Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jehovai e shpërblen pa masë atë që ndjek udhët e tij

Jehovai e shpërblen pa masë atë që ndjek udhët e tij

Jetëshkrim

Jehovai e shpërblen pa masë atë që ndjek udhët e tij

TREGUAR NGA ROMUALD STAVSKI

Në shtator të vitit 1939, kur shpërtheu Lufta II Botërore, në Poloninë Veriore u zhvilluan luftime të ashpra. Atëherë isha nëntë vjeç dhe kurioziteti më shtyu të shkoja në një fushë beteje aty afër, sa për të hedhur një sy. Pamja që më zunë sytë, më tmerroi: kufoma të plandosura përtokë sa andej-këtej dhe një tym që të mbyste. Atë çast kisha hallin si të arrija në shtëpi shëndoshë e mirë. E megjithatë, në mendje më vinin disa pyetje: «Pse Perëndia lejon që të ndodhin këto gjëra të tmerrshme? Në anën e kujt është ai?»

ATY nga fundi i luftës, djemtë i detyronin të punonin për regjimin nazist. Këdo që guxonte të kundërshtonte, e varnin në një pemë o në një urë, me mbishkrimin në kraharor «tradhtar» ose «sabotator». Qyteti ynë, Gdinia, ndodhej në zonën midis dy ushtrive armike. Kur shkonim jashtë qytetit për të mbushur ujë, plumbat dhe bombat na fishkëllenin sipër kokës, dhe vëllai im i vogël, Henriku, u vra nga një prej tyre. Ngaqë ishim në kushte të mjerueshme, ne katër fëmijët nëna na çoi në një bodrum, që të ishim më të sigurt. Atje vdiq nga difteria vëllai im dy-vjeçar, Eugenjushi.

Prapë pyesja veten: «Ku është Perëndia? Pse i lejon gjithë këto vuajtje?» Megjithëse isha katolik i zellshëm dhe shkoja rregullisht në kishë, nuk i gjeta dot përgjigjet.

Përqafoj të vërtetën biblike

Përgjigjet e pyetjeve më erdhën nga një burim që nuk e prisja. Lufta mbaroi në vitin 1945, dhe në fillim të 1947-s, një Dëshmitare e Jehovait na vizitoi në shtëpinë tonë, në Gdinia. Me Dëshmitaren foli nëna ime, kurse unë dëgjova pak nga sa u tha. Dukeshin gjëra me logjikë, ndaj e pranuam ftesën për të shkuar në një mbledhje të krishterë. Pikërisht pas një muaji, ndonëse nuk isha i rrënjosur mirë në të vërtetën biblike, u bashkova me një grup Dëshmitarësh në zonën tonë dhe po u predikoja të tjerëve për një botë më të mirë, pa luftëra e mizori. Kjo më solli gëzim të madh.

Në shtator të vitit 1947, u pagëzova në një asamble qarkore në Sopot. Majin e vitit tjetër, nisa shërbimin si pionier i rregullt dhe pjesën më të madhe të kohës ia kushtoja predikimit të mesazhit të Biblës. Kleri i atjeshëm iu kundërvu me egërsi veprës sonë dhe nxiti akte dhune ndaj nesh. Një herë, një turmë e tërbuar na sulmuan, na gjuajtën me gurë dhe na rrahën keq. Në një rast tjetër, murgeshat dhe klerikët vendës nxitën një grup njerëzish që të na sulmonin. U strehuam në një rajon policie, mirëpo ata njerëz e rrethuan ndërtesën dhe kërcënonin se do të na rrihnin. Më në fund erdhën përforcime nga forcat e policisë dhe dolëm që andej të shoqëruar prej tyre.

Në atë kohë nuk kishte ndonjë kongregacion në zonën ku predikonim ne. Nganjëherë e kalonim natën në pyll, nën qiell të hapur. Ishim të kënaqur që mund të kryenim veprën e predikimit, me gjithë gjendjen e vështirë. Sot në atë zonë ka kongregacione të forta.

Shërbimi në Bethel dhe arrestimi

Në vitin 1949, më ftuan në shtëpinë Bethel në Lodz. Çfarë privilegji të shërbeje në atë vend! Mjerisht, nuk qëndrova dot gjatë. Në qershor të vitit 1950, një muaj para se vepra jonë të ndalohej zyrtarisht, më arrestuan bashkë me disa vëllezër të tjerë nga Betheli. Më çuan në burg dhe m’u desh të duroja trajtime mizore gjatë marrjeve në pyetje.

