Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dhurata e dashur e Perëndisë

Dhurata e dashur e Perëndisë

Dhurata e dashur e Perëndisë

‘Dashamirësia e pamerituar do të mbretërojë nëpërmjet drejtësisë, për të sjellë jetën e përhershme.’​—ROM. 5:21.

1, 2. Cilën trashëgimi ose dhuratë konsiderojnë me vlerë shumë njerëz, por cila dhuratë ka më shumë vlerë?

«TRASHËGIMIA më e madhe që romakët u lanë brezave [ishte] ligji dhe pikëpamja se jeta duhet jetuar në përputhje me ligjin.» (Dr. Dejvid Uilliams, Universiteti i Melburnit, Australi) Sado me vlerë të jetë kjo trashëgimi, ekziston një trashëgimi ose dhuratë me vlerë ku e ku më të madhe. Kjo dhuratë është mjeti hyjnor për të pasur një qëndrim të miratuar e të drejtë para Perëndisë dhe perspektivën e shpëtimit e të jetës së përhershme.

2 Në njëfarë kuptimi, mënyra se si Perëndia e bëri të mundur këtë dhuratë, përfshinte disa aspekte ligjore. Te kapitulli i 5-të i Romakëve, apostulli Pavël nuk i paraqiti këto aspekte në formën e një ligjërate të thatë e të stërmbushur me hollësira ligjore. Përkundrazi, filloi duke na dhënë këtë siguri emocionuese: «Jemi shpallur të drejtë falë besimit, [prandaj] le të gëzojmë paqe me Perëndinë nëpërmjet Zotërisë tonë Jezu Krisht.» Ata që marrin dhuratën e Perëndisë nxiten t’ia kthejnë këtë dashuri. Pavli ishte një prej tyre. Ai shkroi: «Dashuria e Perëndisë është derdhur në zemrat tona nëpërmjet frymës së shenjtë.»​—Rom. 5:1, 5.

3. Cilat pyetje lindin me të drejtë?

3 Por, pse ishte e nevojshme kjo dhuratë e dashur? Si mund ta ofronte Perëndia në një mënyrë të drejtë e të paanshme? Çfarë duhet të bëjnë njerëzit që të kualifikohen për ta marrë atë? Le të gjejmë përgjigje të kënaqshme dhe të shohim se si ato nxjerrin në pah dashurinë e Perëndisë.

Dashuria e Perëndisë dhe mëkati

4, 5. (a) Në ç’mënyrë madhështore e shfaqi Jehovai dashurinë? (b) Çfarë na ndihmon të kuptojmë atë që thuhet te Romakëve 5:12?

4 Duke treguar shumë dashuri, Jehovai dërgoi Birin e tij të vetëmlindur për të ndihmuar njerëzit. Ja si e shprehu këtë Pavli: «Perëndia na e shfaq dashurinë e vet në atë që, kur ishim akoma mëkatarë, Krishti vdiq për ne.» (Rom. 5:8) Mendo për një fakt që është përmendur këtu: «Ishim akoma mëkatarë.» Të gjithë kemi nevojë të dimë se si u bëmë të tillë.

5 Pavli e theksoi çështjen, duke nisur me këtë pikë: «Ashtu si mëkati hyri në botë nëpërmjet një njeriu të vetëm, dhe vdekja nëpërmjet mëkatit, ashtu edhe vdekja u përhap në të gjithë njerëzit, sepse të gjithë kishin mëkatuar.» (Rom. 5:12) Jemi në gjendje ta kuptojmë këtë sepse Perëndia e ka dokumentuar se si filloi jeta njerëzore. Jehovai krijoi dy njerëz: Adamin dhe Evën. Krijuesi është i përsosur e të tillë ishin edhe ata njerëz të parë, paraardhësit tanë. Perëndia u dha vetëm një udhëzim kufizues dhe u tha që, nëse nuk do t’i bindeshin atij ligji, do të dënoheshin me vdekje. (Zan. 2:17) Mirëpo, ata zgjodhën të vepronin në mënyrë shkatërrimtare, duke shkelur udhëzimin e arsyeshëm të Perëndisë dhe duke e hedhur kështu poshtë si Ligjdhënës e Sovran.​—Ligj. 32:4, 5.

