Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jehovai ua zbulon lavdinë e tij të përulurve

Jehovai ua zbulon lavdinë e tij të përulurve

Jehovai ua zbulon lavdinë e tij të përulurve

«Fryti i përulësisë dhe frika e Jehovait është pasuri, lavdi dhe jetë.»​—PROVERBAT 22:4, Br.

1, 2. (a) Si e tregon libri i Veprave se Stefani ishte «një njeri plot besim dhe frymë të shenjtë»? (b) Çfarë dëshmie ka se Stefani ishte i përulur?

STEFANI ishte «një njeri plot besim dhe frymë të shenjtë». Ishte edhe «plot hir dhe fuqi». Si një dishepull i hershëm i Jezuit, ai po kryente shenja të mëdha dhe çudira mes popullit. Në një rast disa burra u çuan për të bërë fjalë me të, «megjithatë nuk mundën t’i bënin ballë mençurisë dhe frymës me të cilën po fliste ai». (Veprat 6:5, 8-10) Me siguri, Stefani ishte studiues i zellshëm i Fjalës së Perëndisë dhe e mbrojti me mjeshtëri atë përpara udhëheqësve fetarë judenj të kohës së tij. Dëshmia e tij e hollësishme, e dokumentuar në kapitullin e shtatë të Veprave, tregon se ishte shumë i interesuar se si po zbulohej qëllimi i Perëndisë.

2 Ndryshe nga ata udhëheqës fetarë të cilët, për shkak të pozitës dhe njohurisë, ndiheshin më të lartë se njerëzit e thjeshtë, Stefani ishte i përulur. (Mateu 23:2-7; Gjoni 7:49) Ndonëse i njihte mirë Shkrimet, ai u ndie më se i kënaqur kur i caktuan si detyrë ‘të shpërndante ushqim nëpër tryeza’, në mënyrë që apostujt t’i kushtoheshin «lutjes dhe shërbimit të fjalës». Stefani kishte një emër të mirë përpara vëllezërve dhe u zgjodh si një nga shtatë burrat me dëshmi të mirë që do të merreshin me shpërndarjen e përditshme të ushqimit. Ai e pranoi me përulësi detyrën.​—Veprat 6:1-6.

3. Cilën shfaqje të jashtëzakonshme të dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë përjetoi Stefani?

3 Jehovai e vuri re qëndrimin e përulur të Stefanit, si edhe karakterin frymor dhe integritetin e tij. Kur Stefani po i dëshmonte turmës armiqësore me udhëheqës judenj që ishin mbledhur në Sinedër, kundërshtarët «panë që fytyra e tij ishte si fytyra e një engjëlli». (Veprat 6:15) Shprehja e fytyrës së tij ishte si ajo e një engjëlli, një lajmëtari të Perëndisë, me paqen që vinte nga Perëndia i lavdishëm, Jehovai. Pasi u dha dëshmi të guximshme anëtarëve të Sinedrit, Stefani përjetoi një shfaqje të jashtëzakonshme të dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë. «Ai, duke qenë plot me frymë të shenjtë, ia nguli sytë qiellit dhe vuri re lavdinë e Perëndisë e të Jezuit që qëndronte në të djathtën e Perëndisë.» (Veprat 7:55) Për Stefanin, ky vegim mbresëlënës ishte një ripohim i pozitës së Jezuit si Biri i Perëndisë dhe Mesia. Vegimi e forcoi Stefanin e përulur dhe e siguroi se kishte miratimin e Jehovait.

4. Cilëve ua zbulon Jehovai lavdinë e tij?

4 Siç e ilustron vegimi që iu dha Stefanit, Jehovai ua zbulon lavdinë dhe qëllimin e tij individëve që i frikësohen atij, që janë të përulur e që e çmojnë marrëdhënien me të. «Fryti i përulësisë dhe frika e Jehovait është pasuri, lavdi dhe jetë»,​—thotë Bibla. (Proverbat [Fjalët e urta] 22:4, BR) Prandaj, për ne është jetësore të kuptojmë çfarë është përulësia e vërtetë, si ta zhvillojmë këtë cilësi të rëndësishme dhe si të nxjerrim dobi duke e shfaqur në të gjitha fushat e jetës.

