Mirë se vjen në udhën më të mirë të jetës!
Mirë se vjen në udhën më të mirë të jetës!
«Edhe nëse jetojmë, edhe nëse vdesim, i përkasim Jehovait.»—ROM. 14:8.
1. Sipas Jezuit, cila është udha më e mirë e jetës?
JEHOVAI do që të ndjekim udhën më të mirë të jetës. Njerëzit mund të ndjekin udhë të ndryshme në jetë, por vetëm njëra është më e mira. Nuk ka mënyrë më të mirë për të jetuar sesa të zbatojmë Fjalën e Perëndisë dhe të mësojmë nga Biri i tij, Jezu Krishti. Jezui i mësoi dishepujt ta adhuronin Perëndinë me frymë e të vërtetë dhe u dha caktimin që të bënin dishepuj. (Mat. 28:19, 20; Gjoni 4:24) Kur jetojmë në përputhje me udhëzimet e Jezuit, kënaqim Jehovain dhe gëzojmë bekimet e Tij.
2. (a) Si reaguan disa në shekullin e parë ndaj mesazhit për Mbretërinë? (b) Çfarë do të thoshte për dishepujt e hershëm t’i përkitnin «Udhës»?
2 Kur ata që janë «të prirur për jetën e përhershme» bëhen besimtarë dhe pagëzohen, kemi arsye të vlefshme që t’u themi: «Mirë se erdhët në udhën më të mirë të jetës!» (Vep. 13:48) Gjatë shekullit të parë të erës sonë, mijëra njerëz nga kombe të ndryshme përqafuan të vërtetën dhe e treguan publikisht përkushtimin e tyre ndaj Perëndisë duke u pagëzuar. (Vep. 2:41) Ata dishepuj të hershëm i përkitnin «Udhës». (Vep. 9:2; 19:23) Kjo fjalë ishte me vend sepse ata që bëheshin dishepuj të Krishtit i përmbaheshin një udhe ose mënyre jetese që përqendrohej në besimin te Jezu Krishti dhe në ndjekjen e shembullit të tij.—1 Pjet. 2:21.
3. (a) Pse pagëzohen shërbëtorët e Jehovait? (b) Sa veta janë pagëzuar në dhjetë vitet e fundit?
3 Vepra e bërjes së dishepujve është përshpejtuar në këto ditë të fundit dhe po kryhet në më tepër se 230 vende. Gjatë dhjetë viteve të fundit, më shumë se 2.700.000 njerëz kanë vendosur t’i shërbejnë Jehovait dhe të pagëzohen në simbol të kushtimit ndaj tij. Kjo do të thotë mesatarisht mbi 5.000 veta çdo javë! Vendimi për t’u pagëzuar bazohet te dashuria për Perëndinë, njohuria rreth Biblës dhe besimi te gjërat që janë shkruar në të. Pagëzimi është një ngjarje e rëndësishme në jetën tonë, sepse shënon fillimin e një marrëdhënieje të ngushtë me Jehovain. Gjithashtu, tregon sigurinë që kemi se Jehovai do të na ndihmojë t’i shërbejmë besnikërisht, ashtu siç i ndihmoi shërbëtorët e lashtësisë që të ecnin në udhën e tij.—Isa. 30:21.
Pse të pagëzohesh?
4, 5. Përmend disa nga bekimet dhe dobitë që vijnë kur pagëzohesh.
4 Ndoshta ke marrë njohuri për Perëndinë, ke bërë ndryshime në jetë dhe tani je një lajmëtar i papagëzuar. Je për t’u lavdëruar për përparimin që ke bërë. Por, a i je kushtuar Perëndisë me anë të lutjes dhe a dëshiron të pagëzohesh? Nga studimi i Biblës, ka shumë të ngjarë që e di se duhet të kesh si synim kryesor në jetë të lëvdosh Jehovain, e jo thjesht të kënaqësh veten apo të grumbullosh pasuri materiale. (Lexo Psalmin 148:11-13; Luka 12:15) Cilat janë disa nga bekimet dhe dobitë që vijnë kur pagëzohesh?
