Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ki shumë guxim—Jehovai është ai që të ndihmon!

Ki shumë guxim—Jehovai është ai që të ndihmon!

‘Ki shumë guxim dhe thuaj: “Jehovai është ai që më ndihmon.”’HEBR. 13:6.

1, 2. Cilat vështirësi hasin shumë emigrantë kur kthehen në shtëpi? (Shih figurën hapëse.)

«JASHTË shtetit kisha punë me përgjegjësi dhe fitoja goxha,—kujton Eduardoja. *Mirëpo, kur nisa të studioja Biblën me Dëshmitarët e Jehovait, kuptova se kisha një përgjegjësi akoma më të rëndësishme: të kujdesesha për familjen jo vetëm nga ana materiale, por edhe frymore. Kështu që u ktheva tek ata.»Efes. 6:4.

2 Eduardoja e dinte se, duke u ribashkuar me familjen, kënaqte Jehovain. Por, ashtu si Merilini e përmendur në artikullin e kaluar, duhej të ndreqte marrëdhënien me familjen dhe kjo donte mund e kohë. U përball edhe me vështirësinë që të mbante gruan dhe fëmijët në një vend me ekonomi gjithnjë e më të dobët. Si do ta siguronte jetesën? Ç’ndihmë mund të priste nga të tjerët në kongregacion?

SI TË NDREQËSH DËMIN

3. Si ndikon te fëmijët mungesa e prindit?

3 Eduardoja pranon: «E kuptova se i kisha lënë pas dore fëmijët tamam kur kishin më tepër nevojë për drejtim dhe dashuri. Nuk kisha qenë pranë tyre që t’u lexoja tregime biblike, të lutesha me ta, t’i merrja në krahë e të loznim bashkë.» (Ligj.  6:7) Ana, vajza e madhe, kujton: «Ngaqë babi nuk jetonte në shtëpi me ne, provoja ndjenja pasigurie. Ama, kur u kthye, e njohëm vetëm nga pamja e zëri. Më dukej e çuditshme kur më përqafonte.»

4. Pse burri e ka të vështirë të përmbushë rolin si kryefamiljar kur ka jetuar larg?

4 Veç kësaj, sa më gjatë të jetojë babai larg familjes, aq më të vështirë e ka të përmbushë rolin si kryefamiljar. Rubi, gruaja e Eduardos, shpjegon: «Më duhej të luaja dy role, të isha nënë e babë, dhe u mësova t’i merrja vetë shumicën e vendimeve për familjen. Kur u kthye im shoq, duhej të mësoja çfarë do të thotë nënshtrim i krishterë. Madje dhe tani duhet t’i kujtoj vetes hera-herës se burrin e kam këtu.» (Efes. 5:22, 23) Eduardoja shton: «Vajzat ishin mësuar t’i kërkonin leje mamasë. Si prindër, kuptuam se fëmijët duhej ta dallonin se ne ishim një skuadër. Gjithashtu, m’u desh të mësoja të drejtoja familjen sipas parimeve biblike.»

5. Si filloi një baba të ndreqte dëmin e shkaktuar nga mungesa e tij, dhe cili ishte rezultati?

5 Eduardoja ishte i vendosur të bënte të pamundurën që të ndreqte marrëdhënien me familjen dhe t’i forconte frymësisht. Ai tregon: «Synimi im ishte t’u ngulitja të vërtetën fëmijëve me fjalët dhe shembullin tim, pra, jo thjesht të thosha se e dua Jehovain, por ta tregoja këtë.» (1 Gjon. 3:18) A i bekoi Jehovai përpjekjet e tij të motivuara nga besimi? Ana përgjigjet: «Shihja sa fort mundohej të bëhej baba i mirë dhe të afrohej sërish me ne, e kjo ndikoi jashtëzakonisht tek unë. Ndiheshim krenarë kur vërenim se synonte të bënte më shumë në kongregacion. Bota përpiqej të na largonte nga Jehovai. Por, kur shihnim prindërit aq të përqendruar tek e vërteta, përpiqeshim të ishim si ata. Babi premtoi se nuk do të na linte kurrë më, dhe e mbajti fjalën. Po të kishte vepruar ndryshe, ka të ngjarë të mos isha në organizatën e Jehovait sot.»

SI TË PRANOSH PËRGJEGJËSINË

6. Ç’mësuan disa prindër gjatë kohës së luftës?

