Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Do të jeni dëshmitarët e mi»

«Do të jeni dëshmitarët e mi»

«[Jezui] u përgjigj: ‘. . . do të jeni dëshmitarët e mi . . . deri në skajin më të largët të tokës.’»VEP. 1:7, 8.

1, 2. (a) Kush është dëshmitari më i spikatshëm i Jehovait? (b) Ç’kuptim ka emri Jezu, dhe si jetoi Biri i Perëndisë në lartësinë e emrit të tij?

«PËR këtë linda dhe erdha në botë, që të jap dëshmi për të vërtetën.» (Lexo Gjonin 18:33-37.) Jezu Krishti po gjykohej për jetë a vdekje kur ia tha këto fjalë guvernatorit romak të Judesë. Jezui sapo kishte thënë se ishte mbret. Vite më vonë, apostulli Pavël përmendi këtë shembull guximi të Jezuit «që si dëshmitar bëri një shpallje të shkëlqyer publike përpara Ponc Pilatit». (1 Tim. 6:13) Vërtet, nganjëherë duhet guxim i madh të jesh ‘dëshmitar i besueshëm dhe i vërtetë’ në botën e Satanait që vlon nga urrejtja.Zbul. 3:14.

2 Si pjesëtar i kombit jude, Jezui lindi si dëshmitar i Jehovait. (Isa. 43:10) S’diskutohet, ai u bë dëshmitari më i madh që ka nxjerrë ndonjëherë Perëndia për emrin e Tij. Për Jezuin ishte e rëndësishme domethënia e emrit të tij, të cilin ia kishte dhënë Perëndia. Një engjëll i tha Jozefit, babait birësues të Jezuit, se ç’ishte ngjizur te Maria ishte nga fryma e shenjtë, e pastaj shtoi: «Ajo do të lindë një djalë, dhe ti do t’ia vësh emrin Jezu, sepse ai do ta shpëtojë popullin e tij nga mëkatet.» (Mat. 1:20, 21) Studiuesit e Biblës në përgjithësi janë të një mendjeje se emri Jezu vjen nga një emër hebraik, Jeshua, dhe përmban një formë të shkurtuar të emrit hyjnor; ka kuptimin «Jehovai është shpëtim». Në përputhje me domethënien e emrit të tij, Jezui i ndihmoi «delet e humbura të shtëpisë së Izraelit» të pendoheshin për mëkatet e tyre, që të fitonin sërish miratimin e Jehovait. (Mat. 10:6; 15:24; Luka 19:10) Për këtë qëllim, Jezui dha dëshmi me zell për Mbretërinë e Perëndisë. Marku, shkrimtar i Ungjillit, shkroi: «Jezui hyri në Galile dhe predikonte lajmin e mirë të Perëndisë: ‘Koha e caktuar është përmbushur dhe mbretëria e Perëndisë është afruar. Pendohuni dhe kini besim te lajmi i mirë.’» (Mar. 1:14, 15) Jezui edhe dënoi me guxim krerët fetarë judenj, dhe kjo i shtyu të kërkonin ekzekutimin e tij në shtyllë.Mar. 11:17, 18; 15:1-15.

«GJËRAT MADHËSHTORE TË PERËNDISË»

3. Ç’ndodhi ditën e tretë pas vdekjes së Jezuit?

3 Por ndodhi mrekullia e mrekullive. Ditën e tretë pas vdekjes mizore të Jezuit, Jehovai e ringjalli, jo si njeri, por si krijesë frymore të pavdekshme. (1 Pjet. 3:18) Si provë e kësaj, Zotëria Jezu mori trup njerëzor në disa raste dhe kjo vërtetoi se ishte kthyer në jetë. Pikërisht ditën e ringjalljes iu shfaq të paktën pesë herë dishepujve të ndryshëm.Mat. 28:8-10; Luka 24:13-16, 30-36; Gjoni 20:11-18.

4. Ç’mbledhje drejtoi Jezui ditën e ringjalljes, dhe cilën përgjegjësi u bëri të qartë dishepujve?

