Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A e do «të afërmin tënd si veten»?

A e do «të afërmin tënd si veten»?

«Duaje të afërmin tënd si veten.»MAT. 22:39.

KËNGËT: 73, 36

1, 2. Si e tregojnë Shkrimet sa e rëndësishme është dashuria?

DASHURIA është cilësia mbizotëruese e Perëndisë Jehova. (1 Gjon. 4:16) Krijesa e tij e parë ishte Jezui, i cili jetoi me të në qiell për epoka të tëra dhe mësoi udhët e dashura të Perëndisë. (Kolos. 1:15) Me gjithë jetën e tij, përfshirë kohën që jetoi në tokë, Jezui tregoi se e kupton plotësisht sa Perëndi i dashur është Jehovai, dhe e imiton këtë dashuri. Prandaj mund të jemi të sigurt se Jehovai dhe Jezui do të udhëhiqen përherë nga dashuria ndërsa ushtrojnë autoritetin.

2 Kur e pyetën cili ishte urdhërimi më i madh i Ligjit, Jezui tha: «‘Duaje Jehovain, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde.’ Ky është urdhërimi i parë dhe më i madhi. I dyti, i ngjashëm me këtë, është: ‘Duaje të afërmin tënd si veten.’»Mat. 22:37-39.

3. Kush është ‘i afërmi’ ynë?

3 Të bie në sy se Jezui e renditi dashurinë për të afërmin të dytën, fill pas dashurisë për Jehovain. Kjo tregon sa rëndësi ka të shfaqim dashuri ndaj të gjithëve. Por ç’donte të thoshte Jezui me fjalën ‘i afërmi’? Nëse jemi të martuar, i afërmi ynë më i ngushtë është bashkëshorti ose bashkëshortja. Të afërm kemi edhe pjesëtarët e kongregacionit, pra bashkadhuruesit e Perëndisë së vërtetë. Pastaj janë edhe njerëzit që takojmë në shërbim. Po si duhet ta tregojnë dashurinë për të afërmin adhuruesit e Jehovait, që ndjekin mësimet e Birit të tij?

TREGO DASHURI PËR BASHKËSHORTIN

4. Pse martesa mund të ecë mbarë, me gjithë papërsosmëritë njerëzore?

4 Kur krijoi Adamin dhe Evën, Jehovai lidhi martesën e parë. Qëllimi i tij ishte të gëzonin një lidhje të lumtur e jetëgjatë dhe ta mbushnin tokën me pasardhësit e tyre. (Zan. 1:27, 28) Mirëpo rebelimi kundër sovranitetit të Jehovait e shëmtoi martesën e parë dhe i solli mëkat e vdekje mbarë njerëzimit. (Rom. 5:12) Gjithsesi, Shkrimet na tregojnë si mund të ecë mbarë martesa. Ato përmbajnë këshillat më të mira sepse burojnë nga Jehovai, Nismëtari i martesës.Lexo 2 Timoteut 3:16, 17.

5. Sa e rëndësishme është dashuria në martesë?

5 Siç tregon Fjala e Perëndisë, që njerëzit të gëzojnë marrëdhënie të lumtura, është jetësore të kenë dashuri—një ndjenjë të ngrohtë ose lidhje të përzemërt. Pa diskutim që kjo vlen edhe për martesën. Pavli i shkroi kongregacionit: «Dashuria është shpirtgjerë dhe mirëdashëse. Dashuria nuk është xheloze, nuk mbahet me të madh, nuk krekoset, nuk sillet në mënyrë të pahijshme, nuk kërkon interesat e veta, nuk provokohet. Ajo nuk e mban llogari të keqen. Nuk gëzon për padrejtësinë, por gëzon me të vërtetën. Mban çdo gjë, beson çdo gjë, shpreson çdo gjë, i qëndron çdo gjëje. Dashuria nuk shuhet kurrë.» (1 Kor. 13:4-8) Po të meditojmë për këto fjalë të frymëzuara dhe t’i zbatojmë, pa dyshim që martesa do të bëhet më e lumtur.

Fjala e Perëndisë tregon si mund të ecë mbarë martesa (Shih paragrafët 6, 7.)

6, 7. (a) Ç’thotë Bibla për kryesinë? (b) Si duhet ta trajtojë gruan e vet një burrë i krishterë?

