Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mullinj që sigurojnë bukën në tryezë

Mullinj që sigurojnë bukën në tryezë

Mullinj që sigurojnë bukën në tryezë

E KANË quajtur «baza e jetës», «ushqimi kryesor», «mbështetja e vazhdueshme e njeriut prej kohësh që s’mbahen mend». Po, që nga lashtësia, buka ka qenë ushqimi kryesor për njerëzit. Madje një nga nevojat më të ngutshme të njeriut ka qenë të sigurojë çdo ditë bukën e gojës.

Përbërësi kryesor i bukës është mielli, që nxirret duke bluajtur drithërat. Prandaj, bluarja me mullinj është një mjeshtëri e lashtë. Kushedi sa e vështirë duhet të ketë qenë ta bluaje grurin derisa të bëhej miell, pa pasur makineritë e sotme! Në kohët biblike, zhurma e mullirit të dorës lidhej me kushtet normale e paqësore të popullit, kurse mungesa e kësaj zhurme tregonte shkreti.​—Jeremia 25:10, 11.

Me çfarë bluanin njerëzit nëpër epoka? Cilat ishin disa metoda e pajisje që u përdorën për këtë qëllim? Po sot, ç’lloj mullinjsh sigurojnë bukën për tryezat tona?

Pse nevojiteshin mullinjtë?

Jehovai i tha çiftit të parë njerëzor, Adamit dhe Evës: «Ja unë po ju jap çdo bar që lëshon farë mbi sipërfaqen e mbarë tokës dhe çdo pemë të ketë fruta që përmbajnë farë; kjo do t’ju shërbejë si ushqim.» (Zanafilla 1:29) Ndër ushqimet që Perëndia Jehova i dha njerëzimit ishin edhe farërat që dilnin nga kërcelli i drithërave të ndryshme. Ky burim ushqimi ishte i domosdoshëm për njeriun, sepse të gjitha drithërat​—ku përfshihen gruri, elbi, thekra, tërshëra, orizi, meli, melakuqi dhe misri​—përmbajnë karbohidrate të pasura në amidon. Këto trupi mund t’i kthejë në lëndën kryesore që e përdor si karburant, domethënë në glukozë.

Mirëpo, njeriu nuk e ka aftësinë për të tretur drithërat me kokrra e të pagatuara. Për njerëzit këto drithëra konsumohen më lehtë po të bëhen miell dhe të gatuhen. Mënyrat më të thjeshta për ta kthyer një sasi gruri në miell janë: ta shtypësh në havan, ta thërrmosh midis dy gurëve ose të përdorësh një kombinim të këtyre dy mënyrave.

Mullinj me fuqinë e muskujve njerëzorë

Disa statuja të vogla nëpër varret e lashta egjiptiane ilustrojnë përdorimin e një lloji të hershëm mulliri për grurin, i quajtur mulliri në formë samari. Ky mulli përbëhej nga dy gurë, guri i poshtëm ishte paksa i lugët dhe i pjerrët, kurse guri i sipërm ishte pak më i vogël. Punëtori, që zakonisht ishte grua, përkulej mbrapa këtij mulliri dhe e kapte gurin e sipërm me të dyja duart. Pastaj e vinte gjithë peshën e trupit mbi gurin e sipërm dhe e shtynte sa para-prapa, duke thërrmuar grurin që ndodhej midis dy gurëve. Sa mjet i thjeshtë, por i efektshëm!

Megjithatë, të kaloje orë të tëra përkulur mbi mulli kishte pasojat e veta. Kur punëtorja e shtynte gurin e sipërm deri në fund dhe pastaj e tërhiqte prapë, i tendosej shumë shpina, krahët, kofshët, gjunjët dhe gishtat e këmbëve. Studimet e bëra për parregullsitë e kockave të skeleteve, të gjetura në Sirinë e lashtë, i kanë çuar paleontologët në përfundimin se puna me këta mullinj u shkaktonte grave të reja dëmtime të kockave nga sforcimet e përsëritura. Dëmtimet ishin: dhëmbëzimi i kupave të gjurit, dëmtimi i rruazës së fundit të shtyllës kurrizore dhe artrit i rëndë i kockës së gishtit të madh të këmbës. Në Egjiptin e lashtë, puna me mullirin e dorës dukej se ishte puna e shërbyeseve. (Eksodi 11:5) * Disa studiues mendojnë se ky ishte lloji i mullirit që morën me vete izraelitët kur ikën nga Egjipti.

