Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mbledhja e gjërave në qiej dhe e gjërave në tokë

Mbledhja e gjërave në qiej dhe e gjërave në tokë

Mbledhja e gjërave në qiej dhe e gjërave në tokë

«Në përputhje me pëlqimin e tij, ai pati si qëllim . . . të mblidhte përsëri së bashku në Krishtin të gjitha gjërat, gjërat në qiej dhe gjërat në tokë.»​—EFESIANËVE 1:9, 10.

1. Cili është ‘pëlqimi’ i Jehovait për qiellin e për tokën?

PAQE UNIVERSALE! Ky është qëllimi i lavdishëm i Jehovait, ‘Perëndisë së paqes’. (Hebrenjve 13:20) Ai e frymëzoi apostullin Pavël të shkruante se ‘pëlqimi’ i Tij ishte «të mblidhte përsëri së bashku në Krishtin të gjitha gjërat, gjërat në qiej dhe gjërat në tokë». (Efesianëve 1:9, 10) Po çfarë nënkupton folja që në këtë varg është përkthyer ‘të mbledhë përsëri së bashku’? Dijetari biblik Xh. B. Lajtfut komenton: «Shprehja lidhet me harmoninë e gjithë universit, që nuk do të ketë më elementë të huaj që prishin paqen. Të gjitha pjesët e tij do të jenë të përqendruara dhe të bashkuara te Krishti. Mëkati dhe vdekja, brengat, dështimet dhe vuajtjet, do të marrin fund.»

«Gjërat në qiej»

2. Cilët janë «gjërat në qiej» që duheshin mbledhur?

2 Apostulli Pjetër e përmblodhi me këto fjalë shpresën e mrekullueshme që kanë të krishterët e vërtetë: «Sipas premtimit të tij, ne presim qiej të rinj e një tokë të re, dhe në ta do të banojë drejtësia.» (2 Pjetrit 3:13) ‘Qiejt e rinj’, të premtuar në këtë varg, kanë të bëjnë me autoritetin e ri sundues, Mbretërinë Mesianike. «Gjërat në qiej» që përmendi Pavli në letrën drejtuar efesianëve, do të mblidhen «në Krishtin». Ata përbëjnë numrin e kufizuar të njerëzve që janë zgjedhur për të sunduar me Krishtin në qiell. (1 Pjetrit 1:3, 4) Këta 144.000 të krishterë të mirosur janë «blerë nga toka», «blerë nga gjiri i njerëzimit» për të qenë bashkëtrashëgimtarë me Krishtin në Mbretërinë e tij qiellore.—Zbulesa 5:9, 10; 14:3, 4; 2 Korintasve 1:21; Efesianëve 1:11; 3:6.

3. Pse themi që të mirosurit janë ‘ulur në vendet qiellore’ edhe ndërkohë që janë në tokë?

3 Të krishterët e mirosur lindin përsëri me anë të frymës së shenjtë, për t’u bërë bij frymorë të Jehovait. (Gjoni 1:12, 13; 3:5-7) Meqë Jehovai i ‘birëson’, ata bëhen vëllezër të Jezuit. (Romakëve 8:15; Efesianëve 1:5) Si të tillë, edhe ndërkohë që janë në tokë, për ta thuhet se ‘janë ngritur dhe janë ulur së bashku në vendet qiellore në unitet me Krishtin Jezu’. (Efesianëve 1:3; 2:6) E kanë këtë pozitë të lartësuar frymore, sepse janë ‘vulosur me frymën e shenjtë të premtuar, që është kapari i trashëgimisë së tyre’ të rezervuar në qiej. (Efesianëve 1:13, 14; Kolosianëve 1:5) Pra, këta janë «gjërat në qiej», dhe duhej mbledhur numri i plotë i tyre, i paracaktuar nga Jehovai.