6 Parimi i kryesisë ndërthuret me mënyrën si i ka organizuar gjërat Perëndia, prandaj dashuria ka rëndësi të madhe. Pavli shpjegoi: «Dua të dini se kreu i çdo burri është Krishti, kreu i gruas është burri, dhe kreu i Krishtit është Perëndia.» (1 Kor. 11:3) Mirëpo kryesia nuk duhet ushtruar me tirani. Për shembull, Jehovai e ushtron kryesinë mbi Krishtin me dashamirësi e altruizëm, dhe Jezui i përgjigjet dashurisë së tij. E dimë se ai e çmon kryesinë e dashur të Perëndisë, sepse tha haptas: «Unë e dua Atin.» (Gjoni 14:31) Sikur Jehovai të kishte qenë i vrazhdë ose diktator në marrëdhëniet me Birin e tij të shtrenjtë, Jezui s’do të ndihej kështu.

7 Ndonëse burri është kreu i gruas së tij, Bibla e udhëzon ‘ta nderojë gruan’. (1 Pjet. 3:7) Një mënyrë si mund ta nderojë, është t’i mbajë parasysh nevojat e saj dhe ta lërë të zgjedhë ajo në disa çështje. Fjala e Perëndisë thotë: «Burra, vazhdoni t’i doni gratë tuaja, ashtu si edhe Krishti e deshi kongregacionin dhe dorëzoi veten për të.» (Efes. 5:25) E pra, Jezui dha madje edhe jetën për dishepujt e tij. Kur një burrë imiton mënyrën e dashur si e ushtron kryesinë Jezui, gruaja e ka shumë më kollaj ta dojë, ta respektojë dhe t’i nënshtrohet.Lexo Titit 2:3-5.

DUAJI BASHKADHURUESIT

8. Si duhet të ndihen adhuruesit e Jehovait për bashkëbesimtarët?

8 Në mbarë botën, me miliona veta adhurojnë Jehovain dhe japin dëshmi për emrin e për qëllimin e tij. Si duhet të ndihet çdo adhurues i Jehovait për bashkëbesimtarët? Fjala e Perëndisë përgjigjet: «Le të bëjmë atë që është e mirë ndaj të gjithëve, por sidomos ndaj atyre që janë të lidhur me ne në besim.» (Gal. 6:10; lexo Romakëve 12:10.) Apostulli Pjetër shkroi: «Tani që i keni pastruar shpirtrat tuaj nëpërmjet bindjes ndaj së vërtetës, që solli si rrjedhim një përzemërsi vëllazërore pa hipokrizi, kini për njëri-tjetrin dashuri të zjarrtë nga zemra.» Më tej ai u tha bashkëbesimtarëve: «Mbi të gjitha, kini dashuri të zjarrtë për njëri-tjetrin.»1 Pjet. 1:22; 4:8.

9, 10. Pse shërbëtorët e Perëndisë gëzojnë unitet mes njëri-tjetrit?

9 Dashuria e zjarrtë që kemi për njëri-tjetrin si shërbëtorë të Jehovait na bën një organizatë mbarëbotërore unike. Gjithashtu, ngaqë e duam Jehovain dhe u bindemi ligjeve të tij, ai na mbështet me forcën më të fuqishme në univers, me frymën e shenjtë ose forcën e tij vepruese. Falë kësaj, gëzojmë unitet të mrekullueshëm si një vëllazëri e vërtetë ndërkombëtare.Lexo 1 Gjonit 4:20, 21.

10 Pavli theksoi sa jetësore është dashuria mes të krishterëve, kur shkroi: «Vishuni me dhembshuri të butë, mirëdashje, përulësi mendjeje, butësi dhe shpirtgjerësi. Vazhdoni të duroni dhe të falni bujarisht njëri-tjetrin, edhe nëse ndokush ka shkak për t’u ankuar kundër një tjetri. Ashtu si Jehovai ju fali bujarisht, po kështu bëni edhe ju. Por, përveç të gjitha këtyre gjërave, vishuni me dashuri, pasi ajo është një lidhje e përsosur bashkimi.» (Kolos. 3:12-14) Sa bukur që mes nesh mbizotëron dashuria—«një lidhje e përsosur bashkimi»—pavarësisht se si ose ku jemi rritur!