5 Si një i krishterë i kushtuar, do të kesh qëllimin më të lartë në jetë. Do të jesh i lumtur sepse po bën vullnetin e Perëndisë. (Rom. 12:1, 2) Fryma e shenjtë e Jehovait do të prodhojë te ti cilësi hyjnore të tilla, si paqja dhe besimi. (Gal. 5:22, 23) Perëndia do t’u përgjigjet lutjeve të tua dhe do të t’i bekojë përpjekjet që bën për të jetuar sipas Fjalës së tij. Do të bësh një shërbim të gëzuar dhe, duke jetuar sipas udhës që Perëndia miraton, do të të forcohet shpresa e jetës së përhershme. Për më tepër, nëse i kushtohesh Perëndisë dhe pagëzohesh, do të tregosh se dëshiron vërtet të jesh një Dëshmitar i Jehovait.—Isa. 43:10-12.
6. Çfarë tregojmë me anë të pagëzimit?
6 Kur i kushtohemi Perëndisë dhe pagëzohemi, tregojmë publikisht se i përkasim atij. Apostulli Pavël shkroi: «Asnjë nga ne nuk jeton vetëm për veten dhe askush nuk vdes vetëm për veten, sepse edhe nëse jetojmë, jetojmë për Jehovain, edhe nëse vdesim, vdesim për Jehovain. Pra, edhe nëse jetojmë, edhe nëse vdesim, i përkasim Jehovait.» (Rom. 14:7, 8) Perëndia na ka nderuar duke na krijuar me vullnet të lirë. Kur vendosim të ndjekim këtë udhë jete ngaqë e duam Perëndinë, ia gëzojmë zemrën atij. (Prov. 27:11) Me anë të pagëzimit simbolizojmë kushtimin tonë ndaj Perëndisë, si dhe shpallim publikisht se Jehovai është Sundimtari ynë. Po ashtu, pagëzimi ynë tregon se kemi marrë anën e tij në çështjen e sovranitetit universal. (Vep. 5:29, 32) Për këtë arsye, Jehovai është në krahun tonë. (Lexo Psalmin 118:6.) Përveç kësaj, pagëzimi hap para nesh udhën për të pasur shumë bekime të tjera frymore tani dhe në të ardhmen.
Të bekuar me një vëllazëri të dashur
7-9. (a) Ç’siguri u dha Jezui atyre që lanë gjithçka dhe e ndoqën? (b) Si po përmbushet premtimi i Jezuit që gjendet te Marku 10:29, 30?
7 Apostulli Pjetër i tha Jezuit: «Ja, ne lamë gjithçka dhe të ndoqëm. Vallë, ç’do të ketë për ne?» (Mat. 19:27) Pjetri donte të dinte se ç’e ardhme e priste atë dhe dishepujt e tjerë të Jezuit. Për t’iu përkushtuar plotësisht veprës së predikimit për Mbretërinë, ata kishin bërë sakrifica të mëdha. (Mat. 4:18-22) Ç’siguri u dha Jezui?
8 Sipas tregimit paralel të Markut, Jezui tha se dishepujt e tij do të bëheshin pjesë e një vëllazërie frymore. Ai tha: «Nuk ka njeri që të ketë lënë shtëpi, vëllezër, motra, nënë, baba, fëmijë ose ara për hirin tim dhe për hir të lajmit të mirë, që të mos marrë në këtë kohë njëqindfish shtëpi, vëllezër, motra, nëna, fëmijë dhe ara, bashkë me përndjekje, dhe në sistemin që po vjen, jetën e përhershme.» (Mar. 10:29, 30) Të krishterët e shekullit të parë si Lidia, Akuila, Prishila dhe Gaji, ishin ndër ata që u siguruan «shtëpi» bashkëbesimtarëve dhe iu bënë ‘vëllezër e motra’ atyre, siç kishte premtuar Jezui.—Vep. 16:14, 15; 18:2-4; 3 Gjon. 1, 5-8.