4 Herën e pestë Jezui iu shfaq apostujve dhe të tjerëve që ishin bashkë me ta. Në atë rast të paharrueshëm, ai drejtoi, si të thuash, një studim të Fjalës së Perëndisë. «Ua hapi plotësisht mendjet, që të kapnin domethënien e Shkrimeve.» Kështu, ata kuptuan se vrasja e tij nga armiqtë e Perëndisë dhe ringjallja falë një mrekullie ishin parathënë në Shkrime. Në fund të asaj mbledhjeje ditën që u ringjall, Jezui ua bëri të qartë dëgjuesve çfarë përgjegjësie kishin. U tha se ‘në emër të tij, do të predikohej pendimi për faljen e mëkateve në gjithë kombet, duke nisur nga Jerusalemi’. Pastaj shtoi: «Ju do të jeni dëshmitarë të këtyre gjërave.»Luka 24:44-48.

5, 6. (a) Pse Jezui tha «do të jeni dëshmitarët e mi»? (b) Cilin aspekt të ri të qëllimit të Jehovait duhej të shpallnin dishepujt e Jezuit?

5 Pra, 40 ditë më vonë, kur Jezui u shfaq për herë të fundit, apostujt duhej ta kishin kuptuar ç’do të thoshte urdhri i tij i thjeshtë, por i fuqishëm: «Do të jeni dëshmitarët e mi në Jerusalem, në mbarë Judenë, në Samari e deri në skajin më të largët të tokës.» (Vep. 1:8) Pse Jezui tha «do të jeni dëshmitarët e mi» dhe nuk tha të Jehovait? Edhe mund ta kishte thënë, por dëgjuesit e tij ishin izraelitë, prandaj tashmë ishin dëshmitarë të Jehovait.

Si dishepuj të Jezuit, vazhdojmë të shpallim qëllimin e Jehovait për të ardhmen (Shih paragrafët 5, 6.)

6 Tani dishepujt e Jezuit duhej të shpallnin një aspekt të ri të qëllimit të Jehovait—diçka shumë më të madhërishme se çlirimi i Izraelit nga skllavëria në Egjipt dhe nga robëria e mëvonshme në Babiloni. Vdekja dhe ringjallja e Jezu Krishtit siguroi bazën për t’u çliruar nga forma më e keqe e robërisë, pra nga robëria e mëkatit dhe e vdekjes. Në festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., dishepujt e sapomirosur të Jezuit u folën njerëzve «për gjërat madhështore të Perëndisë», dhe shumë prej tyre e përqafuan të vërtetën. Në të djathtë të Atit të tij në qiell, Jezui shihte si merrte më tepër kuptim emri i tij, ngaqë mijëra veta pendoheshin dhe tregonin besim tek ai si mjeti i Jehovait për shpëtim.Vep. 2:5, 11, 37-41.

«SHPËRBLESË PËR SHUMË NJERËZ»

7. Çfarë treguan ngjarjet e festës së Ditës së Pesëdhjetë më 33 të e.s.?

7 Ngjarjet e festës së Ditës së Pesëdhjetë më 33 të e.s. treguan se Jehovai e kishte pranuar me hir vlerën e flijimit të Jezuit si njeri i përsosur si një shlyerje a pajtim për mëkatin. (Hebr. 9:11, 12, 24) Siç e shpjegoi vetë, Jezui «nuk erdhi që t’i shërbejnë, por që të shërbejë dhe të japë shpirtin e vet si shpërblesë për shumë njerëz». (Mat. 20:28) Ata «shumë» që do të nxirrnin dobi nga shpërblesa e Jezuit nuk do të ishin vetëm judenj të penduar. Vullneti i Perëndisë është që «njerëz të çdo lloji të shpëtojnë» pasi shpërblesa «heq mëkatin e botës».1 Tim. 2:4-6; Gjoni 1:29.

8. Në ç’masë dhanë dëshmi dishepujt e Jezuit, dhe si u arrit kjo?

8 A patën mjaft guxim dishepujt e hershëm, sa të vazhdonin të dëshmonin për Jezuin? Që ç’ke me të, ama jo me forcat e tyre. Fryma e shenjtë e fuqishme e Jehovait i motivoi dhe u përtëriu forcat që të vazhdonin të dëshmonin. (Lexo Veprat 5:30-32.) Rreth 27 vjet pas festës së Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., mund të thuhej se ‘të vërtetën e lajmit të mirë’ e kishin dëgjuar judenj e jojudenj, ‘të gjitha krijesat nën qiell’.Kolos. 1:5, 23.

