Si të përballosh humbjen e bashkëshortit
BIBLA e thotë qartë: burri duhet «ta dojë gruan si veten», ndërsa gruaja duhet «të ketë respekt të thellë për burrin e saj». Të dy i përmbushin rolet përkatëse si «një mish i vetëm». (Efes. 5:33; Zan. 2:23, 24) Me kohë, lidhja mes një çifti forcohet, e po kështu edhe dashuria për njëri-tjetrin. Këtë mund ta krahasojmë me rrënjët e dy pemëve që rriten pranë e pranë. Ndjenjat e një burri dhe gruaje të lumtur thuren e gërshetohen.
Por, çfarë ndodh kur njëri nga bashkëshortët vdes? Ajo lidhje e pandashme gjatë jetës, shkëputet. Shpesh bashkëshorti që mbetet vetëm përjeton një sërë ndjenjash njëkohësisht, brengë, vetmi e madje zemërim ose faj. Gjatë 58 viteve martesë, Daniela kishte njohur shumë që kishin humbur bashkëshortin. * Por, pasi i vdiq burri, ajo tha: «Kurrë më parë s’e kisha kuptuar këtë ndjenjë. S’ke si ta kuptosh nëse nuk e përjeton vetë.»
DHEMBJE QË DUKET E PAFUND
Disa studiues mendojnë se asnjë situatë tjetër nuk të shkakton angështi më të thellë se vdekja e bashkëshortit të dashur. Shumë që kanë humbur bashkëshortin mendojnë njësoj. Burri i Mirës vdiq vite më parë. Duke përshkruar jetën si e ve, ajo shprehet: «Ndihem si gjysmënjeri.» Po fliste për gjendjen emocionale pas vdekjes së bashkëshortit me të cilin kishte kaluar 25 vjet.
Më parë, Suzana mendonte se vejushat që mbanin zi për vite të tëra për vdekjen e bashkëshortit, e ekzagjeronin disi. Mirëpo, më vonë burri i saj vdiq pas 38 viteve martesë. Edhe pse kanë kaluar mbi 20 vjet, ajo thotë: «Mendoj çdo ditë për të.» Shpesh qan, ngaqë e ndien shumë mungesën e tij.
Bibla e pranon se dhembja që të shkakton humbja e bashkëshortit të ther në shpirt për një kohë të gjatë. Kur Sara ra në gjumin e vdekjes, Abrahami, i shoqi, «hyri në tendë që ta vajtonte e ta qante Sarën». (Zan. 23:1, 2) Edhe pse besonte te ringjallja, Abrahamit i pikoi në zemër kur shoqja e tij e jetës mbylli sytë. (Hebr. 11:17-19) Kur Jakobit i vdiq gruaja e tij e dashur, Rakela, nuk e harroi shpejt. Ai u fliste me mall djemve për të.
Çfarë mësojmë nga këta shembuj biblikë? Vejanët e vejushat shpesh e vuajnë humbjen për vite me radhë. Lotët dhe momentet e tyre të trishta s’duhet t’i shohim si shenjë dobësie, por si shprehje normale të kësaj humbjeje të madhe. Mund të kenë nevojë për empatinë dhe mbështetjen tonë për një kohë të gjatë.
PËRBALLOJI DITËT NJËRA PAS TJETRËS
Nuk është e lehtë për një të ve të jetojë sërish si beqar. Pas vitesh martesë, zakonisht burri di si ta ngushëllojë gruan e si t’i japë zemër kur ajo ndihet keq ose e mërzitur. Nëse ai ikën, bashkë me të ikën edhe burimi i saj i dashurisë dhe i ngushëllimit. Po kështu, me kalimin e kohës gruaja mëson si ta bëjë të shoqin të ndihet i sigurt e i lumtur. Prekja e saj e ëmbël dhe fjalët qetësuese, vëmendja që u kushton interesave dhe nevojave të tij s’kanë të krahasuar. Nëse ajo vdes, ai mund të ndiejë zbrazëti. Prandaj, disa që humbin bashkëshortin, e shohin të ardhmen me pasiguri dhe frikë. Cilat parime biblike mund t’i ndihmojnë të gjejnë siguri dhe paqe?
