Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Familjet e ndara nga ana fetare mund të jenë të lumtura

Familjet e ndara nga ana fetare mund të jenë të lumtura

Familjet e ndara nga ana fetare mund të jenë të lumtura

«Ku e di ti . . . që s’do ta shpëtosh [bashkëshortin]?»​—1 KOR. 7:16.

GJEJ PËRGJIGJET E KËTYRE PYETJEVE:

Ç’mund të bëjnë besimtarët që të kultivojnë paqen në një familje të ndarë nga ana fetare?

Si mund t’i ndihmojë një i krishterë familjarët jobesimtarë të përqafojnë adhurimin e vërtetë?

Ç’mund të bëjnë të tjerët për të ndihmuar bashkëbesimtarët që jetojnë në familje të ndara nga ana fetare?

1. Kur dikush pranon mesazhin e Mbretërisë, si mund të ndikojë kjo te familja e tij?

NË NJË rast, kur i dërgoi apostujt të përhapnin lajmin e mirë, Jezui u tha: «Shkoni dhe predikoni: ‘Mbretëria e qiejve është afruar.’» (Mat. 10:1, 7) Ky lajm i mirë do t’u sillte paqe dhe lumturi atyre që do ta pranonin me çmueshmëri të vërtetë. Gjithsesi, Jezui i paralajmëroi apostujt se shumë veta do t’i kundërviheshin veprës së tyre të predikimit për Mbretërinë. (Mat. 10:16-23) Kundërshtimi është veçanërisht i dhimbshëm kur ndonjë pjesëtar i familjes nuk e pranon mesazhin e Mbretërisë.​—Lexo Mateun 10:34-36.

2. Përse të krishterët mund të jenë të lumtur edhe kur jetojnë në familje të ndara nga ana fetare?

2 A do të thotë kjo se të krishterët që jetojnë në familje të ndara nga ana fetare nuk mund të jenë të lumtur? Aspak! Ndonëse në disa raste kundërshtimi nga familja mund të jetë i ashpër, nuk ndodh gjithnjë kështu. Po ashtu, nuk është e thënë që ky lloj kundërshtimi të zgjatë përgjithmonë. Shumë varet nga reagimi i besimtarëve ndaj kundërshtimit ose indiferencës. Për më tepër, Jehovai i bekon besnikët e tij, duke u dhënë gëzim pavarësisht nga rrethanat e pafavorshme. Besimtarët mund të jenë edhe më të lumtur (1) nëse bëjnë çmos të kultivojnë paqen në shtëpi dhe (2) nëse përpiqen sinqerisht t’i ndihmojnë familjarët jobesimtarë të përqafojnë adhurimin e vërtetë.

KULTIVO PAQEN NË SHTËPI

3. Pse një i krishterë duhet të kultivojë paqen kur familja është e ndarë nga ana fetare?

3 Që fara e drejtësisë të japë fryt në ambientin familjar, është thelbësore që në shtëpi të ketë një atmosferë paqësore. (Lexo Jakovin 3:18.) Edhe sikur familja e një të krishteri të mos jetë ende e bashkuar në adhurimin e pastër, ai duhet të përpiqet me të gjitha forcat të kultivojë paqen në shtëpi. Si mund ta bëjë këtë?

4. Si mund ta ruajnë të krishterët paqen e brendshme?

4 Si të krishterë duhet të ruajmë paqen e brendshme. Kjo kërkon të bëjmë lutje me gjithë zemër, të cilat mund të na sjellin ‘paqen e Perëndisë’ që s’ka të krahasuar. (Filip. 4:6, 7) Lumturia dhe paqja vijnë kur vazhdojmë të marrim njohuri për Jehovain dhe zbatojmë në jetë parimet biblike. (Isa. 54:13) Po aq thelbësore për paqen dhe lumturinë tonë janë edhe pjesëmarrja në mbledhjet e kongregacionit dhe aktiviteti i zellshëm në shërbim. Të krishterët që jetojnë në familje të ndara nga ana fetare, zakonisht e gjejnë mënyrën si të marrin pjesë në aktivitetet teokratike. Për shembull, të marrim rastin e Enzës, * burri i së cilës është një kundërshtar i flaktë. Ajo del në shërbim pasi mbaron punët e shtëpisë. Enza thotë: «Jehovai më bekon shumë dhe kam rezultate të mira sa herë që përpiqem t’u jap lajmin e mirë të tjerëve.» Sigurisht që këto bekime sjellin paqe, kënaqësi dhe lumturi.

