Si do të marrë fund kjo botë?
«Ju . . . nuk jeni në errësirë, që ajo ditë t’ju zërë si hajdutët.»—1 SEL. 5:4.
1. Çfarë do të na ndihmojë të qëndrojmë vigjilentë dhe të përballojmë sprovat?
SË SHPEJTI do të ndodhin ngjarje që do të tronditin mbarë tokën. Përmbushja e profecive biblike e vërteton këtë fakt, prandaj kemi nevojë të qëndrojmë vigjilentë. Çfarë do të na ndihmojë ta bëjmë këtë? Apostulli Pavël na nxit që ‘t’i kemi sytë te gjërat që nuk shihen’. Po, duhet të mbajmë ndër mend shpërblimin e jetës së përhershme, qoftë në qiell, qoftë në tokë. Siç tregon konteksti, Pavli i shkroi këto fjalë që t’i inkurajonte bashkëbesimtarët të përqendroheshin te rezultati i lumtur që do të kishte udha e tyre besnike. Një gjë e tillë do të na ndihmojë edhe ne të përballojmë sprovat e përndjekjen.—2 Kor. 4:8, 9, 16-18; 5:7.
2. (a) Çfarë duhet të bëjmë që ta mbajmë të patundur shpresën tonë? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull dhe në atë vijues?
2 Këshilla e Pavlit përmban një parim të rëndësishëm: që ta mbajmë të patundur shpresën tonë, duhet të shohim përtej gjërave që kemi para syve. Duhet të përqendrohemi te ngjarjet domethënëse që nuk shihen ende. (Hebr. 11:1; 12:1, 2) Kështu, le të shqyrtojmë dhjetë ngjarje të ardhshme që lidhen ngushtë me shpresën e jetës së përhershme. *
ÇFARË DO TË NDODHË PAK PARA FUNDIT?
3. (a) Cila ngjarje e ardhshme përmendet te 1 Selanikasve 5:2, 3? (b) Çfarë do të bëjnë udhëheqësit politikë dhe cilët mund të bashkohen me ta?
3 Një nga këto ngjarje të ardhshme e përmend Pavli në letrën e tij drejtuar selanikasve. (Lexo 1 Selanikasve 5:2, 3.) Ai e tërheq vëmendjen te «dita e Jehovait». Siç përdoret këtu, «dita e Jehovait» i referohet periudhës që do të nisë me shkatërrimin e fesë së rreme dhe do të arrijë kulmin në luftën e Harmagedonit. Megjithatë, pak para se të fillojë kjo ditë e Jehovait, udhëheqësit botërorë do të jenë duke thënë: «Paqe dhe siguri!» Kjo mund t’i referohet një ngjarjeje ose një serie ngjarjesh. Kombet mund të mendojnë se janë afër zgjidhjes së disa prej problemeve të tyre të mëdha. Po udhëheqësit fetarë? Ata janë pjesë e botës, prandaj ka të ngjarë që edhe ata të bashkohen me shpalljen e udhëheqësve politikë. (Zbul. 17:1, 2) Në këtë mënyrë, kleri do të jetë duke imituar profetët e rremë të Judës së lashtë. Jehovai tha për ta: «Ata [thonë]: ‘Ka paqe! Ka paqe!’, kur paqe s’ka.»—Jer. 6:14; 23:16, 17.
4. Çfarë dallojmë ne ndryshe nga njerëzimi në përgjithësi?
4 Pavarësisht se kush do të thotë «Paqe dhe siguri!», kjo ngjarje do të tregojë se dita e Jehovait është në prag. Ja përse Pavli mundi të thoshte: «Ju, vëllezër, nuk jeni në errësirë, që ajo ditë t’ju zërë si hajdutët, sepse ju jeni të gjithë bij të dritës.» (1 Sel. 5:4, 5) Ndryshe nga njerëzimi në përgjithësi, ne e dallojmë kuptimin biblik të ngjarjeve që ndodhin sot. Si do të përmbushet saktësisht kjo profeci për shpalljen: «Paqe dhe siguri!» Duhet të presim e ta shohim. Prandaj, le të jemi të vendosur që «të rrimë zgjuar dhe të ruajmë gjykimin».—1 Sel. 5:6; Sof. 3:8.
NJË «MBRETËRESHË» QË S’I BËN MIRË LLOGARITË
5. (a) Si do të nisë ‘shtrëngimi i madh’? (b) Cila «mbretëreshë» do t’i bëjë gabim llogaritë e mbijetesës së saj?