Fillon mbledhja

4. Kur dhe si filloi mbledhja e ‘gjërave në qiej’?

4 Sipas ‘administrimit’ ose mënyrës se si i drejton Jehovai gjërat, mbledhja e ‘gjërave në qiej’ do të fillonte «kur të mbusheshin kohët e caktuara». (Efesianëve 1:10) Kjo kohë e caktuar erdhi në festën e Ditës së Pesëdhjetë, në vitin 33 të e.s. Atë ditë, fryma e shenjtë u derdh mbi apostujt e mbi një grup dishepujsh, burra e gra. (Veprat 1:13-15; 2:1-4) Kjo ishte provë se kishte hyrë në fuqi besëlidhja e re, duke shënuar lindjen e kongregacionit të krishterë dhe të kombit të ri të Izraelit frymor, ‘Izraelit të Perëndisë’.—Galatasve 6:16; Hebrenjve 9:15; 12:23, 24.

5. Pse Jehovai krijoi një «komb» të ri në vend të Izraelit natyror?

5 Besëlidhja e Ligjit, e bërë me Izraelin natyror, nuk solli «një mbretëri priftërinjsh dhe një komb [të] shenjtë» që të shërbente përgjithmonë në qiell. (Dalja 19:5, 6) Jezui u tha udhëheqësve fetarë judenj: «Mbretëria e Perëndisë do t’ju merret dhe do t’i jepet një kombi që prodhon frytet e saj.» (Mateu 21:43) Ky komb, Izraeli frymor, përbëhet nga të krishterët e mirosur që kanë hyrë në besëlidhjen e re. Apostulli Pjetër u shkroi atyre: «Ju jeni ‘racë e zgjedhur, priftëri mbretërore, komb i shenjtë, popull për zotërim të veçantë, që të shpallni kudo virtytet’ e atij që ju thirri nga errësira në dritën e tij të mrekullueshme. Sepse dikur nuk ishit një popull, por tani jeni populli i Perëndisë.» (1 Pjetrit 2:9, 10) Izraeli natyror nuk ishte më populli i besëlidhjes së Jehovait. (Hebrenjve 8:7-13) Siç e kishte parathënë Jezui, privilegji për të qenë pjesë e Mbretërisë Mesianike iu hoq atyre dhe iu dha 144.000 pjesëtarëve të Izraelit frymor.—Zbulesa 7:4-8.

Hyjnë në besëlidhjen e Mbretërisë

6, 7. Cilën besëlidhje të veçantë bëri Jezui me vëllezërit e tij të lindur nga fryma e çfarë do të thotë kjo për ta?

6 Natën kur themeloi Përkujtimin e vdekjes së tij, Jezui u tha apostujve të vet besnikë: «Ju keni qëndruar bashkë me mua në sprovat e mia. Prandaj unë po bëj me ju një besëlidhje për një mbretëri, ashtu si Ati im ka bërë një besëlidhje me mua, që ju të hani e të pini në tryezën time, në mbretërinë time dhe të uleni në frone që të gjykoni dymbëdhjetë fiset e Izraelit.» (Luka 22:28-30) Këtu Jezui e kishte fjalën për një besëlidhje të veçantë që bëri me 144.000 vëllezërit e tij të lindur nga fryma, të cilët do të mbeteshin ‘të besueshëm deri në vdekje’ dhe do të dilnin ‘fitimtarë’.—Zbulesa 2:10; 3:21.

7 Ata që bëjnë pjesë në këtë grup të vogël, heqin dorë nga çdo shpresë për të jetuar përgjithmonë në tokë si njerëz prej mishi e gjaku. Ata do të mbretërojnë me Krishtin në qiell, duke u ulur në frone për të gjykuar njerëzimin. (Zbulesa 20:4, 6) Le të shqyrtojmë tani disa shkrime të tjera që zbatohen vetëm për këta të mirosur dhe që tregojnë pse ‘delet e tjera’ nuk marrin simbolet e Përkujtimit.—Gjoni 10:16.

8. Çfarë tregojnë të mirosurit, duke marrë bukën në Përkujtim? (Shih kutinë në faqen 23.)

