Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

NGA ARKIVAT TANË

«Jehovai ju solli në Francë që të mësoni të vërtetën»

«Jehovai ju solli në Francë që të mësoni të vërtetën»

NË DJALËRI, Antuan Skaleki kishte shok të pandarë një poni ose një kalë. Së bashku çapiteshin përmes tuneleve me dritë të mekur, duke mbartur ngarkesa qymyri në një minierë 500 metra nën tokë. I ati ishte gjymtuar gjatë shembjes së një miniere, dhe familjes s’i kishte ngelur rrugë tjetër veçse të dërgonte Antuanin të rropatej minierave nëntë orë në ditë. Një herë edhe ai shpëtoi gjallë për një fije kur ndodhi një shembje.

Vegla që përdornin minatorët polakë, dhe miniera në Dechy, afër Sin-le-Noble, ku punoi Antuan Skaleki

Antuani ishte një nga fëmijët e shumtë që lindën në Francë nga prindër polakë në vitet 20 dhe 30. Pse emigruan polakët në Francë? Kur Polonia rifitoi pavarësinë pas Luftës I Botërore, mbipopullimi u bë problem serioz. Nga ana tjetër Franca kishte humbur në luftë më shumë se një milion burra dhe ishte në hall për minatorë qymyrguri. Kështu në shtator 1919 qeveria e Francës dhe ajo e Polonisë nënshkruan një marrëveshje emigracioni. Më 1931 popullsia polake në Francë kishte arritur në 507.800 veta, dhe shumë prej tyre banonin në zonat minerare në veri.

Këta emigrantë të palodhur sollën me vete kulturën e tyre të veçantë, ku përfshihej ndjenja e zjarrtë fetare. Antuani, sot 90-vjeçar, kujton: «Gjyshi im, Jozefi, fliste për Shkrimet e Shenjta me një nderim të thellë që ia kishte rrënjosur i ati.» Të dielave familjet e minatorëve polakë vishnin rrobat më të mira për në kishë, siç kishin bërë në atdhe, ndërkohë që vendalinjtë jo fort fetarë i shihnin me përbuzje.

Shumë polakë takuan për herë të parë në Nord-Pas-de-Calais Studentët e Biblës, të cilët kishin predikuar në atë rajon qysh nga viti 1904. Më 1915, kishte filluar të botohej çdo muaj në polonisht Kulla e Rojës, dhe më 1925 doli në këtë gjuhë edhe Epoka e Artë (tani Zgjohuni!). Shumë familje i mikpritën me kënaqësi këto revista me përmbajtje biblike, si dhe librin Harpa e Perëndisë në gjuhën polake.

Familja e Antuanit dëgjoi për Studentët e Biblës nga daja i tij, i cili për herë të parë ndoqi një mbledhje më 1924. Po atë vit Studentët e Biblës mbajtën asamblenë e parë në polonisht në qytezën Bruay-en-Artois. As një muaj më vonë, në të njëjtën qytezë, një përfaqësues nga selia botërore, Xhozef F. Radhërfordi, mbajti një mbledhje publike që e ndoqën 2.000 veta. I prekur nga gjithë ata të pranishëm, kryesisht polakë, vëlla Radhërfordi u tha: «Jehovai ju solli në Francë që të mësoni të vërtetën. Tani ju dhe fëmijët tuaj duhet të ndihmoni francezët. Kemi ende para një vepër të madhe predikimi, dhe Jehovai do të nxjerrë lajmëtarë për ta kryer.»

E tamam këtë bëri Perëndia Jehova. Ata lajmëtarë polakë jepeshin me mish e me shpirt pas predikimit, ashtu si punonin pa u lodhur në miniera. Disa prej tyre u kthyen në atdhe, në Poloni, për t’u treguar të tjerëve të vërtetat e çmuara që kishin mësuar. Ndër ata që ikën nga Franca për të përhapur lajmin e mirë anekënd Polonisë ishin Teofil Piaskauski, Shtepan Kosiaki dhe Jan Zabuda.

Por shumë ungjillëzues polakë ndenjën në Francë dhe vazhduan të predikonin me zell përkrah motrave e vëllezërve francezë. Në asamblenë e përgjithshme të mbajtur më 1926, në Sin-le-Noble, kishte 1.000 të pranishëm në sektorin polak dhe 300 në atë francez. Libri vjetor 1929 raportonte: «Gjatë vitit, 332 motra e vëllezër polakë e simbolizuan shenjtërimin [kushtimin] e tyre me anë të pagëzimit.» Para se të shpërthente Lufta II Botërore, 32 nga 84 kongregacionet e Francës ishin të gjuhës polake.

Motra dhe vëllezër polakë në Francë rrugës për në një kongres. Pankarta thotë «Dëshmitarët e Jehovait»

Në vitin 1947 shumë Dëshmitarë të Jehovait pranuan ftesën e qeverisë polake që të ktheheshin në Poloni. Megjithatë, edhe pasi ishin larguar, frytet e mundit të tyre dhe të bashkëbesimtarëve francezë dolën në pah atë vit te rritja prej 10 për qind në numrin e lajmëtarëve të Mbretërisë. Kjo u pasua me rritje prej 20, 23 dhe madje 40 për qind në vitet 1948 deri 1950. Për të dhënë një dorë në stërvitjen e lajmëtarëve të rinj, më 1948 dega e Francës emëroi mbikëqyrësit e parë qarkorë. Nga pesë që u zgjodhën, katër ishin polakë. Antuan Skaleki ishte njëri prej tyre.

Shumë Dëshmitarë të Jehovait në Francë akoma mbajnë mbiemrat polakë të të parëve të tyre, që punonin pa u kursyer qoftë në miniera, qoftë në predikim. Edhe sot një mori emigrantësh e mësojnë të vërtetën në Francë. Pavarësisht nëse kthehen në atdhe apo qëndrojnë në vendin e ri, këta ungjillëzues po ndjekin me zell gjurmët e lajmëtarëve të Mbretërisë para tyre, siç ishin vëllezërit polakë.—Nga arkivat tanë në Francë.