Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të hedhim poshtë ‘gjërat e kota’

Të hedhim poshtë ‘gjërat e kota’

Të hedhim poshtë ‘gjërat e kota’

«Ai që ndjek gjëra të kota, ka një zemër pa gjykim të mirë.»​—PROV. 12:11.

1. Cilat janë disa nga gjërat me vlerë që kemi dhe cila është mënyra më e mirë për t’i përdorur ato?

TË GJITHË ne kemi gjëra me vlerë. Në to mund të përfshihen shëndeti dhe fuqitë, aftësitë mendore të lindura ose burimet financiare. Ngaqë e duam Jehovain, jemi të lumtur t’i përdorim këto gjëra në shërbim të tij, dhe kështu i përgjigjemi thirrjes së frymëzuar: «Nderoje Jehovain me gjërat e tua me vlerë.»​—Prov. 3:9.

2. Çfarë paralajmërimi jep Bibla për gjërat e kota dhe si zbatohet ai në kuptimin e mirëfilltë?

2 Megjithatë, Bibla flet edhe për gjërat e kota dhe na paralajmëron që të mos i shpërdorojmë gjërat tona me vlerë për t’u dhënë pas kotësive. Në lidhje me këtë shqyrtoni fjalët e Proverbave 12:11: «Kush e punon tokën, do të ngopet me bukë, por ai që ndjek gjëra të kota, ka një zemër pa gjykim të mirë.» Nuk është e vështirë të kuptosh se si zbatohet ky proverb në kuptimin e mirëfilltë. Nëse një njeri e harxhon kohën dhe energjitë duke punuar fort për të mbajtur familjen, ka mundësi të arrijë njëfarë sigurie ekonomike. (1 Tim. 5:8) Por, nëse i përdor gjithë gjërat me vlerë duke u dhënë pas gjërave të kota, tregon se «ka një zemër pa gjykim të mirë», pra, nuk ka gjykim të drejtpeshuar dhe motivin e mirë. Ka shumë mundësi që një njeri i tillë të gjendet në nevojë.

3. Si zbatohet për adhurimin tonë paralajmërimi i Biblës për gjërat e kota?

3 Po sikur ta zbatojmë parimin e proverbit të mësipërm për adhurimin tonë? Atëherë arrijmë në përfundimin se një i krishterë që i shërben Jehovait me zell e besnikëri ka siguri të vërtetë. Ai mund të jetë i sigurt për bekimin e Perëndisë tani dhe ka një shpresë të patundur për të ardhmen. (Mat. 6:33; 1 Tim. 4:10) Mirëpo, një i krishterë që shpërqendrohet pas gjërave të kota, vë në rrezik marrëdhënien e tij me Jehovain dhe shpresën e jetës së përhershme. Si mund ta shmangim një gjë të tillë? Duhet të dallojmë se cilat gjëra në jetën tonë janë «të kota» dhe të jemi të vendosur që t’i hedhim poshtë ato.​—Lexo Titit 2:11, 12.

4. Cilat janë gjërat e kota në kuptimin e përgjithshëm?

4 Por, cilat janë gjërat e kota? Në kuptimin e përgjithshëm mund të jetë gjithçka që na shpërqendron për të mos i shërbyer Jehovait me gjithë shpirt. Për shembull, mund të përfshihen llojet e ndryshme të zbavitjes. Natyrisht, zbavitja ka vendin e vet. Por, kur harxhojmë tepër kohë pas gjërave «zbavitëse» në kurriz të veprimtarive që lidhen me adhurimin, zbavitja bëhet një gjë e kotë, e cila ndikon për keq në marrëdhënien tonë me Perëndinë. (Ekl. 2:24; 4:6) Që ta shmangë këtë, një i krishterë zhvillon drejtpeshimin, duke parë me kujdes se si e harxhon kohën e tij të çmuar. (Lexo Kolosianëve 4:5.) Gjithsesi, ka gjëra të kota që janë shumë më të rrezikshme se zbavitja. Ndër to janë perënditë e rreme.

