Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Rrugët romake—Monumente të inxhinierisë së lashtësisë

Rrugët romake—Monumente të inxhinierisë së lashtësisë

Rrugët romake—Monumente të inxhinierisë së lashtësisë

CILI monument romak është më i rëndësishmi? Mos vallë mendja ju shkon te Koloseu, rrënojat e të cilit mund t’i shihni ende në Romë? Nëse bëhet fjalë për ndërtimet romake më jetëgjata dhe me rëndësi historike, monumentet më të rëndësishme janë rrugët.

Në rrugët romake nuk kanë kaluar vetëm mallra dhe ushtri. Epigrafisti Romolo A. Staçoli thotë se rrugët «përhapnin idetë, ndikimet artistike dhe doktrinat filozofike e fetare», madje edhe ato të krishterimit.

Në lashtësi, rrugët romake konsideroheshin si monumente. Gjatë një periudhe qindravjeçare, romakët ndërtuan një rrjet të efektshëm komunikacioni prej 80.000 kilometrash që shtrihej në një zonë e cila tani përfshin më shumë se 30 shtete.

Autostrada, ose siç quhej atëherë via publica, e parë e rëndësishme ishte Via Appia ose Rruga Apia. Kjo mbretëreshë e rrugëve, siç njihej në atë kohë, lidhte Romën me qytetin-port Brundisium (Brindizi i sotëm), që ishte një portë drejt Lindjes. Kjo rrugë e mori emrin pas zyrtarit romak Apius Klaudius Kaekus, i cili filloi ndërtimin e saj aty rreth vitit 312 p.e.s. Në Romë shkohej edhe nga Rruga Salaria e Rruga Flaminia, të cilat shtriheshin në lindje drejt detit Adriatik, duke hapur kështu rrugën për në Ballkan dhe në zonat e Renit dhe të Danubit. Rruga Aurelia shtrihej në veri drejt Galisë dhe Gadishullit Iberik, ndërsa Rruga Ostiensis drejt Ostias, portit të preferuar të Romës, që përdorej për udhëtimet drejt Afrikës.

Projekti më i madh romak i ndërtimit

Rrugët ishin të rëndësishme për Romën shumë kohë para se nënshtetasit e saj të fillonin të ndërtonin ato të rejat. Qyteti u ngrit atje ku rrugët e vjetra bashkoheshin, te vau i vetëm në pjesën e poshtme të lumit Tiber. Sipas burimeve të hershme, që të përmirësonin rrugët që gjetën, romakët kopjuan kartagjenasit. Por, në të vërtetë, paraardhësit e romakëve në artin e ndërtimit të rrugëve ka mundësi të kenë qenë etruskët. Edhe sot e kësaj dite shihen gjurmë të rrugëve të tyre. Për më tepër, para kohës së romakëve, në këto zona ekzistonin shumë shtigje mjaft të rrahura. Ato mund të jenë përdorur për të çuar kafshët nga njëra kullotë në tjetrën. Megjithatë, ishte e vështirë të udhëtoje në to, pasi kishte shumë pluhur gjatë stinës së thatë dhe baltë kur binte shi. Romakët shpesh i ndërtonin rrugët e tyre mbi këto shtigje.

Rrugët romake projektoheshin me kujdes, me qëllim që të ishin të forta, të dobishme dhe të këndshme për syrin. Në mënyrë ideale, rrugët bashkonin dy vende në distancën më të shkurtër të mundur, gjë që shpjegon se përse disa segmente të gjata të këtyre rrugëve janë të drejta fare. Megjithatë, shpesh, rrugët duhej të ndiqnin thyerjet e terrenit që diktonte natyra. Aty ku ishte e mundur, në vendet malore apo kodrinore, inxhinierët romakë i ndërtonin rrugët në gjysmë të shpatit të malit, përgjatë faqes nga binte dielli. Për udhëtarët, ky pozicion zvogëlonte çdo vështirësi që vinte nga moti i keq.

Po si i ndërtonin romakët rrugët e tyre? Kishte mënyra të ndryshme, por më poshtë shpjegohet se çfarë ka zbuluar arkeologjia.