5. Me ç’sfidë përballen shpesh besimtarët në familjet e ndara nga ana fetare, dhe ku mund të gjejnë ndihmë?

5 Duhet të përpiqemi fort që të kultivojmë marrëdhënie paqësore me familjarët jobesimtarë. Kjo mund të përbëjë një sfidë, pasi ndonjëherë ata na kërkojnë të bëjmë gjëra që mund të bien ndesh me parimet biblike. Kur ne u përmbahemi fuqimisht parimeve të drejta, disa familjarë jobesimtarë mund të mërziten, mirëpo, me kalimin e kohës, ky qëndrim nxit paqen. Natyrisht, po të tregohemi të paarsyeshëm nëse diçka nuk shkel parimet biblike, mund të shkaktojmë fërkime të kota. (Lexo Proverbat 16:7.) Kur përballemi me ndonjë sfidë, është e rëndësishme të kërkojmë këshilla biblike nga botimet e klasës së skllavit të besueshëm e të matur dhe nga pleqtë.​—Prov. 11:14.

6, 7. (a) Përse disa u kundërvihen familjarëve që nisin të studiojnë me Dëshmitarët e Jehovait? (b) Si duhet të reagojë një student i Biblës ose një besimtar ndaj kundërshtimit në familje?

6 Që të kultivojmë paqen në familje duhet të kemi besim te Jehovai dhe gjykim të thellë për të kuptuar ndjenjat e familjarëve jobesimtarë. (Prov. 16:20) Edhe studentët e rinj të Biblës mund të shfaqin aftësi dalluese në situata të tilla. Disa bashkëshortë jobesimtarë mund të mos kenë kundërshtim që burri ose gruaja e tyre të studiojë Biblën, madje mund ta pranojnë se kjo është për të mirën e familjes. Por disa të tjerë mund të tregohen armiqësorë. Estera, që tani është Dëshmitare, e pranon se reagoi «gjithë inat» kur i shoqi nisi të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. «Ia flakja literaturën ose ia digjja»,—thotë ajo. Hauardi, i cili iu kundërvu gruas kur ajo filloi të studionte Biblën, vëren: «Shumë burra kanë frikë se mos gratë e tyre po mashtrohen që të futen në ndonjë sekt fetar. Burri mund të mos dijë si të reagojë ndaj këtij kërcënimi të supozuar dhe mund të bëhet kundërshtar.»

7 Duhet ta ndihmojmë studentin që po has kundërshtim nga bashkëshorti të kuptojë se s’ka përse ta ndërpresë studimin e Biblës. Shpesh mund ta ndreqë situatën duke qenë i butë dhe duke treguar respekt për bashkëshortin jobesimtar. (1 Pjet. 3:15) Hauardi thotë: «Jam shumë i kënaqur që ime shoqe ruajti qetësinë dhe nuk reagoi në mënyrë të tepruar.» E shoqja shpjegon: «Hauardi më kërkoi të ndërprisja studimin. Më tha se po më bënin lavazh truri. Në vend që të debatoja, i thashë se ndoshta kishte të drejtë, por sinqerisht nuk e kuptoja se si po e bënin këtë. Kështu, i kërkova të lexonte librin që po studioja. Ai e lexoi dhe ishte dakord me atë që thuhej. Kjo pati ndikim të madh tek ai.» Është mirë të mos harrojmë se bashkëshortët jobesimtarë mund të ndihen të braktisur e të kërcënuar kur burri ose gruaja shkon në aktivitetet e krishtere. Por, kur i sigurojmë se i duam, këto ndjenja mund të fashiten.