6. (a) Pse vdisnin pasardhësit e Adamit dhe a e ndryshoi këtë situatë Ligji i Moisiut? (b) Si mund të ilustrohen pasojat e mëkatit të trashëguar?

6 Adami u bë me fëmijë pasi kishte mëkatuar, duke u kaluar të gjithëve mëkatin e pasojat e tij. Natyrisht, ata nuk kishin shkelur ligjin e Perëndisë si Adami, prandaj nuk ishin fajtorë për të njëjtin mëkat dhe as u ishte dhënë ende ndonjë kod me ligje. (Zan. 2:17) Prapëseprapë, pasardhësit e Adamit trashëguan mëkatin. Si pasojë, mëkati dhe vdekja mbretëruan deri në kohën kur Perëndia u dha izraelitëve një kod me ligje, i cili tregonte qartë se ata ishin mëkatarë. (Lexo Romakëve 5:13, 14.) Pasojat e mëkatit të trashëguar mund të ilustrohen me disa sëmundje ose të meta të trashëguara, siç janë për shembull talasemia ose hemofilia. Ndoshta keni lexuar se Alekseji, biri i carit rus, Nikolla II, dhe Aleksandrës, trashëgoi hemofilinë, një sëmundje që shfaqet me rrjedhje gjaku. Ndonëse edhe në familje me sëmundje të tilla, disa nga fëmijët nuk vuajnë nga këto sëmundje, prapëseprapë mund të jenë mbartës. Por nuk është kështu me mëkatin. Mëkati, kjo e metë e trashëguar nga Adami, ishte i pashmangshëm. Të gjithë i janë nënshtruar. Është gjithmonë vdekjeprurës. U kalohet të gjithë fëmijëve. A mund të dilej ndonjëherë nga kjo situatë e vështirë?

Çfarë siguroi Perëndia nëpërmjet Jezu Krishtit?

7, 8. Në ç’mënyrë udha e dy njerëzve të përsosur ka sjellë rezultate të ndryshme?

7 Me dashuri, Jehovai mori një masë për njerëzit që të çliroheshin nga gjendja mëkatare e trashëguar. Pavli shpjegoi se kjo u bë e mundur nëpërmjet një njeriu tjetër, një njeriu të përsosur që erdhi më vonë​—në të vërtetë, nëpërmjet një Adami të dytë. (1 Kor. 15:45) Sidoqoftë, udha e secilit prej dy njerëzve të përsosur ka sjellë rezultate krejt të ndryshme. Në ç’kuptim?​—Lexo Romakëve 5:15, 16.

8 «Me dhuratën nuk është si me shkeljen»,—shkroi Pavli. Adami ishte fajtor për shkeljen dhe me të drejtë u gjykua në mënyrë të pafavorshme​—vdiq. Por, nuk ishte i vetmi që vdiq. Në Bibël lexojmë: «Nga shkelja e [atij] njeriu të vetëm vdiqën shumë veta.» Sipas standardeve të Perëndisë për drejtësinë, të gjithë pasardhësit e papërsosur të Adamit, përfshirë edhe ne, meritonin të gjykoheshin po njësoj si Adami. Gjithsesi, mund të ngushëllohemi duke ditur se njeriu i përsosur, Jezui, mund të sillte rezultatin e kundërt. Cili është ky rezultat? Përgjigjen e gjejmë te fjalët e Pavlit, që thotë se «njerëz të çdo lloji shpallen të drejtë për jetën».​—Rom. 5:18.

9. Çfarë po bënte Perëndia duke shpallur të drejtë njerëzit, siç përmendet te Romakëve 5:16, 18?

9 Cili është kuptimi i fjalëve greke në shprehjen «shpallen të drejtë»? Doktor Uilliamsi që u përmend më sipër, shkroi për këtë koncept: «Është një metaforë ligjore që thekson një pikë pothuajse ligjore. Tregon një ndryshim në gjendjen e dikujt para Perëndisë, jo një ndryshim të brendshëm të personit. . . . Metafora e paraqit Perëndinë si një gjykatës që ka marrë një vendim në favor të të akuzuarit, i cili, si të thuash, ka dalë para gjykatës së Perëndisë me akuzën për padrejtësi. Por Perëndia e shfajëson të akuzuarin.»

