Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dashuria e Krishtit na shtyn të duam

Dashuria e Krishtit na shtyn të duam

Dashuria e Krishtit na shtyn të duam

«Meqë [Jezui] i kishte dashur të vetët që ishin në botë, ai i deshi ata deri në fund.»—GJONI 13:1.

1, 2. (a) Pse është e jashtëzakonshme dashuria e Jezuit? (b) Ç’aspekte të dashurisë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

JEZUI la shembullin e përsosur të dashurisë. Çdo gjë—mënyra si fliste, sjellja, mësimet dhe vdekja e tij flijuese—tregonte dashurinë e tij. Deri në fund të jetës së tij në tokë, Jezui shfaqi dashuri ndaj atyre që takoi, dhe sidomos ndaj dishepujve të tij.

2 Shembulli i jashtëzakonshëm i dashurisë së Jezuit vendos një standard të lartë për dishepujt e tij. Ai na shtyn edhe të tregojmë një dashuri të tillë ndaj vëllezërve e motrave frymore, si dhe ndaj gjithë të tjerëve. Në këtë artikull, do të shqyrtojmë se çfarë mund të mësojnë pleqtë e kongregacionit nga Jezui në lidhje me shfaqjen e dashurisë ndaj atyre që bëjnë gabime, madje edhe gabime serioze. Gjithashtu, do të shqyrtojmë se si dashuria e Jezuit i shtyn të krishterët t’i ndihmojnë konkretisht të tjerët kur hasin vështirësi ekonomike, katastrofa ose sëmundje.

3. Si e trajtoi Jezui Pjetrin megjithëse ai kishte gabuar rëndë?

3 Natën para se të vdiste Jezui, apostulli i vet, Pjetri, e mohoi tri herë. (Mar. 14:66-72) Megjithatë, kur Pjetri u pendua, ashtu si Jezui kishte parathënë, Ai e fali dhe i besoi përgjegjësi të mëdha. (Luka 22:32; Vep. 2:14; 8:14-17; 10:44, 45) Çfarë mësojmë nga qëndrimi i Jezuit ndaj atyre që gabojnë rëndë?

Të shfaqim qëndrimin mendor të Krishtit ndaj keqbërësve

4. Cila është ajo situatë që kërkon në mënyrë të veçantë të shfaqim qëndrimin mendor të Krishtit?

4 Një ndër rrethanat e shumta ku kërkohet të shfaqet qëndrimi mendor i Krishtit, dhe që të copëton zemrën, është trajtimi i keqbërjeve serioze, qoftë në familje, qoftë në kongregacion. Mjerisht, ndërsa ditët e fundit të sistemit të Satanait arrijnë kulmin, fryma e botës po ndikon gjithnjë e më shumë në aspektin moral. Qëndrimi i keq ose indiferent i botës ndaj së drejtës dhe së gabuarës mund të infektojë si të rriturit, ashtu edhe të rinjtë dhe mund të dobësojë vendosmërinë e tyre për të bërë atë që është e drejtë. Në shekullin e parë, disa u desh të përjashtoheshin nga kongregacioni i krishterë dhe disa u qortuan. Po kështu është edhe sot. (1 Kor. 5:11-13; 1 Tim. 5:20) Gjithsesi, kur pleqtë që merren me këto çështje shfaqin dashuri si Krishti, kjo mund të ndikojë shumë te keqbërësi.

5. Si duhet ta imitojnë pleqtë qëndrimin e Krishtit ndaj keqbërësve?

5 Ashtu si Jezui, pleqtë duhet të mbajnë gjithmonë normat e drejta të Jehovait. Ndërsa veprojnë kështu, ata pasqyrojnë butësinë, mirëdashjen dhe dashurinë e Jehovait. Kur dikush është vërtet i penduar, ‘zemërthyer’ dhe me ‘frymë të dërrmuar’ nga gabimi i tij, për pleqtë mund të mos jetë e vështirë që ‘ta ndreqin atë me një frymë butësie’. (Psal. 34:18; Gal. 6:1) Po nëse kanë të bëjnë me dikë që është rebel dhe tregon pak ose aspak keqardhje?

