Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Ky ishte vullneti yt»

«Ky ishte vullneti yt»

«Ti ua ke fshehur me kujdes këto gjëra të mençurve e të zgjuarve dhe ua ke zbuluar fëmijëve.»—LUKA 10:21.

1. Pse Jezui u prek aq sa «u mbush me gëzim e me frymë të shenjtë»? (Shih figurën hapëse.)

E MERR dot me mend si ishte të shihje Jezu Krishtin ‘të mbushur me gëzim e me frymë të shenjtë’? Mbase përfytyron si i çelej fytyra e si i ndrinin sytë nga gëzimi. Por çfarë e prekte kaq thellë? Sapo kishte dërguar 70 dishepuj të predikonin lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë. Mezi priste të dinte si do ta përmbushnin caktimin. Lajmi i mirë kishte plot armiq të fuqishëm, si skribët e farisenjtë mendjeshkathët e goxha të arsimuar. Nën ndikimin e tyre, shumë veta e shpërfillnin Jezuin si një marangoz të rëndomtë dhe dishepujt si «njerëz të pashkolluar e të thjeshtë». (Vep. 4:13; Mar. 6:3) Sidoqoftë, dishepujt rrëzëllenin nga entuziazmi kur u kthyen nga misioni. Ia kishin dalë të predikonin me gjithë kundërshtimin, madje dhe nga demonët. Ku e kishin burimin gëzimi dhe kuraja e tyre?—Lexo Lukën 10:1, 17-21.

2. (a) Në ç’kuptim ishin si fëmijë dishepujt e Jezuit? (b) Si arritën dishepujt e Krishtit të kapnin të vërteta frymore jetësore?

2 Vër re se çfarë i tha Jezui Jehovait: «Unë të lëvdoj publikisht, o Atë, Zotëri i qiellit dhe i tokës, sepse ua ke fshehur këto gjëra të mençurve e të zgjuarve dhe ua ke zbuluar fëmijëve. Po, o Atë, sepse ky ishte vullneti yt.» (Mat. 11:25, 26) Sigurisht, Jezui nuk donte të thoshte se dishepujt ishin fëmijë të vegjël. Thjesht e dinte se dukeshin fëmijë karshi intelektualëve dhe njerëzve me goxha shkollë në atë vend, që u dukej vetja të mençur. Ç’është më e rëndësishmja, Jezui i mësoi dishepujt të ishin si fëmijë, pra të mbeteshin të përulur dhe të gatshëm të mësonin. (Mat. 18:1-4) Si u solli dobi përulësia? Me anë të frymës së shenjtë, Jehovai i ndihmoi të kapnin të vërteta frymore jetësore, kurse të mençurit dhe intelektualët që i përbuznin, mbetën të verbuar nga Satanai dhe nga krenaria e vet.

3. Ç’do të shqyrtojmë në këtë artikull?

3 S’është çudi që Jezui ishte aq i kënaqur. I mbushej zemra me gëzim kur shihte si ua zbulonte Jehovai të vërtetat e thella frymore njerëzve të përulur të çdo lloji, pavarësisht nga arsimimi a dhuntia intelektuale. I bëhej shumë qejfi që Atit të tij i pëlqente kjo mënyrë mësimdhënieje. A mos ka ndryshuar Jehovai? Si e tregon ai se akoma i pëlqen kjo mënyrë mësimdhënieje? Ndërsa shqyrtojmë përgjigjet, edhe ne mund të ndiejmë kënaqësi të madhe si Jezui.

TË VËRTETAT E THELLA BËHEN TË QARTA PËR TË GJITHË

4. Si ka qenë një dhuratë e dashur botimi i thjeshtuar i Kullës së Rojës?

4 Vitet e fundit, arsimimi frymor nga organizata e Jehovait është dhënë në mënyrë gjithnjë e më të thjeshtë e më të qartë. Të shohim tre shembuj. I pari është botimi i thjeshtuar i Kullës së Rojës. * Ky botim ka qenë një dhuratë e dashur për ata që luftojnë me gjuhën ose që e kanë vështirë të lexojnë. Kryefamiljarët vërejnë se tani fëmijët përfshihen më shumë në studimin e kësaj reviste, mjeti kryesor nga i cili marrim ushqimin frymor. Shumë veta kanë shkruar fjalë prekëse për të shprehur mirënjohjen nga zemra. Një motër shkroi se më parë stepej kur vinte puna për të komentuar në Studimin e Kullës së Rojës. Ajo thoshte: «Strukesha e ndrojtur në një qoshe.» Por jo më. Pasi filloi të përdorte botimin e thjeshtuar, shkroi: «Tani komentoj më shumë se një herë dhe s’kam më frikë. Falënderoj Jehovain dhe ju.»