9 Fjalët e Jezuit po përmbushen në shkallë më të madhe sot. ‘Arat’ që dishepujt e tij lënë pas u referohen mjeteve të jetesës nga të cilat shumë veta, ku përfshihen misionarët, pjesëtarët e familjes Bethel, shërbëtorët ndërkombëtarë dhe të tjerë, heqin dorë me gatishmëri për të çuar përpara interesat e Mbretërisë në vende të ndryshme. Shumë vëllezër e motra kanë vendosur të banojnë në shtëpi më modeste për të thjeshtuar jetën dhe ne gëzohemi kur dëgjojmë përvojat e tyre që tregojnë se si është kujdesur Jehovai për ta e se si u ka sjellë lumturi shërbimi që i bëjnë. (Vep. 20:35) Për më tepër, të gjithë shërbëtorët e pagëzuar të Jehovait mund të gëzojnë bekimin që vjen kur ‘kërkojnë në radhë të parë mbretërinë dhe drejtësinë e Perëndisë’ bashkë me vëllazërinë e krishterë mbarëbotërore.—Mat. 6:33.
Të sigurt në «vendin e fshehtë»
10, 11. (a) Çfarë është ‘vendi i fshehtë i Më të Lartit’? (b) Si mund të hyjmë në këtë vend?
10 Nga kushtimi dhe pagëzimi vjen një tjetër bekim i madh: privilegji që të banojmë në «vendin e fshehtë të Më të Lartit». (Lexo Psalmin 91:1.) Ky është një vend i figurshëm sigurie, një gjendje ku jemi të mbrojtur nga dëmet frymore. Është ‘vend i fshehtë’, sepse nuk e dallojnë njerëzit që nuk kanë një këndvështrim frymor dhe që nuk besojnë te Perëndia. Kur jetojmë në përputhje me kushtimin tonë dhe tregojmë besim të plotë te Jehovai, është sikur po i themi: «Ti je streha dhe kalaja ime, Perëndia im, tek i cili do të kem besim.» (Psal. 91:2) Perëndia Jehova bëhet vendbanimi ynë i sigurt. (Psal. 91:9) A mund të kërkojmë më shumë se kaq?
11 Hyrja në «vendin e fshehtë» të Jehovait nënkupton edhe se jemi bekuar me privilegjin që kemi një marrëdhënie personale me të. Kjo hyrje në «vendin e fshehtë» fillon me kushtimin dhe pagëzimin. Pas kësaj, e zhvillojmë marrëdhënien tonë me Perëndinë duke iu afruar nëpërmjet studimit të Biblës, lutjeve të përzemërta dhe bindjes së plotë ndaj tij. (Jak. 4:8) Askush nuk i është afruar më shumë Jehovait sesa Jezui, besimi i të cilit te Krijuesi nuk u lëkund kurrë. (Gjoni 8:29) Prandaj, le të mos dyshojmë kurrë te Jehovai ose te dëshira e aftësia e tij për të na ndihmuar që të mbajmë zotimin e kushtimit. (Ekl. 5:4) Masat frymore që ka marrë Perëndia për popullin e tij janë dëshmi të pamohueshme se na do vërtet dhe dëshiron që t’i shërbejmë me sukses.
Ta çmojmë parajsën tonë frymore
12, 13. (a) Çfarë është parajsa frymore? (b) Si mund t’i ndihmojmë të rinjtë në të vërtetën?
12 Gjithashtu, kushtimi dhe pagëzimi na jep mundësinë të banojmë në parajsën e bekuar frymore. Ky është një mjedis frymor i pashoq që gëzojmë me bashkëbesimtarët të cilët janë në paqe me Perëndinë Jehova dhe me njëri-tjetrin. (Psal. 29:11; Isa. 54:13) Bota nuk ka asgjë që mund të krahasohet sadopak me parajsën tonë frymore. Kjo duket qartë sidomos në kongreset ndërkombëtare ku vëllezër dhe motra nga shumë kombe, gjuhë e grupe etnike mblidhen në një atmosferë paqeje, uniteti dhe dashurie vëllazërore.
