Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

E drejta dhe e gabuara: Ku duhet të bazohesh?

E drejta dhe e gabuara: Ku duhet të bazohesh?

E drejta dhe e gabuara: Ku duhet të bazohesh?

KUSH e ka autoritetin për të vendosur normat e së drejtës dhe të së gabuarës? Kjo pyetje lindi që në fillim të historisë njerëzore. Sipas librit biblik të Zanafillës, Perëndia përcaktoi një pemë që rritej në kopshtin e Edenit si «pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes». (Zanafilla 2:9) Perëndia e udhëzoi çiftin e parë njerëzor që të mos hanin nga fryti i kësaj peme. Por armiku i Perëndisë, Satana Djalli, u sugjeroi se, po të hanin nga kjo pemë, sytë e tyre ‘do të hapeshin’ dhe ‘do të ishin në gjendje si Perëndia të njihnin të mirën dhe të keqen’.​—Zanafilla 2:16, 17; 3:1, 5; Zbulesa 12:9.

Adami dhe Eva duhej të merrnin një vendim. A duhej t’i pranonin normat që kishte vendosur Perëndia për të mirën dhe të keqen apo duhej të ndiqnin normat e tyre? (Zanafilla 3:6) Zgjodhën të mos i bindeshin Perëndisë dhe të hanin nga pema. Çfarë nënkuptonte ky akt i thjeshtë? Duke mos respektuar kufijtë që u kishte vënë Perëndia, pretenduan se ata dhe pasardhësit e tyre do të jetonin më mirë, nëse do t’i vendosnin vetë normat e së drejtës dhe të së gabuarës. Sa i suksesshëm ka qenë njerëzimi në këtë përpjekje për të qenë si Perëndia, që t’i vendosë vetë normat?

Mendime të ndryshme

Pasi shqyrton mësimet e mendimtarëve të shquar nëpër shekuj, një enciklopedi pohon se që nga koha e Sokratit, filozofit grek, e deri në shekullin e 20-të, ka pasur «debate të vazhdueshme se çfarë mund të jenë mirësia dhe normat e së drejtës dhe të së gabuarës». (Encyclopædia Britannica)

Për shembull, sofistët ishin një grup shumë i njohur mësuesish grekë në shekullin e pestë para erës sonë. Ata shpjegonin se normat e së drejtës dhe të së gabuarës përcaktoheshin nga mendimi i shumicës. Një nga këta mësues tha: «Çdo gjë që duket e saktë dhe e pranueshme për një qytet, është e saktë dhe e pranueshme për atë qytet, për aq kohë sa ai e konsideron të tillë.» Sipas kësaj logjike, Xhodi që përmendëm në artikullin e mëparshëm, duhej t’i mbante paratë për vete, meqë shumica në vendin ose në «qytetin» e tij do të vepronte kështu.

Emanuel Kanti, një filozof i njohur i shekullit të 18-të, paraqiti një pikëpamje tjetër. Në një revistë thuhej: «Emanuel Kanti dhe të tjerë si ai . . . u përqendruan në të drejtën e individit për të zgjedhur vetë.» (Issues in Ethics) Sipas filozofisë së Kantit, për sa kohë që Xhodi nuk shkelte të drejtat e të tjerëve, i takonte atij të vendoste se çfarë të bënte. Ai nuk duhej të lejonte që mendimi i shumicës të përcaktonte normat e tij.

Atëherë, si e zgjidhi Xhodi dilemën e tij? Zgjodhi një mundësi të tretë. Zbatoi mësimin e Jezu Krishtit, normat morale të të cilit janë lavdëruar si nga të krishterët, ashtu edhe nga të tjerët. Jezui dha këtë mësim: «Gjithçka, pra, që dëshironi t’ju bëjnë njerëzit juve, po ashtu duhet t’u bëni edhe ju atyre.» (Mateu 7:12) Për çudinë e klientes, Xhodi ia dorëzoi asaj 82.000 dollarët. Kur e pyetën se pse nuk i mori për vete, Xhodi shpjegoi se ishte Dëshmitar i Jehovait dhe tha: «Paratë nuk ishin të miat që t’i mbaja.» Xhodi i konsideronte të rëndësishme fjalët e Jezuit në Bibël, te Mateu 19:18 ku thuhet: «Nuk duhet të vjedhësh.»

A është mendimi i shumicës një udhëheqje e mirë?