Përulësia, cilësi e Perëndisë

5, 6. (a) Çfarë është përulësia? (b) Si ka shfaqur përulësi Jehovai? (c) Si duhet të ndikojë te ne përulësia e Jehovait?

5 Disa mund të habiten që Perëndia Jehova, personi më i lartë e më i lavdishëm në univers, është shembulli më i madh i përulësisë. Mbreti David i tha Jehovait: «Ti më ke dhënë gjithashtu mburojën e shpëtimit tënd; dora jote e djathtë më ka mbajtur dhe mirësia [përulësia, BR] jote më ka bërë të madh.» (Psalmi 18:35) Kur foli për përulësinë e Jehovait, Davidi përdori një fjalë që vinte nga rrënja e një fjale hebraike që ka kuptimin «përkulem». Përveç fjalës «përulësi», fjalë të tjera që lidhen me të njëjtën rrënjë janë «pozitë e ulët», «zemërbutësi» dhe «të begenisësh». Kështu Jehovai shfaqi përulësi kur e uli veten për të pasur lidhje me njeriun e papërsosur David dhe e përdori atë si mbretin e Tij përfaqësues. Siç tregon mbishkrimi në Psalmin 18, Jehovai e mbrojti dhe e mbështeti Davidin, duke e çliruar «nga dora e të gjithë armiqve të tij dhe nga dora e Saulit». Nga ana e vet, Davidi e dinte se ajo madhështi ose lavdi që mund të arrinte si mbret varej nga fakti që Jehovai po vepronte me përulësi ndaj tij. Kjo gjë e ndihmoi Davidin të mbetej i përulur.

6 Por, ç’të themi për ne? Jehovai e ka parë të përshtatshme të na mësojë të vërtetën dhe mund të na ketë dhënë privilegje të veçanta shërbimi nëpërmjet organizatës së tij ose mund të na ketë përdorur në ndonjë mënyrë për të kryer vullnetin e tij. Si duhet të ndihemi për të gjitha këto gjëra? A nuk duhet të jemi të përulur? Me siguri duhet të jemi mirënjohës që Jehovai ka shfaqur përulësi dhe duhet të mos e lartësojmë veten, sepse kjo patjetër do të na çonte në shkatërrim.​—Fjalët e urta 16:18; 29:23.

7, 8. (a) Si shfaqi përulësi Jehovai ndaj Manaseut? (b) Çfarë shembulli lënë Jehovai dhe Manaseu për sa i përket shfaqjes së përulësisë?

7 Jehovai jo vetëm që ka shfaqur përulësi të madhe duke pasur lidhje me njerëz të papërsosur, por edhe ka qenë i gatshëm t’u tregojë mëshirë atyre që janë të përulur në mendje, madje duke i ngritur ose duke i lartësuar ata që e përulin veten. (Psalmi 113:4-7) Të marrim si shembull rastin e mbretit Manase të Judës. Ai e keqpërdori pozitën e privilegjuar si mbret, përhapi adhurimin e rremë dhe «bëri plotësisht atë që është e keqe në sytë e Zotit, duke provokuar zemërimin e tij». (2 Kronikave 33:6) Përfundimisht Jehovai e ndëshkoi Manaseun, duke e lejuar mbretin e Asirisë që ta hiqte nga froni. Kur ishte në burg, Manaseu «iu lut shumë Zotit, Perëndisë të tij dhe u përul thellë». Kështu Jehovai e rivendosi në fron në Jerusalem dhe Manaseu «pranoi që Jehovai është Perëndia i vërtetë». (2 Kronikave 33:11-13, BR) Po, së fundi, gjendja mendore e përulur e Manaseut e kënaqi Jehovain, i cili pastaj tregoi përulësi duke e falur dhe duke e rivendosur si mbret.

