Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Çlirim nga laku i gjahtarit të zogjve

Çlirim nga laku i gjahtarit të zogjve

Çlirim nga laku i gjahtarit të zogjve

«[Jehovai] do të të çlirojë nga laku i gjahtarit të zogjve.»​—PSALMI 91:3.

1. Kush është ‘gjahtari i zogjve’ dhe pse është aq i rrezikshëm?

TË GJITHË të krishterët përballen me një grabitqar dinak që ka inteligjencë mbinjerëzore. Në Psalmin 91:3 ai quhet ‘gjahtar zogjsh’. Cili është ky armik? Duke filluar nga numri i 1 qershorit të vitit 1883, kjo revistë e ka identifikuar atë si vetë Satana Djalli. Ky armik i egër përpiqet me dinakëri të mashtrojë dhe të zërë në kurth popullin e Jehovait siç bën gjahtari me zogjtë.

2. Pse Satanai krahasohet me një gjahtar zogjsh?

2 Në kohët e lashta zogjtë i gjuanin për zërin e ëmbël, për puplat plot ngjyra dhe për ushqim e flijime. Megjithatë zogjtë nga natyra janë krijesa të kujdesshme, që tremben shpejt dhe kapen me vështirësi. Prandaj, gjahtari i kohëve biblike i vëzhgonte me vëmendje karakteristikat dhe zakonet e zogjve që donte të kapte. Pastaj sajonte ndonjë kurth për t’i zënë. Kur e krahason Satanain me një gjahtar zogjsh, Bibla na ndihmon të kuptojmë kurthet që përdor ai. Djalli na vëzhgon gjithsecilin. Ai vrojton zakonet e karakteristikat tona dhe me dinakëri ngre kurthe për të na zënë të gjallë. (2 Timoteut 2:26) Po të na zinte, do të rrënoheshim frymësisht dhe si përfundim do të shkatërroheshim. Ja pse për t’u mbrojtur, duhet të pikasim intrigat e ndryshme që përdor ‘gjahtari i zogjve’.

3, 4. Si ngjajnë taktikat e Satanait me ato të luanit dhe të kobrës?

3 Me një gjuhë të figurshme e të gjallë, psalmisti i krahason taktikat e Satanait edhe me ato të luanit të ri ose të kobrës. (Psalmi 91:13) Si luan, Satanai shpesh bën sulme të hapura frontale, duke përdorur përndjekjen ose veprimet e shtetit kundër popullit të Jehovait. (Psalmi 94:20) Këto sulme të egra mund t’i largojnë disa nga Jehovai. Megjithatë, në të shumtën e rasteve, ato dalin huq dhe bëjnë që populli i Perëndisë të jetë edhe më i bashkuar. Ç’sulme të tjera më dinake e më të helmëta si kobra përdor Satanai?

4 Djalli përdor inteligjencën e tij mbinjerëzore për të mashtruar e për të sulmuar për vdekje, si një gjarpër helmues nga një vend i fshehtë. Kështu ai ka arritur të helmojë mendjen e disa pjesëtarëve të popullit të Perëndisë, duke i mashtruar të bëjnë vullnetin e tij dhe jo të Jehovait, gjë që ka sjellë pasoja tragjike. Sa mirë që ne nuk jemi në padije të intrigave të Satanait! (2 Korintasve 2:11) Le të ndalemi e të shqyrtojmë katër nga kurthet vdekjeprurëse të këtij ‘gjahtari zogjsh’.

Frika nga njeriu

5. Pse ka qenë kaq i efektshëm si kurth ‘dridhja para njerëzve’?

5 ‘Gjahtari i zogjve’ e kupton dëshirën tonë normale për t’u pranuar e për t’u miratuar nga të tjerët. Të krishterët nuk janë të pandjeshëm e moskokëçarës ndaj mendimit dhe ndjenjave të atyre që i rrethojnë. Duke u nisur nga kjo, Djallit do t’i pëlqente të shfrytëzonte merakun e tyre në lidhje me opinionin e të tjerëve për ta. Për shembull, disa nga populli i Perëndisë ai i fut në kurthin e ‘dridhjes para njerëzve’. (Proverbat 29:25) Nëse nga frika e njeriut, shërbëtorët e Perëndisë bashkohen me të tjerët për të bërë gjëra që Jehovai i ndalon ose për të mos bërë atë që Fjala e Perëndisë urdhëron, kanë rënë në grackën e «gjahtarit të zogjve».​—Ezekieli 33:8; Jakovi 4:17.

