërbim? (Luka 12:49, 53)

11 Jezui mbështetej te Jehovai dhe kishte besim të plotë se Ai do ta ndihmonte të ruante zellin në shërbim. Edhe pse fliste me takt, Jezui e dinte se lajmi i mirë për Mbretërinë do të bëhej shkas për debate të zjarrta dhe kundërshtime të forta. (Lexo Lukën 12:49, 53.) Krerët fetarë i acaronte aq shumë predikimi i Jezuit, sa u orvatën disa herë ta vritnin. (Gjoni 8:59; 10:31, 39) Prapëseprapë, Jezui nuk e ndali predikimin, sepse e dinte që nuk ishte vetëm, por kishte Jehovain përkrah. Ai tha: «Ati që më dërgoi, është me mua. . . . Nuk më ka braktisur, sepse bëj gjithmonë gjërat që i pëlqejnë atij.»—Gjoni 8:16, 29.

12. Si i përgatiti Jezui dishepujt që ta vazhdonin predikimin edhe përballë kundërshtimeve?

12 Jezui u kujtoi dishepujve të tij se mund të mbështeteshin te Jehovai, me besim të plotë se Ai do t’i ndihmonte. I siguroi mjaft herë se Jehovai do t’u bëhej krah edhe kur të hasnin përndjekje. (Mat. 10:18-20; Luka 12:11, 12) E ngaqë e dinte se do të përballeshin me kundërshtime, i nxiti të tregoheshin të kujdesshëm. (Mat. 10:16; Luka 10:3) Ai i udhëzoi të mos i detyronin të dëgjonin ata që nuk donin. (Luka 10:10, 11) Gjithashtu u tha se në rast se i përndiqnin gjatë predikimit, të iknin diku tjetër. (Mat. 10:23) Edhe pse ishte i zellshëm dhe kishte besim se Jehovai do ta ndihmonte, Jezui i shmangte rreziqet e panevojshme.—Gjoni 11:53, 54.

13. Pse mund të jesh i sigurt se Jehovai do të të ndihmojë?

13 Kemi nevojë për ndihmën e Jehovait që të vazhdojmë të predikojmë me zell edhe kur hasim kundërshtime. (Zbul. 12:17) Pse mund të jesh i sigurt se Jehovai do të të mbështetë? Të mendojmë për lutjen e Jezuit që gjendet në kapitullin 17 të Gjonit. Jezui i kërkoi Jehovait t’i mbronte apostujt, dhe Jehovai iu përgjigj asaj lutjeje. Libri i Veprave tregon si i ndihmoi Jehovai apostujt të predikonin me zell, pavarësisht nga përndjekjet. Në lutjen e tij, Jezui i kërkoi Jehovait të mbronte edhe ata që do të tregonin besim te lajmi i mirë që predikuan apostujt. Këtu përfshihesh edhe ti. Jehovai ka vazhduar t’i përgjigjet lutjes së Jezuit deri sot e kësaj dite; Ai do të të ndihmojë edhe ty ashtu siç ndihmoi apostujt.—Gjoni 17:11, 15, 20.

14. Pse jemi të sigurt se mund të vazhdojmë të predikojmë me zell edhe në kohë të vështira? (Shih edhe figurën.)

14 Ndërsa afrohet fundi, ndoshta do të bëhet më e vështirë ta predikojmë lajmin e mirë me zell. Ama, do të kemi gjithë ndihmën e nevojshme. (Luka 21:12-15) Ashtu si Jezui dhe dishepujt e tij, i lëmë njerëzit të vendosin vetë nëse do të dëgjojnë dhe i shmangim debatet. Edhe në vendet ku vepra jonë është e kufizuar, vëllezërit ia kanë dalë të vazhdojnë ta shpallin lajmin e mirë, ngaqë janë mbështetur te Jehovai, jo te forcat e tyre. Ashtu siç u dha fuqi shërbëtorëve të tij në shekullin e parë, Jehovai na jep fuqi edhe ne sot, që ‘predikimi të kryhet plotësisht’ ashtu siç dëshiron ai. (2 Tim. 4:17) Ji i sigurt se po të mbështetesh te Jehovai, do t’ia dalësh ta ruash zellin në predikim.