8 Gatishmëria e Jehovait për të falur dhe qëndrimi i penduar i Manaseut na japin mësime të rëndësishme për përulësinë. Duhet ta kemi gjithnjë parasysh se mënyra si i trajtojmë ata që mund të na kenë fyer dhe qëndrimi që shfaqim kur mëkatojmë, mund të ndikojnë në mënyrën se si na trajton Jehovai. Në rast se i falim me gatishmëri gabimet e të tjerëve dhe i pranojmë me përulësi gabimet tona, mund të presim që Jehovai të na tregojë mëshirë.​—Mateu 5:23, 24; 6:12.

Lavdia e Perëndisë u zbulohet të përulurve

9. A është përulësia shenjë dobësie? Shpjegoni.

9 Sidoqoftë, përulësia dhe cilësitë që lidhen me të nuk duhen keqkuptuar si shenjë dobësie ose si prirje për të toleruar atë që është e gabuar. Siç dëshmojnë Shkrimet e Shenjta, Jehovai është i përulur, e megjithatë shfaq indinjatë të drejtë dhe fuqi madhështore kur e kërkon rasti. Duke qenë i përulur, Jehovai tregohet i vëmendshëm ose tregon kujdes të veçantë për ata që janë me mendje të përulur, por ai qëndron larg atyre që janë krenarë. (Psalmi 138:6) Si ka treguar Jehovai kujdes të veçantë për shërbëtorët e tij të përulur?

10. Çfarë u zbulon Jehovai të përulurve, siç tregohet te 1 Korintasve 2:6-10?

10 Në kohën e duhur sipas tij dhe nëpërmjet kanalit të komunikimit që ka zgjedhur, Jehovai u ka zbuluar të përulurve hollësi në lidhje me përmbushjen e qëllimit të tij. Këto gjëra të lavdishme mbeten të fshehura për ata që me krenari ose me kryeneçësi mbështeten në mençurinë ose në mendimet njerëzore. (1 Korintasve 2:6-10) Por të përulurit, meqë u është dhënë një kuptueshmëri e saktë e qëllimit të Jehovait, nxiten që ta madhërojnë Jehovain, sepse e çmojnë edhe më shumë lavdinë e tij të mahnitshme.

11. Si treguan mungesë përulësie disa njerëz në shekullin e parë? Si doli në dëm të tyre kjo gjë?

11 Në shekullin e parë, shumë veta, përfshirë edhe disa që pohonin se ishin të krishterë, nuk u treguan të përulur dhe u penguan nga gjërat që u tregoi apostulli Pavël rreth qëllimit të Perëndisë. Pavli u bë «një apostull i kombeve», por kjo nuk ndodhi për shkak të kombësisë, arsimimit, moshës ose veprave të shkëlqyera që kishte kryer prej një kohe të gjatë. (Romakëve 11:13) Shpesh individët që nuk kanë një mendje frymore i shohin gjërat e mësipërme si faktorë që përcaktojnë se kë duhet të përdorë Jehovai si mjet të tij. (1 Korintasve 1:26-29; 3:1; Kolosianëve 2:18) Gjithsesi Pavlin e zgjodhi Jehovai, në harmoni me dashamirësinë dhe qëllimin e Tij të drejtë. (1 Korintasve 15:8-10) Ata që Pavli i përshkroi si ‘apostujt tejet të shquar’, si edhe kundërshtarë të tjerë, nuk deshën ta pranonin Pavlin dhe arsyetimet e tij nga Shkrimet. Mungesa e përulësisë i pengoi të merrnin njohuri dhe kuptueshmëri për mënyrën e lavdishme se si e realizon Jehovai qëllimin e tij. Kurrë të mos i nënvlerësojmë ose t’i paragjykojmë ata që Jehovai i zgjedh për të kryer vullnetin e tij!​—2 Korintasve 11:4-6.

