Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pika kryesore nga libri i Ezekielit​—I

Pika kryesore nga libri i Ezekielit​—I

Fjala e Jehovait është e gjallë

Pika kryesore nga libri i Ezekielit​—I

ËSHTË viti 613 p.e.s. Profeti Jeremia ndodhet në Judë e po shpall pa frikë shkatërrimin që po i kanoset Jerusalemit dhe shkretimin e Judës. Nabukodonosori, mbreti i Babilonisë, tashmë ka marrë robër shumë judenj. Ndër ta është edhe i riu Daniel bashkë me tre shokët e tij, të cilët shërbejnë në oborrin mbretëror kaldeas. Shumica e të mërguarve judenj ndodhen pranë lumit Kebar «në vendin e kaldeasve». (Ezekieli 1:1-3) Jehovai nuk i lë pa lajmëtar ata të mërguar, por cakton si profet Ezekielin 30-vjeçar.

Libri i Ezekielit, i përfunduar në vitin 591 p.e.s., kap një periudhë prej 22 vjetësh. Ezekieli shkruan me shumë imtësi. Shënon datat e profecive të tij, duke specifikuar jo vetëm vitin, por edhe ditën e muajin. Pjesa e parë e mesazhit të Ezekielit përqendrohet në rënien dhe shkatërrimin e Jerusalemit. Pjesa e dytë përmban ndëshkime kundër kombeve fqinje, kurse pjesa e fundit ka të bëjë me rivendosjen e adhurimit të Jehovait. Në këtë artikull do të shqyrtohen pika kryesore nga Ezekieli 1:1–24:27, që përfshin vegime, profeci dhe demonstrime të asaj që do t’i ndodhte Jerusalemit.

«UNË TË KAM VËNË SI ROJË»

(Ezekieli 1:1–19:14)

Pasi merr një vegim mbresëlënës për fronin e Jehovait, Ezekielit i jepet caktimi i tij. «Unë të kam vënë si rojë për shtëpinë e Izraelit,—i thotë Jehovai.—Dëgjoji fjalët e gojës sime dhe paralajmëroji ata nga ana ime.» (Ezekieli 3:17) Për të profetizuar rrethimin e Jerusalemit dhe pasojat që do të kishte, Ezekieli merr urdhër të vërë në skenë dy pantomima. Duke iu referuar vendit të Judës, Jehovai thotë me anë të Ezekielit: «Ja, unë do të sjell mbi ju shpatën dhe do të shkatërroj vendet tuaja të larta.» (Ezekieli 6:3) Kurse banorit të vendit i thotë: «Të erdhi kurora [e gjëmës].»​—Ezekieli 7:7.

Në vitin 612 p.e.s., me anë të një vegimi, Ezekieli zhvendoset në Jerusalem. Sa gjëra të pështira sheh të ndodhin në tempullin e Perëndisë! Kur Jehovai të dërgojë forcat e tij ekzekutuese (të paraqitura nga «gjashtë burra») për të shprehur zemërimin e tij kundër apostatëve, vetëm ata që kanë marrë ‘shenjën në ballë’ do të shpëtojnë. (Ezekieli 9:2-6) Por, së pari, mbi qytet do të hidhen «thëngjij të ndezur», domethënë mesazhi i zjarrtë i Perëndisë për shkatërrimin. (Ezekieli 10:2) Jehovai do të bëjë që të ligjve «t’u bjerë mbi kokë udha që kanë ndjekur», por ai premton t’i mbledhë përsëri banorët e shpërndarë të Izraelit.​—Ezekieli 11:17-21.

Fryma e Perëndisë e sjell përsëri Ezekielin në Kalde. Me anë të një demonstrimi paraqitet se si do të ikë mbreti Zedekia dhe populli nga Jerusalemi. Denoncohen profetët e rremë dhe profeteshat e rreme. Idhujtarët nuk pranohen. Juda krahasohet me një hardhi pa vlerë. Një gjëegjëzë me shqiponjën dhe hardhinë tregon pasojat e hidhura që do të vijnë kur Jerusalemi t’i drejtohet Egjiptit për ndihmë. Gjëegjëza mbyllet me premtimin se ‘Jehovai do të mbëltojë një degëz të njomë në një mal të lartë’. (Ezekieli 17:22) Por në Judë nuk do të ketë «skeptër për të sunduar».​—Ezekieli 19:14.