Ndoshta disa njerëz do të shpreheshin se ndershmëria e Xhodit ishte budallallëk. Por, mendimi i shumicës nuk është një udhëheqje e besueshme. Për shembull, nëse do të jetonit në një shoqëri ku shumica do të besonte se flijimi i fëmijëve është i pranueshëm, ashtu siç besonin edhe disa shoqëri në të shkuarën, a do të ishte e drejtë kjo praktikë? (2 Mbretërve 16:3) Po sikur të kishe lindur në një shoqëri ku kanibalizmi të shihej si diçka e pranueshme? A do të nënkuptonte kjo se të haje mish njeriu nuk ishte e gabuar? Fakti që një praktikë është shumë e përhapur, nuk do të thotë që është e drejtë. Shumë kohë më parë, Bibla paralajmëroi për këtë kurth me fjalët: «Nuk do të shkosh pas shumicës për të bërë të keqen.»​—Eksodi 23:2.

Jezu Krishti tregoi një arsye tjetër se përse nuk duhet t’i besojmë shumë mendimit të shumicës për atë që është e drejtë ose e gabuar. Ai shpjegoi se «sundimtari i kësaj bote» është Satanai. (Gjoni 14:30; Luka 4:6) Satanai përdor pozitën e tij për të mashtruar «gjithë tokën e banuar». (Zbulesa 12:9) Kështu që, nëse i vendos normat e tua të së drejtës dhe të së gabuarës duke u nisur nga ajo që mendon shumica e njerëzve, atëherë mund të jesh duke adoptuar pikëpamjen e Satanait për moralin, dhe, natyrisht, kjo do të ishte katastrofike.

A mund t’i besosh gjykimit tënd?

Atëherë, a duhet që secili ta vendosë vetë atë që është e drejtë dhe e gabuar? Bibla thotë: «Mos u mbështet në gjykimin tënd.» (Fjalët e urta 3:5) Pse jo? Sepse të gjithë njerëzit kanë trashëguar një të metë themelore, që mund t’ua shtrembërojë gjykimin. Kur Adami dhe Eva u rebeluan kundër Perëndisë, adoptuan normat e tradhtarit egoist, Satanait, dhe e zgjodhën si udhëheqësin e tyre frymor. Si pasojë, pasardhësit e tyre trashëguan të njëjtën karakteristikë ​—një zemër tradhtare, të aftë për të dalluar të drejtën, por që ka prirjen të bëjë atë që është e gabuar.​—Zanafilla 6:5; Romakëve 5:12; 7:21-24.

Duke folur për etikën, një enciklopedi komenton: «Edhe pse njerëzit e dinë atë që është e drejtë nga ana morale, nuk është çudi që vazhdojnë të bëjnë atë që është në interes të tyre. Për vendet perëndimore ka qenë problem madhor mënyra se si t’u japin këtyre njerëzve arsye të mjaftueshme për të bërë atë që është e drejtë.» (Encyclopædia Britannica) Bibla me të drejtë thotë: «Zemra gënjehet më tepër se çdo gjë tjetër dhe sëmuret në mënyrë të pashërueshme; kush mund ta njohë atë?» (Jeremia 17:9) A do t’i zinit besë dikujt që dihet se ka një zemër të tillë?

Qartë, edhe ata që nuk besojnë te Perëndia janë të aftë të sillen në një mënyrë të drejtë nga ana morale dhe të zhvillojnë një kod etik të dobishëm dhe fisnik. Por shpesh këto parime fisnike, të mishëruara në kodin e tyre etik, janë thjesht një pasqyrim i normave morale të Biblës. Megjithëse individë të tillë mund ta mohojnë ekzistencën e Perëndisë, idetë e tyre tregojnë se kanë trashëguar aftësinë për të pasqyruar personalitetin e Perëndisë. Kjo provon se, ashtu siç zbulon edhe Bibla, njerëzimi u krijua «sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë» që në fillim. (Zanafilla 1:27; Veprat 17:26-28) Apostulli Pavël thotë: «Këta janë ata që tregojnë se thelbin e ligjit e kanë të shkruar në zemrat e tyre.»​—Romakëve 2:15.

Sigurisht, një gjë është të dish çfarë është e drejtë, por tjetër gjë është të kesh forcën morale për të bërë atë që është e drejtë. Ku mund ta gjejë njeriu këtë forcë të domosdoshme morale? Meqë veprimet nxiten nga zemra, dashuria për autorin e Biblës, Perëndinë Jehova, mund ta ndihmojë dikë të gjejë forcën e duhur morale.​—Psalmi 25:4, 5.