Edhe kur vepra jonë është e kufizuar, lajmëtarët e zellshëm gjejnë mënyra që të flasin për të vërtetën pa rënë në sy (Shih paragrafin 14) b


MBAJTI NJË QËNDRIM POZITIV

15. Ç’gjë tregon se Jezui mbajti një qëndrim pozitiv në shërbim?

15 Jezui kishte një qëndrim pozitiv në veprën e predikimit. Besimi se disa do ta dëgjonin lajmin e mirë, e ndihmoi të mos e humbte entuziazmin në shërbim. Për shembull, nga fundi i vitit 30 të e.s., Jezui pa se shumë veta ishin të gatshëm ta dëgjonin mesazhin që predikonte dhe i krahasoi ata njerëz me një arë gati për korrje. (Gjoni 4:35) Afro një vit më vonë u tha dishepujve: «Të korrat janë të mëdha.» (Mat. 9:37, 38) Dhe ca kohë më vonë, theksoi përsëri: «Të korrat janë të mëdha. . . . Përgjërojuni Zotërisë së të korrave, që të dërgojë punëtorë në të korrat e tij.» (Luka 10:2) Jezui nuk e humbi kurrë besimin se me kohë disa do ta dëgjonin lajmin e mirë dhe mbushej me gëzim kur ndodhte diçka e tillë.—Luka 10:21.

16. Si na ndihmojnë ilustrimet e Jezuit të kemi një pikëpamje pozitive për shërbimin? (Luka 13:18-21) (Shih edhe figurën.)

16 Jezui i mësoi dishepujt të mbanin një pikëpamje pozitive për mesazhin që predikonin, pasi kjo do t’i ndihmonte ta ruanin zellin. Të shohim, për shembull, dy ilustrime që bëri. (Lexo Lukën 13:18-21.) Jezui e krahasoi mesazhin për Mbretërinë me një kokërr sinapi. Kjo nënkuptonte se numri i atyre që përqafonin të vërtetën do të rritej dhe se kjo rritje do të ishte e mahnitshme dhe e pandalshme. Gjithashtu e krahasoi mesazhin për Mbretërinë me majanë. Kjo nënkuptonte se ky mesazh do të përhapej anekënd dhe do të sillte rezultate që ndoshta nuk binin menjëherë në sy. Kështu Jezui i siguroi dishepujt se mesazhi që predikonin do të ndihmonte shumë njerëz.

Ashtu si Jezui, nuk i humbim shpresat se disa do ta dëgjojnë lajmin e mirë (Shih paragrafin 16)


17. Çfarë arsyesh kemi që të mbajmë një pikëpamje pozitive për shërbimin?

17 Kur mendojmë se çfarë po arrihet në mbarë botën falë veprës së predikimit, marrim zemër të vazhdojmë të predikojmë me zell. Çdo vit miliona të interesuar vijnë në Përkujtim dhe studiojnë Biblën me ne. Qindra mijë veta pagëzohen dhe fillojnë të predikojnë përkrah nesh. Nuk dimë sa të tjerë mund ta përqafojnë të vërtetën, ama dimë se Jehovai po mbledh një shumicë të madhe, që do t’i mbijetojë shtrëngimit të madh së shpejti. (Zbul. 7:9, 14) Zotëria i të korrave e sheh se arat kanë ende potencial. E përderisa ai është i sigurt se shumë të tjerë do ta pranojnë lajmin e mirë, ne nuk do ta ndalim predikimin.

18. Çfarë duam të vërejnë të tjerët ndërsa predikojmë?

18 Dishepujt e Jezuit janë dalluar gjithmonë për predikimin e tyre të zellshëm. Njerëzit që e panë me sa guxim flitnin apostujt «filluan të kuptonin se ata kishin qenë me Jezuin». (Vep. 4:13) Po njësoj, dëshirojmë që të gjithë ata që na shohin tek predikojmë sot, ta kuptojnë se edhe ne po imitojmë zellin e Jezuit.

KËNGA 58 Kërkojmë miqtë e paqes

a SHPJEGIMI I FJALËS: Në këtë artikull, fjala «zell» nënkupton dëshirën e zjarrtë dhe entuziazmin që kemi ndërsa adhurojmë Jehovain.

b PËRSHKRIMI I FIGURËS: Në një pikë karburanti, një vëlla i jep dëshmi një burri pa rënë në sy.