6 Disa përvoja tregojnë se gjatë luftës në Ballkan, fëmijët e Dëshmitarëve të Jehovait atje ishin të lumtur, pavarësisht nga kushtet e vështira. Si ka mundësi? Meqë prindërit nuk shkonin dot në punë, rrinin në shtëpi dhe studionin, luanin e bisedonin me fëmijët. Ç’mësojmë nga kjo? Ajo që u nevojitet vërtet fëmijëve, nuk janë paratë ose dhuratat, por të kenë prindërit pranë. Vërtet, siç thotë Fjala e Perëndisë, fëmijët nxjerrin dobi kur prindërit i stërvitin dhe u kushtojnë vëmendje.Prov. 22:6.

7, 8. (a) Çfarë gabimi bëjnë disa prindër që kthehen në atdhe? (b) Si mund t’i ndihmojnë prindërit fëmijët të kapërcejnë ndjenjat negative?

7 Mjerisht, kur shohin se fëmijët i presin hundë e buzë ose ftohtë, disa prindër që kthehen në atdhe, preken dhe thonë: «Po si xhanëm jeni kaq mosmirënjohës, me gjithë ato sakrifica që kam bërë për ju?!» Mirëpo, reagimi negativ i fëmijëve mbase vjen kryesisht ngaqë prindërit nuk ishin pranë tyre. Çfarë mund të bësh si prind që të ndreqësh marrëdhënien e prishur?

8 Kërkoji Jehovait të të ndihmojë të jesh edhe më i dhembshur me njerëzit e shtëpisë. Pastaj, kur të flasësh me familjarët, prano pjesën tënde në këtë problem. Diçka që mund të ndihmojë është të kërkosh sinqerisht falje. Teksa bashkëshorti dhe fëmijët vërejnë përpjekjet e tua të pareshtura që t’i rregullosh gjërat, do ta kuptojnë se e ke me gjithë mend këtë. Me këmbëngulje e durim, mund të rifitosh dashurinë dhe respektin e familjes avash-avash.

 ‘SIGURO GJËRAT E NEVOJSHME PËR TË TUTË’

9. Pse ‘të sigurosh gjërat e nevojshme për të tutë’ s’do të thotë të rropatesh pa pushim për më shumë gjëra materiale?

9 Kur të krishterët e moshuar nuk e sigurojnë dot vetë jetesën, apostulli Pavël udhëzoi që fëmijët, nipat e mbesat e tyre duhet «t’u japin prindërve e gjyshërve shpërblimin e duhur». Gjithsesi, Pavli i nxiti të gjithë të krishterët të kënaqen me gjërat bazë të përditshme—bukë, veshje dhe strehim. Nuk ka pse të rropatemi pa pushim që të rritim nivelin e jetesës dhe të kemi siguri ekonomike. (Lexo 1 Timoteut 5:4, 8; 6:6-10.) ‘Të sigurosh gjërat e nevojshme për të tutë’ nuk do të thotë të rendësh pas pasurisë në këtë botë, që do të kalojë së shpejti. (1 Gjon. 2:15-17) Nuk duhet të lejojmë që «fuqia mashtruese e pasurisë» ose «ankthet e kësaj bote» ta pengojnë familjen tonë ‘të rrokë jetën e vërtetë’ në botën e re të drejtë të Perëndisë!Mar. 4:19; Luka 21:34-36; 1 Tim. 6:19.

10. Si mund të tregojmë mençuri hyjnore kur bëhet fjalë për borxhet?

10 Jehovai e di se kemi nevojë për ca para. Ama, paratë nuk mund të na mbrojnë e të na mbajnë gjallë, ashtu si mençuria që jep Perëndia. (Ekl. 7:12; Luka 12:15) Në mjaft raste nuk llogaritet si duhet kostoja e vajtjes jashtë shtetit për punë, dhe nuk ka asnjë garanci se atje do të bësh pará. Faktikisht, ka rreziqe serioze. Shumë emigrantë kthehen në shtëpi të zhytur edhe më thellë në borxhe. Në vend që të jenë më të lirë t’i shërbejnë Perëndisë, bëhen skllevër të huadhënësve. (Lexo Proverbat 22:7.) Gjëja më e mençur është të mos hysh kurrë në borxh.

11. Si pakësohet presioni ekonomik nëse familja respekton buxhetin?

11 Eduardoja e dinte se duhej të tregohej praktik me paratë, që t’i dilte për mirë vendimi për të ndenjur me familjen. Bashkë me gruan bënë një buxhet të bazuar te gjërat materiale që u nevojiteshin vërtet. Kuptohet, buxheti ishte shumë më i paktë nga ç’ishte mësuar familja. Por, të gjithë bashkëpunuan dhe nuk harxhuan para për gjëra të panevojshme. * «Për shembull,—thotë Eduardoja,—i hoqa fëmijët nga shkollat private dhe i çova në shkolla shtetërore të mira.» Ai dhe familja u lutën të gjente një punë që nuk do t’i pengonte të ndiqnin programin frymor. Si iu përgjigj Jehovai atyre lutjeve?