13 Parajsa frymore që gëzojmë ndryshon si nata me ditën me gjendjen e mjerë të botës së sotme. (Lexo Isainë 65:13, 14.) Kur shpallim mesazhin për Mbretërinë, kemi privilegjin t’u japim të tjerëve ftesën për të hyrë në parajsën frymore. Po ashtu, është një bekim t’i ndihmojmë ata që kohët e fundit po shoqërohen me kongregacionin dhe që do të nxjerrin dobi po t’i stërvitim në shërbim. Nën drejtimin e pleqve, mund të bekohemi me privilegjin që të ndihmojmë disa të rinj në të vërtetën, ashtu si Akuila dhe Prishila «i shtjelluan më saktë udhën e Perëndisë» Apolit.—Vep. 18:24-26.
Të vazhdojmë të mësojmë nga Jezui
14, 15. Cilat arsye të vlefshme kemi që të vazhdojmë të mësojmë nga Jezui?
14 Kemi arsye të vlefshme që të vazhdojmë të mësojmë nga Jezui. Gjatë ekzistencës së tij paranjerëzore, Jezui bashkëpunoi për mijëvjeçarë të panumërt me Atin. (Prov. 8:22, 30) Ai e dinte se udha më e mirë e jetës përqendrohet në shërbimin ndaj Perëndisë dhe në dhënien e dëshmisë për të vërtetën. (Gjoni 18:37) Për Jezuin ishte e qartë se çdo udhë tjetër do të ishte egoiste dhe dritëshkurtër. E dinte se do të haste sprova të rënda dhe do ta vritnin. (Mat. 20:18, 19; Hebr. 4:15) Si Shembulli ynë, ai na mësoi se si ta mbajmë integritetin.
15 Jo shumë kohë pas pagëzimit, Satanai e tundoi Jezuin që të hiqte dorë nga udha më e mirë e jetës, por më kot. (Mat. 4:1-11) Kjo na mëson që pavarësisht se çfarë bën Satanai, ne mund ta mbajmë integritetin. Ka shumë të ngjarë që ai të përqendrohet tek ata që janë në prag të pagëzimit, si dhe tek ata që sapo janë pagëzuar. (1 Pjet. 5:8) Kundërshtimi mund të vijë nga familjarë të nisur nga qëllime të mira, por që janë të keqinformuar. Megjithatë, këto sprova na japin mundësi të shfaqim cilësi të krishtere të shkëlqyera si respekti dhe takti, kur u përgjigjemi pyetjeve që na bëjnë dhe kur japim dëshmi. (1 Pjet. 3:15) Si rrjedhim, këto raste mund të kenë një ndikim të mirë tek ata që na dëgjojnë.—1 Tim. 4:16.
Të qëndrojmë në udhën më të mirë të jetës
16, 17. (a) Sipas Ligjit të përtërirë 30:19, 20, cilat janë tri kërkesat bazë për të zgjedhur jetën? (b) Si i mbështetën fjalët e Moisiut Jezui, Gjoni dhe Pavli?
16 Rreth 1.500 vjet para se Jezui të vinte në tokë, Moisiu u bëri thirrje izraelitëve të zgjidhnin udhën më të mirë të jetës për atë kohë. Ai tha: «Unë marr sot si dëshmitarë kundër jush qiellin dhe tokën, se ju kam vënë përpara jetën dhe vdekjen, bekimin dhe mallkimin. Zgjidhni jetën, që të rroni ju dhe pasardhësit tuaj, duke dashur Jehovain, Perëndinë tuaj, duke dëgjuar zërin e tij e duke qëndruar të lidhur ngushtë me të.» (Ligj. 30:19, 20) Izraeli nuk i qëndroi besnik Perëndisë, por tri kërkesat bazë që përmendi Moisiu për të zgjedhur jetën nuk kanë ndryshuar. Ato i pohuan përsëri Jezui dhe shërbëtorë të tjerë të Perëndisë.
