Askush s’mund t’u shërbejë dy zotërinjve
«Askush s’mund të jetë skllav i dy zotërinjve. . . . Ju s’mund të jeni skllevër edhe të Perëndisë, edhe të Pasurisë.»
1-3. (a) Ç’probleme ekonomike kanë plot veta sot, dhe si përpiqen disa t’i zgjidhin? (Shih figurën hapëse.) (b) Çfarë shqetësimesh lindin për rritjen e fëmijëve?
«IM SHOQ, Xhejmsi, përditë kthehej nga puna i këputur, por prapëseprapë rroga e tij mezi na dilte për bukën e gojës. Doja t’ia lehtësoja barrën dhe t’i blinim djalit tonë, Xhimit, disa nga gjërat e lezetshme që kishin shokët e shkollës»,
2 Merilinin e tmerronte mendimi se do të linte njerëzit e saj të shtrenjtë dhe programin e rregullt frymor të familjes. Prapëseprapë, arsyetonte se edhe të tjerë kishin vajtur jashtë për njëfarë kohe, dhe familjet e tyre dukej se ishin për bukuri frymësisht. Megjithatë, kishte merak si do ta rriste Xhimin nga larg. A do të bënte dot pjesën e saj nëpërmjet Internetit, që djali të rritej «në disiplinën dhe në normën mendore të Jehovait»?
3 Merilini kërkoi drejtim. I shoqi nuk donte që ajo të largohej, por i tha se nuk do ta pengonte. Pleqtë dhe të tjerë në kongregacion e këshilluan të mos transferohej, por disa motra e nxitën të ikte jashtë shtetit. I thanë: «Po ta duash familjen, do të ikësh. Edhe atje mund t’i shërbesh Jehovait.» Sado që ishte në merak, Merilini u nda me Xhejmsin e Xhimin dhe iku për punë jashtë shtetit. «Do të kthehem shpejt»,
DETYRIMET FAMILJARE DHE PARIMET BIBLIKE
4. Pse shumë veta emigrojnë, dhe nën kujdesin e kujt mbeten shpesh fëmijët e tyre?
4 Jehovai nuk do që shërbëtorët e tij të rrojnë në mjerim, dhe një nga rrugët më të lashta për t’i shpëtuar skamjes është emigrimi. (Psal. 37:25; Prov. 30:8) Patriarku Jakob i dërgoi bijtë në Egjipt për të blerë ushqim që të mos vdisnin urie. * (Zan. 42:1, 2) Sot, shumica e atyre që vendosin të emigrojnë, nuk ikin ngaqë po vdesin urie. Gjithsesi, mbase po rropaten të lajnë një mal me borxhe. Të tjerë thjesht duan që familjet e tyre të kenë kushte më të mira. Ngaqë jetojnë në një vend me ekonomi gjithnjë e më të dobët, mjaft përfundojnë larg familjes, brenda ose jashtë vendit, për të arritur këto synime. Shpesh fëmijët e vegjël mbeten nën kujdesin e njërit prind, të motrës a vëllait më të madh, të gjyshërve, të të afërmve të tjerë ose të miqve. Edhe pse emigrantëve u vjen jashtëzakonisht keq që lënë pas bashkëshortët a fëmijët, shumë mendojnë se s’kanë rrugë tjetër.
5, 6. (a) Çfarë na mësoi Jezui për lumturinë dhe sigurinë? (b) Për cilat gjëra materiale i mësoi dishepujt të luteshin? (c) Si na bekon Jehovai?
5 Edhe në ditët e Jezuit mjaft njerëz ishin fukarenj dhe pa përkrahje. Mbase mendonin se do të ndiheshin më të lumtur e më të sigurt po të kishin më tepër para. (Mar. 14:7) Mirëpo, Jezui donte që njerëzit t’i varnin shpresat diku tjetër. Donte që ata të mbështeteshin te Burimi i pasurisë së qëndrueshme, te Jehovai. Në Predikimin në Mal, Jezui shpjegoi se lumturia dhe siguria e vërtetë nuk varen as nga gjërat materiale, as nga përpjekjet tona, por nga miqësia me Atin qiellor.