8 Të mirosurit kalojnë vuajtje si ato që kaloi Krishti dhe janë të gatshëm t’i nënshtrohen një vdekjeje si e tija. Duke qenë pjesë e atij grupi, Pavli tha se ishte i përgatitur të bënte çfarëdo sakrifice, që ‘të fitonte Krishtin, që ta njihte atë dhe fuqinë e ringjalljes së tij, si dhe pjesëmarrjen në vuajtjet e tij’. Po, Pavli ishte gati t’i nënshtrohej «një vdekjeje si e tija». (Filipianëve 3:8, 10) Shumë të krishterë të mirosur kanë duruar në trupin e tyre njerëzor «trajtimin vdekjeprurës që iu bë Jezuit».—2 Korintasve 4:10.

9. Cilin trup paraqet buka e Përkujtimit?

9 Kur themeloi Darkën e Zotërisë, Jezui tha: «Kjo përfaqëson trupin tim.» (Marku 14:22) Ai e kishte fjalën për trupin e tij fizik, të cilin pas pak do ta rrihnin e do ta gjakosnin. Buka pa maja ishte simbol i përshtatshëm i atij trupi. Përse? Sepse në Bibël majaja mund të nënkuptojë mëkatin ose ligësinë. (Mateu 16:4, 11, 12; 1 Korintasve 5:6-8) Jezui ishte i përsosur dhe trupi i tij njerëzor ishte pa mëkat. Këtë trup të përsosur do ta paraqiste si flijim pajtues. (Hebrenjve 7:26; 1 Gjonit 2:2) Nga kjo do të nxirrnin dobi të gjithë të krishterët besnikë, pavarësisht nga shpresa e tyre, për jetën në qiell ose për jetën e përhershme në një tokë parajsore.—Gjoni 6:51.

10. Në ç’mënyrë ‘marrin pjesë në gjakun e Krishtit’ ata që marrin verën në Përkujtim?

10 Për verën nga e cila marrin të krishterët e mirosur në Përkujtim, Pavli shkroi: «A nuk nënkupton kupa e bekimit, që ne bekojmë, se marrim pjesë në gjakun e Krishtit?» (1 Korintasve 10:16) Në ç’mënyrë ‘marrin pjesë në gjakun e Krishtit’ ata që marrin verën? Natyrisht, nuk kanë pjesë në sigurimin e flijimit shpërblyes, pasi ata vetë kanë nevojë të shpengohen. Për shkak të besimit të tyre në fuqinë shpenguese të gjakut të Krishtit, u falen mëkatet dhe shpallen të drejtë për jetën në qiell. (Romakëve 5:8, 9; Titit 3:4-7) Me anë të gjakut të derdhur të Krishtit, 144.000 bashkëtrashëgimtarët e tij ‘shenjtërohen’, ndahen, pastrohen nga mëkati për të qenë ‘të shenjtë’. (Hebrenjve 10:29; Danieli 7:18, 27; Efesianëve 2:19) Po, me gjakun që derdhi, Krishti ‘bleu për Perëndinë njerëz nga çdo fis, gjuhë, popull dhe komb, i bëri një mbretëri dhe priftërinj për Perëndinë tonë, dhe ata do të mbretërojnë mbi tokën’.—Zbulesa 5:9, 10.

11. Çfarë tregojnë të mirosurit kur pinë verën e Përkujtimit?

11 Kur themeloi Përkujtimin e vdekjes së tij, Jezui u dha kupën me verë apostujve besnikë e tha: «Pini të gjithë ju, sepse kjo përfaqëson ‘gjakun tim të besëlidhjes’, që do të derdhet në dobi të shumë vetave, për faljen e mëkateve.» (Mateu 26:27, 28) Ashtu si gjaku i demave dhe i cjepve shpalli të vlefshme besëlidhjen e Ligjit ndërmjet Perëndisë dhe kombit të Izraelit, po ashtu gjaku i Jezuit bëri të vlefshme besëlidhjen e re që Jehovai do të lidhte me Izraelin frymor, duke filluar në festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s. (Dalja 24:5-8; Luka 22:20; Hebrenjve 9:14, 15) Kur pinë verën që simbolizon ‘gjakun e besëlidhjes’, të mirosurit tregojnë se kanë hyrë në besëlidhjen e re dhe po marrin dobitë e saj.