NDIHMOJI TË PËRQAFOJNË ADHURIMIN E VËRTETË

8. Çfarë këshille u jep apostulli Pavël të krishterëve që kanë bashkëshortë jobesimtarë?

8 Apostulli Pavël i këshillon të krishterët të mos e lënë bashkëshortin vetëm sepse është jobesimtar. * (Lexo 1 Korintasve 7:12-16.) Po të mbajë ndër mend se ekziston mundësia që bashkëshorti jobesimtar të pranojë të vërtetën, i krishteri mund të ruajë gëzimin paçka se jeton në një familje të ndarë nga ana fetare. Megjithatë, teksa përpiqet ta ndihmojë jobesimtarin të kuptojë të vërtetën, duhet të ketë njëfarë kujdesi, siç tregojnë përvojat vijuese.

9. Ç’kujdes duhet të tregojmë kur u flasim për të vërtetën e Biblës familjarëve jobesimtarë?

9 Tek sjell ndër mend reagimin e vet kur mësoi të vërtetën biblike, Xhejsëni thotë: «Doja t’ua tregoja të gjithëve!» Kur një student i Biblës kupton se ajo që po mëson nga Shkrimet është e vërtetë, mund të jetë aq i lumtur sa të flasë për të pothuajse gjithë kohën. Ndoshta pret që familjarët jobesimtarë ta pranojnë menjëherë mesazhin e Mbretërisë, por ata mund ta presin keq lajmin e mirë. Si ndikoi entuziazmi fillestar i Xhejsënit tek e shoqja? «Ndihesha sikur po më zinte frymën»,—kujton ajo. Një grua që e pranoi të vërtetën 18 vjet pas të shoqit, thotë: «Unë për vete kisha nevojë ta mësoja dalëngadalë.» Nëse bashkëshorti i ndonjë studenti tënd biblik nuk dëshiron të marrë pjesë në adhurimin e vërtetë, pse të mos i tregosh rregullisht gjatë studimit se si t’i trajtojë me takt argumentet? Moisiu tha: «Mësimi im do të pikojë si shiu, fjalët e mia do të bien si vesa, si shirat e buta përmbi bar.» (Ligj. 32:2) Shpesh, disa pika të së vërtetës në kohën dhe mënyrën e duhur, bëjnë më shumë punë se një rrebesh frymor.

10-12. (a) Ç’këshillë u jep apostulli Pjetër të krishtereve me bashkëshortë jobesimtarë? (b) Si mësoi një studente e Biblës të zbatonte këshillën e 1 Pjetrit 3:1, 2?

10 Apostulli Pjetër u jep këtë këshillë të frymëzuar bashkëshorteve të krishtere që jetojnë në familje të ndara nga ana fetare: «Jini të nënshtruara ndaj burrave tuaj që, nëse disa nuk i binden fjalës, t’i fitoni pa fjalë, nëpërmjet sjelljes suaj, pasi të kenë parë me sytë e tyre sjelljen tuaj të dëlirë bashkë me respekt të thellë.» (1 Pjet. 3:1, 2) Gruaja mund ta tërheqë të shoqin në adhurimin e vërtetë duke qenë e nënshtruar dhe duke treguar respekt të thellë për të, edhe nëse ai e trajton me ashpërsi. Në mënyrë të ngjashme, edhe një burrë i krishterë duhet të sillet siç i pëlqen Perëndisë dhe të jetë një kryefamiljar i dashur, pavarësisht nga kundërshtimi i gruas jobesimtare.​—1 Pjet. 3:7-9.