17 Së pari, ‘duhet të duam Jehovain, Perëndinë tonë’. Tregojmë se e duam Perëndinë kur veprojmë në përputhje me udhët e tij të drejta. (Mat. 22:37) Së dyti, ‘duhet të dëgjojmë zërin e Jehovait’ duke studiuar Fjalën e tij dhe duke iu bindur urdhërimeve të tij. (1 Gjon. 5:3) Kjo kërkon që të jemi rregullisht të pranishëm në mbledhjet e krishtere ku shqyrtohet Bibla. (Hebr. 10:23-25) Së treti, ‘duhet të qëndrojmë të lidhur ngushtë me Jehovain’. Pavarësisht se çfarë do të përballojmë, le të tregojmë gjithnjë besim te Perëndia dhe le të ndjekim Birin e tij.—2 Kor. 4:16-18.
18. (a) Si e përshkroi Kulla e Rojës të vërtetën në vitin 1914? (b) Si duhet të ndihemi për dritën e së vërtetës sot?
18 Ç’bekim është të jetojmë në përputhje me të vërtetën biblike! Në vitin 1914, u botuan këto fjalë në Kullën e Rojës: «A nuk jemi një popull i bekuar dhe i lumtur? A nuk është besnik Perëndia ynë? Nëse dikush di një udhë më të mirë, le ta ndjekë. Nëse ndonjë nga ju gjen diçka më të mirë, shpresojmë të na e thotë. Ne nuk dimë asgjë më të mirë që të jetë sa gjysma e asaj që kemi gjetur në Fjalën e Perëndisë. . . . Asnjë gjuhë ose penë nuk mund të përshkruajë paqen, gëzimin dhe bekimet që na ka sjellë në zemër e në jetë njohuria e qartë për Perëndinë e vërtetë. Gjithçka që thuhet për Mençurinë, Drejtësinë, Fuqinë dhe Dashurinë e Perëndisë na i plotëson dëshirat e mendjes dhe të zemrës. Nuk kërkojmë më shumë. S’dëshirojmë gjë tjetër veçse të rritemi në njohurinë për Perëndinë.» (Kulla e Rojës, 15 dhjetor 1914, faqet 377, 378, anglisht) Ne kemi të njëjtën mirënjohje për dritën frymore dhe të vërtetën. Po, tani kemi madje edhe më shumë arsye të gëzojmë që «ecim në dritën e Jehovait».—Isa. 2:5; Psal. 43:3; Prov. 4:18.
19. Pse ata që kualifikohen për pagëzimin duhet ta bëjnë këtë hap pa vonesë?
19 Nëse dëshiron ‘të ecësh në dritën e Jehovait’ por ende nuk je një i krishterë i kushtuar dhe i pagëzuar, mos vono. Bëj gjithçka nevojitet për të plotësuar kërkesat biblike për pagëzimin. Kjo është mënyra e vetme për të treguar mirënjohje për çdo gjë që Perëndia dhe Krishti kanë bërë për ne. Jepi Jehovait gjënë tënde më të çmuar—jetën. Tregoji se dëshiron të bësh vullnetin e Tij duke ndjekur Birin e Tij. (2 Kor. 5:14, 15) Pa dyshim, kjo është udha më e mirë e jetës!
Si do të përgjigjeshit?
• Çfarë simbolizon pagëzimi?
• Çfarë bekimesh sjell kushtimi ndaj Perëndisë dhe pagëzimi?
• Pse është e rëndësishme të mësojmë nga Jezui?
• Çfarë do të na ndihmojë të qëndrojmë në udhën më të mirë të jetës?
[Pyetjet]
[Figura në faqen 25]
Pagëzimi yt tregon se ke zgjedhur udhën më të mirë të jetës
[Figurat në faqen 26]
A ndihesh i sigurt në «vendin e fshehtë»?