9. Siç ishte parathanë, ç’ndodhi me kongregacionin e hershëm?

9 Por, mjerisht, kongregacioni i hershëm dalëngadalë u përdhos. (Vep. 20:29, 30; 2 Pjet. 2:2, 3; Jud. 3, 4) Siç paratha Jezui, kjo apostazi, e nxitur nga ‘i ligu’, Satanai, do të rritej e do ta linte në hije krishterimin e vërtetë deri në «përfundim të sistemit». (Mat. 13:37-43) Atëherë Jehovai do ta kurorëzonte Jezuin si Mbret të mbarë njerëzimit. Kjo ndodhi në tetor 1914, dhe shënoi fillimin e ‘ditëve të fundit’ të sistemit të lig të Satanait.2 Tim. 3:1.

10. (a) Për cilën periudhë të rëndësishme folën të krishterët e mirosur të ditëve tona? (b) Ç’ndodhi në tetor 1914, dhe si është bërë e qartë kjo?

10 Që para tetorit 1914, të krishterët e mirosur treguan se kjo do të ishte një periudhë domethënëse. Këtë e bazonin te profecia e Danielit për një pemë të madhe që u pre e që do të rritej sërish pas ‘shtatë kohësh’. (Dan. 4:16) Të njëjtën periudhë Jezui e quajti «kohët e caktuara të kombeve» në profecinë për praninë e tij në të ardhmen dhe ‘përfundimin e sistemit’. Që nga ai vit i shënuar, 1914-a, «shenja e pranisë» së Krishtit si Mbreti i ri i tokës është bërë e qartë për të gjithë. (Mat. 24:3, 7, 14; Luka 21:24) Pra, që atëherë «gjërat madhështore të Perëndisë» kanë përfshirë kurorëzimin e Jezuit nga Jehovai si Mbret të mbarë njerëzimit.

11, 12. (a) Çfarë nisi të bënte Mbreti i ri i tokës më 1919, pas luftës? (b) Ç’gjë tjetër u bë e dukshme nga mesi i viteve 30 e tutje? (Shih figurën hapëse.)

11 Si Mbreti i ri i tokës, Jezu Krishti shpejt filloi t’i çlironte dishepujt e mirosur nga robëria e ‘Babilonisë së Madhe’. (Zbul. 18:2, 4) Pas luftës, më 1919 u çel rruga për një dëshmi globale lidhur me mjetin e Perëndisë për shpëtim dhe me lajmin e mirë të Mbretërisë së vendosur. Të krishterët e mirosur e shfrytëzuan këtë mundësi për të dëshmuar, e si pasojë u mblodhën mijëra të mirosur të tjerë, që të bëheshin bashkëtrashëgimtarë me Krishtin.

12 Nga mesi i viteve 30 e tutje, u bë e dukshme se Krishti kishte nisur të mblidhte miliona «dele të tjera» që do të formonin «një shumicë të madhe» shumëkombëshe. Nën drejtimin e të krishterëve të mirosur, edhe kjo shumicë e madhe ndjek shembullin e guximshëm të Jezuit dhe shpall botërisht se shpëtimin ua detyrojnë Perëndisë dhe Krishtit. Nëse ngulmojnë në veprën e dëshmisë dhe vazhdojnë të tregojnë besim te shpërblesa e Krishtit, do të kenë privilegjin t’i mbijetojnë ‘shtrëngimit të madh’ që do ta fshijë nga faqja e dheut botën e Satanait.Gjoni 10:16; Zbul. 7:9, 10, 14.

‘TË MARRIM GUXIM QË TË THEMI LAJMIN E MIRË’

13. Si Dëshmitarë të Jehovait, për çfarë jemi të vendosur, dhe pse mund të jemi të sigurt se do t’ia dalim mbanë?

13 Vazhdofshim ta çmojmë privilegjin që jemi Dëshmitarë të ‘gjërave madhështore’ të Perëndisë Jehova dhe të premtimeve të tij për të ardhmen! Vërtet, nuk është gjithnjë e lehtë të japim dëshmi. Shumë nga vëllezërit tanë predikojnë në territore ku mbizotërojnë indiferentizmi, talljet dhe përndjekja. Mund të imitojmë apostullin Pavël dhe shokët e tij që u përballën me shumë kundërshtime. Ai tha: «Morëm guxim nga Perëndia t’ju thoshim lajmin e mirë të Perëndisë mes shumë përpjekjesh.» (1 Sel. 2:2) Prandaj, le të mos dorëzohemi kurrë! Qofshim të vendosur të jetojmë në lartësinë e kushtimit tonë ndërsa sistemi i Satanait kthehet në gërmadha! (Isa. 6:11) Por, nuk ia dalim dot me forcat tona. Duke ndjekur shembullin e të krishterëve të hershëm, duhet t’i lutemi Jehovait të na japë ‘fuqi përtej asaj që është normale’ me anë të frymës së tij.Lexo 2 Korintasve 4:1, 7; Luka 11:13.