Ngaqë im atë punonte në një anije që lundronte rregullisht për në Nju-Jork, oficerët që drejtonin hetimet, u orvatën të më detyronin të pranoja se ai ishte spiun i Shteteve të Bashkuara. Më trajtuan pa mëshirë gjatë marrjeve në pyetje. Përveç këtyre, katër oficerë, në të njëjtën kohë, u përpoqën të më detyronin të dëshmoja kundër vëlla Vilhelm Shajderit, i cili në atë kohë mbikëqyrte veprën tonë në Poloni. Ata më goditën në thembra me shkopinj të trashë. Isha i shtrirë në dysheme e i përgjakur, dhe e ndjeva që nuk po mbaja dot më, ndaj thirra: «O Jehova, më ndihmo!» Përndjekësit e mi u befasuan dhe nuk më rrahën më. Pas pak minutash, i zuri gjumi. U ndjeva i lehtësuar dhe e mora veten. Kjo më bindi se Jehovai u përgjigjet me dashuri shërbëtorëve të tij të kushtuar kur i thërrasin për ndihmë. Më forcoi besimin dhe më mësoi të mbështetesha plotësisht te Perëndia.

Raporti përfundimtar i hetimeve përfshinte një dëshmi të rreme, që gjoja e kisha dhënë unë. Kur protestova, një oficer më tha: «Do ta sqarosh këtë në gjyq!» Një shok qelie, që ishte miqësor, më tha të mos bëhesha merak, pasi raporti përfundimtar duhej të verifikohej nga një prokuror ushtarak, i cili do të më jepte mundësi ta përgënjeshtroja dëshminë e rreme. Dhe ashtu ndodhi vërtet.

Vepra në qark dhe një burgim tjetër

U lirova në janar të vitit 1951. Pas një muaji fillova të shërbeja si mbikëqyrës udhëtues. Edhe pse vepra ishte në ndalim, bashkëpunova me vëllezër të tjerë për të forcuar kongregacionet dhe për të ndihmuar Dëshmitarët e tjerë që ishin shpërndarë, për shkak të veprimtarisë së organeve të sigurimit. I nxitëm vëllezërit të vazhdonin shërbimin. Në vitet që pasuan, këta vëllezër përkrahën me guxim mbikëqyrësit udhëtues, si dhe shtypën e shpërndanë në fshehtësi literaturën biblike.

Një ditë prilli, në vitin 1951, pasi kisha qenë në një mbledhje të krishterë, më arrestuan në rrugë oficerët e sigurimit, që më kishin vëzhguar hap pas hapi. Ngaqë nuk pranova t’u përgjigjesha pyetjeve të tyre, më çuan në një burg në Bidgozhç dhe filluan të më merrnin në pyetje që atë natë. Më urdhëruan të rrija pas një muri gjashtë ditë e gjashtë net, pa ngrënë e pa pirë dhe në mes të tymit të dendur të cigareve që pinin oficerët. Më rrahën me një shkop gome dhe më dogjën me cigare. Kur më binte të fikët, më hidhnin ujë e më merrnin prapë në pyetje. Iu luta Jehovait për forcë që të qëndroja, dhe ai më përkrahu.

Qëndrimi në burgun e Bidgozhçit pati dhe një anë të mirë. Atje munda t’u flisja për të vërtetat biblike njerëzve që nuk i gjeje dot në ndonjë mënyrë tjetër. Dhe, me të vërtetë, kishte shumë raste për të dhënë dëshmi. Nga gjendja e trishtuar dhe shpesh e pashpresë, të burgosurit hapnin veshët e zemrën ndaj lajmit të mirë.

Dy ndryshime të rëndësishme

Pak kohë pasi u lirova, në vitin 1952, u njoha me Nelën, një pioniere të zellshme. Ajo kishte shërbyer si pioniere në jug të Polonisë. Më vonë punoi në një «furrë buke», një vend i fshehtë ku shtypej literatura jonë. Kjo ishte një punë e rëndë, dhe kërkonte vigjilencë e vetëmohim. U martuam në vitin 1954, dhe e vazhduam shërbimin e plotkohor derisa na lindi një vajzë, Lidia. Pastaj vendosëm që unë të vazhdoja veprën si mbikëqyrës, e Nela të ndërpriste shërbimin e plotkohor, të rrinte në shtëpi dhe të kujdesej për vajzën.

