Pyetje nga lexuesit
Pyetje nga lexuesit
Pse Dëshmitarët e Jehovait nuk marrin pjesë në dolli, ndërkohë që në Bibël dollitë nuk përmenden?
Ngritja e dollisë me një gotë verë (ose ndonjë pije tjetër alkoolike) është një zakon i vjetër dhe i përhapur, ndonëse hollësitë mund të ndryshojnë nga njeri vend në tjetrin. Disa herë ata që ngrenë dolli trokasin gotat. Ai që ngre dollinë, zakonisht i uron dikujt lumturi, shëndet, jetë të gjatë e gjëra si këto. Të tjerët që marrin pjesë në dolli mund të urojnë të njëjtën gjë ose të ngrenë gotat e të pinë pak verë. Për shumë njerëz ky duket një zakon i padëmshëm ose një gjest mirësjelljeje, por ka arsye të vlefshme pse Dëshmitarët e Jehovait nuk marrin pjesë në dolli.
Të krishterët veprojnë kështu jo se nuk dëshirojnë që dikush të jetë i lumtur dhe të ketë shëndet. Trupi udhëheqës i shekullit të parë e përfundoi një letër drejtuar kongregacioneve me një fjalë që mund të përkthehet «ju urojmë shëndet», «qofshit mirë» ose «ia kalofshit mirë». (Veprat 15:29) Po ashtu disa adhurues të vërtetë u thanë mbretërve njerëzorë: «Zotëria im . . . rroftë përjetë!» ose «Rrofsh përjetë, o mbret!»—1 Mbretërve 1:31; Nehemia 2:3.
Megjithatë, ku e ka origjinën zakoni i ngritjes së dollisë? Në Kullën e Rojës të 1 janarit 1968, anglisht, citohej një enciklopedi: «Zakoni i pirjes për ‘shëndetin’ e të gjallëve ka shumë mundësi të vijë nga riti i lashtë fetar i pirjes për perënditë dhe për të vdekurit. Grekët dhe romakët, kur hanin, derdhnin libacione për perënditë e tyre dhe nëpër bankete ceremoniale pinin për ta dhe për të vdekurit.» (The Encyclopædia Britannica [1910], vëllimi 13, faqja 121) Në enciklopedi thuhej më tej: «Lidhur ngushtë me këto zakone pirjeje, që ngjanin si një lloj blatimi, duhet të ketë qenë edhe pirja për shëndetin e të gjallëve.»
A vlen ende ky pohim? Në Manualin ndërkombëtar për alkoolin dhe kulturën, për vitin 1995 (anglisht), thuhet: «[Ngritja e dollisë] ka shumë gjasa të jetë një mbetje shekullare e libacioneve të lashta gjatë të cilave perëndive u paraqitej një lëng i shenjtë, gjak ose verë, në këmbim të një dëshire, një lutjeje të përmbledhur me fjalët ‘jetë të gjatë’ ose ‘për shëndetin tënd’.»
Është e vërtetë se fakti që një objekt, një figurë a një zakon ka origjinë ose ngjan me një objekt, figurë a zakon të fesë së rreme të kohës së lashtë, nuk do të thotë gjithnjë se nuk bën për një adhurues të vërtetë. Të marrim në shqyrtim shegën. Një enciklopedi e njohur biblike raporton: «Edhe shega duket se përdorej si simbol i shenjtë në fetë pagane.» Megjithatë, Perëndia urdhëroi që në buzën e poshtme të rrobës së kryepriftit të thureshin shegë të punuara me fill, dhe shegët zbukuronin shtyllat prej bakri të tempullit të Solomonit. (Dalja 28:33; 2 Mbretërve 25:17) Përveç kësaj, unaza e martesës dikur kishte kuptim fetar. Megjithatë, shumica e njerëzve sot nuk e dinë këtë dhe e konsiderojnë unazën e martesës thjesht si një shenjë që dikush është i martuar.
