‘Nuk pushojmë dot së foluri për Jezuin’
«Ne duhet t’i bindemi Perëndisë si sundimtar, dhe jo njerëzve»
‘Nuk pushojmë dot së foluri për Jezuin’
ËSHTË viti 33 i e.s. dhe ngjarja zhvillohet në dhomën madhështore të gjykatës kombëtare judaike në Jerusalem. Pikërisht këtu Sinedri do të gjykojë 12 ithtarët e Jezu Krishtit. Pse? Sepse kanë predikuar për Jezuin. Apostujt Pjetër dhe Gjon ndodhen para gjykatës për herë të dytë. Për apostujt e tjerë është hera e parë.
Kryeprifti u flet 12 apostujve për urdhrin që kishte nxjerrë gjykata në rastin e mëparshëm. Në atë kohë, kur i urdhëruan të mos mësonin më për Jezuin, apostujt Pjetër dhe Gjon u përgjigjën: «Gjykojeni vetë në është e drejtë në sytë e Perëndisë t’ju dëgjojmë ju dhe jo Perëndinë. Sepse ne nuk pushojmë dot së foluri për ato që kemi parë e dëgjuar.» Pasi u lutën për guxim, dishepujt e Jezuit vazhduan të shpallnin lajmin e mirë.—Veprat 4:18-31.
Duke e pasur të qartë në mendje se kërcënimet e tij të mëparshme nuk kishin qenë të efektshme, në këtë gjyq të dytë, kryeprifti thotë: «Ne ju urdhëruam prerazi të mos mësoni më në këtë emër, mirëpo ju e mbushët Jerusalemin me mësimin tuaj, dhe doni medoemos që gjaku i atij njeriu të bjerë mbi ne.»—Veprat 5:28.
Vendosmëri e patundur
Me guxim, Pjetri dhe apostujt e tjerë thonë: «Ne duhet t’i bindemi Perëndisë si sundimtar, dhe jo njerëzve.» (Veprat 5:29) Po, kur kërkesat e njerëzve bien ndesh me kërkesat e Perëndisë, duhet t’i bindemi Jehovait, dhe jo njerëzve. *
Fjalët e apostujve që shprehin përkushtimin e tyre ndaj Perëndisë, duhet t’i bindin anëtarët e Sinedrit. Në qoftë se dikush do t’i pyeste këta udhëheqës të shoqërisë judaike a duhet t’i binden Perëndisë apo njerëzve, përgjigjja e tyre do të ishte njëzëri: «Bindjuni Perëndisë.» Në fund të fundit, a nuk besojnë ata se Perëndia është Zotëria Sovran i universit?
Me sa duket, duke përfaqësuar të gjithë apostujt, Pjetri thotë se i binden Perëndisë, e jo njerëzve për shërbimin që bëjnë. Kështu, ai e bën të pavlefshme akuzën se apostujt nuk janë bindur. Nga historia e kombit të tyre, anëtarët e Sinedrit e dinë se ka raste kur është plotësisht e drejtë t’i bindesh Perëndisë, e jo njerëzve. Dy mami në Egjipt patën frikë nga Perëndia, e jo nga faraoni, dhe i lanë gjallë djemtë që lindën gratë hebreje. (Dalja 1:15-17) Mbreti Hezekia iu bind Jehovait, e jo mbretit Senakerib, kur iu bë presion që të dorëzohej. (2 Mbretërve 19:14-37) Shkrimet Hebraike, që anëtarët e Sinedrit i njohin mirë, theksojnë se Jehovai pret që populli i tij t’i bindet Atij.—1 Samuelit 15:22, 23.
Bindja shpërblehet
Të paktën një anëtar i gjykatës së lartë me sa duket ndikohet nga fjalët «ne duhet t’i bindemi Perëndisë si sundimtar, dhe jo njerëzve». Veprat 5:34-39.
Gamalieli, një gjykatës shumë i vlerësuar i Sinedrit, e bind gjykatën ta dëgjojë këshillën e tij të mençur gjatë një sesioni me dyer të mbyllura. Duke përmendur shembuj të së kaluarës, Gamalieli thotë se nuk është e mençur të ndërhyjnë në veprën e apostujve. Ai përfundon me fjalët: «Mos u përzieni me këta njerëz, por lërini rehat . . . përndryshe ka të ngjarë të gjendeni duke luftuar vërtet kundër Perëndisë.»—Fjalët e arsyeshme të Gamalielit e bindin gjykatën e lartë t’i lirojë apostujt. Edhe pse i rrahin, apostujt nuk janë aspak të frikësuar nga kjo përvojë. Përkundrazi, Bibla thotë: «Çdo ditë, në tempull dhe shtëpi më shtëpi, ata mësonin dhe shpallnin pareshtur lajmin e mirë për Krishtin, Jezuin.»—Veprat 5:42.
Sa u bekuan apostujt që pohuan fuqimisht se autoriteti i Perëndisë është më i larti! Të krishterët e vërtetë sot, shfaqin të njëjtin qëndrim. Dëshmitarët e Jehovait vazhdojnë ta konsiderojnë Jehovain si Sundimtarin e tyre Më të Lartë. Nëse urdhërohen të veprojnë kundër urdhërimeve të Perëndisë, ata përgjigjen si apostujt: «Ne duhet t’i bindemi Perëndisë si sundimtar, dhe jo njerëzve.»
[Shënimi]
^ par. 7 Shih Kalendarin e Dëshmitarëve të Jehovait 2006, shtator-tetor.
[Kutia dhe figurat në faqen 9]
A KENI PYETUR NDONJËHERË?
Si e mori shkrimtari biblik, Luka, informacionin për deklaratën që bëri Gamalieli në një sesion me dyer të mbyllura të Sinedrit? Fjalët e Gamalielit mund t’i jenë zbuluar Lukës nga Perëndia. Ose ndoshta Pavli (që dikur kishte qenë një nga studentët e Gamalielit) ia tha Lukës fjalët e Gamalielit. Ose mbase Luka mund të ketë folur me një anëtar të gjykatës që ishte simpatizant i apostujve.