Përgjigjet e pyetjeve biblike:

1:4-28—Çfarë paraqet karroca qiellore? Karroca paraqet pjesën qiellore të organizatës së Jehovait, të përbërë nga krijesat frymore besnike. Burimi i fuqisë së saj është fryma e shenjtë e Jehovait. Ai që rri në karrocë, i cili paraqet Jehovain, është jashtëzakonisht i lavdishëm. Qetësia e tij ilustrohet nga një ylber i bukur.

1:5-11—Cilat janë katër krijesat e gjalla? Në vegimin e dytë për karrocën, Ezekieli i identifikon katër krijesat e gjalla si kerubinë. (Ezekieli 10:1-11; 11:22) Në këtë përshkrim të dytë, ai e quan fytyrën e demit si «fytyrë kerubini». (Ezekieli 10:14) Kjo është me vend, sepse demi është simbol i fuqisë dhe kerubinët janë krijesa të fuqishme frymore.

2:6—Pse Ezekieli quhet herë pas here «bir njeriu»? Jehovai i drejtohet Ezekielit me këtë shprehje për t’i kujtuar se është prej mishi e gjaku, duke e thelluar kështu kontrastin e madh mes këtij lajmëtari njerëzor dhe Burimit hyjnor të mesazhit. E njëjta shprehje përdoret rreth 80 herë në Ungjij për Jezu Krishtin, duke treguar qartë se Biri i Perëndisë kishte ardhur vërtet si njeri, nuk kishte marrë thjesht një trup njeriu.

2:9–3:3—Pse rrotulla me këngë të përvajshme, ofshama dhe vaje iu duk me shije të ëmbël Ezekielit? Ezekielit iu duk e ëmbël ajo rrotull për shkak të qëndrimit që kishte ndaj caktimit të tij. Ezekieli ishte mirënjohës që i shërbente Jehovait si profet.

4:1-17—A e realizoi vërtet Ezekieli skenën që përshkruante rrethimin që i kanosej Jerusalemit? Kërkesa e Ezekielit që t’i ndryshohej lënda djegëse që do të përdorte për gatim dhe fakti që Jehovai ia plotësoi kërkesën, tregon se profeti e realizoi vërtet atë skenë. Do të shtrihej në krahun e majtë për të treguar 390 vitet e fajit të mbretërisë me dhjetë fise, që nga themelimi i saj në vitin 997 p.e.s. e deri në shkatërrimin e Jerusalemit në vitin 607 p.e.s. Në krahun e djathtë do të shtrihej për 40 vitet e fajit të Judës, që nga koha kur u caktua Jeremia si profet në vitin 647 p.e.s. dhe deri në vitin 607 p.e.s. Gjatë gjithë periudhës 430-ditore, Ezekieli jetoi me pak bukë e ujë, duke treguar në mënyrë profetike se gjatë rrethimit të Jerusalemit do të kishte zi buke.

5:1-3—Çfarë thekson fakti që Ezekieli mori disa qime nga pjesa që do ta shpërndante në erë dhe i mbështolli në cepat e rrobave? Kjo u bë për të treguar se pas shkretimit 70-vjeçar, një mbetje do të kthehej në Judë e do të fillonte përsëri adhurimin e vërtetë.​—Ezekieli 11:17-20.

17:1-24—Cilat janë dy shqiponjat e mëdha, si këputen bisqet e njoma të një cedri dhe kush është ‘degëza e njomë’ që mbëlton Jehovai? Dy shqiponjat paraqesin sundimtarët e Babilonisë dhe të Egjiptit. Shqiponja e parë vjen në majën e cedrit, domethënë te kreu i mbretërisë në linjën mbretërore të Davidit. Kjo shqiponjë këput majën e bisqeve të reja duke e zëvendësuar Jehojakinin, mbretin e Judës, me Zedekinë. Edhe pse kishte bërë një betim besnikërie, Zedekia kërkon ndihmë nga një shqiponjë tjetër, nga sundimtari i Egjiptit, por më kot. Ai do të zihet rob e do të vdesë në Babiloni. Jehovai po ashtu këput një «degëz të njomë», Mbretin mesianik. Këtë e mbëlton «në një mal të lartë e madhështor», në malin qiellor të Sionit, ku do të bëhet «një cedër madhështor», një burim bekimesh të mëdha për tokën.​—Zbulesa 14:1.