10. Çfarë bëri Jezui që u siguroi njerëzve bazën për t’u shpallur të drejtë?

10 Mbi ç’bazë mund ta shfajësonte një njeri të padrejtë «Gjykatësi [i drejtë] i gjithë tokës»? (Zan. 18:25) Me dashuri, Perëndia hodhi hapin e parë të rëndësishëm duke dërguar në tokë Birin e tij të vetëmlindur. Jezui e bëri në mënyrë të përsosur vullnetin e Atit, pavarësisht nga tundimet, talljet ekstreme dhe keqtrajtimet. Ai e ruajti integritetin deri aty sa vdiq në një shtyllë torture. (Hebr. 2:10) Duke flijuar jetën e tij të përsosur njerëzore, Jezui paraqiti një shpërblesë që mund t’i çlirojë ose shpengojë nga mëkati e vdekja pasardhësit e Adamit.​—Mat. 20:28; Rom. 5:6-8.

11. Mbi çfarë bazohet shpërblesa?

11 Diku tjetër Pavli e quajti këtë «një shpërblesë përkatëse». (1 Tim. 2:6) Çfarë përkonte? Adami u solli papërsosmëri dhe vdekje miliarda njerëzve, gjithë pasardhësve të tij. Është e vërtetë se Jezui, si njeri i përsosur, mund të ishte bërë ati i miliarda pasardhësve të përsosur. * Prandaj, më parë ishte kuptuar se jeta e Jezuit bashkë me atë të të gjithë pasardhësve të tij të mundshëm të përsosur, formonin një shpërblesë të barasvlershme me mëkatet e Adamit dhe të pasardhësve të tij. Mirëpo, Bibla nuk thotë se ndonjë pasardhje e mundshme e Jezuit ishte pjesë e shpërblesës. Romakëve 5:15-19 thekson se vdekja e «një njeriu të vetëm» siguroi shpërblesën. Po, jeta e përsosur e Jezuit përkonte me jetën e Adamit. Theksi vihet dhe duhet të vihet vetëm mbi Jezu Krishtin. Falë «një akti të vetëm shfajësimi», bindjes dhe integritetit të Jezuit deri në vdekje, për njerëz të çdo lloji u bë e mundur të merrnin nga Perëndia dhuratën që të shpalleshin të drejtë dhe dhuratën e jetës. (2 Kor. 5:14, 15; 1 Pjet. 3:18) Si u bë e mundur kjo?

Shfajësim në bazë të shpërblesës

12, 13. Pse ata që shpallen të drejtë kanë nevojë për mëshirën dhe dashurinë e Perëndisë?

12 Perëndia Jehova e pranoi flijimin shpërblyes që paraqiti Biri i tij. (Hebr. 9:24; 10:10, 12) Megjithatë, dishepujt e Jezuit në tokë, përfshirë edhe apostujt e tij besnikë, mbetën të papërsosur. Ndonëse u përpoqën të shmangnin të keqen, nuk ia arritën gjithmonë. Pse? Sepse kishin trashëguar mëkatin. (Rom. 7:18-20) Por Perëndia mund të bënte dhe bëri diçka për këtë. Pranoi ‘shpërblesën përkatëse’ dhe ishte i gatshëm ta zbatonte në dobi të shërbëtorëve të tij njerëzorë.

13 Perëndia nuk u detyrohej apostujve dhe të tjerëve që të zbatonte shpërblesën ngaqë kishin kryer disa vepra të mira. Përkundrazi, Perëndia e zbatoi shpërblesën në dobi të tyre nga mëshira dhe dashuria e tij e madhe. Ai vendosi t’i shfajësonte apostujt dhe të tjerët nga gjykimi kundër tyre, duke i konsideruar të lirë nga faji i trashëguar. Pavli e bëri të qartë këtë: «Në të vërtetë, falë kësaj dashamirësie të pamerituar, ju keni shpëtuar nëpërmjet besimit. Kjo nuk është falë jush, por është dhuratë e Perëndisë.»​—Efes. 2:8.