«Mos jini kurrë në ankth për të nesërmen, sepse e nesërmja do të ketë ankthet e veta. Secilës ditë i mjafton e keqja e vet.» (Mat. 6:34) Këto fjalë të Jezuit zbatohen kryesisht për nevojat materiale, por kanë ndihmuar edhe shumë veta të përballojnë pikëllimin që kanë provuar kur u ka vdekur një njeri i dashur. Disa muaj pasi i vdiq e shoqja, Çarlsi shkroi: «Ende më merr malli tmerrësisht për Monikën, dhe ndonjëherë shtohet edhe më tepër. Megjithatë, e kuptoj se është normale dhe, me kalimin e kohës, dalëngadalë dhembja do të pakësohet disi.»
Po, Çarlsi duhej të duronte derisa ‘të kalonte koha’. Si ia doli? Ai tha: «Me ndihmën e Jehovait i përballova ditët njëra pas tjetrës.» Çarlsin nuk e mbyti pikëllimi. Dhembja nuk iu venit brenda natës, por as e treti. Nëse ke humbur bashkëshortin, përpiqu të përballosh dhembjen ditë pas dite. Nuk e di ç’të mira ose inkurajim do të të sjellë e nesërmja.
Vdekja nuk ishte pjesë e qëllimit fillestar të Jehovait. Përkundrazi, është pjesë e ‘veprave të Djallit’. (1 Gjon. 3:8; Rom. 6:23) Satanai e shfrytëzon vdekjen dhe frikën që sjell ajo për të mbajtur shumë njerëz në skllavëri e në një gjendje të pashpresë. (Hebr. 2:14, 15) Ai kënaqet kur dikush humb shpresën se do të gjejë lumturi e kënaqësi të vërtetë sot, e madje edhe në botën e re të Perëndisë. Kështu, dëshpërimi që ndien një bashkëshort i hidhëruar është pasojë e mëkatit të Adamit dhe e intrigave të Satanait. (Rom. 5:12) Jehovai do të ndreqë plotësisht dëmin që ka shkaktuar Satanai duke shkatërruar armën e tij mizore, vdekjen. Ndër njerëzit që do të çlirohen nga frika që përhap Satanai janë edhe ata që u ka vdekur bashkëshorti, siç mund të ketë ndodhur me ty.
Kur të vdekurit të ringjallen këtu në tokë, është e qartë se do të ndryshojnë shumë gjëra në marrëdhëniet njerëzore. Mendo për prindërit, gjyshërit e paraardhësit e tjerë që do të kthehen në jetë dhe do të shkojnë drejt përsosmërisë bashkë me fëmijët e nipërit. Pasojat e plakjes do të zhduken. Mos ndoshta brezave të rinj do t’u duhet të ndryshojnë pikëpamjen për paraardhësit e tyre? A besojmë se këto ndryshime do të jenë pjesë e zhvillimit të familjes njerëzore?
Pyetje të panumërta mund të na vijnë ndër mend për të ringjallurit, si për shembull, për ata që kanë humbur dy ose më shumë bashkëshortë. Saducenjtë pyetën për një grua së cilës i kishte vdekur burri i parë, pastaj i dyti dhe të tjerët me radhë. (Luka 20:27-33) Çfarë marrëdhënieje do të kenë me njëri-tjetrin kur të ringjallen? Nuk e dimë dhe nuk ia vlen të hamendemi ose të shqetësohemi për të panjohurën. Tani për tani duhet të kemi besim te Perëndia. Një gjë është e sigurt
SHPRESA E RINGJALLJES —BURIM NGUSHËLLIMI
Një nga mësimet më të qarta të Fjalës së Perëndisë është se të dashurit tanë që kanë vdekur do të kthehen në jetë. Tregimet biblike për ringjalljet në të kaluarën na sigurojnë se «të gjithë ata që janë në varre, do ta dëgjojnë zërin e tij [të Jezuit] dhe do të dalin». (Gjoni 5:28, 29) Në atë kohë, të gjallët do të gëzohen kur të takojnë ata që do të çlirohen nga kthetrat e vdekjes. Nga ana tjetër, as që e konceptojmë dot sa të lumtur do të jenë ata që do të ringjallen.