Mësime për ne:

2:6-8; 3:8, 9, 18-21. Nuk duhet të frikësohemi nga të ligjtë e nuk duhet ta ndalim shpalljen e mesazhit të Perëndisë, që përfshin edhe një paralajmërim për ta. Kur hasim apati ose kundërshtim, duhet të jemi të fortë si diamanti. Por, duhet të kemi kujdes që të mos bëhemi të ashpër, të pandjeshëm ose të pamëshirshëm. Jezui ndiente dhembshuri për njerëzit të cilëve u predikonte; edhe ne duhet të na shtyjë dhembshuria që t’u predikojmë të tjerëve.​—Mateu 9:36.

3:15. Pasi mori caktimin, Ezekieli mbeti për «shtatë ditë i shtangur», ndërsa banonte në Tel-Abib duke përvetësuar mesazhin që duhej të shpallte. A nuk duhet të gjejmë kohë edhe ne për të studiuar me zell e për të medituar, që t’i kuptojmë të vërtetat e thella frymore?

4:1–5:4. Ezekielit i duhej përulësi dhe guxim të realizonte dy pantomimat profetike. Edhe ne duhet të jemi të përulur e guximtarë për të zbatuar çdo caktim që na jep Perëndia.

7:4, 9; 8:18; 9:5, 10. Syrit tonë s’ka pse t’i vijë keq për ata që marrin gjykimin e pafavorshëm të Perëndisë dhe as duhet të na dhimbsen ata.

7:19. Kur Jehovai të ekzekutojë gjykimin e tij mbi këtë botë, paratë nuk do të kenë asnjë lloj vlere.

8:5-18. Apostazia është vdekjeprurëse frymësisht. «Me gojën e tij apostati e çon në rrënim të afërmin.» (Proverbat 11:9) Veprojmë me mençuri nëse heqim nga mendja qoftë edhe mendimin për të dëgjuar se ç’thonë apostatët.

9:3-6. Marrja e shenjës, pra dëshmia se jemi shërbëtorë të kushtuar e të pagëzuar të Perëndisë dhe se kemi personalitetin e krishterë, është thelbësore për të mbijetuar në ‘shtrëngimin e madh’. (Mateu 24:21) Të krishterët e mirosur, të paraqitur nga njeriu që mbante kallamarin e sekretarit, po marrin drejtimin në veprën e shënimit, domethënë në veprën e predikimit të Mbretërisë dhe të bërjes së dishepujve. Nëse duam të vazhdojmë ta kemi shenjën, duhet t’i ndihmojmë me zell në këtë vepër.

12:26-28. Edhe atyre që talleshin me mesazhin e tij, Ezekieli duhej t’u thoshte: «Asnjë nga fjalët e [Jehovait] nuk do të shtyhet më.» Ne duhet të bëjmë çmos që t’i ndihmojmë të tjerët të besojnë te Jehovai, para se ai të sjellë fundin e këtij sistemi.

14:12-23. Është përgjegjësi personale e gjithsecilit të fitojë shpëtimin. Askush s’mund ta bëjë në vendin tonë.​—Romakëve 14:12.

18:1-29. Jemi përgjegjës për pasojat e veprimeve tona.

«RRËNOJË! RRËNOJË! UNË DO TA KTHEJ ATË NË NJË RRËNOJË»

(Ezekieli 20:1–24:27)

Në vitin e shtatë të mërgimit, pra në vitin 611 p.e.s., pleqtë e Izraelit vijnë tek Ezekieli ‘që të pyesin Jehovain’. Ata dëgjojnë një histori të gjatë të rebelimit të Izraelit dhe një paralajmërim se ‘Jehovai do të nxjerrë shpatën’ kundër tyre. (Ezekieli 20:1; 21:3) Duke iu drejtuar prijësit të Izraelit (Zedekisë), Jehovai thotë: «Hiqe çallmën, hiqe kurorën. Nuk do të jetë më si më parë. Atë që është poshtë, ngrije lart dhe atë që është lart, ule poshtë. Rrënojë! Rrënojë! Unë do ta kthej atë në një rrënojë. Ajo nuk do t’i jepte askujt, gjersa të vijë ai që ka të drejtën ligjore [Jezu Krishti], dhe atij do t’ia jap.»​—Ezekieli 21:26, 27.