6. Si nuk duhet të reagojnë pleqtë ndaj keqbërësve dhe pse?

6 Kur një keqbërës refuzon këshillën nga Shkrimet ose përpiqet t’ua hedhë fajin të tjerëve për gabimin e tij, pleqtë dhe të tjerët mund të indinjohen. Duke menduar për dëmin që ka shkaktuar tashmë ky person, ata mund të tundohen që të shprehen ashtu siç ndihen ndaj veprimeve ose qëndrimit të individit. Megjithatë, zemërimi është dëmtues dhe nuk pasqyron «mendjen e Krishtit». (1 Kor. 2:16; lexo Jakovin 1:19, 20.) Jezui i paralajmëroi hapur disa në ato kohë, por nuk tha kurrë diçka me urrejtje ose për të lënduar. (1 Pjet. 2:23) Përkundrazi, ai ua linte derën të hapur keqbërësve që të pendoheshin dhe të rifitonin miratimin e Jehovait. Vërtet, një nga arsyet kryesore të ardhjes së Jezuit në botë, ishte «për të shpëtuar mëkatarët».—1 Tim. 1:15.

7, 8. Nga çfarë duhet të udhëhiqen pleqtë në trajtimin e çështjeve gjyqësore?

7 Si duhet të ndikojë shembulli i Jezuit në këtë drejtim në qëndrimin tonë ndaj atyre që duhen disiplinuar nga kongregacioni? Mos harroni se drejtimi biblik për të ndërmarrë veprime gjyqësore brenda kongregacionit mbron kopenë dhe mund ta ndihmojë një keqbërës të disiplinuar të pendohet. (2 Kor. 2:6-8) Është vërtet e trishtueshme që disa nuk pendohen dhe duhen përjashtuar, megjithatë të ngroh zemrën fakti që një numër i madh i këtyre kthehen më pas te Jehovai e në kongregacion. Kur pleqtë tregojnë dashuri si Krishti, ata ia bëjnë më të lehtë personit që të ndryshojë qëndrim e pastaj të kthehet. Në të ardhmen, disa nga këta ish-keqbërës mund të mos i mbajnë mend të gjitha këshillat biblike të pleqve, por sigurisht do të kujtojnë që pleqtë e respektuan dinjitetin e tyre dhe i trajtuan me dashuri.

8 Pra, pleqtë duhet të shfaqin ‘frytin e frymës’, e sidomos dashuri si Krishti, edhe nën rrethana sfiduese. (Gal. 5:22, 23) Ata kurrë nuk duhet të nguten për të përjashtuar një keqbërës nga kongregacioni. Duhet të tregojnë se dëshirojnë që, ata që kanë gabuar, të kthehen te Jehovai. Kështu, kur një mëkatar të pendohet më vonë, ashtu siç ndodh me shumë, ai mund të jetë thellësisht mirënjohës ndaj Jehovait dhe ndaj ‘dhuratave në njerëz’ që ia bënë më të lehtë kthimin në kongregacion.—Efes. 4:8, 11, 12.

Të tregojmë dashuri si Krishti në kohën e fundit

9. Tregoni një rast kur Jezui e shfaqi dashurinë e tij për dishepujt në mënyrë konkrete.

9 Luka ka shkruar për një rast të jashtëzakonshëm kur Jezui e shfaqi dashurinë e tij në mënyrë konkrete. Duke e ditur se ushtarët romakë do të rrethonin pas ca kohësh qytetin e dënuar të Jerusalemit dhe nuk do t’i lejonin banorët të iknin, Jezui me dashuri i paralajmëroi dishepujt: «Kur ta shikoni Jerusalemin të rrethuar nga ushtritë e fushuara, atëherë dijeni se shkretimi i tij është afruar.» Çfarë duhej të bënin? Ai u dha udhëzime të qarta dhe specifike që më përpara: «Atëherë ata në Jude le të fillojnë të ikin në male, ata që janë brenda qytetit, të largohen, dhe ata që janë në fshatra, të mos hyjnë në qytet, sepse në këto ditë do të vihet në vend drejtësia, që të përmbushen të gjitha gjërat e shkruara.» (Luka 21:20-22) Pasi ushtritë romake rrethuan Jerusalemin në vitin 66 të e.s., ata që u bindën, bënë siç tha Jezui.