12. Si e bën të qartë shembulli i Moisiut se Jehovai u tregon hir atyre që janë të përulur?

12 Nga ana tjetër, në Bibël ka shumë shembuj që theksojnë se si njerëzve të përulur u është dhënë privilegji që të shohin shfaqje të lavdisë së Perëndisë. Moisiu, ‘njeriu më zemërbutë’ nga të gjithë njerëzit, pa lavdinë e Perëndisë dhe kishte një marrëdhënie të ngushtë me të. (Numrat 12:3) Këtij njeriu të përulur, i cili punoi 40 vjet si një bari i thjeshtë, ndoshta për pjesën më të madhe në Gadishullin Arabik, Krijuesi i tregoi hir në shumë mënyra. (Eksodi [Dalja] 6:12, 30) Me mbështetjen e Jehovait, Moisiu u bë zëdhënës dhe kryeorganizator i kombit të Izraelit. Ai komunikonte me Perëndinë. Nëpërmjet një vegimi pa «pamjen e Jehovait». (Numrat 12:7, 8, BR; Eksodi 24:10, 11) Edhe ata që e pranuan këtë shërbëtor të përulur dhe përfaqësues të Perëndisë u bekuan. Po kështu, edhe ne do të bekohemi nëse e pranojmë dhe i bindemi Jezuit, profetit më të madh se Moisiu, si edhe ‘skllavit të besueshëm dhe të matur’ të emëruar prej tij.​—Mateu 24:45, 46; Veprat 3:22.

13. Si iu zbulua lavdia e Jehovait barinjve të përulur në shekullin e parë?

13 Te cilët ‘shndriti lavdia e Jehovait’ ndërsa engjëjt shpallën lajmin e mirë për lindjen e ‘një Shpëtimtari, që është Krishti, Zotëria’? Nuk shndriti te udhëheqësit fetarë kryelartë apo te njerëzit e rëndësishëm që kishin pozita të larta, por te barinjtë e thjeshtë «që rrinin jashtë dhe natën ruanin me ndërresa kopetë e tyre». (Luka 2:8-11) Këta individë nuk vlerësoheshin shumë për aftësitë që kishin dhe për punën që bënin. E megjithatë, pikërisht këtyre Jehovai u kushtoi vëmendje dhe i zgjodhi për t’i njoftuar të parët për lindjen e Mesisë. Po, Jehovai ua zbulon lavdinë e tij njerëzve të përulur që i frikësohen atij.

14. Si i bekon Perëndia ata që janë të përulur?

14 Çfarë na mësojnë këta shembuj? Na mësojnë se Jehovai u tregon hir e ua zbulon njohurinë dhe kuptueshmërinë e qëllimit të tij të përulurve. Ai zgjedh individë që ndoshta mund të mos i kenë disa kualifikime sipas njerëzve dhe i përdor si mjet për t’ua bërë të njohur të tjerëve qëllimin e tij të lavdishëm. Kjo gjë duhet të na nxitë që të vazhdojmë të kërkojmë drejtimin e Jehovait, të Fjalës së tij profetike dhe të organizatës së tij. Mund të jemi të sigurt se Jehovai do të vazhdojë t’ua bëjë të njohur shërbëtorëve të tij të përulur zbulimin e qëllimit të tij të lavdishëm. Profeti Amos tha: «Zoti nuk bën asgjë, pa ua treguar sekretin e tij shërbëtorëve të tij, profetëve.»​—Amosi 3:7.