Të hedhim poshtë perënditë e kota

5. Si e zbaton shpesh Bibla fjalën «i kotë»?

5 Është interesante se në shumicën e vargjeve biblike ku del fjala «i kotë», ajo zbatohet për perënditë e rreme. Për shembull, Jehovai i tha Izraelit: «Mos bëni perëndi të kota, mos ngrini asnjë shëmbëlltyrë të gdhendur ose kolonë të shenjtë, dhe mos vini në vendin tuaj asnjë gur të zbukuruar me shëmbëlltyra për t’u përkulur para tij.» (Lev. 26:1) Mbreti David shkroi: «Jehovai është i madh dhe i denjë të lëvdohet shumë, atij është për t’ia pasur frikën më shumë se tërë perëndive. Sepse tërë perënditë e popujve janë të kota, kurse Jehovai ka bërë qiejt.»​—1 Kron. 16:25, 26.

6. Pse perënditë e rreme janë të kota?

6 Siç tregoi Davidi, jemi të rrethuar nga dëshmi të shumta të madhështisë së Jehovait. (Psal. 139:14; 148:1-10) Çfarë privilegji kishin izraelitët që kishin bërë një besëlidhje me Jehovain! Sa të marrë u treguan që u larguan prej tij dhe u përkulën para shëmbëlltyrave të gdhendura dhe kolonave të shenjta! Kur kishin probleme, perënditë e tyre të rreme qenë vërtet të kota, të pafuqishme për të shpëtuar edhe veten, e jo më ata që i adhuronin.​—Gjyk. 10:14, 15; Isa. 46:5-7.

7, 8. Si mund të bëhet ‘Pasuria’ perëndi?

7 Sot në shumë vende njerëzit përkulen ende para shëmbëlltyrave të bëra nga dora e njeriut dhe këto perëndi janë po aq të kota sa ishin në të kaluarën. (1 Gjon. 5:21) Megjithatë, përveç shëmbëlltyrave, Bibla quan perëndi edhe gjëra të tjera. Shqyrtoni, për shembull, këto fjalë të Jezuit: «Askush s’mund të jetë skllav i dy zotërinjve: ose do të urrejë njërin e do të dojë tjetrin, ose do të ngjitet pas njërit e do të përbuzë tjetrin. Ju s’mund të jeni skllevër edhe të Perëndisë, edhe të Pasurisë.»​—Mat. 6:24.

8 Si mund të bëhet ‘Pasuria’ perëndi? Të bëjmë një shembull: Mendoni për një gur që ndodhej në një arë në Izraelin e lashtë. Guri mund të ishte i dobishëm për të ndërtuar një shtëpi ose mur. Por, nëse vendosej si ‘kolonë e shenjtë’ ose ‘zbukurohej me shëmbëlltyra’, ai bëhej gur pengese për popullin e Jehovait. (Lev. 26:1) Po kështu, edhe paratë kanë vendin e vet. Na duhen për të jetuar dhe mund t’i përdorim siç duhet në shërbim të Jehovait. (Ekl. 7:12; Luka 16:9) Por, në qoftë se u japim më shumë rëndësi parave, e jo shërbimit të krishterë, faktikisht paratë bëhen për ne një perëndi. (Lexo 1 Timoteut 6:9, 10.) Në këtë botë, ku pasuria është kaq e rëndësishme për njerëzit, duhet të sigurohemi që të mbajmë një pikëpamje të drejtpeshuar për këtë çështje.​—1 Tim. 6:17-19.

9, 10. (a) Si e konsideron një i krishterë arsimimin? (b) Cili është një rrezik i arsimit të lartë?