5. Cilat janë disa dobi të botimit të rishikuar në anglisht Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re?

5 I dyti është botimi i rishikuar i Shkrimeve të Shenjta—Përkthimi Bota e Re, që doli në anglisht në mbledhjen vjetore më 5 tetor 2013. * Tani shumë vargje kanë më pak fjalë, por kuptimi është i pacenuar ose madje më i qartë. Për shembull, Jobi 10:1 ka shkuar nga 27 fjalë në 19; Proverbat 8:6 ka shkuar nga 20 fjalë në 13. Të dyja vargjet janë më të qarta në botimin e ri. Ja si u shpreh një vëlla i mirosur që ka shërbyer besnikërisht për dekada: «Sapo kam lexuar librin e Jobit në botimin e ri dhe ndihem sikur e kuptoj për herë të parë.» Shumë veta kanë bërë komente të ngjashme.

6. Si ndihesh për kuptueshmërinë e përmirësuar të Mateut 24:45-47?

6 Së treti, të mendojmë për disa përmirësime të fundit në kuptueshmëri. Për shembull, sa u rrëqethëm nga kuptueshmëria e qartësuar për ‘skllavin e besueshëm dhe të matur’, që doli në Kullën e Rojës 15 korrikut 2013. (Mat. 24:45-47) Aty u sqarua se skllavi i besueshëm është Trupi Udhëheqës, kurse «shërbëtorët e shtëpisë» janë të gjithë ata që ushqehen frymësisht, qofshin të mirosur, qofshin «dele të tjera». (Gjoni 10:16) Çfarë kënaqësie është t’i mësosh këto të vërteta e t’ua përcjellësh edhe të tjerëve! Në ç’mënyra të tjera ka treguar Jehovai se i pëlqen një mësimdhënie e thjeshtë dhe e qartë?

NJË SHPJEGIM MË I THJESHTË E MË I QARTË I TREGIMEVE BIBLIKE

7, 8. Cilët janë disa shembuj të tablove profetike të frymëzuara që gjejmë në Bibël?

7 Nëse i shërben Jehovait prej dekadash, mbase të ka rënë në sy se mënyra si shpjegohen shumë tregime biblike ka ndryshuar gradualisht. Në ç’kuptim? Në të kaluarën, ishte më e zakonshme që literatura jonë t’i shpjegonte tregimet biblike sipas metodës që mund të quhet model profetik-plotësim. * Tregimi biblik shihej si modeli dhe çdo përmbushje profetike ishte plotësimi. A ka ndonjë bazë në Shkrime për tablotë profetike? Po. Për shembull, Jezui foli për ‘shenjën e profetit Jona’. (Lexo Mateun 12:39, 40.) Shpjegoi se qëndrimi i Jonait në barkun e peshkut—që mund të ishte bërë varri i tij po të mos e shpëtonte Jehovai—qe një ilustrim profetik për kohën që do të kalonte në varr vetë Jezui.

8 Në Bibël gjejmë edhe tablo të tjera profetike të frymëzuara. Apostulli Pavël foli për disa prej tyre. Për shembull, marrëdhënia e Abrahamit me Agarën dhe me Sarën ishte një tablo profetike për marrëdhënien e Jehovait me kombin e Izraelit dhe me pjesën qiellore të organizatës së Perëndisë. (Gal. 4:22-26) Po njësoj, tabernakulli dhe tempulli, Dita e Shlyerjes, kryeprifti e aspekte të tjera të Ligjit të Moisiut përbënin ‘një hije të gjërave të mira që do të vinin’. (Hebr. 9:23-25; 10:1) Studimi i këtyre tablove profetike të bën për vete e të forcon besimin. Por, a mund të nxjerrim përfundimin se çdo personazh, ngjarje dhe objekt që përshkruhet në Bibël paraqet dikë a diçka?