6 Në lutjen model, Jezui na mësoi të lutemi për nevojat e përditshme, për «bukën për këtë ditë», jo për sigurinë ekonomike. U tha shkoqur dëgjuesve: «Mos grumbulloni më thesare në tokë. . . . Më mirë, grumbulloni thesare në qiell.» (Mat. 6:9, 11, 19, 20) Mund të kemi besim të plotë se Jehovai do të na bekojë siç premton. Bekimin e tij nuk e shpreh thjesht me një gjest miratues, por i futet punës për të na siguruar atë që na nevojitet vërtet. E pra, e vetmja mënyrë që të jemi vërtet të lumtur e të sigurt është të kemi besim të plotë tek Ati ynë i dhembshur, jo te paratë.
7. (a) Kujt ua ka caktuar Jehovai përgjegjësinë për të rritur fëmijët? (b) Pse të dy prindërit duhet të merren vetë me fëmijët?
7 ‘Të kërkojmë në radhë të parë drejtësinë e Perëndisë’ përfshin t’i shohim detyrimet familjare siç i sheh ai. Ligji i Moisiut përmban këtë parim që vlen edhe për të krishterët: u takon prindërve t’i stërvitin frymësisht fëmijët e tyre. (Lexo Ligjin e përtërirë 6:6, 7.) Këtë përgjegjësi Perëndia ua ka caktuar prindërve, jo gjyshërve a dikujt tjetër. Mbreti Solomon tha: «Dëgjoje, o biri im, disiplinën e atit tënd dhe mos e braktis ligjin e nënës sate.» (Prov. 1:8) Me këtë Jehovai donte të thoshte se të dy prindërit duhej të ishin në shtëpi, që të drejtonin e të mësonin fëmijët. (Prov. 31:10, 27, 28) Një pjesë e mirë e mësimeve që nxjerrin fëmijët nga prindërit, sidomos nga ana frymore, vjen kur dëgjojnë bisedat e ditëpërditshme për Jehovain dhe kur shohin shembullin e tyre.
PASOJA TË PAPARASHIKUARA
8, 9. (a) Ç’ndryshime ndodhin shpesh brenda familjes kur largohet njëri nga prindërit? (b) Çfarë dëmi emocional dhe moral mund të sjellë ndarja?
8 Para se të ikin jashtë shtetit, emigrantët përpiqen të peshojnë rreziqet dhe sakrificat, por pak prej tyre parashikojnë çdo pasojë të largimit nga familja. (Prov. 22:3) * Me të ikur, Merilinin filloi ta brente dhembja e ndarjes nga familja. Po kështu ndiheshin dhe i shoqi e djali. Xhimi i vogël e pyeste pareshtur: «Pse më le?» Muajt që kishte planifikuar të rrinte jashtë po bëheshin vite, dhe Merilini vërente ndryshime shqetësuese te familja e saj. Xhimi po mbyllej në vetvete e po ftohej me të. Me lot në sy ajo kujton: «Dashuria për mua iu shua.»
9 Kur prindërit dhe fëmijët nuk qëndrojnë bashkë si familje, mund të dëmtohen emocionalisht dhe moralisht. * Sa më të vegjël të jenë fëmijët e sa më e gjatë të jetë ndarja, aq më i rëndë është dëmi. Merilini i shpjegonte Xhimit se po sakrifikonte për të mirën e tij. Mirëpo, atij i dukej se e ëma e kishte braktisur. Në fillim inatosej ngaqë nuk e kishte aty, por më vonë inatosej kur ajo kthehej për t’i takuar. Siç ndodh rëndom me fëmijët që ndahen nga prindërit, Xhimi ndiente se mamaja nuk kishte më të drejtë të pretendonte që ai t’i bindej e ta donte.
10. (a) Çfarë ndikimi ka te fëmijët kur prania e prindërve zëvendësohet me dhurata? (b) Çfarë u mungon fëmijëve kur prindi mundohet t’i rritë nga larg?
10 Edhe pse Merilini përpiqej ta plotësonte mungesën e saj duke dërguar para e dhurata, e kuptonte që po bëhej e huaj për të birin. Gjithashtu, pa dashje, po e mësonte të vinte gjërat materiale para marrëdhënies me Jehovain dhe lidhjeve familjare. (Prov. 22:6) Xhimi i thoshte: «Atje rri! Mjafton të na dërgosh dhurata.» Merilini filloi të kuptonte se nuk mund ta rriste të birin nga larg me anë të letrave, telefonatave ose bisedave në Internet. Ajo shpjegon: «Në Internet nuk ke si ta përqafosh fëmijën ose ta puthësh para se ta vësh në gjumë.»