9 Një shembull tjetër i diçkaje të dobishme që mund të bëhet gjë e kotë është arsimimi. Duam që fëmijët tanë të jenë të arsimuar, në mënyrë që të sigurojnë jetesën. Dhe, ajo që ka më shumë rëndësi, një i krishterë i arsimuar është më i aftë për të lexuar Biblën me kuptueshmëri, për të arsyetuar rreth problemeve e për të arritur në përfundime të shëndosha, si edhe për t’u mësuar të tjerëve qartë dhe me bindje të vërtetat biblike. Të fitosh një arsimim të mirë kërkon kohë, por është një kohë që ia vlen.

10 Por, ç’mund të thuhet për arsimin e lartë në një kolegj apo universitet? Ky konsiderohet nga shumica si i domosdoshëm për të arritur suksesin. Sidoqoftë, shumë nga ata që e ndjekin këtë arsim, në fund e kanë mendjen të mbushur me mençurinë e dëmshme të kësaj bote. Një arsim i tillë çon dëm vitet e rinisë që mund të përdoreshin shumë mirë në shërbim të Jehovait. (Ekl. 12:1) Ndoshta nuk është për t’u habitur që në vendet ku shumë njerëz kanë ndjekur arsimin e lartë, besimi te Perëndia po bie më shumë se kurrë më parë. Në vend që të shpresojë ta gjejë sigurinë te sistemet arsimore të përparuara të kësaj bote, një i krishterë beson te Jehovai.​—Prov. 3:5.

Të mos i lejojmë dëshirat e mishit të bëhen perëndi

11, 12. Pse Pavli tha për disa se «perëndia i tyre është barku»?

11 Në letrën drejtuar filipianëve, apostulli Pavël thekson diçka tjetër që mund të bëhet perëndi. Ai flet për disa që dikur ishin adhurues të Perëndisë dhe thotë: «Ka shumë nga ata që unë i përmendja shpesh, por që tani i përmend duke qarë, të cilët ecin si armiq të shtyllës së torturës së Krishtit. Fundi i tyre është shkatërrimi, perëndia i tyre është barku, . . . dhe mendjen e kanë te gjërat tokësore.» (Filip. 3:18, 19) Si mund të bëhet stomaku ose barku një perëndi?

12 Duket se për ata të njohur të Pavlit, dhënia pas dëshirave të mishit u bë më e rëndësishme sesa t’i shërbenin Jehovait bashkë me Pavlin. Disa, në kuptimin e mirëfilltë, mund ta kenë tepruar me të ngrëna e të pira, aq sa janë bërës grykës e pijanecë. (Prov. 23:20, 21; krahaso Ligjin e përtërirë 21:18-21.) Të tjerë mund të kenë zgjedhur të përfitonin sa më shumë nga mundësitë që ofronte bota e shekullit të parë dhe si pasojë u shpërqendruan nga shërbimi ndaj Jehovait. Mos lejofshim kurrë që dëshira për të ashtuquajturën jetë të mirë të na ngadalësojë në shërbimin me gjithë shpirt ndaj Jehovait!​—Kolos. 3:23, 24.

13. (a) Çfarë është lakmia dhe si e përshkroi Pavli? (b) Si ta shmangim lakminë?

13 Gjithashtu, Pavli e përmendi adhurimin e rremë edhe në një kontekst tjetër. Ai shkroi: «Bëni, pra, të vdesin gjymtyrët e trupit tuaj në tokë në lidhje me kurvërinë, ndyrësinë, urinë seksuale, dëshirat e dëmshme dhe lakminë, që është idhujtari.» (Kolos. 3:5) Lakmia është një dëshirë e fortë për diçka që nuk e kemi. Mund të përfshijë gjëra materiale, madje edhe dëshirat e paligjshme seksuale. (Dal. 20:17) A nuk na shkund mendimi se këto dëshira janë baras me idhujtarinë, adhurimin e perëndive të rreme? Jezui bëri një përshkrim të gjallë për të treguar sa e rëndësishme është që t’i mbajmë nën kontroll me çdo kusht këto dëshira të gabuara.​—Lexo Markun 9:47; 1 Gjon. 2:16.