Ç’të themi për përdorimin e verës në ritet fetare? Për shembull, në një rast banorët e Sikemit, që adhuronin Baalin, «shkuan në shtëpinë e perëndisë së tyre, hëngrën e pinë dhe mallkuan Abimelekun», birin e Gideonit. (Gjykatësit 9:22-28) A mendoni se një shërbëtor besnik i Jehovait do të kishte pirë bashkë me ta, ndoshta duke i kërkuar një perëndie që të ndërhynte kundër Abimelekut? Duke përshkruar kohën kur shumë veta në Izrael u revoltuan kundër Jehovait, Amosi tha: «Ata shtrihen pranë çdo altari . . . dhe, në shtëpinë e perëndive të tyre, pinë verën e atyre që kanë gjobitur.» (Amosi 2:8) A do të kishin marrë pjesë adhuruesit e vërtetë në një rast të tillë, pavarësisht nëse vera u derdh si libacion për perënditë ose thjesht e pinë në atë rast? (Jeremia 7:18) Ose, a do të ngrinte gotën me verë një adhurues i vërtetë dhe të kërkonte që një perëndi të ndërhynte në të ardhmen e dikujt ose të kërkonte një të ardhme të lumtur për të?
Është interesante se ndonjëherë edhe adhurues të Jehovait ngrinin duart dhe kërkonin që t’u vente mbarë. Ata i ngrinin duart drejt Perëndisë së vërtetë. Lexojmë: «Solomoni qëndroi para altarit të Jehovait, . . . shtriu duart drejt qiellit dhe tha: ‘O Jehova, Perëndia i Izraelit, nuk ka Perëndi si ti. . . . Dëgjo nga vendi ku banon, nga qiejt! Dëgjo dhe fal!’» (1 Mbretërve 8:22, 23, 30) Po kështu, «Ezdra bekoi Jehovain . . . dhe tërë populli u përgjigj ‘Amin! Amin!’ duke ngritur duart lart. Pastaj u përkulën thellë dhe ranë përmbys me fytyrë përtokë para Jehovait». (Nehemia 8:6; 1 Timoteut 2:8) Është e qartë se këta besnikë nuk i ngrinin duart drejt qiellit për të kërkuar bekimin e ndonjë perëndie të fatit.—Isaia 65:11.
Sot shumë njerëz që marrin pjesë në dolli ndoshta nuk mendojnë se po kërkojnë përgjigje ose bekim nga ndonjë perëndi, por ata as mund të shpjegojnë pse i ngrenë gotat drejt qiellit. Megjithatë, edhe pse ata nuk i kushtojnë shumë vëmendje kësaj gjëje, kjo nuk është një arsye që të krishterët e vërtetë të ndihen të detyruar të imitojnë gjestet e tyre.
Dihet nga të gjithë se edhe për gjëra të tjera Dëshmitarët e Jehovait nuk kryejnë disa gjeste që shumica e njerëzve i bëjnë. Për shembull, shumë njerëz bëjnë gjeste ndaj simboleve kombëtare ose flamujve; ata nuk i konsiderojnë këto gjeste si akte adhurimi. Të krishterët e vërtetë nuk i pengojnë të tjerët për këto gjeste, megjithatë, ata vetë nuk i bëjnë. Duke e ditur kohën kur mund të kryhen ceremoni të tilla, shumë Dëshmitarë kanë vepruar me maturi që të mos fyejnë të tjerët. Sidoqoftë ata janë të vendosur të mos bëjnë gjeste patriotike që nuk janë përputhje me Biblën. (Dalja 20:4, 5; 1 Gjonit 5:21) Sot shumë njerëz mund të mos mendojnë se dollitë kanë ndonjë lidhje me fenë. Megjithatë, ka arsye të vlefshme pse të krishterët nuk marrin pjesë në dolli. Këto kanë origjinë fetare, e madje edhe tani mund të shihen si një kërkesë për bekim drejtuar ‘qiellit’, sikur i kërkohet ndihmë një force mbinjerëzore.—Dalja 23:2.