6. Cili shembull tregon se si një i ri mund të zihet në kurth nga ‘gjahtari i zogjve’?

6 Për shembull, një i ri mund të dorëzohet para presionit të shokëve të shkollës e të provojë një cigare. Cigarja mund të ketë qenë diçka që atij as i kishte shkuar ndër mend kur u nis për në shkollë atë ditë. Por ja që s’kalon shumë dhe ai është duke bërë diçka të dëmshme për shëndetin dhe të papëlqyer për Perëndinë. (2 Korintasve 7:1) Si iu prish mendja? Ndoshta ishte ngatërruar me shokë jo të mirë dhe kishte frikë se mos e tallnin. Të rinj, mos e lejoni ‘gjahtarin e zogjve’ t’jua prishë mendjen e t’ju futë në kurth! Që të mos ju zërë të gjallë, ruhuni edhe nga kompromiset e vogla. Vërjani veshin paralajmërimit të Biblës për t’u qëndruar larg shoqërive të këqija.​—1 Korintasve 15:33.

7. Si mund t’i shtyjë Satanai disa prindër të humbin ekuilibrin frymor?

7 Prindërit e krishterë janë shumë të ndërgjegjshëm dhe e marrin seriozisht përgjegjësinë biblike që t’i sigurojnë familjet materialisht. (1 Timoteut 5:8) Megjithatë synimi i Satanait është t’i çekuilibrojë të krishterët në këtë fushë. Ndoshta disa humbin vazhdimisht disa mbledhje, sepse dorëzohen para presionit të punëdhënësve për të punuar jashtë orarit. Mund të kenë frikë të kërkojnë leje për të ndjekur të gjitha sesionet e një kongresi krahinor, që të adhurojnë Jehovain bashkë me vëllezërit e tjerë. Do të jenë të mbrojtur nga ky kurth nëse ‘besojnë te Jehovai’. (Proverbat 3:5, 6) Veç kësaj, kur nuk harrojmë se të gjithë jemi pjesëtarë të shtëpisë së Jehovait dhe se ai ka dhënë fjalën se do të kujdeset për ne, do ta kemi më të lehtë të ruajmë ekuilibrin. Prindër, a keni besim se Jehovai do të kujdeset në një mënyrë a në një tjetër për ju dhe për familjen tuaj, nëse bëni vullnetin e tij? Apo Djalli do t’ju zërë gjallë në një nga grackat e tij dhe, nga frika e njeriut, të bëni vullnetin e tij? Ju nxitim t’i shqyrtoni në lutje këto pyetje.

Kurthi i materializmit

8. Si e përdor Satanai karremin e materializmit?

8 Satanai përdor edhe materializmin si karrem për të na futur në kurth. Sistemi tregtar i kësaj bote shpesh reklamon me të madhe skemat e pasurimit të shpejtë që mund t’ua prishin mendjen edhe disave nga populli i Perëndisë. Ndonjëherë ndodh të dëgjohet: «Derdh djersë. Kur të arrish rehatinë që ke dashur, merre me nge dhe gëzo jetën. Madje mund të bëhesh pionier.» Fjalë të tilla, që pasqyrojnë një arsyetim jo të ekuilibruar, mund të vijnë nga disa individë në kongregacion që përfitojnë financiarisht nga vëllezërit dhe motrat e krishtere. Mendoni mirë për këtë nxitje. A nuk ju ngjan me mendimin e të pasurit ‘të paarsyeshëm’ në ilustrimin e Jezuit?​—Luka 12:16-21.