12. Si pagëzohen të mirosurit në vdekjen e Krishtit?

12 Ky veprim u sjell ndër mend të mirosurve edhe diçka tjetër. Jezui u tha dishepujve të tij besnikë: «Kupën që po pi unë, do ta pini, edhe me pagëzimin që po pagëzohem unë, do të pagëzoheni.» (Marku 10:38, 39) Më vonë, apostulli Pavël foli për të krishterët që ‘pagëzohen në vdekjen e [Krishtit]’. (Romakëve 6:3) Të mirosurit e ofrojnë jetën e tyre si flijim. Në fakt, vdekja e tyre është një vdekje flijuese, pasi heqin dorë nga çdo shpresë për jetën e përhershme në tokë. Për këta të krishterë të mirosur, pagëzimi në vdekjen e Krishtit bëhet i plotë pasi vdesin besnikë dhe ringjallen si krijesa frymore ‘për të mbretëruar’ bashkë me Krishtin në qiell.—2 Timoteut 2:10-12; Romakëve 6:5; 1 Korintasve 15:42-44, 50.

Marrja e simboleve

13. Pse ata që kanë shpresën tokësore nuk i marrin simbolet në Përkujtim, por pse e ndjekin Përkujtimin?

13 Meqenëse marrja e bukës dhe e verës që kalohen gjatë Përkujtimit përfshin gjithë këto gjëra, është e qartë se nuk do të ishte e përshtatshme t’i merrnin ata që kanë shpresën tokësore. Ata që kanë shpresën tokësore e kuptojnë se nuk janë pjesëtarë të mirosur të trupit të Krishtit dhe as janë pjesë e besëlidhjes së re që bëri Jehovai me ata që do të mbretërojnë me Jezu Krishtin. Duke qenë se «kupa» paraqet besëlidhjen e re, vetëm ata që janë në besëlidhjen e re i marrin simbolet. Ata që shpresojnë të jetojnë përgjithmonë të përsosur si njerëz këtu në tokë, nën sundimin e Mbretërisë, as pagëzohen në vdekjen e Jezuit, as thirren për të mbretëruar me të në qiell. Nëse do të merrnin simbolet, kjo do të nënkuptonte diçka që s’është e vërtetë në rastin e tyre. Prandaj, edhe pse e ndjekin me respekt Përkujtimin si vëzhgues, ata nuk i marrin simbolet. Janë mirënjohës për gjithçka që ka bërë Jehovai për ta me anë të Birit të tij, përfshirë edhe faljen që u ka ofruar, në bazë të gjakut të derdhur të Krishtit.

14. Si forcohen frymësisht të mirosurit, duke marrë bukën dhe verën?

14 Vulosja përfundimtare e numrit relativisht të vogël të të krishterëve që janë thirrur për të mbretëruar me Krishtin në qiell, po i afrohet plotësimit. Deri në fund të jetës së tyre flijuese në tokë, të mirosurit forcohen frymësisht duke marrë simbolet e Përkujtimit. Ndiejnë një lidhje uniteti me vëllezërit e motrat e tyre si pjesëtarë të trupit të Krishtit. Kur marrin bukën dhe verën që shërbejnë si simbole, kujtojnë përgjegjësinë e tyre për të mbetur besnikë deri në vdekje.—2 Pjetrit 1:10, 11.

Mbledhja e ‘gjërave në tokë’

15. Cilët janë mbledhur përkrah të krishterëve të mirosur?

15 Që nga mesi i viteve 30 të shekullit të 20-të, me të mirosurit është bashkuar një numër gjithnjë e më i madh i ‘deleve të tjera’, të cilat nuk janë pjesë e ‘kopesë së vogël’, por kanë shpresën të jetojnë përgjithmonë në tokë. (Gjoni 10:16; Luka 12:32; Zakaria 8:23) Ata janë bërë shokët besnikë të vëllezërve të Krishtit, duke dhënë një ndihmë të vlefshme për predikimin e ‘këtij lajmi të mirë për mbretërinë’ si dëshmi për të gjitha kombet. (Mateu 24:14; 25:40) Duke vepruar kështu, kanë krijuar mundësinë që Krishti t’i gjykojë në mënyrë të favorshme si «delet» e tij, të cilat do të vihen «në të djathtë» të tij, kur të vijë për të gjykuar kombet. (Mateu 25:33-36, 46) Me anë të besimit te gjaku i Krishtit, ata do të përbëjnë ‘shumicën e madhe’ që do të mbijetojë në ‘shtrëngimin e madh’.—Zbulesa 7:9-14.