Zhvilloni përulësinë dhe do të keni miratimin e Perëndisë

15. Pse duhet të përpiqemi të mbetemi të përulur? Si tregohet kjo në rastin e mbretit Saul të Izraelit?

15 Për të pasur gjithnjë miratimin e Perëndisë duhet të mbetemi të përulur. Fakti që tani mund të jemi të përulur nuk do të thotë se do të jemi gjithnjë të tillë. Mund të ndodhë që një njeri ta humbasë përulësinë dhe të bëhet krenar e të lartësojë veten. Këto të çojnë në siguri të tepërt te vetja dhe pastaj në rrënim. Sauli, i pari që u miros si mbret i Izraelit, veproi pikërisht kështu. Kur e zgjodhën si mbret, ai ndihej ‘i vogël në sytë e tij’. (1 Samuelit 15:17) Por pasi kishte vetëm dy vjet që mbretëronte, veproi me siguri të tepërt te vetja. Shpërfilli rregullin e Jehovait për të ofruar flijime nëpërmjet profetit Samuel dhe pastaj sajoi justifikime për faktin që i ofroi vetë flijimet. (1 Samuelit 13:1, 8-14) Ky ishte fillimi i një sërë ngjarjesh që zbuluan qartë se Sauli nuk ishte i përulur. Si pasojë humbi frymën dhe miratimin e Perëndisë, e kjo së fundi e çoi në një vdekje çnderuese. (1 Samuelit 15:3-19, 26; 28:6; 31:4) Mësimi është i qartë: duhet të përpiqemi të mbetemi të përulur e të nënshtruar dhe t’i shtypim ato ndjenja që na bëjnë të ndihemi tepër të rëndësishëm. Në këtë mënyrë nuk do të veprojmë me siguri të tepërt te vetja, që do të na bënte të humbnim miratimin e Jehovait.

16. Si na ndihmon të zhvillojmë përulësi meditimi rreth marrëdhënies me Jehovain dhe me njerëzit e tjerë?

16 Megjithëse përulësia nuk renditet si pjesë e frytit të frymës së Perëndisë, ajo është një cilësi e perëndishme që duhet zhvilluar. (Galatasve 5:22, 23; Kolosianëve 3:10, 12) Meqë përulësia është një gjendje e mendjes, domethënë çfarë mendojmë për veten dhe për të tjerët, zhvillimi i kësaj cilësie kërkon përpjekje të vetëdijshme. Arsyetimi dhe meditimi rreth marrëdhënies sonë me Jehovain dhe me njerëzit e tjerë mund të na ndihmojë të mbetemi të përulur. Në sytë e Perëndisë çdo qenie njerëzore e papërsosur është si bari i gjelbër që rritet për pak kohë, pastaj vyshket dhe thahet. Njerëzit janë thjesht si karkalecat në një fushë. (Isaia 40:6, 7, 22) A ka arsye një fije bari që të jetë krenare vetëm sepse është pak më e gjatë se fijet e tjera të barit? A ka arsye një karkalec që të mburret për aftësitë e tij vetëm sepse mund të hidhet pak më shumë se karkalecat e tjerë? Është absurde edhe ta mendojmë këtë. Prandaj apostulli Pavël u kujtoi të bashkëkrishterëve: «Kush të bën ty të ndryshosh nga një tjetër? Në fakt, ç’gjë ke ti që nuk e more? Tani, nëse në të vërtetë e more, përse mburresh sikur nuk e more?» (1 Korintasve 4:7) Meditimi rreth vargjeve të tilla biblike mund të na ndihmojë të zhvillojmë e të shfaqim përulësi.

17. Çfarë e ndihmoi profetin Daniel të zhvillonte përulësinë? Çfarë mund të na ndihmojë edhe ne që të bëjmë të njëjtën gjë?