12, 13. Cilët hapa praktikë bëri një baba që të mbante familjen? Si e bekoi Jehovai vendosmërinë e tij që të bënin jetë të thjeshtë?

12 Eduardoja kujton: «Dy vitet e para mezi e shtynim muajin. Kursimet po shteronin, rroga ime simbolike nuk i mbulonte gjithmonë shpenzimet dhe unë isha i sfilitur. Por ama i ndiqnim të gjitha mbledhjet dhe dilnim bashkë në shërbim.» Eduardoja e ndau mendjen t’u hiqte vizën ofertave për punë që do ta largonin nga familja për muaj a vite të tëra. Ai thotë: «Mësova të bëja lloj-lloj punësh, kështu që në mos në një vend, në tjetrin të gjeja punë.»

A mund të mësosh punë të ndryshme që të mbash familjen? (Shih paragrafin 12.)

13 Ngaqë i shlyente borxhet pak nga pak, iu desh të paguante kamata më të larta. Por për të ishte një çmim i papërfillshëm, ngaqë kështu përfshihej plotësisht në jetën e fëmijëve, siç pret Jehovai nga prindërit. Eduardoja tregon: «Tani rroga ime është më pak se 10 për qind e asaj që merrja jashtë shtetit, por nuk mbetemi pa ngrënë. ‘Dora e Jehovait nuk është shkurtuar.’ Madje, vendosëm të shërbenim si pionierë. Çuditërisht, pas kësaj, presioni ekonomik ra dhe e kishim shumë më të lehtë të siguronim gjërat e nevojshme.»Isa. 59:1.

 SI TË PËRBALLOSH PRESIONIN E FAMILJES

14, 15. Si mund ta përballojnë familjet presionin për të vënë gjërat materiale para synimeve frymore? Ç’të mirë mund të sjellë shembulli i tyre i mirë?

14 Në mjaft vende, njerëzit e ndiejnë për detyrë t’u japin para e dhurata të afërmve e miqve. Eduardoja shpjegon: «Është pjesë e kulturës sonë dhe kënaqemi kur japim. Por, ka një kufi. U shpjegoj me lezet njerëzve të fisit se jam gati t’u jap sa mundem, ama jo në kurriz të nevojave e të programit frymor të familjes.»

15 Emigrantët që kthehen dhe ata që nuk pranojnë ofertat për të punuar larg familjes, shpesh përballen me zemërimin, talljet dhe zhgënjimin e të afërmve që pretendojnë prej tyre mbështetje ekonomike. Disa i quajnë zemërgur. (Prov. 19:6, 7) «Sidoqoftë, po të mos pranojmë t’i sakrifikojmë gjërat frymore për përfitime materiale, disa të afërm kushedi edhe mund ta kuptojnë me kohë sa rëndësi ka t’i shërbejmë Perëndisë,—vëren Ana, vajza e Eduardos.—Por, si vallë do ta kuptojnë këtë, po t’u hapim rrugë pretendimeve të tyre?»—Krahaso 1 Pjetrit 3:1, 2.

SI TË TREGOSH BESIM TE PERËNDIA

16. (a) Si mund ‘të gënjejë veten dikush me arsyetime të rreme’? (Jak. 1:22) (b) Cilat vendime bekon Jehovai?

16 Një motër që shkoi në një vend më të pasur pa burrin e fëmijët, u tha pleqve kur mbërriti atje: «Na u desh të bënim goxha sakrifica që të vija këtu. Madje, tim shoqi iu desh të hiqte dorë nga privilegji si plak. Prandaj shpresoj se Jehovai do ta bekojë transferimin tim.» Jehovai i bekon gjithnjë vendimet që kanë në themel besimin tek ai. Por si mund ta bekojë një vendim që është kundër vullnetit të tij, sidomos kur dikush heq dorë nga privilegjet e shenjta pa qenë nevoja?!Lexo Hebrenjve 11:6; 1 Gjonit 5:13-15.

17. Pse duhet të kërkojmë drejtimin e Jehovait para se të marrim vendime, dhe si ta bëjmë këtë?

17 Kërko drejtimin e Jehovait para se të marrësh një vendim ose t’i hysh një pune, jo më pas. Lutu për frymën e tij të shenjtë, për mençuri dhe drejtim. (2 Tim. 1:7) Pyet veten: «Deri në ç’pikë jam gati t’i  bindem Jehovait? A jam gati t’i bindem edhe kur përballem me përndjekje?» Nëse po, a je gati t’i bindesh kur duhet të ulësh nivelin e jetesës? (Luka 14:33) Kërkoju pleqve këshilla biblike dhe ndiqe drejtimin e Jehovait. Kështu tregon se i beson plotësisht premtimit të tij se do të të ndihmojë. Pleqtë nuk marrin dot vendime për ty, por mund të të ndihmojnë të bësh zgjedhje që në fund do të të sjellin lumturi.2 Kor. 1:24.