Në fillim përcaktohej drejtimi që do të ndiqej. Kjo punë u caktohej topografëve të asaj kohe. Pastaj, puna rraskapitëse e gërmimit u lihej legjionarëve, punëtorëve ose skllevërve. Hapeshin dy brazda paralele. Largësia minimale midis tyre ishte 2,4 metra, por largësia normale ishte 4 metra dhe në kthesa ishin edhe më të gjera. Kur mbaronte, rruga arrinte maksimumi deri në 10 metra gjerësi, përfshirë edhe trotuaret për këmbësorët në të dyja anët. Pastaj dheu midis dy brazdave hiqej duke formuar kështu një zgavër. Kur pas gërmimeve arrinin në një shtresë toke të fortë, zgavra mbushej me tri a katër shtresa me përbërje të ndryshme. Shtresa e parë mund të ishte gurë të mëdhenj ose çakëll. Pas kësaj hidhnin një shtresë me guralecë ose gurë zalli, ndoshta e përzier me beton. Dhe sipër kësaj hidhej një shtresë me zhavorr të ngjeshur ose gurë të thërrmuar.

Në sipërfaqe, disa rrugë romake nuk kishin asgjë më shumë se sa zhavorr të ngjeshur. Por ishin rrugët e shtruara ato që ngjallën admirimin e njerëzve në atë kohë. Shtresa e sipërme e këtyre rrugëve përbëhej nga pllaka guri të mëdha që zakonisht merreshin nga shkëmbinjtë që gjendeshin në atë zonë. Rrugët harkoheshin, bëheshin pak me kurriz, që uji të kullonte nga pjesa më e ngritur në ullukët në anë të rrugës. Kjo mënyrë ndërtimi ka kontribuar në jetëgjatësinë e këtyre monumenteve dhe në mbijetesën e disave prej tyre deri në ditët tona.

Rreth 900 vjet pasi u ndërtua Rruga Apia, Prokopi, një historian bizantin, e cilësoi atë si «të mahnitshme». Në lidhje me pllakat e gurit në sipërfaqe, ai shkroi: «Pavarësisht nga koha dhe mjetet e shumta që kanë kaluar ditë pas dite, struktura e tyre nuk ka pësuar fare ndryshim, e as nuk e kanë humbur sipërfaqen e lëmuar.»

Po si mund t’i kapërcenin këto rrugë pengesat e natyrës, si për shembull lumenjtë? Një mënyrë ishte me anë të urave, disa prej të cilave ekzistojnë ende, duke dëshmuar kështu për aftësitë e mrekullueshme teknike të romakëve të lashtë. Tunelet në sistemin rrugor romak ndoshta nuk janë aq të njohura, por ndërtimi i tyre ishte edhe më i vështirë duke pasur parasysh teknologjinë e asaj kohe. Një vepër referimi thotë: «Inxhinieria romake . . . arriti rezultate që për shekuj me radhë do të mbeteshin të pakrahasueshme.» I tillë është edhe tuneli në qafën Furlo në rrugën Flaminia. Në vitin 78 të e.s., pas një projektimi të kujdesshëm nga inxhinierët, u gërmua në shkëmb një tunel 40 metra i gjatë, 5 metra i gjerë dhe 5 metra i lartë. Ishte një arritje mbresëlënëse, duke pasur parasysh mjetet që kishin atëherë. Të ndërtoje një sistem rrugor të tillë në ato kohë ishte një nga sipërmarrjet më të mëdha për njeriun.

Udhëtarët dhe përhapja e ideve

Të gjithë i përdornin këto rrugë, ushtarë e tregtarë, predikues e turistë, aktorë e gladiatorë. Ata që udhëtonin më këmbë mund të bënin rreth 25 deri 30 kilometra në ditë. Udhëtarët e kuptonin largësinë midis vendeve me anë të shtyllave miliare. Këto shtylla, që ishin gurë të formave të ndryshme, zakonisht cilindrike, vendoseshin çdo 1.480 metra, sipas gjatësisë së një miljeje romake. Kishte edhe vende pushimi, ku udhëtarët mund të ndryshonin kuajt, të blinin diçka për të ngrënë ose në disa raste të kalonin natën. Disa prej këtyre vendeve të pushimit, me kalimin e kohës, u zhvilluan dhe u bënë qytete.