5 Cila ngjarje tjetër do të ndodhë më pas? Pavli tha: «Kur të thonë: ‘Paqe dhe siguri!’, atëherë një shkatërrim i beftë do të bjerë në çast mbi ta.» Faza e parë e këtij ‘shkatërrimi të beftë’ është sulmi kundër ‘Babilonisë së Madhe’, perandorisë botërore të fesë së rreme, që njihet ndryshe edhe si «prostituta». (Zbul. 17:5, 6, 15) Sulmi kundër të gjitha formave të fesë së rreme, përfshirë krishterimin e rremë, shënon fillimin e ‘shtrëngimit të madh’. (Mat. 24:21; 2 Sel. 2:8) Për shumë njerëz, kjo ngjarje do të ndodhë befasisht. Pse? Sepse në atë pikë, prostituta do ta konsiderojë veten një «mbretëreshë» që ‘nuk do të vajtojë kurrë’. Por papritur do të zbulojë se i ka bërë gabim llogaritë e mbijetesës së saj. Ajo do të shfaroset shumë shpejt, si «në një ditë të vetme».—Zbul. 18:7, 8.
6. Kush do ta shkatërrojë fenë e rreme?
6 Fjala e Perëndisë e identifikon atë që do të sulmojë prostitutën si «një bishë» me «dhjetë brirë». Një studim i librit të Zbulesës tregon se kjo bishë i referohet Kombeve të Bashkuara (OKB). «Dhjetë brirët» përfaqësojnë të gjitha fuqitë politike që mbështetin këtë «bishë me ngjyrë të kuqe të ndezur». * (Zbul. 17:3, 5, 11, 12) Sa shkatërrimtar do të jetë ky sulm? Kombet e OKB-së do t’ia plaçkitin pasurinë prostitutës, do të demaskojnë karakterin e saj të vërtetë, do ta gllabërojnë dhe «do ta djegin krejtësisht me zjarr».—Lexo Zbulesën 17:16.
7. Si do të nisë sulmi i ‘bishës’?
7 Gjithashtu, profecia biblike tregon si do të nisë ky sulm. Në ndonjë mënyrë, Jehovai do t’u shtijë në zemër sundimtarëve politikë «që të përmbushin mendimin e tij», domethënë, të shkretojnë prostitutën. (Zbul. 17:17) Fetë nxitin luftëra dhe vazhdojnë të shkaktojnë përçarje në botë, prandaj kombet mund të mendojnë se shkatërrimi i prostitutës është për të mirën e tyre. Në fakt, kur sundimtarët të sulmojnë, do të mendojnë se po përmbushin «mendimin e tyre». Por, në të vërtetë, do të veprojnë si vegël e Perëndisë për të shfarosur mbarë fenë e rreme. Kështu, në një kthesë befasuese të ngjarjeve, një pjesë e sistemit të Satanait do të sulmojë një pjesë tjetër dhe Satanai do të jetë i pafuqishëm për ta ndalur këtë.—Mat. 12:25, 26.
NJË SULM KUNDËR POPULLIT TË PERËNDISË
8. Çfarë është sulmi nga «Gogu i vendit të Magogut»?
8 Pasi feja e rreme të jetë shkatërruar, shërbëtorët e Perëndisë do të jenë ende ‘duke banuar të sigurt e të parrethuar me mure’. (Ezek. 38:11, 14) Çfarë do të ndodhë me këtë grup njerëzish në dukje të pambrojtur, që vazhdojnë të adhurojnë Jehovain? Me sa duket, ata do të bëhen shënjestër e një sulmi të përgjithshëm nga «shumë popuj». Fjala e Perëndisë e përshkruan këtë ngjarje si sulmi nga «Gogu i vendit të Magogut». (Lexo Ezekielin 38:2, 15, 16.) Si duhet të ndihemi për këtë sulm?
9. (a) Cili është shqetësimi kryesor i një të krishteri? (b) Çfarë hapash duhet të ndërmarrim tani që të forcojmë besimin?
9 Fakti që e dimë që më përpara se do të ndodhë ky sulm kundër popullit të Perëndisë, nuk na bën të ndihemi tejet në ankth. Përkundrazi, për ne shqetësimi kryesor nuk është shpëtimi ynë, por shenjtërimi i emrit të Jehovait dhe shfajësimi i sovranitetit të tij. Në fakt, duke folur për kombet, në librin e Ezekielit Jehovai shpalli më tepër se 60 herë: «Ata kanë për ta marrë vesh se unë jam Jehovai.» (Ezek. 6:7) Pra, presim me padurim dhe shumë interes përmbushjen e këtij aspekti të jashtëzakonshëm të profecisë së Ezekielit, me besimin se «Jehovai di t’i çlirojë nga sprova njerëzit me përkushtim hyjnor». (2 Pjet. 2:9) Ndërkohë, duam të përdorim çdo mundësi për të forcuar besimin që të jemi në gjendje të ruajmë integritetin ndaj Jehovait, pavarësisht nga sprovat që mund të hasim. Çfarë duhet të bëjmë? Duhet të lutemi, të studiojmë Fjalën e Perëndisë e të meditojmë rreth saj dhe t’u flasim të tjerëve për mesazhin e Mbretërisë. Duke bërë kështu e ruajmë shpresën e jetës së përhershme të patundur, si «një spirancë».—Hebr. 6:19; Psal. 25:21.