14, 15. Çfarë shpërblimi u vu përpara atyre që Perëndia i shpalli të drejtë, megjithatë çfarë duhej të bënin ende?

14 Mendoni se ç’dhuratë është që i Plotfuqishmi të falë mëkatin që ka trashëguar një njeri, si edhe gabimet që ka kryer! Nuk mund të llogariten mëkatet e kryera nga individët e ndryshëm para se të bëheshin të krishterë. Megjithatë, në bazë të shpërblesës, Perëndia mund t’i falë këto mëkate. Pavli shkroi: «Nga shumë shkelje, dhurata shpalli të drejtë shumë veta.» (Rom. 5:16) Apostujve dhe të tjerëve që do të merrnin këtë dhuratë të dashur (duke u shpallur të drejtë), do t’u duhej të vazhdonin të adhuronin me besim Perëndinë e vërtetë. Me çfarë shpërblimi në të ardhmen? ‘Ata që marrin bollëkun e dashamirësisë së pamerituar dhe të dhuratës falas të drejtësisë, do të mbretërojnë në jetë nëpërmjet një njeriu të vetëm, Jezu Krishtit.’ Po, dhurata e drejtësisë ka efektin e kundërt të shkeljeve të Adamit. Kjo dhuratë sjell si rezultat jetën.​—Rom. 5:17; lexo Lukën 22:28-30.

15 Ata që e marrin këtë dhuratë, duke u shpallur të drejtë, bëhen bij frymorë të Perëndisë. Si bashkëtrashëgimtarë me Krishtin, kanë perspektivën që të ringjallen në qiell si bij të vërtetë frymorë ‘për të mbretëruar’ me Jezu Krishtin.​—Lexo Romakëve 8:15-17, 23.

Dashuria e Perëndisë u shfaqet të tjerëve

16. Ç’dhuratë mund të marrin që tani ata që kanë shpresë tokësore?

16 Jo të gjithë ata që tregojnë besim dhe i shërbejnë Perëndisë si të krishterë besnikë, presin ‘të mbretërojnë’ me Krishtin në qiell. Shumë prej tyre kanë një shpresë të bazuar në Bibël, të ngjashme me atë të shërbëtorëve të Perëndisë para krishterimit. Ata shpresojnë të jetojnë përgjithmonë në një tokë parajsore. A është e mundur të marrin që tani një dhuratë të dashur nga Perëndia dhe, në këtë mënyrë, të konsiderohen si të drejtë duke pasur perspektivën e jetës në tokë? Në bazë të asaj që Pavli u shkroi romakëve, përgjigjja inkurajuese është po.

17, 18. (a) Si e konsideroi Perëndia Abrahamin falë besimit që kishte? (b) Si mundi Jehovai ta konsideronte Abrahamin të drejtë?

17 Pavli shqyrtoi një shembull thelbësor, Abrahamin, një burrë me besim që jetoi para se Jehovai t’i jepte Izraelit një kod me ligje dhe shumë kohë para se Krishti të hapte udhën e jetës qiellore. (Hebr. 10:19, 20) Pavli tha: «Premtimi që të ishte trashëgimtar i një bote, Abrahamit ose farës së tij, nuk iu bë nëpërmjet ligjit, por nëpërmjet drejtësisë me anë të besimit.» (Rom. 4:13; Jak. 2:23, 24) Pra, Perëndia e llogariti si të drejtë Abrahamin besnik.​—Lexo Romakëve 4:20-22.

18 Kjo nuk mund të nënkuptojë se Abrahami ishte pa mëkat ndërsa i shërbente Jehovait gjatë dekadave. Jo, ai nuk ishte i drejtë në këtë kuptim. (Rom. 3:10, 23) Sidoqoftë, me mençurinë e tij të pakufishme, Jehovai mori parasysh besimin e jashtëzakonshëm të Abrahamit dhe veprat që erdhën si rezultat i atij besimi. Në veçanti, Abrahami tregoi besim te «fara» e premtuar që do të vinte nga pasardhësit e tij. Kjo Farë doli se ishte Mesia ose Krishti. (Zan. 15:6; 22:15-18) Për rrjedhim, në bazë të «shpërblesës që pagoi Krishti Jezu», Gjykatësi hyjnor mund të falë mëkatet që janë bërë në të shkuarën. Kështu, Abrahami dhe njerëz të tjerë besnikë të kohëve para krishterimit kanë perspektivën e ringjalljes.​—Lexo Romakëve 3:24, 25; Psal. 32:1, 2.