Pak pas lindjes së krishterimit, Cezar Augusti nisi një program për mirëmbajtjen e rrugëve. Ai caktoi disa zyrtarë që të kujdeseshin për një ose disa rrugë. Ai bëri atë që njihet si miliarium aureum, shtylla e artë miliare, që u ngrit në Forumin Romak. Kjo shtyllë me shkronja të skalitura në bronz ishte pika ideale ku përfundonin të gjitha rrugët romake në Itali. Nga kjo lindi edhe proverbi: «Të gjitha rrugët të çojnë në Romë.» Augusti nxori edhe harta të sistemit rrugor në perandorinë e tij. Me sa duket, rrjeti i komunikacionit i përmbushte më së miri nevojat dhe kërkesat e kohës.

Disa udhëtarë në kohët e lashta përdornin madje edhe harta udhërrëfyese ose itinerare të përcaktuara, gjë që ua bënte më të lehtë udhëtimin. Këto harta përmbanin informacione të ndryshme, si për shembull largësitë midis vendeve të pushimit dhe shërbimet që mund të ofroheshin në këto vende. Por këto harta udhërrëfyese kushtonin, kështu që jo çdokush mund t’i kishte.

Pavarësisht nga kjo, ungjillëzuesit e krishterë planifikuan dhe ndërmorën shumë udhëtime të gjata. Apostulli Pavël, ashtu si bashkëkohësit e tij, zakonisht udhëtonte në rrugë detare kur shkonte në lindje, pasi shfrytëzonte erërat detare. (Veprat 14:25, 26; 20:3; 21:1-3) Në detin Mesdhe, gjatë muajve të verës, këto erëra fryjnë nga perëndimi. Por kur Pavli udhëtonte drejt perëndimit, ai shpesh udhëtonte në rrugë tokësore duke përdorur sistemin e rrugëve romake. Në bazë të këtij sistemi, Pavli organizoi udhëtimin e dytë dhe të tretë misionar. (Veprat 15:36-41; 16:6-8; 17:1, 10; 18:22, 23; 19:1) * Aty rreth vitit 59 të e.s., Pavli shkoi në Romë nëpërmjet Rrugës Apia dhe i takoi bashkëbesimtarët e tij 74 kilometra në juglindje të Romës, në Sheshin ose në Pazarin Apia që në atë kohë gumëzhinte. Të tjerët e prisnin në një vendpushim të quajtur Tri Tavernat, që ishte 14 kilometra më afër Romës. (Veprat 28:13-15) Rreth vitit 60 të e.s., Pavli mund të thoshte se lajmi i mirë ishte predikuar «në mbarë botën» që njihej atëherë. (Kolosianëve 1:6, 23) Në arritjen e kësaj, një rol të rëndësishëm luajti edhe sistemi rrugor.

Pra rrugët romake kanë treguar se ishin monumente të jashtëzakonshme e të qëndrueshme, dhe një ndihmë e madhe për përhapjen e lajmit të mirë të Mbretërisë së Perëndisë.—Mateu 24:14.

[Shënimi]

^ par. 18 Shih hartën në faqen 33 të broshurës ‘Të shohim vendin e mirë’, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Figura në faqen 14]

Shtyllë miliare romake

[Figura në faqen 15]

Rruga Apia në periferi të Romës

[Figura në faqen 15]

Rrugë në Ostian e lashtë në Itali

[Figura në faqen 15]

Tragë e karrocave në lashtësi, Austri

[Figura në faqen 15]

Pjesë e një rruge romake me shtylla miliare në Jordani

[Figura në faqen 16]

Rrënoja varresh në Rrugën Apia jashtë Romës

[Figura në faqen 16]

Tuneli Furlo në Rrugën Flaminia në krahinën Marke

[Figura në faqet 16, 17]

Ura e Tiberit në Rrugën Emilia në Rimini të Italisë

[Figura në faqen 17]

Pavli i takoi bashkëbesimtarët e tij në Sheshin ose në Pazarin Apia, që gumëzhinte nga lëvizjet

[Burimet e figurave në faqen 15]

Në cep majtas, Ostia: ©danilo donadoni/​Marka/​age fotostock; në cep djathtas, rruga me shtylla miliare: Pictorial Archive (Near Eastern History) Est.