Jerusalemi akuzohet për keqbërje. Demaskohet faji i Oholës (Izraelit) dhe i Oholibës (Judës). Ohola tashmë është lënë «në duart e dashnorëve të saj, në duart e bijve të Asirisë». (Ezekieli 23:9) Kurse shkretimi i Oholibës pritet së shpejti. Në vitin 609 p.e.s. fillon rrethimi i Jerusalemit që zgjat 18 muaj. Kur qyteti të bjerë më në fund, judenjtë do të jenë tepër të shtangur për të shprehur hidhërimin e tyre. Ezekieli nuk duhet t’ua thotë mesazhin e Perëndisë të mërguarve derisa të marrë lajmin për shkatërrimin e qytetit nga «një i mbijetuar».​—Ezekieli 24:26, 27.

Përgjigjet e pyetjeve biblike:

21:3—Çfarë është ‘shpata’ që Jehovai do të nxjerrë nga milli? ‘Shpata’ që përdor Jehovai për të ekzekutuar gjykimin e tij mbi Jerusalemin dhe Judën del se është mbreti Nabukodonosor dhe ushtria e tij. Mund të përfshijë edhe pjesën qiellore të organizatës së Perëndisë, që përbëhet nga krijesat e fuqishme frymore.

24:6-14—Çfarë paraqet ndryshku i kazanit? Jerusalemi i rrethuar krahasohet me një kazan. Ndryshku i tij paraqet fëlliqësinë morale të qytetit​—papastërtinë, sjelljen e shthurur dhe gjakderdhjen për të cilat ky qytet është përgjegjës. Kaq e madhe është papastërtia e tij, saqë ndryshku nuk hiqet edhe kur kazani është bosh dhe është vendosur mbi thëngjij që e nxehin tepër.

Mësime për ne:

20:1, 49. Përgjigjja e pleqve të Izraelit tregon se ishin skeptikë për fjalët që u tha Ezekieli. Le të mos zhvillojmë kurrë një qëndrim dyshues për paralajmërimet hyjnore!

21:18-22. Edhe pse Nabukodonosori përdori fallin, ishte Jehovai që veproi për t’u siguruar se ai sundimtar pagan do të vinte kundër Jerusalemit. Kjo tregon se as demonët s’mund t’i ndalin përfaqësuesit ekzekutues të Jehovait që të përmbushin qëllimin e tij.

22:6-16. Shpifja, sjellja e shthurur, abuzimi me pushtetin dhe pranimi i ryshfeteve janë të pështira për Jehovain. Ne duhet të jemi më se të vendosur që t’i shmangim këto mëkate.

23:5-49. Për shkak të aleancave politike që bënë, Izraeli dhe Juda përvetësuan adhurimin e rremë të aleatëve të tyre. Le të ruhemi që të mos formojmë lidhje të ngushta me njerëzit nga bota, që mund të na shkatërrojnë besimin.​—Jakovi 4:4.

Një mesazh që është i gjallë dhe ushtron fuqi

Sa mësime të bukura kemi nxjerrë nga 24 kapitujt e parë të librit biblik të Ezekielit! Parimet që gjejmë aty tregojnë se për ç’arsye njerëzit e humbasin miratimin e Perëndisë, ç’duhet të bëjmë që ai të na tregojë mëshirë dhe pse duhet t’i paralajmërojmë të ligjtë. Profecia për shkatërrimin e Jerusalemit e paraqet qartë Jehovain si një Perëndi që ‘i shpall popullit të tij gjëra të reja para se të shfaqen’.​—Isaia 42:9.

Profeci si ato që gjejmë tek Ezekieli 17:22-24 dhe 21:26, 27 tregonin për vendosjen e Mbretërisë mesianike në qiell. Shumë shpejt, kjo Mbretëri do të sigurohet që vullneti i Perëndisë të bëhet në tokë. (Mateu 6:9, 10) Me një besim të fortë, mund të presim të sigurt bekimet e Mbretërisë. Po, «fjala e Perëndisë është e gjallë dhe ushtron fuqi».​—Hebrenjve 4:12.

[Figura në faqen 12]

Çfarë paraqet karroca qiellore?

[Figura në faqen 14]

Pjesëmarrja e zellshme në veprën e predikimit na ndihmon të mbajmë «shenjën» që kemi marrë