Kur të vdekurit të ngrihen, toka do të mbushet me gëzim si kurrë më parë. Miliarda njerëz dikur të vdekur do ta gjejnë veten sërish mes të gjallëve. (Mar. 5:39-42; Zbul. 20:13) Meditimi për këtë mrekulli të së ardhmes duhet t’i ngushëllojë të gjithë ata që u kanë vdekur njerëz të dashur.
A do të ketë dikush arsye të vlefshme për t’u trishtuar kur të ndodhë ringjallja madhështore? Sipas Biblës, jo. Tek Isaia 25:8 thuhet se Jehovai «do ta përpijë vdekjen përgjithmonë». Kjo do të thotë se do të çrrënjosë pasojat e trishtueshme të vdekjes pasi profecia vazhdon: «Zotëria Sovran Jehova do të fshijë lotët nga çdo fytyrë.» Nëse tani je i dëshpëruar ngaqë të ka vdekur shoku i jetës, me siguri ringjallja do të të japë arsye për të ngazëllyer.
Asnjë njeri nuk e kupton plotësisht çfarë do të bëjë Perëndia në botën e re. Jehovai thotë: «Ashtu si qiejt qëndrojnë më lart se toka, edhe udhët e mia janë më lart se udhët tuaja, dhe mendimet e mia më lart se mendimet tuaja.» (Isa. 55:9) Premtimi i Jezuit për ringjalljen në të ardhmen na jep mundësi për të besuar te Jehovai, siç bëri Abrahami. Për të gjithë ne si të krishterë është jetësore të bëjmë çdo gjë që kërkon Perëndia prej nesh dhe kështu ‘të quhemi të denjë për të fituar jetën në sistemin që do të vijë’ bashkë me ata që do të ringjallen.
ARSYE PËR SHPRESË
Në vend që të jesh në ankth, ki shpresë. Nga pikëpamja njerëzore, e ardhmja është e zymtë. Por, Jehovai na jep shpresë për diçka më të mirë. S’mund ta dimë me saktësi si do t’i plotësojë Jehovai të gjitha nevojat dhe dëshirat tona, megjithatë s’duhet të dyshojmë se do ta bëjë këtë. Apostulli Pavël shkroi: «Shpresa që shihet, nuk është më shpresë, sepse kush shpreson tek ajo që sheh?! Por kur shpresojmë tek ajo që nuk shohim, vazhdojmë ta presim me qëndrueshmëri.» (Rom. 8:24, 25) Shpresa e fortë te premtimet e Perëndisë do të të ndihmojë të qëndrosh. Falë qëndrueshmërisë do të përjetosh të ardhmen madhështore kur Jehovai ‘do të të japë çfarë të të dojë zemra’. Ai do të plotësojë «dëshirën e çdo krijese».
Kur po afrohej vdekja e Jezuit, apostujt ishin të trazuar. Jezui i ngushëlloi me këto fjalë: «Mos e lini zemrën tuaj të trazohet. Tregoni besim te Perëndia, tregoni besim edhe tek unë.» Pastaj u tha: «Nuk do t’ju lë të pikëlluar. Unë po vij te ju.» (Gjoni 14:1-4, 18, 27) Këto fjalë u dhanë bazën për shpresë dhe qëndrueshmëri dishepujve të tij të mirosur përgjatë shekujve. Ata që mezi presin të takojnë njerëzit e dashur që u kanë vdekur nuk kanë pse të ndihen pa shpresë. Jehovai dhe Biri i tij nuk do t’i lënë të pikëlluar. Ji i sigurt për këtë!
^ par. 3 Emrat janë ndryshuar.