Të gëzojmë një qëndrim të drejtë që tani

19. Pse mënyra si e konsideroi Perëndia Abrahamin duhet t’u japë zemër shumë vetave sot?

19 Fakti që Perëndia i dashurisë e llogariti si të drejtë Abrahamin, duhet t’u japë zemër të krishterëve të vërtetë sot. Jehovai nuk e shpalli të drejtë në atë kuptim që shpall ata që miros me frymë për të qenë «bashkëtrashëgimtarë me Krishtin». Këta të zgjedhur ‘thirren për të qenë të shenjtë’ dhe pranohen si «bij të Perëndisë». (Rom. 1:7; 8:14, 17, 33) Krejt ndryshe, Abrahami u bë «mik i Jehovait»​—dhe kjo ndodhi para se të paraqitej flijimi shpërblyes. (Jak. 2:23; Isa. 41:8) Ç’mund të thuhet atëherë për të krishterët e vërtetë që shpresojnë të jetojnë në Parajsën tokësore që do të rivendoset?

20. Çfarë pret Perëndia nga ata që i konsideron të drejtë sot ashtu si konsideroi Abrahamin?

20 Këta nuk kanë marrë ‘dhuratën falas të drejtësisë’ me perspektivën e jetës qiellore «me anë të çlirimit nëpërmjet shpërblesës që pagoi Krishti Jezu». (Rom. 3:24; 5:15, 17) Prapëseprapë, tregojnë besim të thellë te Perëndia e te shpërblesa që ai siguroi, dhe e shfaqin këtë besim me anë të veprave të mira. Një vepër e tillë është ‘të predikojnë mbretërinë e Perëndisë dhe t’u mësojnë të tjerëve gjërat për Zotërinë Jezu Krisht’. (Vep. 28:31) Në këtë mënyrë, Jehovai mund t’i konsiderojë të drejtë në kuptimin që konsideroi Abrahamin. Dhurata që marrin këta​—miqësia me Perëndinë​—ndryshon nga ‘dhurata falas’ që marrin të mirosurit. Sidoqoftë, ajo është me siguri një dhuratë që e pranojnë me mirënjohje të thellë.

21. Çfarë dobish mund të kemi falë dashurisë dhe drejtësisë së Jehovait?

21 Nëse shpresoni të gëzoni jetën e përhershme në tokë, duhet të kuptoni se kjo mundësi nuk është tekë e një sundimtari njerëzor. Përkundrazi, pasqyron qëllimin e mençur të Sovranit Universal. Jehovai ka marrë hapa të njëpasnjëshëm që ta plotësojë qëllimin e tij. Këta hapa kanë qenë në përputhje me drejtësinë e vërtetë. Për më tepër, kanë pasqyruar dashurinë e madhe të Perëndisë. Me të drejtë Pavli mundi të thoshte: «Perëndia na e shfaq dashurinë e vet në atë që, kur ishim akoma mëkatarë, Krishti vdiq për ne.»​—Rom. 5:8.

[Shënimi]

^ par. 11 Për shembull, kjo pikëpamje lidhur me pasardhësit u përfshi në librin Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëllimi 2, faqja 736, paragrafët 4 dhe 5, angl.

A ju kujtohet?

• Çfarë trashëgimie morën pasardhësit e Adamit dhe me ç’rezultat?

• Si u sigurua shpërblesa përkatëse dhe çfarë përkonte?

• Çfarë bekimesh i presin ata që Perëndia i konsideron të drejtë?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 13]

Njeriu i përsosur, Adami, mëkatoi. Njeriu i përsosur, Jezui, paraqiti «një shpërblesë përkatëse»

[Figura në faqen 15]

Çfarë lajmi i mirë: nëpërmjet Jezuit mund të shpallemi të drejtë!