Shërbimi ndaj Perëndisë është ilaç për të
Kur dy pionierë në Kenia i ftuan brenda në një shtëpi, u habitën kur panë një burrë me trup tejet të brishtë, shtrirë në krevat. Ai kishte shtat shumë të vogël dhe krahë të shkurtër. Kur i treguan premtimin e Perëndisë se «i çali do t’i ngjitë të përpjetat si një dre», buzëqeshi vesh më vesh.
Pionierët morën vesh se Onesmusi, tani në fund të të 30-ave, kishte lindur me osteogjenezë të paplotë ose sëmundjen e kockave të brishta. Kockat e tij ishin tepër të dobëta, aq sa mund të thyheshin qoftë edhe me një prekje të lehtë. Përderisa nuk kishte shërim ose mjekim të efektshëm për këtë sëmundje, nuk priste gjë tjetër veçse një jetë plot me dhembje, i ngujuar në karrocë invalidësh.
Onesmusi pranoi një studim biblik. Megjithatë, mamaja nuk donte që ai të ndiqte mbledhjet e krishtere, ngaqë mendonte se kjo mund ta dëmtonte më shumë e t’i shkaktonte dhembje. Kështu, vëllezërit i regjistronin mbledhjet dhe Onesmusi i dëgjonte në shtëpi. Pas pesë muajsh studim vendosi t’i ndiqte mbledhjet pavarësisht nga rreziqet.
A ia shtoi kjo dhembjet Onesmusit? Përkundrazi. Ai kujton: «Dukej se dhembjet e pandërprera pakësoheshin gjatë mbledhjeve.» Mendonte se arsyeja pse ndihej më mirë ishte shpresa e sapogjetur. Mamaja e Onesmusit vërejti se humori i të birit ndryshoi për mirë dhe u kënaq aq shumë, saqë pranoi një studim biblik. Ajo thoshte shpesh: «Shërbimi ndaj Perëndisë është ilaç për tim bir.»
S’kaloi shumë dhe Onesmusi u bë lajmëtar i papagëzuar. Më vonë u pagëzua dhe tani shërben si shërbëtor ndihmës. Edhe pse nuk mund t’i përdorte këmbët dhe njërin krah, kishte dëshirë të bënte më të mirën në shërbim të Jehovait. Donte të shërbente si pionier ndihmës, por ngurronte të plotësonte kërkesën. Pse? Sepse e dinte se do të ishte plotësisht i varur nga një tjetër që t’i shtynte karrocën. Kur ua shprehu këtë merak vëllezërve në kongregacion, ata i premtuan se do ta mbështetnin. Dhe kështu bënë, e ndihmuan Onesmusin të shërbente si pionier ndihmës.
Të njëjtin merak kishte kur donte të shërbente si pionier i rregullt. Megjithatë, një ditë mori inkurajimin e duhur nga shkrimi i ditës që ishte Psalmi 34:8: «Provoni dhe shijoni se sa i mirë është Jehovai!» Pasi meditoi për shkrimin, Onesmusi vendosi të bëhej pionier i rregullt. Tani del në predikim katër ditë në javë dhe drejton disa studime biblike që po ecin mirë frymësisht. Më 2010 ndoqi Shkollën e Shërbimit për Pionierë. Për gëzimin e tij njëri prej instruktorëve ishte një nga vëllezërit që i trokiti për herë të parë në derë.
Edhe pse prindërit i kanë vdekur, vëllezërit dhe motrat nga kongregacioni kujdesen për nevojat e tij të përditshme. Ai është mirënjohës për gjithë bekimet që gëzon tani dhe mezi pret ditën kur «asnjë banor nuk do të thotë: ‘Jam sëmurë.’»