Po atë vit, u përballëm me një tjetër vendim të rëndësishëm. Më kërkuan të shërbeja si mbikëqyrës krahinor në një zonë që mbulonte një të tretën e Polonisë. E shqyrtuam çështjen në lutje. E dija sa e rëndësishme ishte t’i forcoje vëllezërit gjatë ndalimit. Bëheshin shumë arrestime, prandaj kishte nevojë të madhe për inkurajim nga ana frymore. Me përkrahjen e Nelës, e pranova caktimin. Jehovai më ndihmoi të shërbeja në këtë caktim për 38 vjet.

Përgjegjës i «furrave të bukës»

Në ato ditë, mbikëqyrësi krahinor ishte përgjegjës i «furrave të bukës» që ndodheshin në vende të fshehta e të veçuara. Policia na ndiqte këmba-këmbës dhe orvatej të gjente e të mbyllte shtypshkronjat tona. Nganjëherë ia dilnin mbanë, megjithatë nuk na mungoi kurrë ushqimi i nevojshëm frymor. Ishte më se e qartë që Jehovai po kujdesej për ne.

Që të të ftonin të bëje punën e rëndë e të rrezikshme të shtypjes, duhej të ishe besnik, vigjilent, vetëmohues dhe i bindur. Pikërisht këto cilësi bënin të mundur që një «furrë buke» të punonte pa probleme. Të gjeje një vend të mirë për shtypshkronjat e fshehta, ishte po ashtu e vështirë. Disa vende dukeshin të përshtatshme, mirëpo vëllezërit atje nuk ishin shumë të matur. Kurse në vende të tjera ndodhte e kundërta. Vëllezërit ishin të gatshëm të bënin sakrifica të jashtëzakonshme. I çmoja vërtet të gjithë vëllezërit e motrat me të cilët pata privilegjin të punoja.

Mbrojmë lajmin e mirë

Gjatë atyre viteve të vështira, na akuzonin vazhdimisht se merreshim me veprimtari ilegale e armiqësore, dhe na çonin në gjyq. Ky ishte një problem, sepse nuk kishim avokatë që të na mbronin. Disa avokatë ishin simpatizantët tanë, por kishin frikë mos kjo gjë u nxirrte nam të keq dhe nuk donin që autoritetet t’i merrnin inat. Megjithatë, Jehovai i dinte nevojat tona dhe, në kohën e duhur, i manovroi gjërat sipas këtyre nevojave.

Alojzi Prostaku, një mbikëqyrës udhëtues nga Krakovi, u trajtua kaq mizorisht gjatë marrjes në pyetje, sa u desh ta çonin në spitalin e burgut. Falë qëndrimit të patundur përballë torturave fizike e psikologjike, ai fitoi respektin dhe admirimin e të burgosurve të tjerë në spital. Mes tyre ishte edhe një avokat me emrin Vitold Lis-Olshevski, të cilit i bëri përshtypje guximi i vëlla Prostakut. Ai foli me të disa herë dhe i premtoi: «Sa të lirohem dhe të më lejojnë të ushtroj prapë profesionin tim, do të jem i gatshëm të mbroj Dëshmitarët e Jehovait.» Dhe e kishte me tërë mend.

Zoti Olshevski kishte një zyrë avokatie të vetën, dhe vendosmëria e kolegëve të tij avokatë për të na ndihmuar ishte vërtet e admirueshme. Gjatë kohës kur kundërshtimi ishte më i fortë, i mbrojtën vëllezërit në afro 30 gjyqe çdo muaj​—një gjyq në ditë. Ngaqë zoti Olshevski duhej të informohej mirë për të gjitha çështjet, më caktuan mua të mbaja lidhje me të. Punova me të për gati shtatë vjet, në vitet 60 dhe 70.

Në ato kohë, mësova gjithë ato gjëra për fushën juridike. Shpesh vëzhgoja gjyqet, komentet e avokatëve​—qoftë për mirë, qoftë për keq​—metodat e mbrojtjes ligjore dhe dëshminë e bashkëbesimtarëve të akuzuar. E gjitha kjo më solli dobi për të ndihmuar vëllezërit, sidomos ata që thirreshin si dëshmitarë në gjyq, që të dinin se ç’të thoshin dhe se kur duhej të heshtnin para gjykatës.