10, 11. Si na ndihmon të përgatitemi për ‘shtrëngimin e madh’ shqyrtimi i ikjes së të krishterëve të hershëm nga Jerusalemi?

10 Gjatë ikjes nga Jerusalemi, ishte e nevojshme që të krishterët të tregonin për njëri-tjetrin atë lloj dashurie që Krishti kishte treguar për ta. Sigurisht, atyre iu desh të ndanin me njëri-tjetrin gjithçka kishin. Por profecia e Jezuit kishte një përmbushje në shkallë më të madhe sesa vetëm shkatërrimi i atij qyteti të lashtë. Ai paratha: «Do të ketë një shtrëngim aq të madh, sa nuk ka pasur që nga fillimi i botës e deri tani, dhe as që do të ketë përsëri.» (Mat. 24:17, 18, 21) Para dhe gjatë këtij ‘shtrëngimi të madh’, që pritet të vijë, edhe ne mund të hasim vështirësi dhe mund të na mungojnë gjërat e nevojshme. Nëse kemi qëndrimin mendor të Krishtit, do t’i kapërcejmë ato.

11 Në atë kohë, do të kemi nevojë të ndjekim shembullin e Jezuit duke treguar dashuri altruiste. Në lidhje me këtë, Pavli këshilloi: «Secili nga ne të kënaqë të afërmin me atë që është e mirë për ta ndërtuar. Sepse edhe Krishti nuk kënaqi veten. . . . Perëndia që jep qëndrueshmëri dhe ngushëllim, ju dhëntë të keni mes jush të njëjtin qëndrim mendor që kishte Krishti Jezu.»—Rom. 15:2, 3, 5.

12. Ç’lloj dashurie është e nevojshme të zhvillojmë tani dhe përse?

12 Po kështu edhe Pjetri, një prej atyre që Jezui u tregoi dashuri, i nxiti të krishterët të kultivojnë «përzemërsi vëllazërore pa hipokrizi» dhe të shfaqin ‘bindje ndaj së vërtetës’. Ata duhet të ‘kenë për njëri-tjetrin dashuri të zjarrtë nga zemra’. (1 Pjet. 1:22) Sot, kemi nevojë më shumë se kurrë të zhvillojmë cilësi të tilla si të Krishtit. Presionet mbi gjithë popullin e Perëndisë tashmë po shtohen. Askush nuk duhet të varë shpresat te ndonjë element i kësaj bote të vjetër, siç e tregojnë qartë edhe trazirat e kohëve të fundit në sistemin financiar në mbarë botën. (Lexo 1 Gjonit 2:15-17.) Përkundrazi, ndërsa fundi i këtij sistemi afrohet gjithnjë e më shumë, kemi nevojë të afrohemi më tepër me Jehovain dhe me njëri-tjetrin, duke zhvilluar miqësi të vërteta brenda kongregacionit. Pavli këshilloi: «Kini për njëri-tjetrin përzemërsi të butë me dashuri vëllazërore. Jini të parët për t’i treguar nderim njëri-tjetrit.» (Rom. 12:10) Dhe Pjetri e theksoi edhe më tepër këtë pikë duke thënë: «Mbi të gjitha, kini dashuri të zjarrtë për njëri-tjetrin, sepse dashuria mbulon një shumicë mëkatesh.»—1 Pjet. 4:8.

13-15. Si kanë treguar disa vëllezër pas katastrofave dashuri si Krishti?

