Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të interesohemi dhe të inkurajojmë njëri-tjetrin

Të interesohemi dhe të inkurajojmë njëri-tjetrin

«Le të interesohemi për njëri-tjetrin, që të nxitemi për dashuri dhe vepra të shkëlqyera.»HEBR. 10:24.

1, 2. Çfarë i ndihmoi 230 Dëshmitarë të Jehovait t’i mbijetonin marshimit të vdekjes në fund të Luftës II Botërore?

NË FUND të Luftës II Botërore, teksa regjimi nazist po perëndonte, u dha një urdhër për të asgjësuar ata mijëra që kishin mbetur në kampet e përqendrimit. Të burgosurit e kampit të Zaksenhauzenit do t’i evakuonin drejt porteve detare ku do t’i hipnin në anije e do t’i fundosnin në det. Kjo ishte pjesë e strategjisë që më vonë u bë e njohur si marshime të vdekjes.

2 Tridhjetë e tre mijë të burgosurit nga kampet e përqendrimit të Zaksenhauzenit duhej të marshonin 250 km për në Lybek, qytet-port në Gjermani. Mes tyre ishin 230 Dëshmitarë të Jehovait nga gjashtë vende, të cilët kishin marrë urdhër të marshonin së bashku. Të gjithë ishin dobësuar nga mungesa e bukës dhe sëmundjet. Si ia dolën të mbijetonin vëllezërit tanë në këtë marshim? Njëri prej tyre tha: «Gjatë gjithë kohës inkurajonim njëri-tjetrin që të vazhdonim të ecnim.» «Fuqia përtej asaj që është normale» nga Perëndia si edhe dashuria për njëri-tjetrin i ndihmoi t’i mbijetonin atij tmerri.2 Kor. 4:7.

3. Pse duhet të inkurajojmë njëri-tjetrin?

3 Sot, nuk jemi në një marshim të tillë vdekjeje, megjithatë hasim vështirësi të shumta. Pas vendosjes së Mbretërisë së Perëndisë më 1914, Satanai u dëbua nga qiejt dhe u kufizua në afërsi të tokës, me «zemërim të madh, ngaqë e di se ka një periudhë kohe të shkurtër». (Zbul. 12:7-9, 12) Ndërsa kjo botë i afrohet Harmagedonit, Satanai po përdor sprovat dhe presionet, duke u orvatur të na dobësojë frymësisht. Përveç kësaj, shtohet edhe stresi i jetës së përditshme. (Jobi 14:1; Ekl. 2:23) Ndonjëherë vështirësitë e grumbulluara mund të na gërryejnë shpirtin aq shumë, sa forca jonë emocionale e frymore mund të mos mjaftojë për  të përballuar zhgënjimet. Të mendojmë për një vëlla që për dekada ka ndihmuar dhjetëra veta nga ana frymore. Por, në moshë të thyer, kur atij dhe gruas filloi t’u ligështohej shëndeti, ai po ndihej përtokë. Ashtu si ky vëlla, të gjithë ne kemi nevojë për ‘fuqi përtej asaj që është normale’ nga Jehovai, si edhe për inkurajim nga njëri-tjetri.

4. Nëse do të inkurajojmë të tjerët, cilën këshillë të apostullit Pavël duhet të marrim seriozisht?

4 Nëse duam të jemi burim inkurajimi për të tjerët, duhet ta marrim seriozisht nxitjen që apostulli Pavël u dha të krishterëve hebrenj. «Le të interesohemi për njëri-tjetrin, që të nxitemi për dashuri dhe vepra të shkëlqyera, pa braktisur mbledhjet tona, siç e kanë zakon disa, por duke inkurajuar njëri-tjetrin e aq më tepër tani, që e shihni se dita po afrohet.» (Hebr. 10:24, 25) Si mund ta zbatojmë këshillën që gjendet në këto fjalë domethënëse?

«TË INTERESOHEMI PËR NJËRI-TJETRIN»

5. Çfarë do të thotë «të interesohemi për njëri-tjetrin» dhe ç’përpjekje kërkohen për këtë?

