Pyetje nga lexuesit
Pyetje nga lexuesit
Kur Jezu Krishti i dërgoi 12 apostujt të predikonin, a u tha të merrnin shkopinj e të vishnin sandale?
Disa pohojnë se tri tregimet në ungjij që përshkruajnë momentin kur Jezui i dërgoi apostujt të predikonin, bien në kundërshtim me njëri-tjetrin. Por duke i krahasuar këto tregime, mund të nxjerrim një përfundim interesant. Së pari, të krahasojmë atë që shkruan Marku dhe Luka. Në tregimin e Markut thuhet: «[Jezui] i urdhëroi që, përveç një shkopi, të mos merrnin asgjë udhës, as bukë, as trastë, as monedha bakri në qeset e tyre, por të mbathnin sandale e të mos vishnin dy veshje të poshtme.» (Mar. 6:7-9) Luka shkroi: «Mos merrni asgjë udhës, as shkop, as trastë, as bukë, as monedha argjendi dhe as mos kini dy veshje të poshtme.» (Luka 9:1-3) Këtu duket sikur ka një kontradiktë. Sipas Markut, apostujve iu tha të merrnin një shkop dhe të mbathnin sandale, por te tregimi i Lukës thuhet se ata nuk duhej të merrnin asgjë, madje as shkop. Ndryshe nga Marku, Luka nuk i përmend sandalet.
Që të kuptojmë se ç’donte të thoshte Jezui në këtë rast, të vërejmë një shprehje të përbashkët në të tre ungjijtë. Në tregimet e sapocituara, si edhe te Mateu 10:5-10, apostujve iu tha që të mos vishnin ose të mos kishin «dy veshje të poshtme». Ka shumë mundësi që çdo apostull të kishte veshur tashmë një veshje të poshtme. Pra, ata nuk duhej të merrnin një tjetër për udhë. Po kështu, ata kishin veshur tashmë sandale. Prandaj, s’kishin pse të merrnin një palë të tjera për udhë. Ç’mund të themi për shkopinjtë? The Jewish Encyclopedia thotë: «Duket se judenjtë e lashtë e kishin zakon të merrnin me vete një shkop.» (Zan. 32:10) Marku tha se apostujt nuk duhej ‘të merrnin asgjë udhës’ përveç shkopit që kishin kur Jezui u dha urdhrin. Kështu, shkrimtarët e ungjijve po theksonin udhëzimin e Jezuit që të mos e ngadalësonin udhëtimin duke marrë me vete gjëra të tepërta.
Kjo pikë theksohet më tej nga Mateu, i cili e dëgjoi urdhrin e Jezuit në atë rast dhe e dokumentoi. Jezui tha: «Mos merrni as ar, as argjend, as bakër në qeset tuaja, as trastë për udhën, as dy veshje të poshtme, as sandale, as shkop, sepse punëtori e meriton ushqimin e vet.» (Mat. 10:9, 10) Ç’të themi për sandalet që apostujt kishin veshur dhe për shkopinjtë që mbanin në dorë? Jezui nuk u tha t’i hidhnin ato që kishin tashmë, por që të mos merrnin të tjera. Pse e dha këtë urdhër? Sepse «punëtori e meriton ushqimin e vet». Ky ishte thelbi i urdhrit të Jezuit, i cili ishte në përputhje me këshillën e tij në Predikimin në Mal, që të mos ishin në ankth se ç’do të hanin, pinin ose vishnin.—Mat. 6:25-32.
Ndonëse këto tregime të ungjijve në pamje të parë mund të duken kontradiktore, të gjitha theksonin të njëjtën pikë. Apostujt duhej të shkonin ashtu siç ishin e jo të shpërqendroheshin duke marrë ndonjë gjë tepër. Pse? Sepse Jehovai do të kujdesej për ta.
Për kë e kishte fjalën Solomoni kur tha «një zonjë, madje disa zonja»?—Nuk jemi të sigurt, por një mundësi është se e kishte fjalën për gratë e shquara që takoi në oborrin e tij mbretëror.
Te kapitulli i 2-të i Eklisiastiut, Solomoni përmendi disa nga gjërat që kishte arritur të bënte, përfshirë edhe projektet e mëdha të ndërtimit. Ai shtoi: «Grumbullova argjend dhe ar, pronat e mbretërve dhe të provincave. Mblodha këngëtarë e këngëtare, si dhe ato që janë kënaqësitë e thella të bijve të njerëzve: një zonjë, madje disa zonja.»—Ekl. 2:8.
Disa komentues pohojnë se, ‘zonjat’ që përmendi Solomoni ishin gratë dhe konkubinat e shumta të huaja që mori në vitet e vonshme të jetës dhe që e çuan në adhurimin e rremë. (1 Mbret. 11:1-4) Megjithatë, ky shpjegim ka disa probleme. Kur i shkroi këto fjalë, Solomoni tashmë i njihte ato që quan «një zonjë, madje disa zonja». E në këtë kohë kishte ende miratimin e Jehovait, pasi Ai e frymëzoi të shkruante libra të Biblës. Kjo vështirë të përputhet me situatën e tij në vitet e mëvonshme kur mori qindra gra e konkubina të huaja dhe përqafoi adhurimin e rremë.
Në Librin e Eklisiastiut, Solomoni tha se ‘kishte kërkuar të gjente fjalë të këndshme dhe të shkruante fjalë të sakta të së vërtetës’. (Ekl. 12:10) Pa dyshim ai i njihte fjalët «grua», «mbretëreshë» dhe «konkubinë», sepse i përdori në shkrimet e tij të frymëzuara. (Prov. 5:18; 12:4; 18:22; Ekl. 9:9; Këng. 6:8, 9) Por tek Eklisiastiu 2:8, nuk përdoren këto fjalë të njohura.
Te fraza «një zonjë, madje disa zonja» gjejmë të vetmet raste (në njëjës dhe në shumës) në Bibël kur përdoret një fjalë hebraike e pazakontë. Studiuesit pohojnë se kuptimi i kësaj fjale nuk është i sigurt. Shumë përkthyes të Biblës mendojnë se fraza tek Eklisiastiu 2:8 u referohet grave, e shprehur në njëjës e më pas në shumës ose në shkallën sipërore. Përkthimi «një zonjë, madje disa zonja» përçon këtë kuptim.
Solomoni ishte aq i famshëm, saqë një mbretëreshë nga mbretëria e pasur e Shebës dëgjoi për të, shkoi ta takonte dhe mbeti e mahnitur. (1 Mbret. 10:1, 2) Kjo tregon një kuptim të mundshëm të frazës së Solomonit «një zonjë, madje disa zonja». Ndoshta ai e kishte fjalën për gratë e shquara që takoi në oborrin e tij mbretëror gjatë viteve të shumta kur kishte ende miratimin e Perëndisë.