13 Anembanë botës, Dëshmitarët e Jehovait njihen si njerëz që e tregojnë me vepra dashurinë si ajo e Krishtit. Mendoni për Dëshmitarët që iu përgjigjën thirrjes për ndihmë pasi disa stuhi dhe uragane shkatërruan zona të tëra në jug të Shteteve të Bashkuara në vitin 2005. Të nxitur nga shembulli i Jezuit, më shumë se 20.000 veta dolën vullnetarë. Shumë prej tyre lanë rehatinë e shtëpisë dhe punët e sigurta për të ndihmuar vëllezërit në nevojë.

14 Në një zonë, stuhia ngriti një mur uji deri në 10 metra lartësi dhe uji u fut brenda vendit deri në 80 kilometra. Kur deti u tërhoq, një e treta e shtëpive dhe e ndërtesave të tjera në atë zonë ishte shkatërruar plotësisht. Dëshmitarët vullnetarë që erdhën nga vende të ndryshme ofruan me gatishmëri aftësitë e tyre, mjete pune e materiale ndërtimi dhe ishin gati të bënin çfarëdolloj pune që nevojitej. Dy motra të një gjaku, vejusha, ngarkuan gjërat e tyre në një kamion të vogël dhe udhëtuan 3.000 kilometra për të dhënë ndihmën e tyre. Njëra prej tyre ka qëndruar në atë zonë ku vazhdon të ndihmojë komitetin vendës për dhënien e ndihmës dhe të shërbejë si pioniere e rregullt.

15 Më shumë se 5.600 shtëpi të Dëshmitarëve dhe të njerëzve të tjerë në atë zonë janë rindërtuar ose meremetuar. Si u ndien Dëshmitarët vendës për dashurinë e jashtëzakonshme që u tregua ndaj tyre? Pasi i ishte shkatërruar shtëpia, një motër kishte shkuar për të jetuar në një dhomë-rimorkio të vogël që pikonte nga sipër dhe soba nuk i punonte. Vëllezërit i ndërtuan një shtëpi të thjeshtë, por të rehatshme. Duke qëndruar para shtëpisë së re dhe të rregullt, ajo shpërtheu në lot nga mirënjohja për Jehovain dhe për vëllezërit. Në shumë raste të tjera, Dëshmitarët e pastrehë qëndruan në strehimet e përkohshme për një vit a më shumë pas rindërtimit të shtëpive të tyre. Përse? Që në shtëpitë e tyre të reja të qëndronin punëtorët që kishin ardhur për të ndihmuar. Çfarë shembulli! Shfaqën tamam një qëndrim mendor si ai i Krishtit.

Të shfaqim qëndrimin e Krishtit ndaj të sëmurëve

16, 17. Në ç’mënyra mund të pasqyrojmë qëndrimin mendor të Krishtit ndaj të sëmurëve?

16 Pak prej nesh kanë vuajtur nga ndonjë katastrofë e madhe natyrore. Por, pothuajse të gjithëve u duhet të përballen me problemet shëndetësore, qoftë të tyret, qoftë të pjesëtarëve të familjes. Qëndrimi mendor që kishte Jezui ndaj të sëmurëve, shërben si shembull për ne. Dashuria e bënte t’i vinte keq për ta. Jezui «i shëroi ata që ishin të sëmurë» kur turmat i çuan tek ai.—Mat. 8:16; 14:14.

17 Sot, të krishterët nuk kanë fuqi si Jezui për të bërë mrekulli dhe për të shëruar, por edhe ata, si Jezui, ndiejnë keqardhje për të sëmurët. Si e tregojnë këtë? Për shembull, pleqtë tregojnë se kanë qëndrimin mendor të Krishtit duke organizuar ndihmën që mund t’u jepet të sëmurëve në kongregacion dhe duke u siguruar për mbarëvajtjen e kësaj ndihme. Këtë e bëjnë duke vepruar në parim sipas asaj që thuhet te Mateu 25:39, 40. * (Lexoje.)