9. Si shpjegohej në të kaluarën tregimi biblik për Nabotin?

9 Në të kaluarën, e kemi përdorur shpesh këtë metodë studimi. Të marrim tregimin për Nabotin. Mbretëresha e ligë Jezebelë kurdisi gjykimin e padrejtë dhe ekzekutimin e tij, që i shoqi, Akabi, të shtinte në dorë vreshtin e Nabotit. (1 Mbret. 21:1-16) Më 1932 ky tregim u shpjegua si një dramë profetike. U tha se Akabi dhe Jezebela paraqitnin Satanain dhe organizatën e tij; Naboti paraqiste Jezuin; kështu vdekja e Nabotit ilustronte në mënyrë profetike ekzekutimin e Jezuit. Megjithatë, dekada më vonë, në librin «U shenjtëroftë emri yt», që u botua më 1961, thuhej se Naboti paraqiste të mirosurit dhe se Jezebela ishte krishterimi i rremë. Prandaj, përndjekja e Nabotit nga Jezebela paraqiste përndjekjen e të mirosurve gjatë ditëve të fundit. Për vite me radhë, kjo metodë studimi e tregimeve biblike ishte besimforcuese për popullin e Perëndisë. Pse vallë kanë ndryshuar gjërat?

10. (a) Si e ka ndihmuar maturia skllavin të jetë më i kujdesshëm kur shpjegon disa tregime biblike? (b) Ku përqendrohet më shumë literatura jonë sot?

10 Siç mund të pritej, ndër vite Jehovai e ka ndihmuar ‘skllavin e besueshëm dhe të matur’ të jetë gjithnjë e më i matur. Falë maturisë, është bërë më i kujdesshëm e nuk e quan një tregim biblik dramë profetike nëse nuk ka bazë të qartë te Shkrimet për këtë. Veç kësaj, është parë se shumë veta mezi i kuptojnë disa shpjegime të vjetra për modelet profetike dhe plotësimet. Hollësirat e këtyre shpjegimeve—pra se kë paraqet njëri e kë tjetri dhe pse—mund të jenë të koklavitura dhe të vështira të kujtohen e të zbatohen. Por një merak më i madh është se, me gjithë atë zhbirim të ekuivalentëve të mundshëm profetikë, mjegulloheshin ose humbnin fare mësimet morale e praktike të Biblës. Prandaj, sot shohim se literatura jonë përqendrohet më tepër te mësimet e thjeshta dhe praktike për besimin, qëndrueshmërinë, përkushtimin hyjnor e cilësi të tjera jetike që gjejmë në tregimet biblike. *

Shembulli i Nabotit përmban një mësim të fuqishëm për ne (Shih paragrafin 11.)

11. (a) Si e kuptojmë tani tregimin për Nabotin, dhe pse shembulli i tij ka domethënie të veçantë për të gjithë ne? (b) Pse botimet tona të viteve të fundit flasin rrallë për modele profetike e plotësime? (Shih «Pyetje nga lexuesit» në këtë numër.)

11 Atëherë, si e kuptojmë sot tregimin për Nabotin? Shumë më qartë e më thjeshtë: ai njeri i drejtë nuk vdiq ngaqë ishte model profetik i Jezuit ose i të mirosurve, por ngaqë mbajti integritetin. Respektoi Ligjin e Jehovait kur u gjend para një abuzimi të shëmtuar me pushtetin. (Num. 36:7; 1 Mbret. 21:3) Sot shembulli i Nabotit ka domethënie të veçantë, sepse secili prej nesh mund të hasë përndjekje për arsye të ngjashme. (Lexo 2 Timoteut 3:12.) Këtë mësim kaq besimforcues mund ta kapin, ta kujtojnë e ta zbatojnë kollaj njerëz të të gjitha formimeve.

12. (a) Çfarë përfundimi nuk duhet të nxjerrim për tregimet biblike? (b) Si arrijmë të kemi shpjegime të qarta edhe të gjërave të thella? (Shih shënimin.)

12 Por, a duhet të nxjerrim përfundimin se tregimet biblike kanë vetëm zbatim praktik dhe asnjë domethënie tjetër? Jo. Sot botimet tona zakonisht mësojnë se një gjë të sjell ndër mend një tjetër ose shërben si ilustrim i diçkaje tjetër. Rrallë mund të ndodhë që tregimet biblike të shtjellohen sipas metodës së ngurtë model profetik-plotësim. Për shembull, me të drejtë mund të themi se integriteti i Nabotit përballë përndjekjes na sjell ndër mend integritetin e Krishtit dhe të të mirosurve. Por, mund të na sjellë ndër mend edhe qëndrimin besnik të shumë ‘deleve të tjera’ të Zotërisë. Ky krahasim i qartë e i thjeshtë ka vulën e mësimit hyjnor. *