Të gjesh forcën për të bërë të mira

Hapi i parë për të mësuar dashurinë për Perëndinë është të zbulojmë sa të arsyeshme dhe praktike janë urdhërimet e tij. Apostulli Gjon pohoi: «Sepse kjo do të thotë dashuri për Perëndinë: të zbatojmë urdhërimet e tij; dhe megjithatë urdhërimet e tij nuk janë të rënda.» (1 Gjonit 5:3) Për shembull, në Bibël ka këshilla praktike që mund t’i ndihmojnë të rinjtë të dallojnë të drejtën nga e gabuara, kur vendosin nëse duhet të pijnë pije alkoolike, të marrin drogë ose të kryejnë marrëdhënie seksuale para martese. Bibla mund t’i ndihmojë çiftet e martuara të kuptojnë se si t’i zgjidhin mosmarrëveshjet dhe u jep prindërve udhëzime për rritjen e fëmijëve. * Kur zbatohen, normat morale të Biblës janë me dobi si për të rinjtë, ashtu edhe për të rriturit, pavarësisht nga shtresa shoqërore, nga arsimimi dhe nga kultura.

Ashtu si ushqimi i shëndetshëm të jep forcë për të punuar, leximi i Fjalës së Perëndisë të jep forcën të jetosh sipas normave të tij. Jezui i krahasoi shprehjet që dalin nga goja e Perëndisë me bukën që na mban në jetë. (Mateu 4:4) Gjithashtu ai tha: «Ushqimi im është të bëj vullnetin e atij që më dërgoi.» (Gjoni 4:34) Jezui e ushqeu mendjen me Fjalën e Perëndisë, dhe kjo e ndihmoi të ishte i fortë për t’u bërë ballë tundimeve dhe për të marrë vendime të mençura.​—Luka 4:1-13.

Në fillim, mund ta kesh të vështirë ta ushqesh mendjen me Fjalën e Perëndisë dhe të adoptosh normat e tij. Por sill ndër mend kur ishe i vogël e ndoshta nuk të pëlqente shija e atyre gjellëve që të bënin mirë. Për t’u bërë i fortë kur të rriteshe, t’u desh që të mësoheshe dhe t’i shijoje këto ushqime të shëndetshme. Po kështu edhe me Fjalën e Perëndisë. Mund të të duhet kohë që të fillojnë të të pëlqejnë normat e tij. Nëse ngulmon, do të fillosh t’i duash këto norma dhe do të bëhesh i fortë frymësisht. (Psalmi 34:8; 2 Timoteut 3:15-17) Do të mësosh të mbështetesh te Jehovai dhe do të nxitesh ‘për të bërë të mira’.​—Psalmi 37:3.

Ndoshta mund të mos gjendesh kurrë përballë një situate si ajo e Xhodit. Megjithatë, çdo ditë të duhet të marrësh vendime të mëdha e të vogla që kanë të bëjnë me etikën. Prandaj Bibla të nxit: «Ki besim tek Zoti me gjithë zemër dhe mos u mbështet në gjykimin tënd; pranoje në të gjitha rrugët e tua dhe ai do të drejtojë shtigjet e tua.» (Fjalët e urta 3:5, 6) Duke mësuar të mbështetesh te Jehovai, jo vetëm do të nxjerrësh dobi tani, por edhe do të të jepet mundësia për të jetuar përgjithmonë, sepse bindja ndaj Perëndisë Jehova të çon në jetë.​—Mateu 7:13, 14.

[Shënimi]

^ par. 18 Këshilla praktike nga Bibla për këto tema dhe për çështje të tjera të rëndësishme mund të gjenden në librin Të rinjtë pyesin​—Përgjigje praktike dhe te libri Sekreti i lumturisë familjare, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Diçitura në faqen 6]

Mendimi i shumicës mund të ndikohet nga forca të padukshme

[Figurat në faqen 5]

Gjatë gjithë historisë, çështja e së drejtës dhe e së gabuarës ka qenë objekt debati për mendimtarët

SOKRATI

KANTI

KONFUCI

[Burimet]

Kanti: Nga libri The Historian’s History of the World; Sokrati: Nga libri A General History for Colleges and High Schools; Konfuci: Sung Kyun Kwan University, Seoul, Korea

[Figurat në faqen 7]

Bibla jo vetëm na ndihmon të dallojmë të drejtën nga e gabuara, por edhe na jep motivin për të bërë atë që është e drejtë