11. Si e identifikojnë dashuria dhe uniteti organizatën e Jehovait?

11 Dashuria e çiltër dhe uniteti i identifikojnë shërbëtorët e Jehovait si ata që praktikojnë fenë e vërtetë, sepse Jezui tha: «Nga kjo do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.» (Gjoni 13:34, 35) Po ashtu, apostulli Gjon shkroi: «Nga kjo duken fëmijët e Perëndisë dhe fëmijët e Djallit: kushdo që nuk praktikon drejtësinë, nuk vjen nga Perëndia, dhe as ai që nuk e do vëllanë e tij. Sepse lajmi që dëgjuat që nga fillimi, është ky: duhet të kemi dashuri për njëri-tjetrin.» (1 Gjon. 3:10, 11) Dashuria që sjell unitet të pashoq i identifikon Dëshmitarët e Jehovait si dishepuj të vërtetë të Krishtit. I identifikon edhe si ata që Perëndia po i përdor për të plotësuar qëllimin e tij, pra që të predikohet në mbarë tokën e banuar lajmi i mirë për Mbretërinë.Mat. 24:14.

MBLIDHET ‘NJË SHUMICË E MADHE’

12, 13. Çfarë po bën sot ‘shumica e madhe’, dhe ç’do të përjetojnë së shpejti pjesëtarët e saj?

12 Pjesa dërrmuese e shërbëtorëve të Jehovait formon «një shumicë të madhe nga të gjitha kombet, fiset, popujt dhe gjuhët». Ajo ‘qëndron para fronit [të Perëndisë] dhe para Qengjit [Jezu Krishtit]’. Nga cilët përbëhet? «Këta janë ata që dalin nga shtrëngimi i madh dhe i kanë larë petkat e tyre të gjata e i kanë zbardhur në gjakun e Qengjit», sepse tregojnë besim te flijimi shpërblyes i Jezuit. Pjesëtarët e ‘shumicës së madhe’ që sa vjen e rritet e duan Jehovain dhe Birin e tij dhe «i bëjnë [Perëndisë] shërbim të shenjtë ditë e natë».Zbul. 7:9, 14, 15.

13 Së shpejti Perëndia do ta shkatërrojë këtë botë të ligë gjatë ‘shtrëngimit të madh’. (Mat. 24:21; lexo Jereminë 25:32, 33.) Por, nga dashuria për shërbëtorët e tij, Jehovai do t’i ruajë si grup dhe do t’i futë në botën e tij të re. Siç ishte parathënë gati 2.000 vjet më parë, Perëndia «do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre. Nuk do të ketë më vdekje. As vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më». A nuk digjesh nga dëshira që të jetosh në Parajsë pasi ‘gjërat e mëparshme të kenë shkuar’?Zbul. 21:4.

14. Sa veta numëron sot shumica e madhe?

14 Kur filluan ditët e fundit më 1914, në mbarë botën kishte vetëm pak mijëra shërbëtorë të Jehovait. Të motivuar nga dashuria për të tjerët, dhe me mbështetjen e frymës së Perëndisë, një mbetje e vogël të krishterësh të mirosur ka ngulmuar në veprën e predikimit për Mbretërinë. Si rrjedhojë, sot po mblidhet një shumicë e madhe që ka shpresën të jetojë në tokë. Radhët tona kanë arritur në rreth 8.000.000 Dëshmitarë që formojnë më shumë se 115.400 kongregacione anekënd botës. Dhe rritja nuk ndalet. Për shembull, gjatë vitit të shërbimit 2014 u pagëzuan mbi 275.500 Dëshmitarë të rinj—mesatarisht 5.300 çdo javë.

15. Çfarë shtrirjeje ka marrë vepra e predikimit për Mbretërinë që po kryhet tani?

15 Shtrirja e veprës së predikimit të lë gojëhapur. Tani literatura jonë e bazuar në Bibël botohet në më se 700 gjuhë. Kulla e Rojës është revista më e përhapur në botë, me një tirazh mbi 52.000.000 kopje në muaj që shtypen në 247 gjuhë. Gjithashtu, janë shtypur më shumë se 200.000.000 kopje të librit për studim Çfarë mëson vërtet Bibla? në mbi 250 gjuhë.

16. Nga vjen begatia frymore e pjesës tokësore të organizatës së Jehovait?

16 Rritja fantastike që shohim sot vjen ngaqë kemi besim te Jehovai dhe e pranojmë plotësisht Biblën, Fjalën e tij të frymëzuar. (1 Sel. 2:13) Të lë mbresa sidomos begatia frymore e popullit të Jehovait, edhe pse has urrejtje dhe kundërshtim nga Satanai, «perëndia i kësaj bote».2 Kor. 4:4.