18. (a) Si treguan dy motra dashuri të vërtetë ndaj një motre tjetër? (b) Cili qe rezultati i kësaj dashurie?

18 Sigurisht, nuk duhet të jemi patjetër pleq kongregacioni për t’u bërë mirë të tjerëve. Këtë e tregon edhe rasti i Sharlinës 44-vjeçare, e cila ishte me kancer dhe i thanë se i kishin mbetur vetëm 10 ditë jetë. Duke kuptuar nevojën e saj dhe sa po lodhej fizikisht dhe emocionalisht burri i saj për t’u kujdesur për të, dy motra, Sharoni e Nikoleta, u treguan të gatshme ta ndihmonin atë gjatë gjithë ditëve të saj të fundit. Dhjetë ditët u bënë gjashtë javë, por dy motrat e treguan dashurinë e tyre deri në fund. Sharoni thotë: «Është e vështirë kur e di që personi nuk do të shërohet. Megjithatë, Jehovai na dha forcë. Kjo përvojë na afroi më shumë me të dhe me njëri-tjetrin.» Burri i Sharlinës thotë: «S’kam për ta harruar kurrë mbështetjen e dashur dhe konkrete që na dhanë këto dy motra të çmuara. Motivi i tyre i pastër dhe qëndrimi i tyre pozitiv, ia bënë më të lehtë këtë sprovë të fundit Sharlinës sime besnike dhe mua më lehtësuan nga lodhja fizike e nga ana emocionale, lehtësim për të cilin kisha vërtet nevojë. Do t’u jem mirënjohës përgjithmonë. Sakrifica e tyre më forcoi besimin te Jehovai dhe dashurinë për gjithë vëllazërinë tonë.»

19, 20. (a) Cilat janë pesë aspektet e qëndrimit mendor të Krishtit që kemi shqyrtuar? (b) Për çfarë jeni të vendosur?

19 Në këtë seri prej tre artikujsh, kemi shqyrtuar pesë aspekte të qëndrimit mendor të Krishtit dhe si mund të mendojmë e të veprojmë si ai. Le të jemi ‘me natyrë të butë e të përulur në zemër’ si Jezui. (Mat. 11:29) Gjithashtu, të bëjmë çmos t’i trajtojmë të tjerët me mirëdashje, edhe kur papërsosmëritë e dobësitë e tyre dalin në pah. Le t’u bindemi me guxim gjithë kërkesave të Jehovait, edhe përballë sprovave.

20 Gjithashtu, të tregojmë ndaj të gjithë vëllezërve atë dashuri që tregoi edhe Krishti vetë, «deri në fund». Një dashuri e tillë na identifikon si dishepuj të vërtetë të Jezuit. (Gjoni 13:1, 34, 35) Po, ‘dashuria jonë vëllazërore le të vazhdojë’. (Hebr. 13:1) Të mos ngurrojmë! Ta përdorim jetën tonë në lavdi të Jehovait dhe për të ndihmuar të tjerët! Jehovai do t’i bekojë përpjekjet tona të sinqerta.

[Shënimi]

^ par. 17 Shih artikullin «Mos u mjaftoni vetëm duke thënë: ‘Rrini ngrohtë dhe ngopuni’», në Kullën e Rojës të 15 tetorit 1986, anglisht.

A mund të shpjegoni?

• Si mund të tregojnë pleqtë qëndrimin mendor të Krishtit ndaj keqbërësve?

• Pse është veçanërisht e rëndësishme të imitojmë dashurinë e Krishtit në këtë kohë të fundit?

• Si mund të tregojmë qëndrimin mendor të Krishtit ndaj të sëmurëve?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 17]

Pleqtë duan që, ata që kanë gabuar, të kthehen te Jehovai

[Figura në faqen 18]

Si pasqyruan qëndrimin mendor të Krishtit të krishterët që ikën nga Jerusalemi?

[Figura në faqen 19]

Dëshmitarët e Jehovait njihen si njerëz që e tregojnë me vepra dashurinë si ajo e Krishtit