14, 15. (a) Si trajtoheshin të krishterët në shekullin e parë të e.s., dhe çfarë tha apostulli Pjetër për ta? (b) Si duhet të ndihemi nëse na keqtrajtojnë ngaqë jemi Dëshmitarë të Jehovait?

14 Sot miliona njerëz pohojnë se janë të krishterë, «por e mohojnë [Perëndinë] me veprat e tyre, sepse janë të pështirë, të pabindur dhe të pamiratuar për asnjëfarë vepre të mirë». (Titit 1:16) Të mos harrojmë se në shekullin e parë, të krishterët e vërtetë i urrenin shumë bashkëkohës, në mos shumica. Ja pse apostulli Pjetër shkroi: «Nëse po ju poshtërojnë për emrin e Krishtit, lum ju, sepse . . . fryma e Perëndisë, po prehet mbi ju.»1 Pjet. 4:14.

15 A vlejnë këto fjalë të frymëzuara për Dëshmitarët e Jehovait sot? Patjetër, sepse ne japim dëshmi për mbretërimin e Jezuit. Prandaj, fakti që na urrejnë ngaqë mbajmë emrin e Jehovait, është njësoj si ‘të na poshtërojnë për emrin e [Jezu] Krishtit’, që u tha kundërshtarëve të tij: «Unë erdha në emër të Atit tim, por ju nuk po më pranoni.» (Gjoni 5:43) Ndaj, herën tjetër që do të hasësh kundërshtim ndërsa jep dëshmi, merr zemër. Një keqtrajtim i tillë është një provë se Perëndia po të buzëqesh me miratim dhe se fryma e tij ‘prehet mbi ty’.

16, 17. (a) Si ndihen shërbëtorët e Jehovait në shumë pjesë të botës? (b) Për çfarë je i vendosur?

16 Të mos harrojmë edhe se në shumë pjesë të botës ka një rritje fantastike. Madje, dhe në territore të predikuara shpesh, gjejmë ende njerëz që duan të dëgjojnë e që mund t’u japim mesazhin e mrekullueshëm të shpëtimit. Le të bëjmë çmos të kthehemi te të interesuarit dhe, po të jetë e mundur, të studiojmë Biblën me ta, duke i ndihmuar të përparojnë drejt kushtimit e pagëzimit. Ka të ngjarë që ndihesh si Saria në Afrikën e Jugut, e cila ka më se 60 vjet që jep dëshmi. Ajo thotë: «Ndiej mirënjohje të pakufishme që falë flijimit shpërblyes të Jezuit kam një marrëdhënie të mirë me Jehovain, Sovranin e universit, dhe jam e lumtur që mund t’u flas njerëzve për emrin e tij të lavdishëm.» Ajo dhe i shoqi, Martinusi, kanë ndihmuar mjaft veta të bëhen adhurues të Jehovait, përfshirë tre fëmijët e tyre. Saria shton: «Asnjë aktivitet tjetër nuk të sjell kaq kënaqësi, dhe me anë të frymës së tij të shenjtë Jehovai na jep të gjithëve fuqinë e nevojshme për ta vazhduar këtë vepër jetëshpëtuese.»

17 Qoftë nëse jemi të krishterë të pagëzuar, qoftë nëse po ecim drejt këtij synimi, kemi çdo arsye të ndihemi mirënjohës për privilegjin që bëjmë pjesë në kongregacionin mbarëbotëror të Dëshmitarëve të Jehovait. Prandaj vazhdo të japësh dëshmi të plotë teksa përpiqesh të mbetesh i pastër nga bota e paperëndishme e Satanait. Kështu do të nderosh Atin e dashur qiellor, emrin e lavdishëm të të cilit ke privilegjin të mbash.