18. Kush e ka përgjegjësinë të mbajë familjen, por në cilat raste kemi mundësi të ndihmojmë njëri-tjetrin?

18 Jehovai i ngarkon çdo kryefamiljari detyrën që të mbajë familjen. Duhet t’i lavdërojmë e të lutemi për ata që e plotësojnë këtë përgjegjësi pa u larguar nga bashkëshorti ose fëmijët, pavarësisht nga tundimi dhe presioni. Të papriturat, si katastrofat ose një problem shëndetësor urgjent, na japin mundësi t’i tregojmë njëri-tjetrit dhembshuri e dashuri të vërtetë të krishterë. (Gal. 6:2, 5; 1 Pjet. 3:8) A mund të japësh ca para a diçka tjetër në ndonjë rast urgjent ose të ndihmosh një bashkëbesimtar të gjejë punë aty ku jeton? Nëse vepron kështu, mund t’ia pakësosh presionin që ndien për të gjetur punë larg familjes.Prov. 3:27, 28; 1 Gjon. 3:17.

MOS HARRO SE JEHOVAI ËSHTË AI QË TË NDIHMON

19, 20. Pse të krishterët mund të ndihen të sigurt se Jehovai do t’i ndihmojë?

19 Shkrimet na nxitin: «Mënyra juaj e të jetuarit le të jetë pa dashuri për para, ndërsa jeni të kënaqur me gjërat që keni. Sepse [Perëndia] ka thënë: ‘Kurrsesi nuk do të të lë dhe kurrsesi nuk do të të braktis.’ Që të kemi shumë guxim dhe të themi: ‘Jehovai është ai që më ndihmon, nuk do të kem frikë. Ç’mund të më bëjë njeriu?’» (Hebr. 13:5, 6) A ndodh kjo në jetën e përditshme?

20 Ja ç’thotë një vëlla që prej vitesh shërben si plak në një vend në zhvillim: «Njerëzit komentojnë shpesh sa të lumtur janë Dëshmitarët e Jehovait. Gjithashtu, vërejnë se edhe ata që janë të varfër vishen gjithmonë hijshëm dhe duken më në gjendje se të tjerët.» Kjo përputhet me premtimin që u bëri Jezui atyre që vënë në radhë të parë Mbretërinë. (Mat. 6:28-30, 33) Vërtet, Ati yt qiellor, Jehovai, të ka për zemër dhe do më të mirën për ty e fëmijët e tu. «Sytë e Jehovait enden nëpër gjithë tokën për të treguar forcën e tij në dobi të atyre që i janë kushtuar me gjithë zemër.» (2 Kron. 16:9) Ai na ka dhënë urdhërime për të mirën tonë, ndër të cilat edhe urdhërimet për jetën familjare dhe nevojat materiale. Kur i zbatojmë, tregojmë se e duam dhe se kemi besim tek ai. «Kjo është dashuria për Perëndinë: të zbatojmë urdhërimet e tij, e megjithatë, urdhërimet e tij nuk janë të rënda.»1 Gjon. 5:3.

21, 22. Pse je i vendosur të tregosh se ke besim te Jehovai?

21 Eduardoja thotë: «E di se e kam humbur një herë e mirë kohën kur isha larg gruas dhe fëmijëve. Prapëseprapë, s’e mbaj mendjen te gjërat që më kanë mbetur pishman. Shumë ish-kolegë të mi janë të pasur, por jo të lumtur. Familjet e tyre janë copë-copë, kurse familja jonë është për bukuri. Prekem kur shoh vëllezër të tjerë këtu që, paçka se të varfër, mbajnë në vend të parë gjërat frymore. Të gjithë provojmë sa i vërtetë është premtimi i Jezuit.»Lexo Mateun 6:33.

22 Ki shumë guxim! Vendos t’i bindesh Jehovait dhe ki besim tek ai. Dashuria për Perëndinë, për bashkëshortin dhe fëmijët le të të nxitë të përmbushësh përgjegjësinë për ta mbajtur familjen të fortë frymësisht. Atëherë do të shohësh se ‘Jehovai është ai që të ndihmon’.

^ par. 1 Emrat janë ndryshuar.

^ par. 11 Shih serinë «Si t’i administrojmë paratë?», në revistën Zgjohuni!, shtator 2011.