11 Shumë shembuj të ditëve tona ilustrojnë vlerën e zbatimit të këshillës së Pjetrit. Të shohim rastin e Selmës. Kur ajo nisi të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait, i shoqi, Stivi, s’ishte i kënaqur. Ai pranon: «U zemërova, u bëra xheloz, doja gjithë vëmendjen e saj dhe ndihesha i pasigurt.» Selma thotë: «Edhe para se të merrja të vërtetën, të jetoje me Stivin ishte sikur të ecje në një fushë të minuar. Ai ishte nevrik. Kur unë nisa të studioja Biblën, kjo karakteristikë iu theksua.» Si u rregullua situata?

12 Selma sjell ndër mend një mësim që i dha motra që i bënte studimin. «Një ditë,—thotë Selma,—nuk desha ta bënim studimin. Një natë më parë Stivi më kishte qëlluar ndërsa po përpiqesha t’i mbushja mendjen për diçka. Ndihesha e trishtuar dhe më vinte keq për veten. Kur i tregova motrës se ç’kishte ndodhur dhe si ndihesha, ajo më kërkoi të lexoja 1 Korintasve 13:4-7. Ndërkohë që lexoja, nisa të arsyetoja: ‘Stivi nuk bën kurrë asnjë nga këto gjëra të dashura për mua.’ Por motra më bëri të mendoja ndryshe, duke më pyetur: ‘Sa nga këto veprime që tregojnë dashuri bën ti për tët shoq?’ Unë ia ktheva: ‘Asnjë, sepse ai është tip shumë i vështirë.’ Motra më pyeti me butësi: ‘Selma, po kush po përpiqet të jetë i krishterë? Ti apo Stivi?’ E kuptova se kisha nevojë të ndreqja mënyrën e të menduarit dhe iu luta Jehovait të më ndihmonte që të isha më e dashur me Stivin. Pak nga pak, gjërat zunë të ndryshonin.» Pas 17 vjetësh, Stivi e pranoi të vërtetën.

SI MUND TË NDIHMOJNË TË TJERËT?

13, 14. Si mund t’i ndihmojnë pjesëtarët e kongregacionit ata që jetojnë në familje të ndara nga ana fetare?

13 Si pikat e buta të shiut që e ngopin tokën dhe i ndihmojnë bimët të rriten, secili në kongregacion mund t’i ndihmojë të krishterët që jetojnë në familje të ndara nga ana fetare të jenë të lumtur. Elvina nga Brazili thotë: «Dashuria e vëllezërve dhe e motrave më ndihmoi të qëndroja e vendosur në të vërtetën.»

14 Mirëdashja dhe interesimi i pjesëtarëve të kongregacionit mund të kenë goxha ndikim në zemrën e familjarëve jobesimtarë. Një burrë në Nigeri, i cili e pranoi të vërtetën 13 vjet pas së shoqes, thotë: «Kur po udhëtoja me një Dëshmitar, atij iu prish makina. Kërkoi Dëshmitarët e tjerë në fshatin fqinj dhe atë natë ndenjëm tek ata. U kujdesën për ne sikur të ishim miq të vjetër. Menjëherë, ndjeva dashurinë e krishterë për të cilën më kishte folur gjithnjë ime shoqe.» Në Angli, një grua që e pranoi të vërtetën 18 vjet pas të shoqit, kujton: «Dëshmitarët na ftonin për të ngrënë të dyve. Gjithnjë jam ndier e mikpritur.» * Një burrë nga i njëjti vend, që me kalimin e kohës u bë Dëshmitar, thotë: «Vëllezërit dhe motrat ose na vinin për vizitë, ose na ftonin nëpër shtëpitë e tyre, dhe pashë që ishin të dashur e të gjindshëm. Kjo u duk qartë sidomos kur isha në spital dhe shumë nga ata erdhën për të më vizituar.» A mund të gjesh mënyra të ngjashme që të interesohesh për familjarët e atyre që janë vetëm në të vërtetën?