5 «Të interesohemi për njëri-tjetrin» do të thotë «të marrim parasysh nevojat e të tjerëve, të mendojmë për ta». A mund të interesohemi nga afër për nevojat e të tjerëve po të mjaftohemi thjesht me një përshëndetje të shpejtë në Sallën e Mbretërisë a me një bisedë për gjëra të papërfillshme? Vështirë. Kuptohet, duam të bëjmë kujdes ‘të shikojmë punët tona’ dhe të mos ‘futim hundët në punët e të tjerëve’. (1 Sel. 4:11; 1 Tim. 5:13) Prapëseprapë, nëse duam t’u japim zemër vëllezërve tanë, duhet t’i njohim mirë—rrethanat, cilësitë, gjendjen frymore, pikat e forta dhe të dobëta. Ata duhet të na shohin si miq dhe të ndihen të sigurt se i duam. Për këtë duhet të kalojmë kohë me ta, jo vetëm kur hasin probleme e kur ndihen të shkurajuar, por edhe në raste të tjera.Rom. 12:13.

6. Çfarë do ta ndihmojë një plak ‘të interesohet’ për ata që ka nën kujdes?

6 Pleqtë në kongregacion nxiten ‘të kullotin kopenë e Perëndisë që është nën kujdesin e tyre’, dhe ta bëjnë këtë vullnetarisht dhe me gatishmëri. (1 Pjet. 5:1-3) Si mund ta kryejnë siç duhet veprën baritore, po të mos i njohin mirë delet që kanë nën kujdes? (Lexo Proverbat 27:23.) Nëse pleqtë vihen në dispozicion dhe kënaqen me shoqërinë e bashkëbesimtarëve, ka shumë të ngjarë që këto dele t’u kërkojnë ndihmë kur t’u nevojitet. Gjithashtu, vëllezërit e motrat do të jenë më të prirur të shprehin hapur ndjenjat dhe shqetësimet që kanë. Kjo u jep mundësi pleqve ‘të interesohen’ e t’u japin ndihmën e nevojshme atyre që kanë nën kujdes.

7. Si duhet t’i konsiderojmë ‘fjalët e rrëmbyera’ të atyre që ndihen përtokë?

7 Duke iu drejtuar kongregacionit në Selanik, Pavli tha: «Mbështetni të dobëtit.» (Lexo 1 Selanikasve 5:14.) ‘Shpirtrat e dëshpëruar’ në njëfarë kuptimi janë të dobët, siç janë edhe zemërlëshuarit. Proverbat 24:10 thotë: «Po të shkurajohesh në ditë të keqe, fuqia jote do të jetë e paktë.» Fjalët e një personi tejet të shkurajuar mund të kthehen në «fjalë të rrëmbyera». (Jobi 6:2, 3) Kur ‘interesohemi’ për këta njerëz, s’duhet të harrojmë se ajo që thonë mund të mos pasqyrojë tamam atë që kanë vërtet në zemër. Rakela, mamaja e së cilës ra në depresion të rëndë, e mësoi këtë nga përvoja. Ajo tha: «Shpeshherë mamaja thoshte diçka dashakeqe. Shumicën e këtyre rasteve, përpiqesha të sillja ndër mend kush është vërtet mamaja, e dashur, mirëdashëse dhe bujare. Mësova që njerëzit me depresion thonë gjëra që nuk i kanë me gjithë mend. Më e keqja është t’ua  kthesh me të njëjtën monedhë.» Proverbat 19:11 thotë: «Gjykimi i thellë me siguri ia ngadalëson zemërimin njeriut, dhe është gjë e bukur nga ana e tij të kapërcejë shkeljen.»

8. Cilët në veçanti duhet ‘t’i sigurojmë’ për dashurinë tonë dhe pse?

8 Si mund ‘të interesohemi’ për dikë që është zemërlëshuar për shkak të turpit dhe dëshpërimit që provon ende për ndonjë shkelje në të kaluarën, edhe pse ka marrë masa për t’i ndrequr? Për një keqbërës të penduar në Korint, Pavli shkroi: «Duhet ta falni me dashamirësi e ta ngushëlloni, që ai të mos përpihet në ndonjë mënyrë nga trishtimi i tepërt. Prandaj, ju nxit ta siguroni për dashurinë tuaj.» (2 Kor. 2:7, 8) Sipas një fjalori biblik, termi i përkthyer «ta siguroni» do të thotë «ta ratifikosh, ta bësh të vlefshëm, ta bësh të detyrueshëm ligjërisht». Nuk mund të pretendojmë që dikush ta kuptojë vetë se e duam dhe interesohemi për të. Ai ka nevojë ta shohë konkretisht këtë nga shprehjet dhe veprimet tona.

«TË NXITEMI PËR DASHURI DHE VEPRA TË SHKËLQYERA»

9. Çfarë do të thotë «të nxitemi për dashuri dhe vepra të shkëlqyera»?