17 Danieli, profeti hebre, u quajt «njeri shumë i dëshirueshëm» në sytë e Perëndisë, sepse ishte ‘i përulur’. (Danieli 10:11, 12, BR) Çfarë e ndihmoi Danielin të zhvillonte përulësi? Pikësëpari, shfaqi besim të patundur te Jehovai, duke iu drejtuar rregullisht në lutje. (Danieli 6:10, 11) Përveç kësaj ishte studiues i zellshëm i Fjalës së Perëndisë dhe këtë studim e bënte i shtyrë nga motive të drejta. Kjo e ndihmoi ta mbante të qartë në mendje qëllimin e lavdishëm të Perëndisë. Po ashtu ishte i gatshëm të pranonte edhe të metat e tij, jo vetëm ato të popullit të tij. Danieli ishte edhe shumë i interesuar për të mbështetur drejtësinë e Perëndisë, e jo të tijën. (Danieli 9:2, 5, 7) A mund të mësojmë nga shembulli i jashtëzakonshëm i Danielit dhe të përpiqemi të zhvillojmë e të shfaqim përulësi në të gjitha fushat e jetës?

18. Ç’lavdi i pret ata që shfaqin përulësi sot?

18 Te Proverbat 22:4, BR, thuhet: «Fryti i përulësisë dhe frika e Jehovait është pasuri, lavdi dhe jetë.» Po, Jehovai u tregon hir atyre që janë të përulur, prandaj fryti ose rezultati është lavdi dhe jetë. Psalmisti Asaf kaloi një periudhë kur pothuajse po e braktiste shërbimin ndaj Perëndisë, por pastaj Jehovai e ndihmoi të ndreqte pikëpamjen. Pas kësaj përvoje ai pranoi me përulësi: «Ti do të më udhëheqësh me këshillën tënde dhe do të më çosh pastaj në lavdi.» (Psalmi 73:24) Ç’të themi për sot? Ç’lavdi i pret ata që shfaqin përulësi? Përveçse mund të kenë miratimin e Jehovait dhe një marrëdhënie të lumtur me të, ata mund të presin me padurim përmbushjen e fjalëve të frymëzuara të mbretit David: «Zemërbutët do të zotërojnë tokën dhe do të gëzojnë një paqe të madhe.» Kjo është vërtet një e ardhme e lavdishme!​—Psalmi 37:11.

A ju kujtohet?

• Pse Stefani është shembull i një personi të përulur të cilit Jehovai i zbuloi lavdinë e Tij?

• Në cilat mënyra ka treguar përulësi Perëndia Jehova?

• Cilët shembuj tregojnë se Jehovai ua zbulon lavdinë e tij të përulurve?

• Si mund të na ndihmojë shembulli i Danielit që të zhvillojmë përulësi?

[Pyetjet]

[Kutia në faqen 12]

I fortë, e megjithatë i përulur

Në vitin 1919, në kongresin e Studentëve të Biblës (të cilët sot njihen si Dëshmitarët e Jehovait) në Sidër-Point të Ohajos, SHBA, 50-vjeçari Xhozef F. Radhërford, i cili në atë kohë mbikëqyrte veprën, me kënaqësi doli vullnetar që të punonte si hamall duke mbajtur valixhet dhe duke i shoqëruar delegatët nëpër dhoma. Ditën e fundit të kongresit, ai i entuziazmoi 7.000 të pranishmit me fjalët: «Secili nga ju është një ambasador i Mbretit të mbretërve dhe i Zotërisë së zotërinjve, duke u shpallur njerëzve . . . mbretërinë e lavdishme të Zotërisë tonë.» Ndonëse vëlla Radhërfordi ishte njeri me bindje të forta, sepse njihej si një që fliste me forcë dhe haptazi për atë që besonte se ishte e vërteta, ai ishte edhe shumë i përulur përpara Perëndisë. Këtë e pasqyronte shpesh në lutjet që bënte në adhurimin e mëngjesit në Bethel.

[Figura në faqen 9]

Stefani, i cili i njihte mirë Shkrimet, me përulësi u shpërndau ushqim të tjerëve

[Figura në faqen 10]

Gjendja e përulur mendore e Manaseut i pëlqeu Jehovait

[Figura në faqen 12]

Pse Danieli ishte «njeri shumë i dëshirueshëm»?