11. (a) Çfarë ndikimi ka te martesa kur bashkëshortët jetojnë larg njëri-tjetrit për shkak të punës? (b) Kur e kuptoi një motër se duhej të ribashkohej me familjen?
11 Por jo vetëm kaq. Edhe marrëdhënia e Merilinit me Jehovain e lidhja me të shoqin, Xhejmsin, u dobësuan. Shoqërohej me bashkëbesimtarët e dilte në shërbim vetëm një herë në javë a më rrallë. Veç kësaj, duhej t’u rezistonte provokimeve seksuale të shefit. Ngaqë Merilini dhe Xhejmsi ishin larg dhe s’mund ta mbështetnin njëri-tjetrin kur hasnin probleme, të dy u përfshinë në lidhje të tjera dhe për pak ranë në imoralitet. Ndonëse nuk vajtën deri në kurorëshkelje, Merilini e kuptoi se, duke jetuar të ndarë, nuk mund të plotësonin nevojat emocionale dhe seksuale të njëri-tjetrit, siç udhëzon Bibla. Nuk shkëmbenin dot një mendim, një shikim, një buzëqeshje, një prekje të butë a një përqafim të ngrohtë. S’mund të këmbenin ‘shprehje dashurie’ ose ‘të plotësonin detyrimin’ martesor. (Këng. 1:2; 1 Kor. 7:3, 5) As mund ta adhuronin siç duhet Jehovain bashkë me djalin. Merilini kujton: «Në një kongres mësova se adhurimi i rregullt familjar është jetësor për të mbijetuar gjatë ditës së madhe të Jehovait. Atëherë e kuptova se ishte koha të kthehesha në shtëpi. Duhej të filloja të rindërtoja marrëdhënien me Jehovain dhe me familjen.»
KËSHILLË E MIRË —KËSHILLË E KEQE
12. Ç’këshillë nga Shkrimet mund t’u jepet atyre që jetojnë larg familjes?
12 Kur Merilini vendosi të kthehej në shtëpi, hasi reagime nga më të ndryshmet. Pleqtë e kongregacionit ku ishte, e lavdëruan për besimin e guximin. Por, disa të tjerë që po jetonin si ajo, larg bashkëshortit dhe familjes, bënë të kundërtën. Në vend që të ndiqnin shembullin e saj të mirë, u përpoqën t’i ndërronin mendje. I thanë: «Ke për të parë se do të kthehesh shpejt. Si do ta shtyni muajin po të vesh në shtëpi?» Në vend që të bëjnë komente të tilla shkurajuese, bashkëbesimtarët duhet t’i këshillojnë «të rejat që të duan burrat, të duan fëmijët, të jenë . . . punëtore në shtëpi», në shtëpinë e vet, «që të mos shahet fjala e Perëndisë».
13, 14. Pse duhet besim për ta vënë Jehovain para pretendimeve të familjes? Ilustrojeni.
13 Shumë emigrantë janë rritur në kultura ku mbi gjithçka vihet tradita dhe detyrimi ndaj familjes, sidomos ndaj prindërve. Të shkosh kundër zakoneve të vendit a dëshirave të familjes për t’i pëlqyer Jehovait, duhet vërtet besim.
14 Të mendojmë për rastin e Kerinës. Ajo tregon: «Bashkë me tim shoq punoja jashtë shtetit dhe sapo kisha filluar të studioja Biblën kur linda djalin, Donin. Të gjithë në familje pritnin ta çoja Donin në vendin tonë që të ma rritnin prindërit gjersa të ishim mirë ekonomikisht.» Kur Kerina këmbënguli ta rriste vetë Donin, të afërmit, madje edhe burri, e quajtën përtace dhe e vunë në lojë. Ajo shprehet: «Me thënë të drejtën atëherë nuk e kuptoja tamam ç’të keqe kishte t’ua lija Donin prindërve për disa vjet. Por e dija mirë se detyrën për të rritur djalin tonë, Jehovai na e kishte ngarkuar neve, prindërve të tij.» Kur mbeti prapë shtatzënë, i shoqi jobesimtar e urdhëroi të abortonte. Vendimi i duhur që kishte marrë më parë ia kishte forcuar besimin, dhe Kerina prapë i qëndroi besnike Jehovait. Tani ajo, i shoqi dhe fëmijët janë të lumtur që ndenjën së bashku. Sikur të kishte dërguar në vendin e saj njërin ose të dy fëmijët që t’i rritnin të tjerët, rezultati mund të kishte qenë krejt ndryshe.
