Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Dhurata e madhe» që iu bë Polonisë

«Dhurata e madhe» që iu bë Polonisë

«Dhurata e madhe» që iu bë Polonisë

MË GJASHTË korrik 1525, duka Albreht i Ohenzollernit e shpalli fenë luterane fe zyrtare. Kështu, dukata e Prusisë u bë i pari shtet në Evropë që përqafoi zyrtarisht mësimet e Martin Luterit, në një kohë kur në mbretërinë e Polonisë mbizotëronte ende rendi feudal.

Albrehti donte ta kthente Këningsbergun, kryeqytetin e Prusisë Lindore, në djepin e kulturës protestante. Ai ngriti një universitet në këtë qytet dhe financoi botimin e veprave luterane në disa gjuhë. Në vitin 1544, ky dukë nxori një dekret, sipas të cilit polakët që jetonin në tokat e tij duhej të dëgjonin pjesë nga Shkrimet e Shenjta ndërsa u lexoheshin në gjuhën e tyre. Vetëm se nuk ekzistonte asnjë përkthim i Biblës në polonisht.

Një përkthim në ‘gjuhën e përditshme’

Kjo e nxiti Albrehtin të kërkonte një njeri të zotin që të përkthente në polonisht Shkrimet e Krishtere Greke. Rreth vitit 1550, ai punësoi një shkrimtar me emrin Jan Seklucjani, që ishte njëkohësisht botues dhe librashitës. Seklucjani ishte diplomuar në Universitetin e Lajpcigut dhe njihej si njeriu që e zemëroi Kishën Katolike ngaqë përhapte mësimet protestante. Ç’është e vërteta, më parë ai ia kishte mbathur për në Këningsberg që të mos dilte para gjyqit si i akuzuar se përhapte bindjet e tij fetare.

Jan Seklucjanin s’e mbante vendi derisa të nxirrte Shkrimet të përkthyera në polonisht. Vetëm një vit pasi Seklucjanit iu besua kjo detyrë, dolën nga shtypi kopjet e para të Ungjillit të Mateut. Ky botim përmbante edhe një pjesë me shpjegime të hollësishme dhe shënime të dobishme anash faqeve, që jepnin përkthime të tjera të mundshme për disa fragmente. S’kaloi shumë dhe Seklucjani u vu në krye të projektit për shtypjen e një botimi që përfshinte të katër Ungjijtë. Brenda tre vjetësh, ai kishte shtypur vëllimin e plotë të Shkrimeve të Krishtere Greke.

Për një përkthim sa më të saktë, përkthyesi ishte këshilluar edhe me tekstet në greqisht. Gjithashtu, në parathënien e botimit të vitit 1551 thuhej se ishin konsultuar përkthime në gjuhën latine dhe «përkthime në disa gjuhë të tjera». Stanislav Rospondi, autor i një vepre studimore për polonishten e shekullit të 16-të, e quan këtë përkthim «një prozë të bukur e të rrjedhshme». (Studies on the Polish Language of the 16th Century) Sipas Rospondit, përkthyesi nuk ishte kushtëzuar nga «gjuha librore». Përkundrazi, ishte përpjekur të përdorte një gjuhë që ishte «shumë afër gjuhës së përditshme».

Megjithëse këtë projekt e drejtoi vetë Seklucjani, dëshmitë tregojnë se nuk qe ai përkthyesi. Atëherë, kush ishte njeriu i ditur që u mor me përkthimin? Stanislav Murzhinovski, një djalë rreth të 20-ave në kohën kur Seklucjani i besoi këtë detyrë të vështirë.

Murzhinovski lindi në një fshat, por që në moshë të re, i ati e dërgoi në Këningsberg, ku nisi studimet për gjuhët greke dhe hebraike. Më vonë, ai u regjistrua në Universitetin e Vitenbergut në Gjermani, ku ka të ngjarë të ketë takuar Martin Luterin. Ky student i ri mori pjesë në leksionet që mbante Filip Melanktoni, të cilat pa dyshim e ndihmuan të zotëronte më së miri greqishten dhe hebraishten. Pas vazhdimit të studimeve në Itali, ai u kthye në Këningsberg dhe i ofroi shërbimet e tij dukës Albreht.

Maria Kosovska shkruan për të në një libër të saj: «Megjithëse bëri një punë mjaft të mirë dhe u dha tërësisht pas saj, Murzhinovski nuk e tërhoqi vëmendjen te vetja, nuk e shfrytëzoi për të bërë karrierë dhe nuk kërkoi t’i vihej emri në faqen e parë të përkthimit.» (Bibla në polonisht, anglisht) Në fakt, ja si shprehet ky djalosh për aftësitë e tij: «Nuk e di se në cilën gjuhë shkruaj më keq, në latinisht a në polonisht.» Me gjithë dyshimet që kishte, Murzhinovski ishte njeriu falë të cilit polakët morën në dorë Fjalën e Perëndisë. Seklucjani, kolegu i tij, e quajti përkthimin që nxorën «dhurata e madhe» që iu bë Polonisë.

Një nga dhuratat më të mëdha

Përkthimin e parë të Biblës në polonisht e kanë pasuar shumë të tjerë. Në vitin 1994 doli në polonisht botimi Shkrimet e Krishtere Greke—Përkthimi Bota e Re, dhe në vitin 1997, Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re. Edhe përkthyesit e këtij versioni, që nuk duan të bien në sy, janë përpjekur ta përçojnë Fjalën e Perëndisë jo vetëm në mënyrë të saktë, por edhe sa më afër gjuhës së përditshme që flitet sot, jo asaj të shekullit të 16-të.

Sot Bibla është botuar pjesërisht ose e plotë në rreth 2.400 gjuhë. Një përkthim i saktë i Fjalës së Perëndisë në gjuhën mëmë, është dhurata më e madhe që mund të na bëhet, një dhuratë nga Perëndia Jehova për të drejtuar hapat tanë në jetë.​—2 Timoteut 3:15-17.

[Figura në faqen 20]

Përkujtimore për Stanislav Murzhinovskin, përkthyes i «Besëlidhjes së Re» në polonisht

[Figura në faqen 21]

Kapitulli i 3-të i librit të Mateut, përkthyer nga Stanislav Murzhinovski

[Burimi]

Dzięki uprzejmości Towarzystwa Naukowego Płockiego