Të ruhemi nga fjalët e kota

14, 15. (a) Cila ‘gjë e kotë’ u solli vdekjen shumë vetave në kohën e Jeremisë? (b) Pse ishin me vlerë fjalët e Moisiut?

14 Në gjërat e kota mund të përfshihen edhe fjalët. Për shembull, Jehovai i tha Jeremisë: «Profetët po profetizojnë në emrin tim gënjeshtra. Nuk i kam dërguar unë dhe as i kam urdhëruar e as u kam thënë gjë. Ata po ju profetizojnë një vegim dhe fall të rremë, një gjë të kotë dhe dhelpërinë e zemrës së vet.» (Jer. 14:14) Këta profetë të rremë pretendonin se flitnin në emër të Jehovait, por po përhapnin idetë e tyre, mençurinë e tyre. Prandaj fjalët që thoshin ishin ‘një gjë e kotë’. Ishin të kota dhe përbënin një rrezik të vërtetë për popullin e Perëndisë. Në vitin 607 p.e.s., shumë që ua vunë veshin këtyre fjalëve të kota pësuan një vdekje të parakohshme nga ushtarët babilonas.

15 Krejt ndryshe nga kjo, Moisiu u tha izraelitëve: «Rrënjosini në zemër të gjitha fjalët që po ju them si paralajmërim sot, . . . pasi nuk janë fjalë të kota për ju, por janë jeta juaj. Nga këto fjalë mund të keni ditë të gjata në tokën ku po shkoni që ta shtini në dorë, duke kaluar Jordanin.» (Ligj. 32:46, 47) Po, fjalët e Moisiut ishin të frymëzuara nga Perëndia. Prandaj ishin me vlerë, jetësore për mirëqenien e kombit. Ata që ua vunë veshin, gëzuan jetë të lumtur e begati. Le t’i hedhim poshtë gjithnjë fjalët e kota dhe të kapemi pas fjalëve me vlerë të së vërtetës!

16. Si i konsiderojmë pohimet e shkencëtarëve të cilat bien në kundërshtim me Fjalën e Perëndisë?

16 A dëgjojmë sot fjalë të kota? Po. Për shembull, disa shkencëtarë thonë se teoria e evolucionit dhe zbulimet shkencore në fusha të tjera tregojnë se nuk ka më nevojë të besojmë te Perëndia dhe se gjithçka mund të shpjegohet me anë të proceseve natyrore. A duhet të shqetësohemi nga këto pohime arrogante? Patjetër që jo! Mençuria njerëzore ndryshon nga mençuria e Perëndisë. (1 Kor. 2:6, 7) Por e dimë se kur bien në kundërshtim me atë që ka thënë Perëndia, mësimet njerëzore janë gjithnjë të gabuara. (Lexo Romakëve 3:4.) Pavarësisht nga përparimet shkencore në disa fusha, mbetet i vërtetë ky pohim i Biblës për mençurinë njerëzore: «Mençuria e kësaj bote është marrëzi në sytë e Perëndisë.» Po t’i krahasojmë me mençurinë e pafund të Perëndisë, arsyetimet njerëzore janë të kota.​—1 Kor. 3:18-20.

17. Si duhen konsideruar fjalët e udhëheqësve të krishterimit të rremë dhe të apostatëve?

17 Një shembull tjetër i fjalëve të kota gjendet te udhëheqësit fetarë të krishterimit të rremë. Këta pretendojnë se flasin në emër të Perëndisë, por shumica e fjalëve të tyre nuk bazohet te Shkrimet dhe gjërat që thonë, në thelb, janë të kota. Edhe apostatët thonë fjalë të kota, duke pretenduar se kanë më shumë mençuri se «skllavi i besueshëm dhe i matur» që është emëruar nga Zotëria. (Mat. 24:45-47) Por apostatët flasin nga mençuria e tyre dhe fjalët e tyre janë të kota, një gur pengese për këdo që mund t’i dëgjojë. (Luka 17:1, 2) Si të mos mashtrohemi prej tyre?