KOMBET KANË PËR TA MARRË VESH SE KUSH ËSHTË JEHOVAI
10, 11. Si do të fillojë Harmagedoni? Ç’do të ndodhë gjatë asaj kohe?
10 Cila ngjarje tronditëse do të ndodhë kur shërbëtorët e Jehovait të sulmohen? Me anë të Jezuit dhe të ushtrive qiellore, Jehovai do të ndërhyjë në dobi të popullit të Tij. (Zbul. 19:11-16) Kjo ndërhyrje do të jetë ‘lufta e ditës së madhe të Perëndisë së Plotfuqishëm’—Harmagedoni.—Zbul. 16:14, 16.
11 Për atë luftë, Jehovai shpall nëpërmjet Ezekielit: «Kudo nëpër rajonin tim malor, unë do të thërras kundër [Gogut] shpatën,—thotë Zotëria Sovran Jehova.—Secili do t’ia drejtojë shpatën vëllait të vet.» Ata që janë në anën e Satanait do të bëhen rrëmujë e do të frikësohen, pastaj do të fillojnë të vrasin njëri-tjetrin. Jehovai thotë: «Do të hedh mbi [Gogun], mbi trupat e tij dhe mbi popujt e shumtë që do të jenë me të, një rrebesh përmbytës, breshër, zjarr e squfur.» (Ezek. 38:21, 22) Cili do të jetë rezultati i këtij veprimi hyjnor?
12. Çfarë do të detyrohen të bëjnë kombet?
12 Kombet kanë për ta kuptuar se po shkatërrohen me urdhër të vetë Jehovait. Pastaj, siç bënë egjiptianët e lashtë që po ndiqnin izraelitët në Detin e Kuq, edhe forcat e Satanait mund të thërrasin nga dëshpërimi: «Jehovai po lufton për ta kundër nesh.» (Dal. 14:25) Po, kombet do të detyrohen të marrin vesh se kush është Jehovai. (Lexo Ezekielin 38:23.) Sa afër fillimit të këtij zinxhiri ngjarjesh jemi?
NUK DO TË NGRIHET MË NJË TJETËR FUQI BOTËRORE
13. Çfarë dimë për pjesën e pestë të shëmbëlltyrës që përshkruan Danieli?
13 Një profeci në librin e Danielit na ndihmon të përcaktojmë se ku ndodhemi në rrjedhën e kohës. Danieli përshkruan një shëmbëlltyrë në formë njeriu që përbëhet nga metale të ndryshme. (Dan. 2:28, 31-33) Ajo përfaqëson fuqi të njëpasnjëshme botërore që kanë pasur ndikim të rëndësishëm te populli i Perëndisë në të kaluarën dhe sot. Ato janë: Babilonia, Medo-Persia, Greqia, Roma—dhe e fundit, në kohën tonë, një fuqi tjetër botërore. Një studim i profecisë së Danielit tregon se kjo fuqi e fundit botërore paraqitet në shëmbëlltyrë nga pjesa e poshtme e këmbëve dhe nga gishtërinjtë e këmbëve. Gjatë Luftës I Botërore, Britania dhe Shtetet e Bashkuara farkëtuan një ortakëri të veçantë. Po, pjesa e pestë e shëmbëlltyrës së Danielit është fuqia botërore anglo-amerikane. Pjesa e poshtme e këmbëve përbën pjesën e fundit të shëmbëlltyrës dhe kjo tregon se në skenë nuk do të shfaqet më asnjë fuqi tjetër njerëzore. Fakti që pjesa e poshtme e këmbëve dhe gishtërinjtë e këmbëve janë prej hekuri e argjile, tregon gjendjen e dobësuar të fuqisë botërore anglo-amerikane.