9. Pse për disa të krishterë mund të kthehet në kurth dëshira për të pasur sa më shumë gjëra?

9 Satanai e manipulon këtë sistem të lig në një mënyrë të atillë që ngjall te njerëzit dëshirën për të pasur sa më shumë gjëra. Kjo dëshirë mund të ndikojë për keq në jetën e një të krishteri, duke e mbytur fjalën e duke e bërë ‘të pafrytshme’. (Marku 4:19) Bibla na nxit të jemi të kënaqur kur kemi ç’të hamë, ç’të veshim e ku të futim kokën. (1 Timoteut 6:8) Megjithatë shumë bien në lakun e «gjahtarit të zogjve», sepse nuk e zbatojnë këtë këshillë. Ndoshta kryelartësia i shtyn të mendojnë se duhet të kenë një nivel të caktuar jetese. Po ne? A na shtyn dëshira për të pasur sa më shumë që të lëmë në vend të dytë interesat e adhurimit të vërtetë? (Hageu 1:2-8) Të vjen keq që disa, kur janë gjendur në vështirësi ekonomike, kanë sakrifikuar marrëdhënien e tyre me Perëndinë për të mbajtur atë nivel jetese me të cilin ishin mësuar. Ky qëndrim materialist i pëlqen «gjahtarit të zogjve».

Kurthi i zbavitjes me pasoja dëmshme

10. Cilin vetëshqyrtim duhet të bëjë çdo i krishterë?

10 Një taktikë tjetër që përdor ‘gjahtari i zogjve’ është mpirja e ndjenjës së natyrshme që kanë njerëzit për atë që është e mirë dhe e keqe. Një mendësi e ngjashme me atë që ekzistonte në Sodomë dhe Gomorrë ka zaptuar pjesën më të madhe të industrisë së zbavitjes. Edhe rubrika e lajmeve në televizor ose në shtyp nxjerr në pah dhunën dhe ushqen një kuriozitet të pavend për seksin. Shumë nga ajo që shfaqet si zbavitje në media, mjegullon aftësinë e njerëzve «për të shquar si të drejtën, ashtu edhe të gabuarën». (Hebrenjve 5:14) Megjithatë, bëjmë mirë të mos harrojmë fjalët që tha Jehovai nëpërmjet profetit Isaia: «Mjerë ata që thonë se e mira është e keqe dhe e keqja është e mirë!» (Isaia 5:20) A ka ndikuar tinëzisht ‘gjahtari i zogjve’ në mënyrën si mendoni me anë të kësaj zbavitjeje të dëmshme? Është e rëndësishme që gjithsecili të shqyrtojë veten.​—2 Korintasve 13:5.

11. Cili paralajmërim për telenovelat është dhënë në një revistë?

11 Rreth 25 vjet më parë, Kulla e Rojës paralajmëroi në mënyrë të dashur familjen e besimit në lidhje me serialet televizive. * Ja çfarë thuhej për ndikimin tinëzar të telenovelave që ishin përhapur shumë: «Nevoja për dashuri justifikon çdo sjellje. Për shembull, një vajzë e pamartuar shtatzënë i thotë një mikeshës së saj: ‘E dua Viktorin. S’më bëhet vonë. . . . S’dua gjë tjetër, veç të kem një fëmijë me të!’ Muzika e ëmbël që dëgjohet në sfond, s’të lë të mendosh se ka vepruar keq. Viktori fillon të të pëlqejë edhe ty. Të vjen keq për vajzën. Ti i ‘kupton’. ‘Është e pabesueshme sa justifikime mund të gjesh,—tha një teleshikuese që më pas i thirri mendjes.—E di se të bësh imoralitet është e gabuar. . . . Por e kuptova se edhe unë mendoja si ata.’»

12. Cilat fakte tregojnë se paralajmërimi për disa programe televizive është më se me vend?

12 Që nga koha kur u botuan ata artikuj, këto programe që gërryejnë zemrën janë bërë gjithnjë e më të zakonshme. Në shumë vende, programe të tilla transmetohen 24 orë në ditë. Burra, gra dhe shumë adoleshentë e ushqejnë vazhdimisht mendjen dhe zemrën me zbavitje të tilla. Kurse ne s’duhet të mashtrohemi nga ky arsyetim i dëmshëm. S’duhet të arsyetojmë se kjo zbavitje e shthurur s’është më e dëmshme se ajo që shohim në botën reale. A ka justifikim për një të krishterë që zgjedh të zbavitet me ata lloj njerëzish që as do ta çonte nëpër mend t’i ftonte në shtëpi?