9 Pavli shkroi: «Le të interesohemi për njëri-tjetrin, që të nxitemi për dashuri dhe vepra të shkëlqyera.» Duhet t’i motivojmë bashkëbesimtarët të shfaqin dashuri dhe të përfshihen në vepra të shkëlqyera. Kur zjarri po shuhet, mbase duhet të përziejmë prushin e t’i fryjmë flakëve që të rrijë i ndezur. (2 Tim. 1:6) Po njësoj, mund t’i nxitim përzemërsisht vëllezërit të tregojnë dashuri për Perëndinë e për të tjerët. Lavdërimet me vend janë të domosdoshme për t’i nxitur të tjerët për vepra të shkëlqyera.

Ftojmë të tjerët për të dalë në predikim

10, 11. (a) Kush prej nesh ka nevojë për lavdërime? (b) Tregoni se si mund ta ndihmojnë lavdërimet dikë që ka hedhur «ndonjë hap të gabuar».

10 Pavarësisht nëse jemi shkurajuar apo jo, të gjithë kemi nevojë për lavdërime. Një plak shkroi: «Im atë nuk më ka thënë kurrë se e kisha bërë diçka mirë. Kështu që u rrita duke mos pasur vlerësim për veten.  . . . Edhe pse tani jam 50 vjeç, e vlerësoj sigurinë që më japin miqtë e mi kur më thonë se po e kryej mirë caktimin si plak. . . . Përvoja më ka mësuar sa e rëndësishme është t’u japësh zemër të tjerëve dhe bëj çmos për këtë.» Lavdërimet mund t’ua ngrenë zemrën peshë të gjithëve, përfshirë pionierët, të moshuarit dhe ata që mund të ndihen përtokë.Rom. 12:10.

11 Kur ‘ata që kanë kualifikime frymore’ përpiqen të ndreqin dikë që ‘ka hedhur ndonjë hap të gabuar’, këshillat e dashura dhe lavdërimet me vend mund ta motivojnë keqbërësin të kthehet në udhën e veprave të shkëlqyera. (Gal. 6:1) Kështu ndodhi me një motër që quhet Miriam. Ajo shkruan: «Kalova një periudhë tronditëse në jetë kur disa miq të ngushtë e lanë të vërtetën dhe, në të njëjtën kohë, babai pësoi hemorragji cerebrale. Rashë në depresion të rëndë. Që të kaloja depresionin, fillova të dilja me një djalë nga bota.» Si pasojë, ndjeu se nuk e meritonte dashurinë e Jehovait dhe po mendonte ta linte të vërtetën. Kur një plak i solli ndër mend shërbimin e saj besnik në të kaluarën, u prek dhe i lejoi pleqtë ta siguronin për dashurinë e Jehovait. Kështu, dashuria e saj për Të u rindez. E ndërpreu lidhjen me jobesimtarin dhe vazhdoi t’i shërbente Jehovait.

Nxitim për dashuri dhe vepra të shkëlqyera

12. Ç’mund të themi kur përpiqemi të motivojmë dikë duke e turpëruar, kritikuar ose fajësuar?

12 Po ta turpërojmë dikë me krahasime të pavenda, po ta kritikojmë bazuar në standardet tona të rrepta ose po ta bëjmë të ndihet fajtor ngaqë nuk jep sa duhet, mund ta motivojmë të veprojë mirë për njëfarë kohe, por kjo nuk do të zgjatë shumë. Përkundrazi, kur e lavdërojmë një bashkëbesimtar dhe kur e nxitim bazuar në dashurinë e tij për Perëndinë, kjo mund të ndikojë gjatë e mirë tek ai.Lexo Filipianëve 2:1-4.

‘TË INKURAJOJMË NJËRI-TJETRIN’

13. Çfarë përfshin inkurajimi i të tjerëve? (Shih figurën pranë titullit.)

13 Duhet ‘të inkurajojmë njëri-tjetrin e aq më tepër tani, që e shohim se dita po afrohet’. Inkurajimi i të tjerëve përfshin t’i nxitim të vazhdojnë të ecin para në shërbimin ndaj Perëndisë. Ashtu si nxitja për dashuri dhe vepra të shkëlqyera mund të krahasohet me trazimin e prushit kur zjarri po shuhet, inkurajimi mund të krahasohet me hedhjen e druve zjarrit që të mbetet i ndezur ose të bëhet më i fortë. Inkurajimi i të tjerëve përfshin forcimin dhe ngushëllimin e zemërlëshuarve. Kur na jepet mundësia t’i japim zemër një personi të tillë, duhet të flasim butë e ngrohtë. (Prov. 12:18) Gjithashtu, le ‘të jemi të shpejtë në të dëgjuar’ dhe ‘të mos nxitohemi në të folur’. (Jak. 1:19) Nëse dëgjojmë me empati, mund të jemi në gjendje të dallojmë atë çka e shkurajon një të bashkëkrishterë dhe të themi diçka që e ndihmon t’i përballojë me sukses këto rrethana.