Një përmirësim i mëvonshëm i veglave të bluarjes ishte hapja e një vrime në të dy gurët, për ta bërë më të lehtë punën. Pastaj, hapja e një vrime në formë hinke në gurin e sipërm e ndihmonte atë që përdorte mullirin, sepse mund ta mbushte vrimën me grurë e më pas gruri binte vetë midis dy gurëve. Në shekullin e katërt a të pestë p.e.s., në Greqi u shpik makina e thjeshtë e bluarjes. Gurit të sipërm iu shtua një dorezë horizontale e montuar në njërin cep. Lëvizja e kësaj doreze para-prapa me një hark të vogël bënte të mundur që guri i sipërm, ku ishte vrima në formë hinke nga futej gruri, të fërkohej me gurin e poshtëm.

Që të gjithë mullinjtë e përshkruar më sipër kishin një mangësi të madhe. Ata vareshin nga lëvizja para-prapa që nuk mund ta bënte dot asnjë kafshë, sado ta stërvitje. Prandaj, këta mullinj vareshin vetëm nga fuqia e muskujve njerëzorë. Kohë më vonë u zhvillua një teknologji e re, domethënë mulliri rrotullues. Tani mund të përdoreshin kafshët.

Mullinjtë rrotullues e lehtësojnë punën

Ka shumë të ngjarë që mulliri rrotullues të jetë shpikur në pellgun e Mesdheut, rreth shekullit të dytë p.e.s. Në shekullin e parë të e.s., judenjtë e Palestinës e njihnin këtë lloj mulliri, sepse Jezui foli për «një gur mulliri, si ai që rrotullohet nga një gomar».​—Marku 9:42.

Mulliri që vihej në punë me fuqinë e kafshëve përdorej në Romë dhe në pjesën më të madhe të Perandorisë Romake. Ende mund të shihen shumë mullinj të tillë në Pompei. Këta kishin një gur të sipërm të rëndë në formën e orës me rërë, i cili shërbente si hinkë, dhe një gur të poshtëm në formë konike. Kur guri i sipërm rrotullohej mbi gurin e poshtëm, kokrrat e grurit binin midis dy gurëve dhe thërrmoheshin. Gurët e sipërm të këtij lloji që ekzistojnë edhe sot kanë përmasa të ndryshme, me diametër nga 45 deri në 90 centimetra. Këta mullinj arrinin deri në 180 centimetra lartësi.

Nuk dihet mirë nëse mullinjtë më të vegjël rrotullues dolën nga mullinjtë me kafshë apo anasjelltas. Sidoqoftë, mulliri i dorës që rrotullohej kishte një të mirë se mund të zhvendosej dhe të përdorej me lehtësi. Ai përbëhej nga dy gurë të rrumbullakët, me diametër ndoshta nga 30 deri në 60 centimetra. Pjesa e sipërme e gurit të poshtëm ishte paksa e mysët, kurse pjesa e poshtme e gurit të sipërm paksa e lugët, kështu që të dy gurët përputheshin. Guri i sipërm mbështetej në një bosht qendror dhe lëvizej me anë të një doreze prej druri. Normalisht dy gra uleshin përballë njëra-tjetrës, me njërën dorë te doreza për të rrotulluar gurin e sipërm. (Luka 17:35) Me dorën tjetër, njëra nga gratë hidhte sasi të vogla gruri në vrimën e gurit të sipërm, kurse gruaja tjetër mblidhte miellin që dilte nga disku i mullirit në ndonjë tepsi ose pëlhurë që ishte vënë poshtë tij. Ky lloj mulliri shërbente më së miri për nevojat e ushtarëve, të marinarëve ose të shtëpive të vogla që jetonin larg ndërtesave ku ndodheshin mullinjtë e mëdhenj.