13, 14. Si u shprehën disa për dobinë që nxorën nga paralajmërimet për televizorin?

13 Shumë nxorën dobi duke ia vënë veshin këtij paralajmërimi të ‘skllavit të besueshëm dhe të matur’. (Mateu 24:45-47) Pasi lexuan këtë këshillë të drejtpërdrejtë nga Bibla, disa shkruan për të treguar se si i kishin ndihmuar artikujt. * Një motër thoshte: «Për 13 vjet kam qenë e fiksuar pas telenovelave. Mendoja se nuk isha në rrezik po të shkoja në mbledhje dhe të dilja me raste në shërbim. Por nga ajo që shihja nëpër telenovela nisa të mendoja si bota—nëse burri të keqtrajton ose e ndien se s’të do, kurorëshkelja është e justifikueshme; e kërkoi vetë. Kështu, duke u ndier ‘e justifikuar’, mora rrugë të shtrembër dhe mëkatova kundër Jehovait dhe bashkëshortit.» Ajo u përjashtua. Në fund, e pranoi mëkatin, u pendua dhe u rivendos. Artikujt që paralajmëronin për rrezikun e telenovelave i dhanë forcën të mos pranonte të zbavitej me gjëra që Jehovai i urren.​—Amosi 5:14, 15.

14 Një lexuese tjetër, në jetën e së cilës kishin ndikuar telenovelat, tha: «Qava kur i lexova artikujt se kuptova që zemra ime nuk ishte më e plotë për Jehovain. I premtova Perëndisë se s’do të isha më skllave e këtyre serialeve.» Pasi shprehu vlerësimin e saj për artikujt, një e krishterë pranoi se ishte e fiksuar pas tyre dhe shkroi: «Pyesja veten . . . mos ndoshta kjo mund të ndikonte në marrëdhënien time me Jehovain. Si mund të jem mike me personazhet e telenovelave e të jem mike edhe me Jehovain?» Nëse këto shfaqje televizive korruptonin zemrat 25 vjet më parë, ç’ndikim kanë sot? (2 Timoteut 3:13) Duhet të jemi vigjilentë për të gjitha format e zbavitjes së dëmshme që Satanai i përdor si kurth, qoftë telenovela, lojëra të dhunshme në kompjuter ose video muzikore me skena imorale.

Kurthi i fërkimeve me njëri-tjetrin

15. Si janë zënë gjallë disa në grackën e Djallit?

15 Satanai i përdor fërkimet mes individëve si kurth për të shkaktuar përçarje mes popullit të Jehovait. Mund të biem në këtë kurth, pavarësisht nga privilegjet që gëzojmë. Disa janë zënë gjallë në kurthin e Djallit, sepse kanë lejuar që fërkimet me njëri-tjetrin të prishin paqen, unitetin dhe rritjen e mrekullueshme frymore që ka sjellë Jehovai mes popullit të tij.​—Psalmi 133:1-3.

16. Si është orvatur me dinakëri Satanai të prishë unitetin tonë?

16 Gjatë Luftës I Botërore, Satanai u orvat të shkatërronte pjesën tokësore të organizatës së Jehovait me sulme frontale, por dështoi. (Zbulesa 11:7-13) Që nga ajo kohë, ai ka vepruar me dinakëri për të përçarë unitetin tonë. Kur i lejojmë fërkimet të krijojnë përçarje, i kemi siguruar një pikëmbështetje «gjahtarit të zogjve». Kjo mund ta pengojë frymën e shenjtë të veprojë lirshëm në jetën tonë dhe në kongregacion. Sikur të ndodhte kjo, Satanai do të kënaqej, sepse sa herë që prishet paqja dhe uniteti në kongregacion, ndikimi ndihet te vepra e predikimit.​—Efesianëve 4:27, 30-32.