Kur zhvillohej një gjyq, zoti Olshevski e kalonte shpesh natën në shtëpitë e Dëshmitarëve të Jehovait. Jo se nuk kishte të paguante një dhomë hoteli, por kishte një arsye tjetër. Në fakt, një herë ai vetë tha: «Para gjyqit, dua të marr pak nga fryma juaj.» Falë ndihmës së tij, shumë gjyqe përfunduan në favorin tonë. Ai më mbrojti mjaft herë dhe kurrë nuk pranoi të merrte para nga unë. Në një rast tjetër, nuk pranoi të merrte para për 30 gjyqe. Pse? Ai tha: «Dua të përkrah veprën tuaj, sikur edhe fare pak.» Dhe nuk bëhej fjalë për një shumë të vogël. Veprimtaria e zyrës së avokatisë të zotit Olshevski nuk kaloi pa u vënë re nga autoritetet, por kjo nuk e shkurajoi atë që të mos na ndihmonte më.

Vështirë të gjenden fjalët për të treguar se ç’dëshmi të shkëlqyer jepnin vëllezërit tanë në ato gjyqe! Shumë prej tyre vinin në gjykatë për të parë gjyqet dhe për të forcuar vëllezërit e akuzuar. Gjatë kohës kur numri i gjyqeve arriti kulmin, numërova deri 30.000 vëllezër në vit që vinin për të përkrahur. Vërtet, sa e madhe ishte kjo shumicë me Dëshmitarë!

Një caktim i ri

Tashmë në vitin 1989, ndalimi ndaj veprës ishte hequr. Pas tre vjetësh u ndërtua dhe u kushtua një zyrë dege e re. Më ftuan të punoja me Shërbimin e Informacioneve Shëndetësore, caktim që e pranova me kënaqësi. Punonim në një skuadër me tre veta dhe mbështetnim vëllezërit që hasnin çështjet e transfuzionit të gjakut dhe i ndihmonim të mbronin qëndrimin e tyre, të bazuar te ndërgjegjja e krishterë.​—Veprat 15:29.

Ime shoqe dhe unë jemi vërtet mirënjohës për privilegjin tonë për t’i shërbyer Jehovait. Nela më ka mbështetur e inkurajuar përherë. E vlerësoj gjithnjë që ajo nuk u ankua kurrë pse s’isha në shtëpi, sa herë isha i zënë me caktimet teokratike ose kur ndodhesha në burg. Në çaste të vështira, ajo ngushëllonte të tjerët, në vend që ta lëshonte veten.

Për shembull, më 1974, më arrestuan bashkë me disa mbikëqyrës udhëtues. Ca vëllezër që e dinin këtë, donin t’ia tregonin me takt gruas sime. Kur e takuan, i thanë: «Motër Nela, bëhu e fortë!» Në fillim, ajo ngriu nga frika, se pandehu që kisha vdekur. Kur mori vesh çfarë kishte ndodhur vërtet, tha e lehtësuar: «Shyqyr, është gjallë! Se nuk është hera e parë që e burgosin.» Vëllezërit më treguan më vonë që u kishte bërë shumë përshtypje qëndrimi i saj optimist.

Ndonëse në të kaluarën kemi pasur përvoja të dhembshme, Jehovai gjithnjë na ka shpërblyer pa masë që kemi ndjekur udhët e tij. Sa të gëzuar jemi që vajza jonë, Lidia, dhe i shoqi, Alfred de Rusha, janë një çift i shkëlqyer të krishterësh. I edukuan djemtë, Kristoferin dhe Jonatanin, si shërbëtorë të kushtuar të Perëndisë, e kjo na gëzon akoma më shumë. Edhe vëllai im, Rishardi, dhe motra, Ursula, janë të krishterë besnikë prej vitesh.

Jehovai nuk na ka braktisur kurrë, dhe ne ende duam t’i shërbejmë atij me gjithë zemër. E kemi provuar vetë sa të vërteta janë fjalët e Psalmit 37:34: «Shpreso te Jehovai dhe ndiq udhët e tij, e ai do të të lartësojë dhe ti do të trashëgosh tokën.» (BR) E presim atë kohë me padurim e me gjithë shpirt.

[Figura në faqen 17]

Në një asamble që u mbajt në kopshtin e një vëllai në Krakov, 1964

[Figura në faqen 18]

Me gruan, Nelën, dhe vajzën, Lidian, 1968

[Figura në faqen 20]

Me një djalë Dëshmitar para se të bënte operacion në zemër, pa gjak

[Figura në faqen 20]

Me dr. Vitesin, kryekirurg pediatër, që bën operacione në zemër, pa gjak, në një spital në Katovicë

[Figura në faqen 20]

Me Nelën, viti 2002