16. Kush do të përfshihet te «gjërat në tokë» dhe si do të kenë mundësinë të gjithë ata të bëhen ‘fëmijë të Perëndisë’?

16 Vulosja përfundimtare e 144.000-ve do të hapë rrugën që të lëshohen «erërat» e shkatërrimit kundër sistemit të lig të Satanait këtu në tokë. (Zbulesa 7:1-4) Gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit dhe të mbretërve-priftërinj, me shumicën e madhe do të bashkohet një numër i madh i papërcaktuar të ringjallurish. (Zbulesa 20:12, 13) Këta do të kenë mundësinë të bëhen banorë të përhershëm të tokës, nënshtetas të Mbretit Mesianik, Krishtit Jezu. Në fund të Mbretërimit Mijëvjeçar, të gjitha këto ‘gjëra në tokë’ do t’i nënshtrohen një prove të fundit. Ata që mbeten besnikë, do të birësohen si ‘fëmijë të Perëndisë’ këtu në tokë.—Efesianëve 1:10; Romakëve 8:21; Zbulesa 20:7, 8.

17. Si do të plotësohet qëllimi i Jehovait?

17 Kështu, me anë të ‘administrimit’ të tij tejet të mençur, ose mënyrës se si i drejton gjërat, Jehovai do të ketë përmbushur qëllimin e tij ‘për të mbledhur përsëri së bashku në Krishtin të gjitha gjërat, gjërat në qiej dhe gjërat në tokë’. Të gjitha krijesat me aftësi për të arsyetuar, në qiell e në tokë, do të jenë mbledhur bashkë në paqe universale e do t’i nënshtrohen me gëzim sovranitetit të drejtë të Jehovait, Perëndisë madhështor që përmbush qëllimet.

18. Si do të nxjerrin dobi qoftë të mirosurit, qoftë shokët e tyre, duke ndjekur Përkujtimin?

18 Sa do t’u forcohet besimi numrit të vogël të të mirosurve dhe miliona shokëve të tyre nga delet e tjera, kur të mblidhen më 12 prill 2006! Do të mbajnë Përkujtimin e vdekjes së Krishtit, ashtu siç urdhëroi Jezui: «Vazhdoni ta bëni këtë në kujtimin tim.» (Luka 22:19) Të gjithë të pranishmit duhet të kujtojnë atë që ka bërë Jehovai për ta, me anë të Birit të tij të shtrenjtë, Krishtit Jezu.

Pyetje për rishikim

• Cili është qëllimi i Jehovait për gjërat në qiell dhe për gjërat në tokë?

• Cilët janë «gjërat në qiej» dhe si janë mbledhur?

• Cilët janë «gjërat në tokë» dhe çfarë shprese kanë?

[Pyetjet]

[Kutia në faqen 23]

‘Trupi i Krishtit’

Te 1 Korintasve 10:16, 17, kur po trajtonte domethënien e veçantë të bukës për vëllezërit e Krishtit që janë të mirosur nga fryma, Pavli e përmendi «trupin» në një kuptim të veçantë. Ai tha: «A nuk nënkupton buka që ne thyejmë, se marrim pjesë në trupin e Krishtit? Meqë ka një bukë të vetme, edhe pse jemi shumë, ne jemi një trup i vetëm, sepse të gjithë po marrim pjesë nga ajo bukë e vetme.» Kur marrin pjesë nga buka e Përkujtimit, të krishterët e mirosur shpallin unitetin e tyre brenda kongregacionit të të mirosurve, i cili është si një trup, me Krishtin si Kreun e tij.—Mateu 23:10; 1 Korintasve 12:12, 13, 18.

[Figurat në faqen 23]

Pse vetëm të mirosurit marrin nga buka e nga vera?

[Figura në faqen 25]

Me anë të administrimit të Jehovait, do të bashkohen të gjitha krijesat në qiell e në tokë