Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pleq, a do ta freskoni «shpirtin e lodhur»?

Pleq, a do ta freskoni «shpirtin e lodhur»?

Anxhela, * një motër beqare në të 30-at, është pak në tension. Po pret çfarë do t’i thonë pleqtë. Vërtet, ajo ka munguar në disa mbledhje, por ndihet e rraskapitur pas një dite pune të gjatë duke u kujdesur për të moshuarit. Përveç punëve të përditshme, është shumë e shqetësuar edhe për shëndetin e mamasë.

Nëse do t’i bënit një vizitë Anxhelës, si do ta inkurajonit këtë ‘shpirt të lodhur’? (Jer. 31:25) Së pari, si do të përgatiteshit për të bërë një vizitë baritore freskuese?

MENDONI PËR RRETHANAT E VËLLEZËRVE

Hera-herës, të gjithë mund të lodhemi për shkak të punës ose të përgjegjësive teokratike. Për shembull, profeti Daniel ‘u ndie i sfilitur’ kur mori një vegim që nuk e kuptonte. (Dan. 8:27) Mirëpo, u ndihmua kur iu shfaq engjëlli Gabriel. Lajmëtari i Perëndisë i dha kuptueshmëri Danielit, e siguroi se Jehovai ia kishte dëgjuar lutjet dhe i tha se ende ishte «shumë i vyer». (Dan. 9:21-23) Një herë tjetër, këto fjalë të zgjedhura mirë të thëna nga një engjëll tjetër e forcuan profetin e rraskapitur.Dan. 10:19.

Para se të bëni vizitën, mendoni për situatën e bashkëbesimtarit

Po njësoj, para se të vizitoni një bashkëbesimtar, që mund të jetë i lodhur a i shkurajuar, gjeni kohë për të menduar për rrethanat që ka. Çfarë problemesh po has? Si po i shterojnë energjitë nga këto probleme? Cilat cilësi të mira po shfaq? Riçardi, një plak prej më se 20 vjetësh,  tha: «Kur përgatitem, përqendrohem te pikat e forta të vëllezërve. Duke i shqyrtuar me kujdes rrethanat e tyre para se t’i vizitoj, e kam më të lehtë të gjej mënyra për t’u dhënë zemër sipas nevojave që kanë.» Nëse do ta bëni këtë vizitë me një plak tjetër, pse të mos e shqyrtoni bashkë situatën e vëllait?

BËJINI VËLLEZËRIT TË NDIHEN REHAT

Me siguri jeni dakord se është e sikletshme të flasësh për ndjenjat e tua. Ta zëmë se vëllai mund ta ketë të vështirë të hapet kur e vizitojnë pleqtë. Atëherë, si mund ta thyeni akullin? Një buzëqeshje e sinqertë dhe pak fjalë zemërdhënëse mund të ndikojnë për mirë. Majkëlli, një plak prej më shumë se 40 vjetësh, shpesh i fillon vizitat me fjalë të tilla, si: «E di se një nga privilegjet më të këndshme për një plak është t’i vizitojë vëllezërit në shtëpitë e tyre e t’i njohë më mirë. Prandaj e kam pritur me padurim vizitën sot.»

Që në fillim të vizitës, mund ta shihni të udhës të bëni një lutje të përzemërt. Në lutjet e tij, apostulli Pavël me të drejtë theksoi besimin, dashurinë dhe qëndrueshmërinë e vëllezërve. (1 Sel. 1:2, 3) Duke u shprehur se si ndiheni për cilësitë e mira të vëllezërve, në të vërtetë po përgatitni si zemrën tuaj, ashtu edhe të tijën për një bisedë ndërtuese. Fjalët tuaja mund ta qetësojnë. «Të gjithë ne ndonjëherë i harrojmë të mirat që po bëjmë. Kështu që, kur dikush na i kujton, na freskon shpirtin»,—vëren Rei, një plak me përvojë.

JEPNI NDONJË DHURATË FRYMORE

Ashtu si Pavli, mund të jepni ndonjë «dhuratë frymore» duke ndarë një mendim nga Bibla, sikur edhe një varg të vetëm. (Rom. 1:11) Për shembull, një vëlla që ndihet përtokë, mund ta konsiderojë  veten të pavlerë, ashtu si psalmisti që e krahasoi veten me një ‘calik [të fishkur] që e rreh tymi’. (Psal. 119:83, 176) Pasi ta shpjegoni shkurtimisht këtë shprehje, mund të tregoni se jeni të sigurt se vëllai ‘nuk i ka harruar’ urdhërimet e Perëndisë.

Po njësoj, ilustrimi për drahmën e humbur mund ta prekë një motër e cila është larguar nga kongregacioni ose ka ngadalësuar ritmin në shërbim. (Luka 15:8-10) Monedha e humbur mund të ketë qenë pjesë e një varëseje me vlerë plot monedha argjendi. Shqyrtimi i këtij ilustrimi mund ta ndihmojë të kuptojë se është pjesë e çmuar e kongregacionit të krishterë. Pasi të diskutoni këtë, mund të theksoni sa shumë interesohet Jehovai për të si një nga delet e tij të vogla.

Zakonisht, bashkëbesimtarëve u pëlqen të shprehin mendime për Biblën. Prandaj, mos flitni vetëm ju. Pasi të lexoni një varg që lidhet me situatën e tyre, mund të veçoni një fjalë a shprehje kryesore dhe t’u kërkoni të thonë ndonjë mendim. Për shembull, pasi të lexojë 2 Korintasve 4:16, një plak mund ta pyesë: «A ke përjetuar situata kur të ka përtërirë Jehovai?» Me anë të kësaj metode mund ‘të inkurajoni njëri-tjetrin’.Rom. 1:12.

Zakonisht, bashkëbesimtarëve u pëlqen të shprehin mendime për Biblën

Gjithashtu, mund ta freskoni një bashkëbesimtar duke u ndalur te një personazh biblik tek i cili ai ose ajo gjen veten. Dikush që e ka lëshuar zemra, ka të ngjarë të ndihet si personazhe të tilla, si Hana ose Epafroditi, që hera-herës ndiheshin përtokë, por prapë mbetën të çmuar në sytë e Perëndisë. (1 Sam. 1:9-11, 20; Filip. 2:25-30) Pse të mos shqyrtoni disa shembuj të mirë nga Bibla, po të jetë e mundur?

VAZHDONI TË INTERESOHENI

Mund të tregoni se merakoseni sinqerisht për vëllezërit dhe motrat, duke u interesuar edhe pas vizitës. (Vep. 15:36) Në fund të vizitës, mund të jetë praktike të lini takim që të dilni bashkë në shërbim. Kur Bernardi, një plak me përvojë, takon prapë një vëlla ose një motër që ka vizituar kohët e fundit, zakonisht e hedh fjalën me takt te ndonjë sugjerim që i ka dhënë, duke e pyetur: «Më thuaj, a të bëri punë?» Duke treguar interes të tillë personal, do të kuptoni nëse ka nevojë akoma për ndihmë.

Më shumë se kurrë, vëllezërit dhe motrat kanë nevojë të ndiejnë se dikush interesohet për ta, i kupton dhe i do. (1 Sel. 5:11) Pra, para se të bëni një vizitë baritore, gjeni kohë të mendoni gjatë për situatën e tyre. Lutuni për këtë. Veçoni shkrime të përshtatshme. Atëherë do të gjeni fjalët e duhura për të freskuar «shpirtin e lodhur».

^ par. 2 Emrat janë ndryshuar.