Si t’i hedhim poshtë fjalët e kota?

18. Në cilat mënyra mund ta zbatojmë këshillën që gjendet te 1 Gjonit 4:1?

18 Apostulli i moshuar, Gjoni, dha një këshillë të shkëlqyer në këtë drejtim. (Lexo 1 Gjonit 4:1.) Në përputhje me këshillën e Gjonit, gjithmonë i nxitim ata që takojmë në predikim, që të vënë në provë gjërat që kanë mësuar, duke i krahasuar me Biblën. Ky është një standard i mirë edhe për ne. Nëse dëgjojmë fjalë që kritikojnë të vërtetën ose që përhapin shpifje për kongregacionin, për pleqtë ose për cilindo nga vëllezërit tanë, nuk duhet t’i marrim kallëp ato. Përkundrazi, të pyesim veten: «A po sillet në përputhje me mësimet e Biblës personi që po përhap këto fjalë? A përkrahin qëllimin e Jehovait këto fjalë apo akuza? A nxitin paqen në kongregacion?» Çdo fjalë, e cila në vend që t’i ndërtojë, i rrëzon vëllezërit, është gjë e kotë.​—2 Kor. 13:10, 11.

19. Si sigurohen pleqtë që fjalët e tyre të mos jenë të kota?

19 Në lidhje me fjalët e kota, edhe pleqtë nxjerrin një mësim të rëndësishëm. Kurdoherë që u duhet të japin këshilla, mbajnë parasysh kufizimet e tyre dhe nuk japin këshilla me hamendje, duke u bazuar vetëm te bagazhi i tyre i njohurisë. Përkundrazi, duhet t’i referohen gjithmonë Biblës. Një rregull i vlefshëm për pleqtë gjendet te fjalët e apostullit Pavël: «Mos shko përtej gjërave të shkruara.» (1 Kor. 4:6) Pleqtë nuk shkojnë përtej gjërave që janë shkruar në Bibël. Dhe, duke ndjekur të njëjtin parim, ata nuk shkojnë as përtej këshillave të bazuara në Bibël të botuara nga skllavi i besueshëm e i matur.

20. Në cilat mënyra mund të marrim ndihmë për të hedhur poshtë gjërat e kota?

20 Gjërat e kota​—qofshin «perëndi», fjalë a diçka tjetër​—janë shumë të dëmshme. Për këtë arsye, i lutemi gjithnjë Jehovait që të na ndihmojë t’i dallojmë të gjitha këto gjëra të kota dhe të kërkojmë drejtimin e tij se si t’i hedhim poshtë. Nëse bëjmë kështu, në të vërtetë, po themi si psalmisti: «M’i largo sytë nga gjërat e kota; në udhën tënde më ruaj gjallë.» (Psal. 119:37) Në artikullin vijues, do të diskutojmë më tej se sa e vlefshme është të pranojmë drejtimin e Jehovait.

A mund të shpjegoni?

• Në kuptimin e përgjithshëm cilat «gjëra të kota» duhet të hedhim poshtë?

• Çfarë duhet të bëjmë që paratë të mos bëhen perëndi?

• Si mund të kthehen në idhujtari dëshirat e mishit?

• Si mund t’i hedhim poshtë fjalët e kota?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 3]

Izraelitët u nxitën ‘të punonin tokën’, e jo të ndiqnin gjëra të kota

[Figura në faqen 5]

Mos lejoni kurrë që dëshira për gjërat materiale t’ju ngadalësojë në shërbimin ndaj Jehovait!

[Figura në faqen 6]

Fjalët e pleqve mund të jenë me shumë vlerë