17. Çfarë mund t’i ndihmojë të krishterët të zgjidhin fërkimet me njëri-tjetrin?

17 Çfarë mund të bëni nëse keni fërkime me një tjetër të krishterë? Duhet thënë se çdo situatë është e veçantë. Megjithatë, ndonëse problemet dalin për arsye të ndryshme, s’ka arsye pse mosmarrëveshjet të lihen pa zgjidhur. (Mateu 5:23, 24; 18:15-17) Këshillat e Biblës janë të frymëzuara nga Perëndia dhe të përsosura. Kur zbatohen, parimet e Biblës nuk dështojnë kurrë. Gjithmonë sjellin rezultat.

18. Pse kur imitojmë Jehovain do ta kemi më të lehtë të zgjidhim mosmarrëveshjet me njëri-tjetrin?

18 Jehovai është ‘gati të falë’ dhe «fal me të vërtetë». (Psalmi 86:5; 130:4) Kur imitojmë Jehovain tregojmë se jemi bijtë e tij të dashur. (Efesianëve 5:1) Ne jemi të gjithë mëkatarë dhe kemi shumë nevojë që Jehovai të na falë. Prandaj duhet të tregojmë kujdes, nëse priremi të mos e falim dikë tjetër. Mund të bëhemi si skllavi në ilustrimin e Jezuit që nuk pranoi t’i falte një skllavi tjetër një borxh që ishte thjesht një pjesëz e borxhit që zotëria i kishte falur atij vetë. Kur e mori vesh zotëria, e futi në burg skllavin që nuk fali. Jezui e përfundoi ilustrimin me këto fjalë: «Po kështu do të veprojë edhe Ati im qiellor me ju, nëse secili nuk e fal vëllanë e vet me gjithë zemër.» (Mateu 18:21-35) Kur meditojmë rreth atij ilustrimi dhe kur mendojmë sa e sa herë na ka falur Jehovai, patjetër do ta kemi më të lehtë të zgjidhim mosmarrëveshjet me ndonjë vëlla.​—Psalmi 19:14.

Të sigurt në «vendin e fshehtë të Më të Lartit»

19, 20. Si duhet ta shohim «vendin e fshehtë» dhe «hijen» e Jehovait gjatë këtyre kohëve të rrezikshme?

19 Jetojmë në kohë të rrezikshme. Pa mbrojtjen e dashur të Jehovait, Satanai do të na kishte shkatërruar të gjithëve. Prandaj, që të mos biem në kurthin e «gjahtarit të zogjve» duhet të qëndrojmë në një vend të mbrojtur, «në vendin e fshehtë të Më të Lartit» e të gjejmë «strehë nën hijen e të Plotfuqishmit».​—Psalmi 91:1.

20 Le t’i shohim gjithmonë udhëzimet dhe përkujtuesit e Jehovait si masa mbrojtëse dhe kurrë si kufizime. Që të gjithë përballemi me një grabitqar që ka inteligjencë mbinjerëzore. Asnjë s’mund t’u shpëtojë kurtheve të tij pa ndihmën e dashur të Jehovait. (Psalmi 124:7, 8) Ndaj le të lutemi që Jehovai të na çlirojë nga kurthet e «gjahtarit të zogjve»!​—Mateu 6:13.

[Shënimet]

^ par. 11 Kulla e Rojës 1 dhjetor 1982, faqet 3-7, anglisht.

^ par. 13 Kulla e Rojës 1 dhjetor 1983, faqja 23, anglisht.

A ju kujtohet?

• Pse ‘dridhja para njeriut’ është një kurth vdekjeprurës?

• Si e përdor Djalli karremin e materializmit?

• Si i ka zënë në kurth Satanai disa me zbavitjen që sjell pasoja të dëmshme?

• Ç’kurth përdor Satanai për të prishur unitetin tonë?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 27]

Disa kanë rënë në kurth nga ‘dridhja para njeriut’

[Figura në faqen 28]

A ju zbavit ajo që urren Jehovai?

[Figura në faqen 29]

Çfarë mund të bëni nëse keni fërkime me një të krishterë tjetër?