15, 16. Çfarë mund ta ndihmojë një besimtar të ruajë lumturinë kur të tjerët në familje nuk e pranojnë të vërtetën?

15 Qartë, jo të gjithë bashkëshortët, fëmijët, prindërit ose të afërmit e tjerë do ta pranojnë adhurimin e vërtetë, ndonëse familjari besimtar mund të sillet me besnikëri e të dëshmojë me takt për vite me radhë. Disa mbeten indiferentë ose bëhen kundërshtarë të egër. (Mat. 10:35-37) Sidoqoftë, kur të krishterët shfaqin cilësi që i pëlqejnë Perëndisë, kjo mund të ketë një ndikim shumë të mirë. Një burrë që më parë ishte jobesimtar, thotë: «Kur bashkëshorti besimtar nis të pasqyrojë këto cilësi të bukura, kurrë nuk i dihet se ç’ndodh në mendjen dhe në zemrën e jobesimtarit. Prandaj, mos i humb asnjëherë shpresat për bashkëshortin jobesimtar.»

16 Edhe sikur një familjar të mos e pranojë të vërtetën, besimtari mund të jetë i lumtur. Ndonëse i shoqi nuk e ka pranuar mesazhin e Mbretërisë edhe pse ajo ka 21 vjet që përpiqet, një motër thotë: «Arrij të ruaj gëzimin duke u përpjekur t’i pëlqej Jehovait, duke i qëndruar besnike e duke punuar që të forcoj gjendjen time frymore. Diçka që më ka ndihmuar t’i afrohem më shumë Jehovait dhe të ruaj zemrën, është zhytja në aktivitete frymore, si studimi personal, pjesëmarrja në mbledhje, shërbimi dhe ndihma që u jap të tjerëve në kongregacion.»​—Prov. 4:23.

MOS U DORËZO!

17, 18. Si mund të vazhdojë të ketë shpresë një i krishterë edhe në familje të ndarë nga ana fetare?

17 Nëse je një i krishterë besnik që jeton në familje të ndarë nga ana fetare, mos u dorëzo. Mbaj ndër mend që «Jehovai nuk do ta braktisë popullin e vet për hir të emrit të tij të madh». (1 Sam. 12:22) Ai është me ty për sa kohë ti qëndron i lidhur ngushtë me të. (Lexo 2 Kronikave 15:2.) Prandaj «gjej kënaqësi të thellë te Jehovai». Po, «lëre udhën tënde në dorë të Jehovait e mbështetu tek ai». (Psal. 37:4, 5) ‘Ngulmo në lutje’ dhe ki besim se Ati ynë i dashur qiellor mund të të ndihmojë të durosh vështirësi të çdo lloji.​—Rom. 12:12.

18 Përgjëroju Jehovait që fryma e tij e shenjtë të të ndihmojë të ndjekësh paqen në shtëpi. (Hebr. 12:14) Po, është e mundur të krijosh një atmosferë paqësore, e cila më së fundi mund të prekë zemrën e familjarëve jobesimtarë. Do të përjetosh lumturi dhe do kesh paqe në mendje e në zemër, teksa ‘bën gjithçka për lavdi të Perëndisë’. (1 Kor. 10:31) Sa inkurajuese është të dish se në këto përpjekje ke mbështetjen e dashur të vëllezërve e motrave në kongregacionin e krishterë!

[Shënimet]

^ par. 4 Emrat janë ndryshuar.

^ par. 8 Këshilla e Pavlit nuk përjashton ndarjen ligjore në situata ekstreme. Ky është një vendim personal serioz. Shih librin Ruaj veten në dashurinë e Perëndisë’, faqet 220-221.

^ par. 14 Shkrimet nuk na ndalojnë të hamë me jobesimtarët.—1 Kor. 10:27.

[Pyetjet]

[Figura në faqen 28]

Zgjidh kohën e duhur për të shpjeguar bindjet e tua

[Figura në faqen 29]

Trego interes për bashkëshortët jobesimtarë