Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Shpërblesa lartëson drejtësinë e Perëndisë

Shpërblesa lartëson drejtësinë e Perëndisë

Shpërblesa lartëson drejtësinë e Perëndisë

PAS rebelimit të Adamit dhe Evës, Jehovai tregoi qëllimin e tij për të nxjerrë një Farë, e cila do të plagosej në thembër. (Zanafilla 3:15) Kjo u përmbush kur armiqtë e Perëndisë e vranë Jezu Krishtin në një shtyllë torture. (Galatasve 3:13, 16) Jezui ishte pa mëkat, sepse u ngjiz në mitrën e një virgjëreshe me anë të një mrekullie, me fuqinë e frymës së shenjtë. Prandaj, gjaku që derdhi, mund të përdorej si çmim shpërblyes për t’i çliruar njerëzit nga mëkati dhe vdekja që trashëguan nga Adami.​—Romakëve 5:12, 19.

Asgjë s’mund ta ndalojë Perëndinë e plotfuqishëm, Jehovain, të përmbushë qëllimin që ka. Prandaj, pasi njeriu mëkatoi, Jehovai e konsideroi tashmë të paguar çmimin shpërblyes, kështu që mund të kishte lidhje me ata që tregonin besim në plotësimin e qëllimeve të tij. Falë kësaj, pasardhës mëkatarë të Adamit si Enoku, Noeja dhe Abrahami, ecën me Të dhe Ai i pati miq pa e njollosur shenjtërinë e Tij.​—Zanafilla 5:24; 6:9; Jakovi 2:23.

Disa individë që kishin besim te Jehovai kryen mëkate serioze. Një shembull është mbreti David. Ju mund të pyesni: ‘Si ka mundësi që Jehovai vazhdoi ta bekonte mbretin David pas kurorëshkeljes me Betshebën dhe vdekjes që i solli burrit të saj, Uriahut?’ Një faktor i rëndësishëm ishte pendimi i sinqertë dhe besimi i Davidit. (2 Samuelit 11:1-17; 12:1-14) Në sajë të flijimit që do të bënte më vonë Jezu Krishti, Perëndia mundi të falte mëkatet e Davidit të penduar dhe megjithatë të ruante drejtësinë e Tij. (Psalmi 32:1, 2) Si provë të kësaj, Bibla tregon gjënë më të mrekullueshme që u arrit me anë të shpërblesës së Jezuit, domethënë «që të tregonte drejtësinë e [Perëndisë], sepse po falte mëkatet që ndodhën në të shkuarën» dhe «në kohën e tanishme».​—Romakëve 3:25, 26.

Po, vlera e gjakut të Jezuit i sjell dobi të mëdha njerëzimit. Në bazë të shpërblesës, mëkatarët e penduar mund të gëzojnë një marrëdhënie të ngushtë me Perëndinë. Përveç kësaj, shpërblesa hap rrugën për ringjalljen e të vdekurve në botën e re të Perëndisë. Këtu do të përfshihen edhe shërbëtorët besnikë të Perëndisë që vdiqën para se Jezui ta paguante këtë shpërblesë, madje edhe shumë individë që vdiqën pa e njohur dhe pa e adhuruar Perëndinë. Bibla thotë: «Do të ringjallen si të drejtët, edhe të padrejtët». (Veprat 24:15) Në atë kohë, në bazë të shpërblesës, Jehovai do t’u japë si shpërblim gjithë njerëzve të bindur jetën e përhershme. (Gjoni 3:36) Vetë Jezui shpjegoi: «Perëndia e deshi aq shumë botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që tregon besim tek ai, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme.» (Gjoni 3:16) Njerëzit do t’i marrin të gjitha këto bekime falë flijimit shpërblyes që siguroi Perëndia.

Megjithatë, nuk janë dobitë që e bëjnë të veçantë shpërblesën. Më shumë rëndësi ka si ndikon ajo tek emri i Jehovait. Shpërblesa tregon se Jehovai është një Perëndi me drejtësi të përsosur. Ai mund të mbetet i pastër dhe i shenjtë, edhe pse merret me njerëzit mëkatarë. Nëse Perëndia nuk do të kishte vënë si qëllim të siguronte shpërblesën, asnjë pasardhës i Adamit, madje as Enoku, as Noeja, as Abrahami, nuk do të ecnin dot me Jehovain ose të ishin miq të tij. Psalmisti e kuptoi këtë dhe shkroi: «Po t’i mbaje sytë te fajet, o Jah, o Jehova, kush do të mbetej në këmbë?» (Psalmi 130:3) Sa mirënjohës duhet t’i jemi Jehovait që dërgoi Birin e dashur në tokë, si edhe Jezuit, i cili me gatishmëri dha jetën si shpërblesë për ne!​—Marku 10:45.