14. Cila do të jetë fuqia botërore mbizotëruese kur të vijë Harmagedoni?
14 E njëjta profeci tregon se Mbretëria e Perëndisë, që paraqitet nga një gur i madh, u shkëput nga mali i sovranitetit të Jehovait më 1914. Ky gur tani po shkon me shpejtësi drejt shënjestrës së tij—pjesës së poshtme të këmbëve të shëmbëlltyrës. Në Harmagedon, pjesa e poshtme e këmbëve dhe pjesa tjetër e shëmbëlltyrës do të thërrmohen. (Lexo Danielin 2:44, 45.) Pra, kur të vijë Harmagedoni, fuqia botërore anglo-amerikane do të jetë ende fuqia botërore mbizotëruese. Sa drithëruese do të jetë të shohim me sytë tanë përmbushjen e plotë të kësaj profecie! * Por, çfarë ka ndër mend të bëjë Jehovai me vetë Satanain?
ÇFARË DO TË BËHET ME KRYEKUNDËRSHTARIN E PERËNDISË?
15. Çfarë do t’i ndodhë Satanait dhe demonëve pas Harmagedonit?
15 Së pari, Satanai do të shohë me sytë e tij nga fillimi deri në fund shfarosjen nga faqja e dheut të krejt organizatës së tij. Më pas, ai vetë do të jetë qendra e vëmendjes. Apostulli Gjon raporton se ç’do të ndodhë më tej. (Lexo Zbulesën 20:1-3.) Jezu Krishti—‘engjëlli me çelësin e humnerës’—do të kapë Satanain dhe demonët, do t’i hedhë në humnerë e do t’i mbajë atje për një mijë vjet. (Luka 8:30, 31; 1 Gjon. 3:8) Ky veprim përbën fazën e parë të shtypjes së kokës së gjarprit. *—Zan. 3:15.
16. Çfarë do të nënkuptojë për Satanain mbyllja në «humnerë»?
16 Çfarë është ‘humnera’ në të cilën do të hidhen Satanai dhe demonët? Fjala greke ábisos që përdori këtu Gjoni, do të thotë «shumë ose tepër e thellë». Ajo përkthehet edhe «e papërshkrueshme, e pakufishme» dhe «zbrazëti e pafund». Pra, është një vend i paarritshëm nga kushdo, përveç Jehovait dhe engjëllit të tij të caktuar që ka «çelësin e humnerës». Atje Satanai do të jetë në një gjendje joaktiviteti të ngjashëm me vdekjen, që ‘të mos i mashtrojë më kombet’. Po, atij ‘luani që ulërin’ do t’i mbyllet goja!—1 Pjet. 5:8.
NGJARJE QË DO TË ÇOJNË NË NJË KOHË PAQEJE
17, 18. (a) Cilat ngjarje që nuk shihen ende kemi shqyrtuar deri tani? (b) Çfarë do të fillojë pasi të kenë ndodhur këto ngjarje?
17 Përpara na presin zhvillime domethënëse dhe ngjarje që do të tronditin tokën. Mezi presim të shohim se si do të ndodhë shpallja: «Paqe dhe siguri!» Më pas do të shohim shkatërrimin e Babilonisë së Madhe, sulmin e Gogut të Magogut dhe betejën e Harmagedonit. Pastaj, Satanai dhe demonët do të hidhen në humnerë. Pas këtyre ngjarjeve, kur tërë ligësia të ketë marrë fund, do të hyjmë në një kapitull të ri të jetës—Mbretërimi Mijëvjeçar i Krishtit, gjatë të cilit do të gëzojmë «paqen e pafund».—Psal. 37:10, 11.
18 Përveç pesë ngjarjeve që kemi shqyrtuar deri tani, ka edhe ‘gjëra të tjera që nuk shihen’ te të cilat duhet ‘t’i kemi sytë’. Këto ngjarje do të shqyrtohen në artikullin vijues.
^ par. 2 Dhjetë ngjarjet shqyrtohen në këtë artikull dhe në atë vijues.
^ par. 6 Shih librin Zbulesa—Plotësimi i saj madhështor është afër!, faqet 251-258.
^ par. 14 Fraza «do t’u japë fund të gjitha këtyre mbretërive», e cila gjendet te Danieli 2:44, bën fjalë për mbretëritë ose fuqitë botërore që paraqiten nga pjesët e shëmbëlltyrës. Megjithatë, një profeci biblike paralele tregon se «mbretërit e mbarë tokës së banuar» do të mblidhen kundër Jehovait në «luftën e ditës së madhe të Perëndisë së Plotfuqishëm». (Zbul. 16:14; 19:19-21) Kështu, në Harmagedon nuk do të shkatërrohen vetëm mbretëritë e shëmbëlltyrës, por edhe tërë mbretëritë e tjera të kësaj bote.
^ par. 15 Shtypja përfundimtare e kokës së gjarprit ndodh pas fundit të një mijë vjetëve kur Satanai dhe demonët të hidhen në «liqenin e zjarrit e të squfurit».—Zbul. 20:7-10; Mat. 25:41.