15, 16. (a) Tregoni përvojën e një motre që prindërit nuk e rritën vetë. (b) Pse vendosi të mos vepronte njësoj me vajzën e saj?
15 Një Dëshmitare që quhet Viki, tregon: «Për disa vjet më rriti gjyshja, kurse prindërit mbajtën motrën e vogël. Kur u bashkova prapë me prindërit, ndjenjat që provoja për ta kishin ndryshuar. Motra u fliste lirshëm, i vinte natyrshëm t’i përqafonte dhe ishte shumë e lidhur me prindërit, kurse unë ndihesha si e huaj me ta. Madje, edhe kur u rrita, e kisha të vështirë t’u hapesha. Ne të dyja i kemi siguruar prindërit se do të kujdesemi për ta kur të plaken. Por, unë do ta bëj këtë më shumë nga ndjenja e detyrës, ndërsa motra më shumë nga dashuria.
16 Tani ime më do që t’i dërgoj vajzën që të ma rritë, siç më dërgoi ajo te mamaja e vet. Me lezet nuk pranova. Bashkë me burrin duam ta rritim fëmijën tonë në udhët e Jehovait. Gjithashtu, nuk dua të cenoj marrëdhënien e ardhshme me time bijë.» Viki ka parë se suksesi vjen vetëm kur vë Jehovain dhe parimet e tij para synimeve ekonomike dhe pretendimeve të familjes. Jezui tha troç se «askush s’mund të jetë skllav i dy zotërinjve», edhe i Perëndisë, edhe i pasurisë.
JEHOVAI I BËN ‘TË MBARA’ PËRPJEKJET TONA
17, 18. (a) Pse të krishterët kanë gjithmonë një rrugë tjetër? (b) Cilat pyetje do të trajtojmë në artikullin vijues?
17 Ati ynë, Jehovai, ka marrë përsipër të na ndihmojë të sigurojmë gjërat vërtet të nevojshme, nëse vëmë në radhë të parë në jetë Mbretërinë dhe drejtësinë e tij. (Mat. 6:33) E pra, të krishterët e vërtetë kanë gjithmonë një rrugë tjetër. Çfarëdo vështirësish të hasim, Jehovai premton të na sigurojë një ‘rrugëdalje’ që nuk kërkon të bëjmë kompromis me parimet biblike. (Lexo 1 Korintasve 10:13.) Kur ‘presim me zjarr’ Jehovain, kur ‘mbështetemi tek ai’ duke iu lutur për mençuri e drejtim dhe kur zbatojmë urdhërimet e parimet e tij, atëherë «ai do të veprojë» për të mirën tonë. (Psal. 37:5, 7) Ai do t’i bekojë në mënyrë konkrete përpjekjet tona të sinqerta për t’i shërbyer veç atij si të vetmit Zotëri të vërtetë. Nëse vëmë atë në radhë të parë, do të na e sjellë «mbarë» jetën.
18 Por, ç’mund të bëhet për të ndrequr dëmin që ka shkaktuar ndarja? Ç’hapa praktikë mund të hedhim që të sigurojmë gjërat e nevojshme për familjen, pa jetuar larg saj? Si mund t’i nxitim me dashuri të tjerët që të marrin vendimet e duhura në këtë drejtim? Këto pyetje do të trajtohen në artikullin vijues.
^ par. 1 Emrat janë ndryshuar.
^ par. 4 Ka të ngjarë që bijtë e Jakobit të mos kenë kaluar më shumë se tri javë larg familjeve gjatë çdo udhëtimi për në Egjipt. Më vonë, kur Jakobi dhe të bijtë u transferuan në Egjipt, morën me vete gratë e fëmijët.
^ par. 8 Shih serinë «Emigracioni
^ par. 9 Raporte nga vende të ndryshme tregojnë se jeta larg bashkëshortit a fëmijëve, për të punuar jashtë shtetit, i ka çuar disa në probleme të rënda. Ndër to janë tradhtia nga njëri a të dy bashkëshortët, homoseksualizmi ose incesti. Te fëmijët vërehet sjellje e mbrapshtë dhe rënie në mësime, agresivitet, ankth, depresion ose prirje për vetëvrasje.