Lëvizin me fuqinë e ujit ose të erës

Rreth vitit 27 p.e.s., inxhinieri romak Vitruvi bëri një përshkrim të një mulliri me ujë të kohës së tij. Rrjedha e ujit shtynte fletët e një rrote vertikale që ishte fiksuar në një bosht horizontal, duke e bërë rrotën të lëvizte. Ingranazhet e përcillnin këtë lëvizje te një trung vertikal që nga ana e vet vinte në lëvizje gurin e madh të sipërm të mullirit.

Sa prodhonte mulliri me ujë në krahasim me mullinjtë e tjerë? Llogaritet se mullinjtë e dorës mund të bluanin më pak se 10 kilogramë grurë në orë, kurse mullinjtë më të mirë të tërhequr nga kafshët arrinin deri në 50 kilogramë. Nga ana tjetër, mulliri me ujë i Vitruvit bluante rreth 150 deri në 200 kilogramë grurë në orë. Me ndryshime dhe përmirësime të panumërta, parimi bazë që përshkroi Vitruvi vazhdoi të përdorej nga mullisët e aftë për shekuj me radhë.

Por uji nuk ishte i vetmi burim energjie natyrore që përdorej për të vënë në punë mullinjtë. Në qoftë se do të arrihej të zëvendësohej rrota e ujit me velat e mullirit me erë, mund të arrihej i njëjti rezultat. Mullinjtë me erë filluan të përdoreshin në Evropë ndoshta aty nga shekulli i 12-të i erës sonë, dhe u përdorën gjerësisht në Belgjikë, Gjermani, Holandë e gjetkë. Ata u përdorën derisa dolën mullinjtë me avull dhe me burime të tjera energjie, që dalëngadalë i nxorën jashtë përdorimit gjithë burimet e tjera të fuqisë.

«Bukën tonë për këtë ditë»

Pavarësisht nga përparimi, shumë metoda bluarje të së kaluarës kanë mbijetuar dhe vazhdojnë të përdoren në një pjesë të tokës apo në një tjetër. Në disa zona të Afrikës e të Oqeanisë përdoret ende havani. Në Meksikë dhe në Amerikën Qendrore përdoret mulliri në formë samari për të bluar misrin për tortijat. Gjithashtu, shumë mullinj ere dhe mullinj me ujë përdoren ende aty-këtu.

Gjithsesi, sot në botën e zhvilluar sasia më e madhe e miellit për bukë prodhohet në mullinj me rule, që janë plotësisht të mekanizuar dhe të automatizuar. Kokrrat e grurit thërrmohen derisa bëhen miell ndërsa kalojnë në bluarje të njëpasnjëshme. Bluarja bëhet me anë të disa cilindrave prej çeliku me sipërfaqe të ashpër që rrotullohen me shpejtësi të ndryshme. Ky sistem bën të mundur të prodhohet me kosto të ulët miell me cilësi të ndryshme bluarje.

Qartë, të prodhosh miell për të bërë bukë nuk është më aq e lodhshme sa ç’ishte kohë më parë. Megjithatë, mund t’i jemi mirënjohës Krijuesit që na dha grurin, si dhe mençurinë për ta kthyer në «bukën tonë për këtë ditë».​—Mateu 6:11.

[Shënimi]

^ par. 10 Në kohët biblike, armiqtë që kapeshin rob, si Samsoni dhe izraelitë të tjerë, i vinin të punonin në mulli. (Gjykatësit 16:21; Vajtimet 5:13) Gratë që s’ishin robinja bluanin grurë vetëm për shtëpinë e tyre.​—Jobi 31:10.

[Figura në faqen 23]

Mulliri egjiptian në formë samari

[Burimi]

Soprintendenza Archeologica per la Toscana, Firenze

[Figura në faqen 23]

Në mullirin e tërhequr nga kafshët, shtypeshin ullinjtë për të nxjerrë vajin

[Burimi i figurës në faqen 22]

Nga Self-Pronouncing Edition of the Holy Bible, që përmban versionet King James dhe Revised