Gëzojmë shoqëri të shëndetshme

14. Si u ndihmua një vëlla i shkurajuar?

 14 Të mendojmë për një plak të dhembshur që ndihmoi një vëlla i cili kishte qenë joaktiv për disa vjet. Ndërsa plaku e dëgjonte, e kuptonte se vëllai kishte ende dashuri të thellë për Jehovain. Studionte me zell çdo numër të Kullës së Rojës dhe po bënte përpjekje t’i ndiqte rregullisht mbledhjet. Megjithatë, ishte zhgënjyer nga veprimet e disave në kongregacion dhe mbante pak mëri. Plaku e dëgjoi me empati pa e gjykuar dhe e siguroi për merakun e dashur për të e familjen e tij. Dalëngadalë, vëllai e kuptoi se i kishte lejuar përvojat negative të së kaluarës ta pengonin t’i shërbente Perëndisë që ai donte shumë. Plaku e ftoi të dilnin bashkë në predikim. Me ndihmën e tij, vëllai nisi sërish shërbimin dhe, me kohë, u kualifikua të shërbente prapë si plak.

Dëgjojmë me durim dikë që ka nevojë për inkurajim (Shih paragrafët 14, 15.)

15. Ç’mund të mësojmë nga Jehovai që t’u japim zemër atyre që ndihen përtokë?

15 Një person i shkurajuar mund të mos ndihet mirë aty për aty ose mund të mos e pranojë menjëherë ndihmën që i ofrojmë. Mbase duhet të vazhdojmë ta mbështetim. Pavli tha: «Të ndihmoni të dobëtit dhe të jeni të duruar me të gjithë.» (1 Sel. 5:14, Diodati i Ri) Në vend që të heqim dorë shpejt nga i dobëti, le ta ndihmojmë dhe ta përkrahim pa pushim. Në të kaluarën, Jehovai u tregua i duruar me ata shërbëtorë që nganjëherë u shkurajuan. Për shembull, Perëndia i tregoi hir Elijas, duke marrë parasysh ndjenjat e tij. Jehovai i dha profetit atë që i nevojitej për të vazhduar në shërbim. (1 Mbret. 19:1-18) Jehovai e fali me dashamirësi Davidin, ngaqë ai u pendua sinqerisht. (Psal. 51:7, 17) Perëndia ndihmoi edhe shkrimtarin e Psalmit 73, i cili gati-gati hoqi dorë nga shërbimi. (Psal. 73:13, 16, 17) Jehovai është hirmadh dhe dashamirës me ne, sidomos kur na lëshon zemra dhe kur ndihemi përtokë. (Dal. 34:6) Mëshira e tij është ‘e re çdo mëngjes’ dhe «s’ka për të mbaruar». (Vajt. 3:22, 23) Jehovai pret që të ndjekim shembullin e tij dhe t’i trajtojmë me butësi zemërlëshuarit.

TË INKURAJOJMË NJËRI-TJETRIN QË TË QËNDROJMË NË UDHËN E JETËS

16, 17. Çfarë jemi të vendosur të bëjmë ndërsa afrohet fundi i sistemit dhe pse?

16 Nga 33.000 të burgosurit që u nisën nga kampi i përqendrimit i Zaksenhauzenit, mijëra vdiqën. Megjithatë, secili nga 230 Dëshmitarët e Jehovait që dolën nga kampi, i mbijetoi tmerrit. Inkurajimi dhe mbështetja që morën nga njëri-tjetri ishin faktorë kyç që e shndërruan marshimin e vdekjes në marshim mbijetese.

17 Sot, jemi në ‘rrugën që të çon në jetë’. (Mat. 7:14) Së shpejti, të gjithë adhuruesit e Jehovait do të hyjnë së bashku në botën e re të drejtë. (2 Pjet. 3:13) Qofshim të vendosur të ndihmojmë njëri-tjetrin teksa ecim në shtegun që çon në jetën e përhershme!