NJË SHPJEGIM MË I THJESHTË PËR ILUSTRIMET E JEZUIT

13. Cilët shembuj tregojnë se tani i shpjegojmë më thjeshtë e më qartë disa ilustrime të Jezuit?

13 Jezu Krishti ishte Mësuesi më i madh që ka jetuar në tokë. Një nga metodat e tij të preferuara kur mësonte të tjerët ishte përdorimi i ilustrimeve. (Mat. 13:34) Ilustrimet krijojnë përfytyrime të gjalla që vënë në lëvizje mendjen dhe depërtojnë në zemër. A mos janë shpjeguar më thjeshtë e më qartë në literaturën tonë gjatë viteve edhe ilustrimet e Jezuit? Mund të themi «po» me plot gojën. A nuk u entuziazmuam nga kuptueshmëria e qartësuar për ilustrimet e Jezuit lidhur me majanë, farën e sinapit dhe rrjetën tratë në Kullën e Rojës të 15 korrikut 2008? Tani e kuptojmë qartë se këto ilustrime zbatohen për Mbretërinë e Perëndisë dhe suksesin e saj të paparë për t’i nxjerrë njerëzit nga ky sistem i lig që të bëhen dishepuj të vërtetë të Krishtit.

14. (a) Si e kemi shpjeguar shëmbëlltyrën për samaritanin e mirë? (b) Si e kuptojmë sot shëmbëlltyrën e Jezuit?

14 Por, ç’mund të themi për tregimet më të hollësishme, ose shëmbëlltyrat që dha Jezui? S’diskutohet që disa janë simbolike dhe profetike, kurse të tjera e vënë theksin te mësimet praktike. Por si dallohet kjo? Ndër vite, përgjigjja dalëngadalë është bërë më e qartë. Për shembull, të shohim si e kemi shpjeguar shëmbëlltyrën e Jezuit për samaritanin e mirë. (Luka 10:30-37) Më 1924, Kulla e Rojës thoshte se samaritani paraqiste Jezuin; rruga nga Jerusalemi për në Jeriko, që zbriste tatëpjetë, paraqiste të tatëpjetën që ka marrë njerëzimi qysh nga rebelimi në Eden; hajdutët në rrugë paraqitnin korporata gjigante dhe biznesmenë të paskrupull, kurse prifti e leviti simbolizonin sisteme kishtare. Sot, në literaturën tonë ky ilustrim përdoret që t’u kujtojë të gjithë shërbëtorëve të Perëndisë se duhet të jenë të paanshëm kur ndihmojnë nevojtarët, sidomos në kuptimin frymor. A nuk kënaqemi kur shohim si na i bën të qarta Jehovai mësimet e tij?

15. Ç’do të shqyrtojmë në artikullin vijues?

15 Në artikullin vijues do të shqyrtojmë një shëmbëlltyrë tjetër të Jezuit—atë të dhjetë virgjëreshave. (Mat. 25:1-13) Si donte Jezui që ta kuptonin këtë ilustrim të fuqishëm e të gjallë dishepujt e tij në ditët e fundit? Si një profeci të stërholluar alegorike ku çdo personazh, objekt e ngjarje ka kuptim simbolik? Apo kishte për qëllim që dishepujt e tij ta përdornin si mësim praktik që t’u printe gjatë ditëve të fundit? Ta shohim.

^ par. 4 Botimi i thjeshtuar doli fillimisht në gjuhën angleze në korrik të vitit 2011. Qysh atëherë, ka dalë në disa gjuhë të tjera.

^ par. 5 Po bëhen përgatitje që botimi i rishikuar të dalë edhe në gjuhë të tjera.

^ par. 7 Dikur në botimet tona në shqip kjo metodë quhej edhe tip-antitip.

^ par. 10 Për shembull, libri Imitoni besimin e tyre shqyrton gjerë e gjatë jetën e 14 personazheve biblike. Materiali përqendrohet te zbatimi praktik, jo te domethëniet simbolike a profetike.

^ par. 12 Pa dyshim, Fjala e Perëndisë përmban edhe gjëra që mund të duken «të vështira për t’u kuptuar», ku përfshihen disa fragmente nga shkrimet e Pavlit. Mirëpo, të gjithë shkrimtarët e Biblës u frymëzuan nga fryma e shenjtë. Është po kjo forcë që ndihmon të krishterët e vërtetë sot të kapin të vërtetat hyjnore, duke i bërë «edhe gjërat e thella të Perëndisë» më të arritshme e më të qarta për mendjen tonë të kufizuar.—2 Pjet. 3:16, 17; 1 Kor. 2:10.