Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Një nga ditët më të bukura të jetës sime»

«Një nga ditët më të bukura të jetës sime»

«Një nga ditët më të bukura të jetës sime»

«DEPRESIONI është problemi që raportohet më shpesh dhe ndoshta më i rëndi i shëndetit mendor te të rinjtë»,​—pohon Beyondblue, një agjenci në Australi, e financuar nga qeveria. Studimet tregojnë se, çdo vit, rreth 100.000 të rinj australianë vuajnë nga depresioni.

Të rinjtë e krishterë nuk janë të imunizuar nga depresioni. Megjithatë, besimi te Jehovai i ka ndihmuar shumë prej tyre të mposhtin ndjenjat negative dhe të kenë një rini të suksesshme. Kjo gjë lë një përshtypje të shkëlqyer tek të tjerët. Në ç’mënyrë?

Le të shqyrtojmë përvojën e 18-vjeçares Kler. Ajo dhe mamaja e saj janë anëtare të një kongregacioni të Dëshmitarëve të Jehovait në Melburn. Kleri ra në depresion kur babai i saj e braktisi familjen. Por e ruajti besimin e fortë që kishte tek Ati i saj qiellor, Jehovai. Një ditë, mjekja e familjes, Lidia, erdhi në shtëpinë e Klerit, për të vizituar mamanë e saj, e cila ishte e sëmurë. Më pas, i propozoi Klerit të bënin një xhiro me makinë deri te qendra tregtare. Rrugës e pyeti nëse kishte një të dashur. Kleri i shpjegoi se, meqë ishte Dëshmitare e Jehovait, nuk dilte me djem sa për t’u argëtuar. Kjo gjë e çuditi mjeken. Pastaj, Kleri i shpjegoi se si Bibla e kishte ndihmuar të merrte vendime të mençura në jetë. Së fundi, i propozoi t’i sillte mjekes një botim të bazuar në Bibël, që e kishte ndihmuar shumë Klerin. Libri titullohej Të rinjtë pyesin: Përgjigje praktike.

Tri ditë pasi e mori librin, Lidia i telefonoi mamasë së Klerit për t’i thënë sa kënaqësi i solli leximi i atij libri. Pastaj i kërkoi gjashtë kopje të tjera për kolegët. Kur Kleri i çoi librat, mjekja i tregoi sa përshtypje i kishte lënë besimi i saj. Kleri i propozoi që të studionte Biblën me të dhe mjekja pranoi.

Për disa muaj, Kleri e drejtonte studimin kur mjekja kishte pushimin e drekës. Pastaj Lidia e pyeti nëse, në një seminar, mund të fliste për depresionin që prek të rinjtë. Megjithëse kishte frikë, Kleri pranoi. Në seminar kishte më shumë se 60 të pranishëm. Përpara auditorit folën katër ekspertë të shëndetit mendor. Ishin të gjithë të rritur. Më pas i erdhi radha Klerit. Ajo theksoi se sa e rëndësishme është që të rinjtë të kenë një marrëdhënie personale me Perëndinë. Shpjegoi se Perëndia Jehova interesohet shumë për të rinjtë dhe se i ndihmon të gjithë ata që i drejtohen për mbështetje dhe ngushëllim. Përveç kësaj, shprehu bindjen se, së shpejti, Jehovai do t’i zhdukë të gjitha sëmundjet fizike dhe mendore. (Isaia 33:24) Çfarë rezultati pati kjo dëshmi e shkëlqyer?

Kleri tha: «Pas sesionit, shumë veta erdhën dhe më thanë se sa të habitur ishin që dëgjuan një të re të fliste për Perëndinë. Shpërndava 23 libra Të rinjtë pyesin. Tri vajza në auditor më dhanë numrat e telefonit. Tani, një nga ato po studion Biblën. Ishte një nga ditët më të bukura të jetës sime.»