TREGO GJITHMONË DASHURI PËR TË TJERËT

17, 18. Çfarë qëndrimi duhet të kenë shërbëtorët e Perëndisë kundrejt jobesimtarëve?

17 Çfarë qëndrimi duhet të kenë shërbëtorët e Jehovait kundrejt atyre që nuk adhurojnë të vetmin Perëndi të vërtetë? Në veprën e predikimit hasim lloj-lloj reagimesh—disa të mira, disa armiqësore. Por, pavarësisht se si reagojnë njerëzit, Fjala e Perëndisë tregon standardin që duhet të mbajnë shërbëtorët e Jehovait. Ajo thotë: «Fjala juaj të jetë gjithnjë me hir dhe e ndrequr me kripë, që të dini se si t’i përgjigjeni gjithsecilit.» (Kolos. 4:6) Kur na kërkojnë arsye për shpresën tonë, e mbrojmë atë «me frymë butësie dhe me respekt të thellë», sepse motivohemi nga dashuria për të afërmin.1 Pjet. 3:15.

18 E tregojmë këtë dashuri edhe kur dikush në territor na shfrehet me inat dhe nuk e pranon mesazhin tonë. Ne imitojmë Jezuin: «Kur e shanin, ai nuk e kthente sharjen. Kur vuante, nuk kërcënonte, por e linte veten në duart e atij [e Jehovait] që gjykon me drejtësi.» (1 Pjet. 2:23) Qoftë kur jemi me bashkëbesimtarët, qoftë kur jemi me të tjerë, tregojmë përulësi dhe ndjekim këtë këshillë: «Mos e ktheni të keqen me të keqe dhe sharjen me të sharë, por jepni një bekim.»1 Pjet. 3:8, 9.

19. Cilin parim dha Jezui në lidhje me kundërshtarët?

19 Duke mbajtur një qëndrim të përulur, populli i Jehovait zbaton këtë parim të rëndësishëm që dha Jezui gjatë Predikimit në Mal: «Ju keni dëgjuar se është thënë: ‘Duaje të afërmin dhe urreje armikun.’ Megjithatë, unë po ju them: vazhdoni të doni armiqtë tuaj e të luteni për ata që ju përndjekin, që të jeni bij të Atit tuaj që është në qiej, sepse ai e bën diellin e tij të ngrihet mbi të ligjtë e mbi të mirët dhe bën që të bjerë shi mbi të drejtët e mbi të padrejtët.» (Mat. 5:43-45) Po, si shërbëtorë të Perëndisë duhet të mësojmë ‘të duam armiqtë tanë’, pavarësisht nga qëndrimi i tyre ndaj nesh.

20. Nga e dimë se në botën e re do të mbretërojë dashuria për Perëndinë dhe për të afërmin? (Shih figurën hapëse.)

20 Në çdo fushë të jetës, shërbëtorët e Jehovait duhet të tregojnë me qëndrimin dhe veprimet e tyre se e duan Jehovain dhe të afërmin. Për shembull, edhe nëse disa nuk reagojnë mirë ndaj mesazhit të Mbretërisë, i ndihmojmë me dashuri kur janë në nevojë. Apostulli Pavël shkroi: «Të mos i detyroheni askujt për asgjë, përveçse të doni njëri-tjetrin, sepse ai që do tjetrin, përmbush ligjin. Sepse kodi ligjor: ‘Mos kryej kurorëshkelje, mos vrit, mos vidh, mos lakmo’ dhe çdo urdhërim tjetër, përmblidhet në këto fjalë: ‘Duaje të afërmin tënd si veten.’ Dashuria nuk i bën keq të afërmit; prandaj dashuria është përmbushja e ligjit.» (Rom. 13:8-10) Si Dëshmitarë të Jehovait, shfaqim dashuri të sinqertë mes kësaj bote të përçarë, të dhunshme e të ligë që e ka në dorë Satanai. (1 Gjon. 5:19) S’ka dyshim, pasi të fshihen nga faqja e dheut Satanai, demonët e tij dhe njerëzit rebelë, çdo gjë në botën e re do të udhëhiqet nga dashuria. Çfarë bekimi kur të gjithë banorët e tokës ta duan Perëndinë dhe të afërmin!